Nga KOZETA NUSHI –ALIKAJ/
“ M’u desh në jetë të kaloja shumë stuhi, shumë dimra të acartë…Po kuptova se pas çdo stuhie lind dielli dhe pas çdo dimri vjen pranvera. Kjo që unë po jetoj tani është pranvera ime…” – shkruan Zonja Fotini Thano, që gjithë kohën ka sfiduar shumë dallgë, shumë rrebeshe dhe si shqiponjë e vetme ka rritur 9 fëmijët e saj duke i ushqyer me dashuri për atdheun, për kulturën, për librat, për arsimin, duke pasur fatin e mirë t’i shohë të gjithë të shkolluar dhe me aktivitetet e tyre private.
Është 78 vjeçe dhe përdor internetin, facebook-un. Ecën në një hap me kohën dhe s’ka bir nëne që ta ndal dhe ta kthej mbrapsht, pasi energjia e saj është aq e madhe saqë shemb edhe malet.
Më ka bërë shumë përshtypje libri i saj i parë, i shkruar në moshën 75 vjeçe dhe që titullohet: “KOPSHTI I PRANVERËS … KUJTIME NGA JETA”.
E lexova këtë libër të mrekullueshëm, plot me ndjenjë, plot me forcë, shumë dinamik, shumë bindës në vërtetësinë e jetës, e lexova brenda natës, pasi ditën që e mora në dorë isha e rrethuar me shumë miq dashamirës, që ngritën shumë dolli për nder të Zonjës Fotini dhe librit të saj, duke blerë trëndafila të kuq, në shenjë nderimi, pa i kursyer komplimentet e tyre për shembullin që zonja Fotini jep për gjith bashkëmoshatarët e saj. Shumë zotohen ta mbushin jetën e tyre me kujtime nga jeta, duke u lënë pas fëmijëve dhe nipërve të tyre një dhuratë shumë të çmuar.
Disa prej tyre arrijnë vërtet të shkruajnë kujtime të mrekullueshme që të lënë pa fjalë.
Mua si person libri i titulluar: “KOPSHTI I PRANVERËS” , më bëri aq shumë përshtypje, saqë mora zotimin se në një të ardhme të afërt, do t’ia besoj një mikut tim regjizor për ta bërë film. Mirëpo më parë duhet ta përkthej në italisht, pasi në Shqipëri s’njoh asnjë që mund të më ndihmojë për t’ia arritur këtij qëllimi.
Mbi të gjitha, plus librit më bën përshtypje parathënia e tij, e shkruar nga Prof.Dr.Bardhosh Gaçe, një personalitet shumë i njohur për qytetin e Vlorës. Kjo parathënie më pëlqen deri në atë farë shkalle saqë më bën pak xheloze. Edhe pse xhelozia nënë e bijë lind natyrshëm, ndjehem krenare për suksesin e arritur nga mamaja ime, edhe pse për momentin më duket se më sfidon. Duke i lënë mënjanë vogëlsirat e momentit, bashkë me bashkëshortin tim dhe fëmijët e mi i dhurojmë si shpërblim mamasë sime, vjehrrës së burrit tim dhe gjyshes shembullore të fëmijëve të mi pushime të mrekullueshme në DISNAY LAND PARIS, duke e respektuar edhe më shumë si shkrimtare.
Pa u ndalur shumë tek pushimet tona, ku djali im i vogël ÇEZARE(CESARE), merr duartrokitjet e para të përzemërta nga shumë turistë, me këngën e kompozuar, krijuar dhe kënduar nga ai :”Mami im” po ju bëj të njohur parathënien e shkruar nga Prof.Dr. Bardhosh Gaçe, për librin e Zonjës Fotini: – “KOPSHTI I PRANVERËS”
DY FJALË
Duke shfletuar rrëfimin dramatik të Fotini Thanos, jeta e saj, si Vjosa e harbuar nëpër brigje, shkumëzon për t’i rrëfyer kohës sonë dhe brezave të rinj fatin e saj në shoqërinë shqiptare të shekullit xx. Ligjërimi i saj shpirtëror nuk është gjë tjetër veçse Bibla e heshtur shqiptare, e cila përcjell natyrshëm dhimbjet, brengat e gëzimet e jetës së një gruaje stoike, për të mbajtur përherë ndezur zjarrin e saj të dashurisë në familje.
Jeta dhe fati i Fotini Thanos është pjesë e pandarë e jetës shqiptare, duke filluar që nga vitet e Luftës së Dytë Botërore e gjer në kohët tona moderne, kur ajo, nga Vlora dhe Fitorja, udhëton nëpër hapësirat e emigracionit evropian pas fëmijëve, nipërve e mbesave. Mbi të gjitha, ajo, tashmë si gjyshe e urtë dhe e mençur, me fjalën e saj dritësore, di të rrëfejë me një mjeshtëri kalvarin e jetës së saj dhe përherë përcjell optimizmin e vet për të ngadhënyer mbi dramat e jetës e për të krijuar lumturinë e familjarëve.
Faqet e këtyre kujtimeve i ka shkruar shpirti i saj i bardhë e fisnikëria e saj, të cilat zbërthejnë natyrshëm ndonjë ngjarje, bëma e aspekte, që herë –herë të drithërojnë për botën e tyre emocionale, duke përcjellë një ligjërim të ngrohtë narrativ.
Mbi të gjitha, kujtimet e Fotini Thanos janë edhe një dëshmi e jetës shqiptare të kohës, nëpërmjet tyre mësojmë edhe vitalitetin e gruas shqiptare nëpër dallgët e ashpra të jetës./Prof.Dr. Bardhosh Gaçe/