22 MARS 2014 – U FESTUA SULLTAN NOVRUZI – U LANË NË HARRIM RILINDASIT BEKTASHINJ DHE 22 MARSI 1992!
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
22 Marsi sivjet në Shqipëri u festua me një shurdh-memecëri të plotë. Në kalendarin zyrtar kjo datë nuk është e përfshirë. Ku do të duhej të kremtohej si festë zyrtare e Shqipërisë, me të gjitha detyrimet.Kjo datë përkon me festën e Sulltan Novruzit, një degë e fesë islame që ka si doktrinë përsosjen e shpirtit njerëzor. Por politika shqiptare nuk ka as shpirt dhe as ndërgjegje, është e pashpirt dhe me ndërgjegjeblozë. Në kalendarin e Shqipërisë kjo është një festë fetare zyrtare.
Më 22 Marsin e 2014, në ditën e fitores të përmbysjes të diktaturës, e cila do të duhej të ishte një festë kombëtare, për ta kremtuar të gjithë, nuk u fol gjë tjetër veç për hashure me rrush të thatë e arra, për kurbane dhe byrek me jeshillëqe, në ngjyrë të togës të kryebektashiut që ka zëvendësuar të ndjerin Haxhi Reshat Bardhi.Si ditë e bektashizmit që kudërmonte nga era e kanellës mbi hashure, ishte rasti që të frymëzoheshe e të kujtoje vëllezërit e Rilindjes Frashëri. A nuk do të shkonte shumë bukur sikur tek porta kryesore e selisë të Kryeqyshatës botërore bektashiane të lexoje të fiksuar nga kamerat një nga amanetet e Naim Bej Frashërit për shqiptarët: “Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhën tuaj!” Politikanët shqiptarë e kanë kthyer përmbys në antitezë të plotë amanetin që nuk e tret as dheri, ata janë të liq, ndërgjegjexirë, nuk e duan as vendin, as gjuhën e as kulturën.
Nuk u kujtua as 22 marsi 1992 dhe as humanistët bektashianë të Rilindjes. Në memecërinë e surrealit shqiptar, më 22 mars 2014 askush nuk recitoi ndonjë poezi të Naimit, askush nuk deklamoi ndonjë varg nga Begati e Bujqësi apo “Fjalët e Qiririt”. Shikoni sa bukur tingëllojnë: Në mes tuaj kam qëndruar/E jam duke përvëluar,/Që t’u ap pakëzë dritë,/Natënë t’ua bënj ditë. /Do të tretem, të kullohem,/Të digjem, të përvëlohem,/Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,/Njëri-tjatërin të njihni. /Për ju do të rri të tretem,/Asnjë çikë të mos mbetem,/Të digjem e të qanj me lot,../ /Unë zjarrit nuk i druhem /Dhe kurrë s’dua të shuhem,/ Po të digjem me dëshirë,/Sa të munt t’u ndrinj më mirë./Kur më shihni se jam tretur,/Mos pandehni se kam vdekur;/jam i gjall’ e jam ndë jetë /jam në dritët të vërtetë,/Unë jam në shpirtin tuaj,/Mos më kini për të huaj,/ M’është falurë durimi, /Andaj po digjem si trimi….” Në Tiranë nuk u mbajt asnjë takim përkujtues për Samiun dhe veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘eshtë dhe ç’do të bëhet”, që këtë vit mbush plot 105 vjet nga drita e botimit; askush nuk e kujtoi as Abdyl Frashërin, ideologun e Lidhjes së Prizrenit, edhe ai bektashi. Pa Vëllezërit Frashëri s’ka kuptim Sulltan Novruzi, sepse feja e shqiptarëve është shqiptaria!
Por tani kur themi Rilindje nënkuptojmë partinë dhe anasjelltas. Ndërsa kur themi 22 Mars e çfarë kujtojmë?
E para që do të duhej të kujtonte 22 marsin 1992 duhej të ishte PD- e cila nuk u ndie fare. Vetëm Berisha e nisi ditën e djeshme fejsbukiane, duke uruar në fillim Sulltan Novruzin e pastaj 22 Marsin 1992 duke sjellë fotografi që e çonin në një kohë që e bënte të psherëtijë e murmurijë: “O tempora e mores”.
Normalisht, si një vend sekular që është Shqipëria, dita duhet të niste duke i blatuar respekte lirisë dhe humanistëve të Rilindjes.
Unë isha atë 22 mars. Raportoja si gazetare e bëja pjesë në oqeanin mbarëpopullor, kur populli shqiptar ia dha votën lirisë. Në vesh më ushtojnë ende meloditë e çmendura nga gëzimi të klaksonëve të veturave, ardhur nga Kavaja që përshkonin Bulevardin Dëshmorët e Kombit me dritare të hapura nga ku era e ngrohtë e marsit dukej se do t’i merrte me vete flamujt e kuq shqiptarë, flamujt amerikanë me yje dhe vija, dhe flamujt blu të PD-së. Ishim të dehur nga aroma e lirisë dhe të mbushur me shpresa, të cilat tani 22 vjet pas 22 marsit 1992 janë kthyer në iluzione dhe deluzione. Populli shqiptar ka mbetur i kryqëzuar dhe i lidhur si Prometeu prej politikës të mbrapshtë për 22 vjet.
Por megjithatë, të gjitha zhgënjimet dhe pësimet së bashku nuk e cënojnë bukurinë dhe magjinë e ringjalljes të sovranit atë 22 mars 1992. 22 marsi 1992 është dita e kauzës të lirisë. 22 marsi 1992 është dita ku vullneti i popullit u shpreh për të rrëzuar sistemin e kalbur nga lufta e klasave, urrejtja, ndasitë, izolimi, Gulagët shqiptarë, burgjet dhe vrasjet politike me motivacion ideologjik përmes vëllavrasjes.
22 marsi 1992 është bekuar jo se i dha pushtetin një grushti njerëzish, të cilët u sollën si despotë të gjithëpushtetshëm, por sepse demonstroi pushtetin që ka oqeani i uraganit popullor.
Prandaj politika e mban jashtë kalendarëve zyrtarë këtë datë të historisë moderne shqiptare. Festohet 29 nëntori 1944 që njihet si dita e pushtimit të Shqipërisë nga diktatura, ndërsa 22 marsi 1992 ende jo.
Edhe Festa e Sulltan Novruzit festohet në mënyrë të tillë ku dekulturimi i zë plotësisht vendin vlerave të kulturës dhe traditës. Nga qielli shqiptar na vërejnë bektashinjtë më të famshëm të të gjitha kohërave, ata që përbëjnë kuintesencën e Rilindjes Kombëtare, ata që u dogjën e përvëluan për të na lënë ne shqiptarëve trashëgiminë e tyre filozofike, kulturore dhe kombëtare, që mjerisht tashmë duket se gjatë këtij tranzicioni makabër nën dirigjimin e politikës është çrrënjohur nga trolli jonë plotësisht.
Jam dëshmitare e fitores të 22 marsit 1992 që përkoi me ardhjen e pranverës, ringjalljen e natyrës e Festën e Bajramit, si për të thënë se edhe Zoti e Natyra ishte bashkë me votën e shqiptarëve, verdikti i së cilës u hapi Shqipërisë dhe shqiptarëve dyert për t’iu bashkuar Europës.
Po ku janë sot shqiptarët, 22 vjet pas asaj dite të bekuar? Diktatura i mbajti në bunker për gjysmë shekulli, tranzicioni po i mban prapë të margjinalizuar dhe të penalizuar për një çerek shekulli tjetër. Dinozaurët e diktaturës dhe tranzicionit ua kanë ngrënë kohën shqiptarëve. Prandaj klasa politike e ka hequr nga kalendari këtë ditë e datë të shenjtë, duke e futur në karantinë. Por 22 marsi 1992 është dhe do të jetë, edhe për të na kujtuar se jemi të vonuar, edhe për të na treguar rrugën e lirisë.