• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONTRIBUTI I ATË SHTJEFËN GJEÇOVIT PËR NDRIÇIMIN E VRASJES SË ATË LUIGJ PALAJT

July 15, 2021 by s p

Msc. Enver Sulaj

“Diftesat, mbi xanjen, mundime e dekë t’Atë Luz Paliqit, O.F.M. i cili kje mbytë me 7 të Marcit 1913 e shti në nji gropë në katunit të Janoshit, shi aty ku e njomi tokën me gjak të vet!”. Ky është titulli i dorëshkrimit të Atë Shtjefën Gjeçovit, për sivëllain françeskan- Atë Luigj Palajn, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe ka 82 faqe. Trembëdhjetë vjet pas martirizimit të Atë Luigj Palajt, në vitin 1926 Atë Shtjefën Gjeçovi ishte nisur drejt Kosovës, për të hulumtuar rastin tragjik të 13 vjetëve më parë, kur ky atdhetar i devotshëm qe bërë barriera e parë kundër asimilimit dhe shkombëtarizimit të shqiptarëve të rajonit të Dukagjinit, që dokumentohet përmes dëshmive të shumta. Atëbotë, qarqet politike e pushtuese malazeze nuk po kursenin askënd, as shqiptarët katolikë, e as ata myslimanë, bile as prijësit fetarë, siç ishte Atë Palaj, i cili, megjithë paralajmërimet që i ishin bërë nga bashkëkombësit e tij për rrezikun që i kanosej nga forcat malazeze, ishte shprehur i vendosur në qëndrimin e tij. Me shumë kujdes dhe si një kronist i vërtetë, Atë Shtjefën Gjeçovi gjatë qëndrimit në Gllogjan, Pejë, Gjakovë e Zym, interviston persona të ndryshm, të cilët në një formë apo në një tjetër kishin njohuri mbi vrasjen e Atë Luigj Palajt. Në një dëshmi, shkruar nga vetë Gjeçovi, lexojmë: “Sot, me 4 të Vjeshtëdytit 1926, Mëhill Marku i shpis së Kocit në Gllogjan më diftoj se nja dhetë ditë perpara se mbyten Atë Luzin, kishte shkue te shpia e Uk Gjonit dhe e kishte këshillue qi mos të shkote nder Shkje, se ata janë ba si qej te terbue, e mnojshin me i ba ndonji sherr. M’at rasë qe se çë kuvend kishte ba Atë Luzi me Mëhillin, sikurse më diftoj vetë Mëhilli n’orën 8 perpara mjesditet mbas Meshet, e tuj pi kafe në pjekëtore të çelës së Gllogjanit. Ky Mëhilli njeri i fjeshtë, njeri i pershpirtshem, e jeta e ti jetë baritore. Mëhilli: Zotni, mos shko me u pa nder ata Shkje e mos të bajën ndonji dredhi e me të damtue!

Atë Luzi: Mëhill, a je bari gjajet ti?

Mëhilli: Po, Zotni!

Atë Luzi: Po me ba me pa ti se uku po i turret tufës s’ate, shka ban ti?

Mëhilli: Rroki pushken edhe i vëhem në shpinë ukut, per me e turitë a me e vra qi mos të m’a

damtoje tufen!

Atë Luzi: Mirë fole, Mëhill, ti i del zot tufës s’ate me pushkë, e une do t’i dal zot tufës s’eme qi

janë katolikët, me fjalë të Zotit e me këshille! Uku ka hi veç mbrenda vathit t’em, e ka fillue me

m’a damtue tufen. Mue më duhet, pra, me i ra mrapa tufës s’eme e me i turitë ujqt me kercnime

të rrebëta me anë të Zotit. -Une nuk ja kam kujdesin këti mishit t’em, i cilli, a sod, a nesër do të

bahet gjell krymbash.-“ Por, malzezët po e ndiqnin këmba-këmbës Atë Luigjin. Pasi i kishin rënë

në gjurmë, e kishin burgosur për ta dërguar më pas në burgun e Gjakovës. Këtu po fillonte rruga

e Kalvarit për të, por edhe e bashkatdhetarëve të tij, të cilët vuajtën bashkë me të deri në frymën

e fundit. Në një dëshmi tjetër, jepen të dhëna interesante lidhur me torturat që i ishin bërë dhe

dashurinë ndërvëllazërore e ndërfetare të shqiptarëve, të cilët po vuanin bashkë, sepse edhe fronti

i rezistencës ishte i përbashkët. “Prej goje të Rexhep Sylës, musliman prej Maznikut (në nahijet

të Pejës)…, sikur i kishte pasë rrëfye Hasan Kocit vetë, përmbas mundimit t’Atë Luzit. Ky

Rexhepi ka kenë lidhë krah për krah me Atë Luzin prej Gjakovet deri në Janosh. Rrethi i të

lidhunve ka kenë 60 vetësh. Si mbërrine në Janosh, Atë Luzin e liruen prej krahit të Rexhepit tuj

ja lidhë duert permbrapa, e Rexhepin e quen nder rreshta të pare, e atë e lidhen vetë të tretin.

Permbas mundimesh e grushtimesh me druna pushkësh, ku edhe tuj e therë lehtas me bajoneta,

Atë Luzin e shmangne prej udhet edhe e vranë aty. Kur ishin tuj e therë e permbasi krisën

pushkë, kishte pas britë tri herë rresht: ”Kofët per hater të Krishtit!” ”Kofët per hater të Krishtit!”

”Kofët per hater të Krishtit!” Këto fjalë i kishte pas përsërit shpesh herë edhe per të gjatë t’udhës.

Ashtu më diftoi Hasan Koci e Rexhepi këtij.“ Ditët e fundit të jetës së Atë Palajt, ashtu siç dalin

nga ky dorëshkrim i Gjeçovit, por edhe dëshmive që ofron revista famëmadhe Hylli i Dritës, janë

vuajtje si të Jezu Krishtit, me mundime çnjerëzore, drejtuar mbi korpin e tij, i cili kishte qëndruar

edhe në dhê i paprishur për nëntë javë, siç e pohojnë dëshmitë. “Prej gojet të Zenun Sokolit prej

Gllogjanit, musliman me fis i Berishas. Me 25-IX-1926 nji mbramje kah ora 7, ishe ndejë n’atë

në qelë te Gllogjanit, kur u beh me kalue do kohë me mue Zenun Sokoli, e nder tjera kuvende qi

bamë, m’u dha edhe e pveta mos kishte me më diftue gja mbi mundime e dekë t’Atë Luzit? Ky

më përgjegji: “Zotni, une jam musliman, por po të kallxoj me të drejtë të shpirtit, se Atë Luzin e

kan pasë mbytë shkjet per Fe e vetem pse s’dasht me i ra mbohë Besimit Katolik e me u ba

Shkja. Edhe po të tham, Zotni se nji gojet e zanit Katolikë e muslimanë ka njimi herë në ditë ja

urojnë shpirtin Atë Luzit tuj thanë: -Dritë i baftë shpirti ati Frati, se deka e ti e gjaku i ti e ka

pshtue robnin e Metohis e të Kosovës mbarë! Mos të ishte ai, na kurrnji i gjallë së patëm për të

mbetë, e aj qi donte të jikte gjallë, do të mbaronte me u ba Shkja! Deka e Atë Luzit kje pështimi i

Katolikve e i muslimajve të këtynve krahinave.” Dëshmitarët që flasin para Atë Gjeçovit betohen

para dëshmisë së tyre, ndërkaq metoda e hulumtimit dhe përshkrimi i kufomës së Atë Luigjit,

është gati si e një patologu profesionist, deri aty sa përshkruhen imtësisht edhe plagët dhe shenjat

e dhunës mbi trupin e tij. “Gjakovë, në Kapele të Shna Ndout. Sot me dy të Vjeshtëtretit 1926

n’oren 11 ¾ para mjesditet, erdh te une Smail (Mark) Sadrija i Janoshit, me fis prej Merturit të

Gurit, i cilli kje grishë prej mejet, per me e pëvetë sa punë mbi mundime e dekë të t’Atë Luz

Paliqit. Pa fillue të flasë goja e këtij plakut 70 e ma vjeç, sytë e tij folen tuj ju mbushë me lot sa

ja permenda emnin e Atë Luzit, e qi pa ngjat ju perfulluene lot neper mollëza te perhupuna prej

pleqniet, e tuj ju dridhë mjekrra e buzët prej vajit, më tha: “Zotni, na urojëm qi Krishti, per të

cillin s’ju dhimbt jeta Atë Luzit, e ka marrë shpirtin e tij në Lumëni të vet! Zotëni, sikurse aj

qindroi ngulët në Fe të lume, ashtu e ka pasë trimnue popullin, jo veç në burg të Gjakovës,

sikurse e kanë dishmue katolikët e muslimajt qi paten kenë me të në burg, por edhe per të gjatë

udhës, deri qi e grine shkjet u ka pas thanë: ”Vëllazen, hiqni keq, por mos ndërroni Fe!”- Kur i

nepshin mund të burg të Gjakovës, edhe i thojshin shkjet qi të bahet shkja, Atë Luzi u pergjegjte:

”Une kam Zotin t’em Krishtin, e xëvësin e tij në tokë, qi sundon Kishen katolike. Une si Meshtar

katolik, urdhnit të tij i rri mbëkambë e vetem atij i ndigjoj. Jam Meshtar i Krishtit e së kanë

nevojë të thirrem Pop!”

Më tej, Gjeçovi, në dëshminë e tij shkruan:“Ky… plak i ndershëm, i cili i kishte pas mbëledhë

trutë e Atë Luzit me gjymsen e epër të rrashtes të shkapaderdh prej armës gjaksore të

Malazesëve, m’a vërtetoi me besë e fe se: Trupi i Atë Luzit i shtimun në gropë shi afer ku e paten vra shkjet, pa farë mbëlojet e shtrojet pertokë e thotë sypri e përfundmi, mbas tri javësh, (I kje qil vorri prej një komisionit ushtarak të Malit të Zi e prap shti në atë gropë e mbas 9 javësh kjen nxjerrë e que në Zymp e shti në dhe në Bëtyq-Zymp).ashtu veq në këmishë tlinta e pantoll me kollqikë në kambë, kur e xueren per me e que në Gjakovë e mandej në Zymb, as ishte ken prishë e as marrë far ere e marrë një hije aq të bardhë, qi kundruall trupit të tij të bekuem ky muer… më duket i zi!” Këto fjalë, pra, m’i dishmoi goja e lotët e Smail (Mark) Sadrisë, i cilli e krei kallzimin me këto fjalë: “Deka e Atë Luzit e suell pështimin e këtij popullit. Gjaku i Atë Luzit na peshtoi prej rrenimit të plotë!” Gjeçovi kishte qëndruar në Zym, më 16-XI-1926, ku kishte urdhëruar që të hapej varri dhe ta shikonte edhe një herë trupin e Atë Luzit. “Mbrenda vorrit hini Atë Leka e z. Noz Seba. E permbasi u thaçë (une ishe në buz të vorrit tuj shikjue) qi të shikjojshin a e kishte kryqin n’parzem e nuk ja gjeten, u thaçë qi të m’a xjerrin kocin ma të hollin të dorës së djathët (at koc qi asht ndermjet të brrylit e të dorës, e nji nye gishtit të dorës së djathët. Mbasi e largue me llomin e mishit, i xueren këta kocij qi ju lypa.- Oroe: Kocin e dorës une e mora me vedi, e të gishtit, e ndali Atë Leka.” Përveç dëshmive të shumta, të mbledhura me shumë kujdes në vendbanime të ndryshme, në këtë dorëshkrim gjenden edhe një këngë për Atë Luigj Palajn dhe një krijim poetik, tingëllimë, e shkruar nga famullitari i atëhershëm i Becit, dom Gjon Bisaku, i cili ia shton përshkrimit të kryqit me kërkesë të Atë Shtjefën Gjeçovit. Më lejoni ta përmbyll këtë kumtesë të shkurtër, me disa vlerësime. Këtë dorëshkrim të Atë Gjeçovit e shquan:

-Përkushtimi: ai ka ecur në këmbë në relacionin Gjakovë- Zym, ashtu si edhe nga Peja në drejtim

të Gllogjanit, por edhe në vendbanime tjera;

-Dashuria për atdheun, fenë e kombin e tij, pa e dalluar për kah religjioni, sepse, ashtu si qenë

bashkë në ato ditë vuajtjeje e mundimesh në udhën e kryqit, të cilën e bënë bashkë, sepse

s’kishin rrugë tjetër;

-Stili i të shkruarit: i kujdesshëm, konciz, i saktë, me trajta sintaksore e leksikore, model edhe për

shkruesit e sotëm;

-Metodologjia e mbledhjes së dëshmive dhe autenticiteti i tyre: ofrohen emra, mbiemra, fise,

profesione, vendbanime;

-Dija e thellë shkencore, ndonjëherë edhe e juristit, etnologut, folkoristit, patologut etj.;

-Kur bën përshkrime të imëta, del zjarrmia dhe emocioni i shkruesit, që shihet në kaligrafinë e

tij, që e transmeton gjendjen emocionale e tensionin shpirtëror.

Dëshimtë e Gjeçovit janë të një rëndësie të shumëfishtë: historike, para së gjithash, por

edhe të një intelektuali me përgatitje të lartë e me vetëdije kombëtare, që po bënte të

pamundurën, në luftë me harresën, ashtu siç kishte bërë më vonë Atë Zef Pllumi, duke i dhënë

vetes misionin për të jetuar e për të dëshmuar. Duket të jetë ky një betim i brendshëm i meshtarëve shqiptarë, të cilët të udhëhequr nga parime të larta hyjnore e kombëtare, i kishin vënë vetes për detyrë të hidhnin në letër dëshimitë tragjike, për t’ia mbyllur gojën harresës, për të shënuar vuajtjet e grigjës së tyre, por edhe të vdekjes së njëpasnjëshme. Këto përpjekje, sot dalin të një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse mësimi i historisë duhet të jetë leksioni më i mirë i dijes dhe përgatitjes njerëzore. Por, ne si komb, duket se kemi problem me harresën, ashtu siç kemi probleme edhe me rrugën e drejtë, e cila na mjegullohet nga lakmia e ëndja e ligë, që dëmton palcën tonë kombëtare e qenien e shqiptarit të përvujtur, i cili, siç e dëshmon vuajtja e Patër Luigjit, nuk bën kompromis me atdheun. Ndoshta për koincidencë, ndoshta edhe të lidhura fuqimisht me njëra- tjetrën, por duket se edhe vetë vrasja e Gjeçovit është në linjën e vdekjeve tragjike të meshtarëve shqiptarë, të cilët nuk pranuan të gjunjëzoheshin kurrë, ndonëse fati i tyre mbetet i mbështjellë me vellon e mistereve të pasqaruara sa duhet. Ashtu siç kishin në jetë ideale të përbashkëta, Atë Shtjefën Gjeçovi e Atë Luigj Palaj prehen bashkë në tokën e bekuar të Zymit 1 , në muranën e rindërtuar së fundmi, për të shprehur adhurimin e përjetshëm të shqiptarëve, që përulen e luten, që shpirti i tyre të jetë dritë shprese e shpëtimi, për ne e brezat që do të vijnë.

(Kumtesë e mbajtur më 30 nëntor 2019, në Zym të Hasit, në sesionin shkencor kushtuar

Atë Shtjefën Gjeçovit, organizuar nga Shoqata „Trojet e Arbrit“)

Filed Under: Kulture Tagged With: ate luigj Palaj, Enver Sulaj, Kisha Katolike

Artikujt e fundit

  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan
  • MË 4 SHKURT 2023 DO THEMELOHET DEGA E VATRËS NË CHICAGO
  • Bibla e parë
  • Portretizimi i Isa Boletinit sipas gazetës “Fremdenblatt”(1916)
  • Charles McGonigal…
  • Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho “Artisja e Vitit 2023” Sonte në Operën Metropolitan
  • ASLLAN BUSHATI: “DIKTATI I ADM-ve NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”
  • Eksperimenti, Asociacioni/Bashkësia …!
  • Department of State Signals Pressuring Kosovo to Discuss the EU Proposal, Vucic “Drama Queen” Says President Osmani
  • ZGJEDHJET PRESIDENCIALE TEST PËR ATO PARLAMENTARE
  • Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin J.Correl

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT