Shkruan: Don Robert Kola*/
Ditë më parë më ra në dorë libri i dom Nikë Ukgjinit “Kisha katolike në trevat shqiptare nga shek XI deri sot”, botuar nga Qendra botuese shoqata e jezuitëve, Tiranë 2016.
Edhe lexuesin e rëndomtë libri e vë para disa dyshimeve. Zë fill nga vetë titulli i librit: autori ka marrë përsipër një barrë tepër të rëndë, që për ta bartur – përmbushur nuk do te mjaftonte edhe një institucion i tërë i fushës përkatëse. Kjo vërehet nga periudha e gjatë, që merr në vështrim autori, po edhe nga shumësia e dukurive që shtron në të dhe synon t’i vështrojë e t’i sqarojë. Natyrisht, për t’u marrë me shumësinë e dukurive dhe të mëdyshjeve para të cilave të vë libri, në këtë shkrim të shkurtër, më tepër si reagim, po veçoj vetëm pak dukuri e të dhëna.
Në fillim me duhet të përmend faktin se libri i përmendur duhet sado pak ta trandë ndërgjegjen e shtëpisë botuese; në të nuk është e përcaktuar qartë metodologjia sado e thjeshtë e studimeve historike, të cilën jezuitët e përcjellin me përkushtim e hollësi.
Po shkëpus këtu një pohim të autorit të librit në f. 272, ku thuhet: “Yves de la Briere, në librin Etudes, (1933) dhe filozofi frëng Jacques Maritain, (1882-1973), në librin Njeriu dhe Shteti, (Chicago 1951), duke u mbështetur në mësimet e Shën Tomë Akuinit (shek XIII), do shpreheshin se‚ Shteti përbëhet nga një komb i vetëm… dhe Shtetet që përbëhen nga shumë kombe të ndryshme do të shkatërrohen”.
Njëmend e mëson shkolla jezuite këtë gjë? A thua botimet e jezuitëve duhet t’i bëjnë vend, brenda shtëpisë se tyre, një qëndrimi të tillë të përmbysur, jashtë çdo kriteri të mendimtarëve që i përmend autori i librit, i cili me hamendësim përkufizon mendimet e Tomë Akuinit dhe Jacques Maritain, mendime të cilat ndiqen me aq përpikëri nga shkollat jezuite?
Mbase dukuria e shtetit fshin dimensionin eskatologjik të historisë, ku fise, popuj e kombe të ndryshme, nga të gjitha skajet e tokës, do këndojnë këngën ngadhënjyese të Qengjit në Mbretërinë e Hyjit? Mos shteti si një përbindësh do t’i shpërlajë dhe zhbijnë kombet dhe fiset e tjera që nuk do shkrihen në një shtet të vetëm e në një komb të vetëm? A thua shteti është hipostaza e vetme e historisë që do mbijetojë? Apo nuk janë popujt, kombet e fiset e ndryshme që përbëjnë hipostazën e vërtetë eskatologjike të historisë sipas mendësisë së krishterë?
Në rrjedhën e natyrshme të dukurive nga shtëpia botuese lexuesi pret një përgjigje rreth këtij pohimi që haset në botimin e saj.
Nga këto pyetje, natyrisht, po e kursej autorin e librit, mbasi ai nuk e merr me mend përmasën e saj.
Kërkoj një përgjigje shkencore edhe nga dy recensuesit e librit: Pëllumb Xhufit dhe Jahja Drançollit si dhe nga Atë Mario Imperatori, i cili nga ana e vet bëri një vlerësim të këtij botimi edhe me shkrim.
Po përmend këtu metodën dhe natyrën e këtij libri që mban “Kisha katolike në trevat shqiptare nga shek XI deri sot”, mbasi vetë autori ngatërrohet për të përcaktuar metodën e studimit. Në Hyrje të librit autori thekson: “Libri ka si qëllim të mbarështojë ngjarjet historike, (kursivi im) të cilat kanë të bëjnë me shqiptarët në trevat e tyre stërgjyshore dhe Institucionin e saj të pa ndashëm Kishën katolike, (kursivi im) e cila ndau fatin e popullit në të mirë dhe në të keq” (f. 21) dhe vazhdon më tutje “libri në fjalë ka këndvështrimin e vet të paraqitjes (së) të historisë kishtare” (kursivi im) (f. 22) dhe shton: ”është më i thelluar dhe më gjithëpërfshirës në zbërthimin e ngjarjeve historike që lidhen me Kishën Katolike në trevat shqiptare (kursivi im). Ky punim synon të merret në hollësi me jetën konkrete të Kishës shqiptare (kursivi im) të salvuar dhe vijimësinë e rrugës së saj për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar gjatë luftërave të ashpra pushtuese sllave dhe osmane”. (f. 22)
Temat që dalin sipas Hyrjes së autorit janë: a) Kisha në trevat shqiptare; b) historia kishtare; c) ngjarjet që lidhen me Kishën katolike në trevat shqiptare; si dhe d) paraqitja në hollësi e jetës konkrete të Kishës shqiptare.
Kjo e fundit përbën një risi të padëgjuar për shkencën e historisë.
Pra, lexuesi i zakonshëm ka nevojë t’i kuptojë mirë caqet e metodës shkencore të këtij punimi. Nga një vrojtim edhe kalimthi i Hyrjes së librit arrihet të kuptohet se në këtë punim bëhet fjalë për tri fusha të kërkimit, dhe që metoda shkencore e historisë i dallon mirëfilli. Nuk kuptoj se si kjo vepër “shkencore” synon të paraqesë: historinë kishtare; Kishat në trevat shqiptare si dhe jetën konkrete të Kishës shqiptare, kur secila prej tyre kërkon qasje të ndryshme dhe vetvetiu kërkon metoda të veçanta.
Mbi të gjitha nuk e kuptoj “risinë shkencore” të autorit i cili synon të paraqesë historinë e “jetës konkrete të Kishës shqiptare.”
Ky përkufizim të rikujton periudhën e persekutimit nga sistemi i diktaturës komuniste, kur kërkohej të krijohej Kisha kombëtare dhe persekutimi i saj dhe nuk kuptoj çka më saktë autori synon të përfshijë përmes këtij nocioni.Ajo çka më intereson këtu është si përvijohet metoda shkencore për të paraqitur “jetën konkrete të Kishës shqiptare.”Për këtë arsye u drejtohem P. Xhufi-t, J. Drançolli-t dhe Atë M. Imperatorit, të shtjellojnë përvijimin e kësaj risie në shkencën e historisë si dhe metodën e saj të cilën autori e paska ndjekur më aq “rreptësi”?
- E dergoi per Diellin, Alfons Grishaj