• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“JU, KISHAT RRANONI, POR TOKA NUK LOT!”

August 15, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e XXXIII)

Melbourne, Gusht 2021

Kjo thanje e At Meshkallës u ngulit në mendjen e çdo Shqiptari që e ndigjoi kur Ai, i tregoi “revolucionarve” ateistë e antiatdhetarë se shka po bajnë kundër fesë. Fotot nalt të Kathedrales së Shkodrës së Rindertueme mbas 1991 flasin për shka paralajmoi At Meshkalla! Po në gjithë Shqipninë sa u rindertuene? At Pjeter Meshkalla shkruen: “…Na jemi gurët (të mëdhej o të vegjel) të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shifen ma, por janë në thëmel të parë! Qé, ambicioni i themelit. M’u zhdukë e mos me u pa ma!..”. Gurët e Atij themeli asht e vërtetë se komunistëve iu dukën të vegjël. Ata menduen se Ata gurë me të vërtetë do të zhduken e nuk do të shiheshin ma në truell të  Gjergj Kastriotit. Ndoshta, mendohej se dallgët e atij “Revolucionit” do të rrafshonin bashkë me gurët “që kishin fillue me nxjerrë krye”, e pikërisht me Ata gurë, që ishin vu mbi thëmelet e kulturës Europiane edhe Heronjtë, që kishin la me gjakun e tyne Ata themele.

Pallati i Sportit Shkoder, ku u zhvillue Kongresi i 7 BGSH …1973, Shkoder, Foto në Qershor 1973.
Ja dhe masakra komuniste e “Revolucionit Kultural dhe Ideologjik 1967” në Kishen Kathedrale 100 e sa vjeçare të Shkodres e cila u kthye në “Pallat Sporti” deri në vitin 1991.

Por koha tregoi se Gurët e parë nuk kishin luejtë, nuk ishin thye, as nuk ishin ciflosë e plasë, nuk ishin shkatrrue dhe as rrokullisë, jo, kurrë! Ishin Aty! ATA GURË të vendosun në themel të tokës Shqiptare që në Shekullin e Parë të Epokës mbas Krishtit nga Shen’Pali, po, edhe sot Ata gurë po mbroheshin nga Pjetri, që tha: “Ju, Kishat rranoni, por Toka nuk lot! Ju, prishni  Kisha e Xhamija, por Ata do të ndërtohen prap një ditë!..”. Komunitetet Fetare Shqiptare duhet me i dokumentue këto ngjarje per njohjen nga Rinia Shqiptare, që ajo të shohin me sy kush ishte komunizmi bashkë me “ata” që, dhe sot vazhdojnë me kenë “heronjë” në Shqipni?..Ky pra ishte i Madhi At Pjeter Meshkalla!..

At Pjeter Meshkalla

Filed Under: Kulture Tagged With: At Pjeter Meshkalla, Fritz radovani, Kisha Katolike

KONTRIBUTI I ATË SHTJEFËN GJEÇOVIT PËR NDRIÇIMIN E VRASJES SË ATË LUIGJ PALAJT

July 15, 2021 by s p

Msc. Enver Sulaj

“Diftesat, mbi xanjen, mundime e dekë t’Atë Luz Paliqit, O.F.M. i cili kje mbytë me 7 të Marcit 1913 e shti në nji gropë në katunit të Janoshit, shi aty ku e njomi tokën me gjak të vet!”. Ky është titulli i dorëshkrimit të Atë Shtjefën Gjeçovit, për sivëllain françeskan- Atë Luigj Palajn, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe ka 82 faqe. Trembëdhjetë vjet pas martirizimit të Atë Luigj Palajt, në vitin 1926 Atë Shtjefën Gjeçovi ishte nisur drejt Kosovës, për të hulumtuar rastin tragjik të 13 vjetëve më parë, kur ky atdhetar i devotshëm qe bërë barriera e parë kundër asimilimit dhe shkombëtarizimit të shqiptarëve të rajonit të Dukagjinit, që dokumentohet përmes dëshmive të shumta. Atëbotë, qarqet politike e pushtuese malazeze nuk po kursenin askënd, as shqiptarët katolikë, e as ata myslimanë, bile as prijësit fetarë, siç ishte Atë Palaj, i cili, megjithë paralajmërimet që i ishin bërë nga bashkëkombësit e tij për rrezikun që i kanosej nga forcat malazeze, ishte shprehur i vendosur në qëndrimin e tij. Me shumë kujdes dhe si një kronist i vërtetë, Atë Shtjefën Gjeçovi gjatë qëndrimit në Gllogjan, Pejë, Gjakovë e Zym, interviston persona të ndryshm, të cilët në një formë apo në një tjetër kishin njohuri mbi vrasjen e Atë Luigj Palajt. Në një dëshmi, shkruar nga vetë Gjeçovi, lexojmë: “Sot, me 4 të Vjeshtëdytit 1926, Mëhill Marku i shpis së Kocit në Gllogjan më diftoj se nja dhetë ditë perpara se mbyten Atë Luzin, kishte shkue te shpia e Uk Gjonit dhe e kishte këshillue qi mos të shkote nder Shkje, se ata janë ba si qej te terbue, e mnojshin me i ba ndonji sherr. M’at rasë qe se çë kuvend kishte ba Atë Luzi me Mëhillin, sikurse më diftoj vetë Mëhilli n’orën 8 perpara mjesditet mbas Meshet, e tuj pi kafe në pjekëtore të çelës së Gllogjanit. Ky Mëhilli njeri i fjeshtë, njeri i pershpirtshem, e jeta e ti jetë baritore. Mëhilli: Zotni, mos shko me u pa nder ata Shkje e mos të bajën ndonji dredhi e me të damtue!

Atë Luzi: Mëhill, a je bari gjajet ti?

Mëhilli: Po, Zotni!

Atë Luzi: Po me ba me pa ti se uku po i turret tufës s’ate, shka ban ti?

Mëhilli: Rroki pushken edhe i vëhem në shpinë ukut, per me e turitë a me e vra qi mos të m’a

damtoje tufen!

Atë Luzi: Mirë fole, Mëhill, ti i del zot tufës s’ate me pushkë, e une do t’i dal zot tufës s’eme qi

janë katolikët, me fjalë të Zotit e me këshille! Uku ka hi veç mbrenda vathit t’em, e ka fillue me

m’a damtue tufen. Mue më duhet, pra, me i ra mrapa tufës s’eme e me i turitë ujqt me kercnime

të rrebëta me anë të Zotit. -Une nuk ja kam kujdesin këti mishit t’em, i cilli, a sod, a nesër do të

bahet gjell krymbash.-“ Por, malzezët po e ndiqnin këmba-këmbës Atë Luigjin. Pasi i kishin rënë

në gjurmë, e kishin burgosur për ta dërguar më pas në burgun e Gjakovës. Këtu po fillonte rruga

e Kalvarit për të, por edhe e bashkatdhetarëve të tij, të cilët vuajtën bashkë me të deri në frymën

e fundit. Në një dëshmi tjetër, jepen të dhëna interesante lidhur me torturat që i ishin bërë dhe

dashurinë ndërvëllazërore e ndërfetare të shqiptarëve, të cilët po vuanin bashkë, sepse edhe fronti

i rezistencës ishte i përbashkët. “Prej goje të Rexhep Sylës, musliman prej Maznikut (në nahijet

të Pejës)…, sikur i kishte pasë rrëfye Hasan Kocit vetë, përmbas mundimit t’Atë Luzit. Ky

Rexhepi ka kenë lidhë krah për krah me Atë Luzin prej Gjakovet deri në Janosh. Rrethi i të

lidhunve ka kenë 60 vetësh. Si mbërrine në Janosh, Atë Luzin e liruen prej krahit të Rexhepit tuj

ja lidhë duert permbrapa, e Rexhepin e quen nder rreshta të pare, e atë e lidhen vetë të tretin.

Permbas mundimesh e grushtimesh me druna pushkësh, ku edhe tuj e therë lehtas me bajoneta,

Atë Luzin e shmangne prej udhet edhe e vranë aty. Kur ishin tuj e therë e permbasi krisën

pushkë, kishte pas britë tri herë rresht: ”Kofët per hater të Krishtit!” ”Kofët per hater të Krishtit!”

”Kofët per hater të Krishtit!” Këto fjalë i kishte pas përsërit shpesh herë edhe per të gjatë t’udhës.

Ashtu më diftoi Hasan Koci e Rexhepi këtij.“ Ditët e fundit të jetës së Atë Palajt, ashtu siç dalin

nga ky dorëshkrim i Gjeçovit, por edhe dëshmive që ofron revista famëmadhe Hylli i Dritës, janë

vuajtje si të Jezu Krishtit, me mundime çnjerëzore, drejtuar mbi korpin e tij, i cili kishte qëndruar

edhe në dhê i paprishur për nëntë javë, siç e pohojnë dëshmitë. “Prej gojet të Zenun Sokolit prej

Gllogjanit, musliman me fis i Berishas. Me 25-IX-1926 nji mbramje kah ora 7, ishe ndejë n’atë

në qelë te Gllogjanit, kur u beh me kalue do kohë me mue Zenun Sokoli, e nder tjera kuvende qi

bamë, m’u dha edhe e pveta mos kishte me më diftue gja mbi mundime e dekë t’Atë Luzit? Ky

më përgjegji: “Zotni, une jam musliman, por po të kallxoj me të drejtë të shpirtit, se Atë Luzin e

kan pasë mbytë shkjet per Fe e vetem pse s’dasht me i ra mbohë Besimit Katolik e me u ba

Shkja. Edhe po të tham, Zotni se nji gojet e zanit Katolikë e muslimanë ka njimi herë në ditë ja

urojnë shpirtin Atë Luzit tuj thanë: -Dritë i baftë shpirti ati Frati, se deka e ti e gjaku i ti e ka

pshtue robnin e Metohis e të Kosovës mbarë! Mos të ishte ai, na kurrnji i gjallë së patëm për të

mbetë, e aj qi donte të jikte gjallë, do të mbaronte me u ba Shkja! Deka e Atë Luzit kje pështimi i

Katolikve e i muslimajve të këtynve krahinave.” Dëshmitarët që flasin para Atë Gjeçovit betohen

para dëshmisë së tyre, ndërkaq metoda e hulumtimit dhe përshkrimi i kufomës së Atë Luigjit,

është gati si e një patologu profesionist, deri aty sa përshkruhen imtësisht edhe plagët dhe shenjat

e dhunës mbi trupin e tij. “Gjakovë, në Kapele të Shna Ndout. Sot me dy të Vjeshtëtretit 1926

n’oren 11 ¾ para mjesditet, erdh te une Smail (Mark) Sadrija i Janoshit, me fis prej Merturit të

Gurit, i cilli kje grishë prej mejet, per me e pëvetë sa punë mbi mundime e dekë të t’Atë Luz

Paliqit. Pa fillue të flasë goja e këtij plakut 70 e ma vjeç, sytë e tij folen tuj ju mbushë me lot sa

ja permenda emnin e Atë Luzit, e qi pa ngjat ju perfulluene lot neper mollëza te perhupuna prej

pleqniet, e tuj ju dridhë mjekrra e buzët prej vajit, më tha: “Zotni, na urojëm qi Krishti, per të

cillin s’ju dhimbt jeta Atë Luzit, e ka marrë shpirtin e tij në Lumëni të vet! Zotëni, sikurse aj

qindroi ngulët në Fe të lume, ashtu e ka pasë trimnue popullin, jo veç në burg të Gjakovës,

sikurse e kanë dishmue katolikët e muslimajt qi paten kenë me të në burg, por edhe per të gjatë

udhës, deri qi e grine shkjet u ka pas thanë: ”Vëllazen, hiqni keq, por mos ndërroni Fe!”- Kur i

nepshin mund të burg të Gjakovës, edhe i thojshin shkjet qi të bahet shkja, Atë Luzi u pergjegjte:

”Une kam Zotin t’em Krishtin, e xëvësin e tij në tokë, qi sundon Kishen katolike. Une si Meshtar

katolik, urdhnit të tij i rri mbëkambë e vetem atij i ndigjoj. Jam Meshtar i Krishtit e së kanë

nevojë të thirrem Pop!”

Më tej, Gjeçovi, në dëshminë e tij shkruan:“Ky… plak i ndershëm, i cili i kishte pas mbëledhë

trutë e Atë Luzit me gjymsen e epër të rrashtes të shkapaderdh prej armës gjaksore të

Malazesëve, m’a vërtetoi me besë e fe se: Trupi i Atë Luzit i shtimun në gropë shi afer ku e paten vra shkjet, pa farë mbëlojet e shtrojet pertokë e thotë sypri e përfundmi, mbas tri javësh, (I kje qil vorri prej një komisionit ushtarak të Malit të Zi e prap shti në atë gropë e mbas 9 javësh kjen nxjerrë e que në Zymp e shti në dhe në Bëtyq-Zymp).ashtu veq në këmishë tlinta e pantoll me kollqikë në kambë, kur e xueren per me e que në Gjakovë e mandej në Zymb, as ishte ken prishë e as marrë far ere e marrë një hije aq të bardhë, qi kundruall trupit të tij të bekuem ky muer… më duket i zi!” Këto fjalë, pra, m’i dishmoi goja e lotët e Smail (Mark) Sadrisë, i cilli e krei kallzimin me këto fjalë: “Deka e Atë Luzit e suell pështimin e këtij popullit. Gjaku i Atë Luzit na peshtoi prej rrenimit të plotë!” Gjeçovi kishte qëndruar në Zym, më 16-XI-1926, ku kishte urdhëruar që të hapej varri dhe ta shikonte edhe një herë trupin e Atë Luzit. “Mbrenda vorrit hini Atë Leka e z. Noz Seba. E permbasi u thaçë (une ishe në buz të vorrit tuj shikjue) qi të shikjojshin a e kishte kryqin n’parzem e nuk ja gjeten, u thaçë qi të m’a xjerrin kocin ma të hollin të dorës së djathët (at koc qi asht ndermjet të brrylit e të dorës, e nji nye gishtit të dorës së djathët. Mbasi e largue me llomin e mishit, i xueren këta kocij qi ju lypa.- Oroe: Kocin e dorës une e mora me vedi, e të gishtit, e ndali Atë Leka.” Përveç dëshmive të shumta, të mbledhura me shumë kujdes në vendbanime të ndryshme, në këtë dorëshkrim gjenden edhe një këngë për Atë Luigj Palajn dhe një krijim poetik, tingëllimë, e shkruar nga famullitari i atëhershëm i Becit, dom Gjon Bisaku, i cili ia shton përshkrimit të kryqit me kërkesë të Atë Shtjefën Gjeçovit. Më lejoni ta përmbyll këtë kumtesë të shkurtër, me disa vlerësime. Këtë dorëshkrim të Atë Gjeçovit e shquan:

-Përkushtimi: ai ka ecur në këmbë në relacionin Gjakovë- Zym, ashtu si edhe nga Peja në drejtim

të Gllogjanit, por edhe në vendbanime tjera;

-Dashuria për atdheun, fenë e kombin e tij, pa e dalluar për kah religjioni, sepse, ashtu si qenë

bashkë në ato ditë vuajtjeje e mundimesh në udhën e kryqit, të cilën e bënë bashkë, sepse

s’kishin rrugë tjetër;

-Stili i të shkruarit: i kujdesshëm, konciz, i saktë, me trajta sintaksore e leksikore, model edhe për

shkruesit e sotëm;

-Metodologjia e mbledhjes së dëshmive dhe autenticiteti i tyre: ofrohen emra, mbiemra, fise,

profesione, vendbanime;

-Dija e thellë shkencore, ndonjëherë edhe e juristit, etnologut, folkoristit, patologut etj.;

-Kur bën përshkrime të imëta, del zjarrmia dhe emocioni i shkruesit, që shihet në kaligrafinë e

tij, që e transmeton gjendjen emocionale e tensionin shpirtëror.

Dëshimtë e Gjeçovit janë të një rëndësie të shumëfishtë: historike, para së gjithash, por

edhe të një intelektuali me përgatitje të lartë e me vetëdije kombëtare, që po bënte të

pamundurën, në luftë me harresën, ashtu siç kishte bërë më vonë Atë Zef Pllumi, duke i dhënë

vetes misionin për të jetuar e për të dëshmuar. Duket të jetë ky një betim i brendshëm i meshtarëve shqiptarë, të cilët të udhëhequr nga parime të larta hyjnore e kombëtare, i kishin vënë vetes për detyrë të hidhnin në letër dëshimitë tragjike, për t’ia mbyllur gojën harresës, për të shënuar vuajtjet e grigjës së tyre, por edhe të vdekjes së njëpasnjëshme. Këto përpjekje, sot dalin të një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse mësimi i historisë duhet të jetë leksioni më i mirë i dijes dhe përgatitjes njerëzore. Por, ne si komb, duket se kemi problem me harresën, ashtu siç kemi probleme edhe me rrugën e drejtë, e cila na mjegullohet nga lakmia e ëndja e ligë, që dëmton palcën tonë kombëtare e qenien e shqiptarit të përvujtur, i cili, siç e dëshmon vuajtja e Patër Luigjit, nuk bën kompromis me atdheun. Ndoshta për koincidencë, ndoshta edhe të lidhura fuqimisht me njëra- tjetrën, por duket se edhe vetë vrasja e Gjeçovit është në linjën e vdekjeve tragjike të meshtarëve shqiptarë, të cilët nuk pranuan të gjunjëzoheshin kurrë, ndonëse fati i tyre mbetet i mbështjellë me vellon e mistereve të pasqaruara sa duhet. Ashtu siç kishin në jetë ideale të përbashkëta, Atë Shtjefën Gjeçovi e Atë Luigj Palaj prehen bashkë në tokën e bekuar të Zymit 1 , në muranën e rindërtuar së fundmi, për të shprehur adhurimin e përjetshëm të shqiptarëve, që përulen e luten, që shpirti i tyre të jetë dritë shprese e shpëtimi, për ne e brezat që do të vijnë.

(Kumtesë e mbajtur më 30 nëntor 2019, në Zym të Hasit, në sesionin shkencor kushtuar

Atë Shtjefën Gjeçovit, organizuar nga Shoqata „Trojet e Arbrit“)

Filed Under: Kulture Tagged With: ate luigj Palaj, Enver Sulaj, Kisha Katolike

KONTRIBUT PËR HISTORIOGRAFINË SHQIPTARE

March 30, 2017 by dgreca

1 libriNga Dr.Nail  Draga/*

Diversiteti fetar të shqiptarët paraqet një fenomen  të veçantë që na bën ndër popujt me tolerant në Europë, dukuri kjo e cila është vlerësuar vazhdimisht nga autoritetet e kohës. Edhe pse një  fenomen i tillë  në kohë të shkuara ishte me pasoja, ne kemi arritur ta ruajmë identitetin tonë kombëtar. Janë pikërisht studiues të huaj dhe vendas të cilët kanë publikuar artikuj apo botime të veçanta kushtuar çështjeve fetare të popullit tonë, nga kohërat më të hershme e deri në ditët tona. Nuk ka dilemë se trajtimi i temave të tilla  paraqet motivim për çdo studiues, por në veçanti për teologët të cilët i janë përkushtuar tërësisht këtij misioni hyjnor. Botimet e dritashme dëshmojnë për përkushtim dhe profesionalizëm, duke pasuruar fondin e botimeve në shqip. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse historia e konfesioneve  është vetë historia e popullit shqiptar.

Duke qenë në kuadër të kampit socialist  nga viti 1944 e  deri në vitin 1990, për shqiptarët  kanë ekzituar  mundësi të kufizuara për trajtimin e temave të tilla sepse nga cenzura e kohës  pasojat ishin evidente. Ishte kjo koha e ideologjisë komuniste, ku  në mënyrë perfide  tentohej të eliminonte strukturat konfesionale, duke  iu  penguar  veprimtarinë e tyre. Por, pas viteve 1989-1990, kur ra përfundimisht muri i ideologjisë moniste, në të gjitha vendet e ish kampit socialist, paraqitet rilindja konfesionale për të gjitha fetë, ku bën pjesë edhe ajo katolike.

Pikërisht në lidhje me këtë çështje kohë më parë, teologu dhe studiuesi dr.dom Nikë Ukgjini i paraqitet opinionit më librin Kisha katolike në trevat shqiptare, botuar nga Qendra Botuese Shoqata e Jezuitëve, Tiranë, 2016.

Autori librin e ka konceptuar në atë mënyrë që përbëhet prej katër pjesëve, duke ofruar të dhëna më interes, për një periudhë kohore nga shek.XI e deri më sot. Nuk ka dilemë se trajtimi i një teme për këtë periudhë të tillë kohore paraqet një sfidë për autorin sepse kanë ndodhur ngjarje të mëdha për ne shqiptarët. Dhe një apologji të tillë autori na e prezanton përmes fakteve dhe analizës historike  ku kisha katolike ishte dëshmitare e të gjitha peripetive të kohës.

Autori çështjen e kishës katolike  e trajton në hapësirën etnogjeografike shqiptare, nga  koha antike, pikërisht nga paraqitja e Shën Palit në Siujdhesën Ilirike, e  më pas. Pra, kemi një paraqitje kronologjike të krishtërimit, gjatë shekujve vijues, duke dëshmuar praninë e saj dhe sfidat gjatë shekujve. Kështu sfida e parë i përket shek.XI, përkatësisht vitit 1054, ndarjës së kishës lindore dhe përcaktimit të ortodoksizmit më qendër në Bizant, duke kriuar rivalitetin teologjik dhe ati shtetëror të kohës. Ishte kjo koha e ballafaqimit të shqiptarëve me identitetin e katolicizmit, tashmë jo si përkatësi por trashëgimi identitare dhe qytetëruese, në kuadër të rivalitetëve kishtare të kohës.Ishte kjo koha e mbijetesës,sepse ortodoksizmi u bë fe shtetërore te serbet e grekët që ishte imponim për të gjithë  qytetarët, pavarësisht se ata i përkisnin katolicizmit.  Ndërsa sfida tjetër i përket në shek.XIV, me invazionin e Perandorisë Osmane në Siujdhesën Ilirike, që zgjati rreth pesë shekuj, ku shqiptarët u islamizuan pothuaj  në dy të tretat e popullsisë.

Përveç pushtimeve nga vendet e ndryshme në proceset kishtare kanë ndikuar edhe  dekompozimet territoriale. Në sajë të të dhënave  del qartë se një dukuri e tillë ka qenë e pranishme  edhe më herët, por në mënyrë të veçantë u theksu dukshëm në shek.XIX ku në sajë të intrigave të  Fuqive të Mëdha shqiptarët pësuan më së shumti. Ishte kjo koha e rrudhjës territoriale, por edhe zvogëlimit demografik, fenomen ky që pati pasoja të pariparueshme për shqiptarët.

Të dhënat e ofruara nga autori në këtë botim, janë referenca nga literatura selektive nga  autoritete  shkencore, që dëshmojnë qasjen profesionale të autorit për temën e trajtuar.

Nëse për periudhën e kaluar, konsultimi i burimeve dhe literaturës është domosdoshmëri, përballja e kishës katolike me pushtetet e kohës, në shekullin XX, paraqet çështje të veçantë. Pikërisht për këtë periudhë kohore para dhe pas Luftës së Dytë Botërore janë botuar botime me vlerë pas  rënies së sistemit të diktaturave në vendet e ish kampit socialist në Europën Juglindore.Këto botime në një farë mënyre janë edhe dëshmi autentike sepse një numër i konsideruar i pesonave kanë përjetuar tmerrin e kohës së diktaturave, ku ajo në Shqipëri ishte rast i panjohur në botën e qytetëruar.

Pikërisht këtyre çështjeve autoriu iu ka rezervuar vend  të konsiderueshëm në pjesën e  katërt e këtij studimi  qe ka të bëjë me përsekutimin  e klerit në Shqipëri, që filloi me instalimin e pushtetit komunist, duke filluar nga viti 1944 e deri më 1980.

Regjimi i ri shqiptar i instaluar në Shqipëri në vitin 1944, me ideologjinë komuniste, përveç mbylljes së shkollave të Jezuitëve dhe të Françeskanëve në vitin 1946, iu kundërvu  fesë, klerikëve dhe institucioneve fetare me të gjitha përmasat, duke  iu vështirësuar punën e tyre, deri sa e shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë në shkurt të vitit 1967.

Ishte kjo një ditë fatzezë në historinë e jetës fetare, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve në Shqipëri. Edhe pse një veprim i tillë ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, ideologjia komuniste ishte parësore, duke eliminuar parimet e të drejtave dhe lirive të njeriut, si askund në botë, sepse Shqipëria kishte nisur revolucionin e saj bazuar në Revolucionin Kulturor Kinez. Ishte koha e vetizolimit si dhe eliminimit të elitës fetare dhe intelektuale shqiptare, më pasoja të mëdha kulturore e kombëtare.

Ishte kjo koha e burgosjeve, internimeve, vrasjeve të klerikëve intelektualë dhe laikëve katolikë.Shumica e klerikëve katolikë shqiptarë, por edhe të dy komunitetëve tjera islame dhe ortodokse, u burgosen, torturuan dhe u eliminuan nëpër burgje dhe kampet e internimit, ku periudha me kritike ishte ajo e viteve 1945-1960.

Burgosja dhe eliminimi i klerit katolik bëhej me paramendim se pushteti iu frigohej, duke ditur qendrimin, përkushtimin dhe  përgatitjen e tyre shkollore dhe ndikimin ne popull. Sipas disa të dhënave del se numri i klerikeve të tillë ishin rreth 200, që kishin kryer studimet në 25 qendrat  universitare europiane, ku së bashku kishin kryer rreth 500 vjet studime. Por, këta pushteti komunist i shpërbleu me mbi 900 vite burgime.

Nëse i bëhët një retrospektivë kësaj periudhe kohore del qartë se populli shqiptar përmes Kishës Katolike,  ndonëse me sakrifica të mëdha, arriti të ruaj identitetin e tij kombëtar, duke përjashtuar një pakicë e cila nuk arriti të ruajë fenë dhe idetitetin kombëtar, siç janë një pjesë e shqiptarëve në Mal të Zi. Ndonëse një dukuri e tillë ishte e pranishme si pasojë e ndryshimeve politike nga  shek.XIX  ajo po vazhdon edhe sot, që është shqetësuese dhe me pasoja të pariparueshme.

Në përgatitjen e këtij botimi autori ka konsultuar një literaturë profesionale dhe burime të ndryshme historike duke i ofruar opinionit një botim më vlerë shumëdimensionale. Autori ka parashtruar fakte dhe analiza historike të ngjarjeve, ku kisha katolike ka sfiduar rrethanat shoqërore të kohës, duke luajtur rolin e saj në historinë e shqiptarëve.

*Dr.Dom Nikë Ukgjini, KISHA KATOLIKE NË TREVAT SHQIPTARE, Botoi: Qendra Botuese Shoqata e Jezuitëve, Tiranë , 2016

*(Lexuar me rastin e perurimit të librit në Ulqin, më 4 mars 2017)                                                                                                                                                                                  

 

Filed Under: Histori Tagged With: DR. NAIL DRAGA, Kisha Katolike, ne Trevat shqiptare

DY FJALË RRETH LIBRIT “KISHA KATOLIKE NË TREVAT SHQIPTARE NGA SHEK XI DERI SOT” TË DON NIKË UKGJINIT

August 29, 2016 by dgreca

Shkruan: Don Robert Kola*/

Ditë më parë më ra në dorë libri i dom Nikë Ukgjinit “Kisha katolike në trevat shqiptare nga shek XI deri sot”, botuar nga Qendra botuese shoqata e jezuitëve, Tiranë 2016.

Edhe lexuesin e rëndomtë libri e vë para disa dyshimeve. Zë fill nga  vetë titulli i librit: autori ka marrë përsipër një barrë tepër të rëndë, që për ta bartur – përmbushur nuk do te mjaftonte edhe një institucion i tërë i fushës përkatëse. Kjo vërehet nga periudha e gjatë, që merr në vështrim autori, po edhe nga shumësia e dukurive që shtron në të dhe synon t’i vështrojë e t’i sqarojë. Natyrisht, për t’u marrë me shumësinë e dukurive dhe të mëdyshjeve para të cilave të vë libri, në këtë shkrim të shkurtër, më tepër si reagim, po veçoj vetëm pak dukuri e të dhëna.

Në fillim me duhet të përmend faktin se libri i përmendur duhet sado pak ta trandë ndërgjegjen e shtëpisë botuese; në të nuk është e përcaktuar qartë metodologjia sado e thjeshtë e studimeve historike, të cilën jezuitët e përcjellin me përkushtim e hollësi.

Po shkëpus këtu një pohim të autorit të librit në f. 272, ku thuhet: “Yves de la Briere, në librin Etudes, (1933) dhe filozofi frëng Jacques Maritain, (1882-1973), në librin Njeriu dhe Shteti, (Chicago 1951), duke u mbështetur në mësimet e Shën Tomë Akuinit (shek XIII), do shpreheshin se‚ Shteti përbëhet nga një komb i vetëm… dhe Shtetet që përbëhen nga shumë kombe të ndryshme do të shkatërrohen”.

Njëmend e mëson shkolla jezuite këtë gjë? A thua botimet e jezuitëve duhet t’i bëjnë vend, brenda shtëpisë se tyre, një qëndrimi të tillë të përmbysur, jashtë çdo kriteri të mendimtarëve që i përmend autori i librit, i cili me hamendësim përkufizon mendimet e Tomë Akuinit dhe Jacques Maritain, mendime të cilat ndiqen me aq përpikëri nga shkollat jezuite?

Mbase dukuria e shtetit fshin dimensionin eskatologjik të historisë, ku fise, popuj e kombe të ndryshme, nga të gjitha skajet e tokës, do këndojnë këngën ngadhënjyese të Qengjit në Mbretërinë e Hyjit? Mos shteti si një përbindësh do t’i shpërlajë dhe zhbijnë kombet dhe fiset e tjera që nuk do shkrihen në një shtet të vetëm e në një komb të vetëm?  A thua shteti është hipostaza e vetme e historisë që do mbijetojë? Apo nuk janë popujt, kombet e fiset e ndryshme që përbëjnë hipostazën e vërtetë eskatologjike të historisë sipas mendësisë së krishterë?

Në rrjedhën e natyrshme të dukurive nga shtëpia botuese lexuesi pret një përgjigje rreth këtij pohimi që haset në botimin e saj.

Nga këto pyetje, natyrisht, po e kursej autorin e librit, mbasi ai nuk e merr me mend përmasën e saj.

Kërkoj një përgjigje shkencore edhe nga dy recensuesit e librit: Pëllumb Xhufit dhe Jahja Drançollit si dhe nga Atë Mario Imperatori, i cili nga ana e vet bëri një vlerësim të këtij botimi edhe me shkrim.

Po përmend këtu metodën dhe natyrën e këtij libri që mban “Kisha katolike në trevat shqiptare nga shek XI deri sot”, mbasi vetë autori ngatërrohet për të përcaktuar metodën e studimit. Në Hyrje të librit autori thekson: “Libri ka si qëllim të mbarështojë ngjarjet historike, (kursivi im) të cilat kanë të bëjnë me shqiptarët në trevat e tyre stërgjyshore dhe Institucionin e saj të pa ndashëm Kishën katolike, (kursivi im) e cila ndau fatin e popullit në të mirë dhe në të keq” (f. 21) dhe vazhdon më tutje “libri në fjalë ka këndvështrimin e vet të paraqitjes (së) të historisë kishtare” (kursivi im) (f. 22) dhe shton: ”është më i thelluar dhe më gjithëpërfshirës në zbërthimin e ngjarjeve historike që lidhen me Kishën Katolike në trevat shqiptare (kursivi im). Ky punim synon të merret në hollësi me jetën konkrete të Kishës shqiptare (kursivi im) të salvuar dhe vijimësinë e rrugës së saj për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar gjatë luftërave të ashpra pushtuese sllave dhe osmane”. (f. 22)

Temat që dalin sipas Hyrjes së autorit janë: a) Kisha në trevat shqiptare; b) historia kishtare; c) ngjarjet që lidhen me Kishën katolike në trevat shqiptare; si dhe d) paraqitja në hollësi e jetës konkrete të Kishës shqiptare.

Kjo e fundit përbën një risi të padëgjuar për shkencën e historisë.

Pra, lexuesi i zakonshëm ka nevojë t’i kuptojë mirë caqet e metodës shkencore të këtij punimi. Nga një vrojtim edhe kalimthi i Hyrjes së librit arrihet të kuptohet se në këtë punim bëhet fjalë për tri fusha të kërkimit, dhe që metoda shkencore e historisë i dallon mirëfilli. Nuk kuptoj se si kjo vepër “shkencore” synon të paraqesë: historinë kishtare; Kishat në trevat shqiptare si dhe jetën konkrete të Kishës shqiptare, kur secila prej tyre kërkon qasje të ndryshme dhe vetvetiu kërkon metoda të veçanta.

Mbi të gjitha nuk e kuptoj “risinë shkencore” të autorit i cili synon të paraqesë historinë e “jetës konkrete të Kishës shqiptare.”

Ky përkufizim të rikujton periudhën e persekutimit nga sistemi i diktaturës komuniste, kur kërkohej të krijohej Kisha kombëtare dhe persekutimi i saj dhe nuk kuptoj çka më saktë autori synon të përfshijë përmes këtij nocioni.Ajo çka më intereson këtu është si përvijohet metoda shkencore për të paraqitur “jetën konkrete të Kishës shqiptare.”Për këtë arsye u drejtohem P. Xhufi-t, J. Drançolli-t dhe Atë M. Imperatorit, të shtjellojnë përvijimin e kësaj risie në shkencën e historisë si dhe metodën e saj të cilën autori e paska ndjekur më aq “rreptësi”?

  • E dergoi per Diellin, Alfons Grishaj

 

Filed Under: Histori Tagged With: dom Nike Ukgjini, Kisha Katolike, ne Trevat shqiptare, shek XI

“ZOJA E SHKODRES” NE NJU JORK KREMTOI FESTEN E NENE TEREZES

September 7, 2015 by dgreca

Kisha katolike”Zoja e Shkodres” kremtoi festën e të së Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut /

Nga Beqir SINA – New York/

Kisha Katolike Shqiptarë “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, New York : Meshë për Nënë Terezën – edhe një ligjeratë për jetën e dhe veprën e madhe të Nana Terezes /
HARTSDALE NY: Festa liturgjike e së Lumes Nënë Terezë që Kisha katolike kremton më 5 shtator, sivjet përkoi me 18 vjetorin e ditës së kalimit të së Lumes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu në amshim. Pra, kanë kaluar tetëmbëdhjetë (18) vjet nga 5 shtatori i vitit 1997, kur Themeluesja e Motrave Misionare dhe Vëllezërve të Bamirësisë, e Lumja Nënë Terezë, është kthyer në shtëpinë e Atit Qiellor, tha Radio Vatikani për këtë datë.
    Ndërkohë, edhe salikimet e saj, që bashkuan përfaqësues të të gjitha feve, personalitete botërore të të gjitha fushave, të varfër e të pasur nga mbarë planeti, qenë një dëshmi e gjallë e admirimit që gëzonte rregulltarja e bamirësisë, e cila u përcoll për në banesën e fundme me një kremtim që la gjurmë në historinë e shekullit. Planeti mbarë nderonte gruan, që ia kishte mjekuar plagët të varfërve e të sëmurëve të braktisur, duke shkelur personalisht në të katër skajet e globit, me sandalet e vjetra të rregulltares dhe me moton e pamort të Krishtit: “Në se i jepni një pikë ujë njërit prej këtyre të vegjëlve të mi, ma keni dhënë mua!” Kudo shkoi, e Lumja Nënë Terezë u përpoq të shuante pikërisht etjen e Krishtit, etjen për Krishtin! tha Radio Vatikani me rastin e 5 shtatorit 18 vjetorin e ditës së kalimit të së Lumes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu në amshim.
Kurse, në statusin e saj në rrjetin social facebook – Kisha Katolike Shqiptarë “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, New York, njofton se dje ka mbajtur një meshë dhe një tubim përkujtimor për Nënë Terezën.
Mbetet, për t’u theksuar se kjo, kishë, e cila, po dallohet në komunitetin shqiptare në Amerikë, për përhapjen e frymës fetare , po dallohet edhe për përhapjen e kultivimin frymës kombëtare.
Mesha për Nënë Terezën – sipas njoftimit të saj, thuhet ka filluar pas Meshës së Dielës në orën 1 të ditës, dhe e ka kryer famullitari i kësaj kishe Dom Pjeter Popaj.
Një vjazë trup vogël – veshur ashtu si Nana Tereze, gjatë meshës ka qendruar pranë altarit – kur Dom Pjetër Popaj mbajti meshën për Nëna Terezen.
Pas Meshës, në sallën “Nëna Tereze”, e cila është brenda ambjeteve të Kishës, është mbajtë edhe një ligjeratë ku oratorët kan folur për jetën e dhe veprën e madhe të Nana Terezes. Në mesin e folësve ka qenë, I perndershmi Dom Pjetër Popaj, drejtori i Qendrës Nanë Tereza z. Marjan Cubi, dhe anëtar të tjerë të famullisë Zoja e Shkodrës, veprimtar të komunitetit dhe besimtarë.
   Njëkohësisht, në statusin e saj Kisha Katolike Shqiptarë “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, New York, shkruan se :” Sipas, spekulimeve të mediave boterore, E Lumtura Nëna Tereze pritet të shpallet shenjte me 4 shtator 2016. Në qershor është lajmëruar edhe një mrekulli me ndërhyrjen e Nënës Tereze, në Brazil”.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kisha Katolike, Nene Tereza, Zoja e Shkodres

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN U FESTUA “SULLTAN NOVRUZI”
  • SHQIPTARËT E AMERIKËS MBLODHËN 140 MIJË E 500 USD PËR NDËRTIMIN E KËMBANARES SË KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË.
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË
  • VATRA MICHIGAN SHTROI DARKË NDERIMI PËR PRINC LEKËN DHE KLERIN FETAR NË MICHIGAN
  • VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN
  • “ARDIAN KOÇI DHE RINGJALLJA E FENOMENIT TË VETMBROJTJES POPULLORE”
  • Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe
  • Shën Patrik
  • PRANIMI I PROPOZIMIT EVROPIAN ËSHTË KOMPROMIS TJETËR I KOSOVËS
  • “Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial
  • SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI
  • Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
  • THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT
  • MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
  • VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT