-Nga Zyba Hysen Hysa (Vlorë-Shqipëri) dhe Carrie Hooper (Nju Jork-ShBA)/
CARRIE HOOPER: “Në zemër ndihem më shumë evropiane se amerikane, në zemër jam shqiptare… Shqipëria do të zhvillohet dhe trojet shqiptare do te bashkohen. Kombi shqiptar ka një shpirt ngadhënjyes dhe gjithmonë ka mbijetuar gjatë historisë së vet…”
ZYBA HYSEN HYSA: “Po të isha në Amerikë, do kisha depërtuar deri në Shtëpinë e Bardhë që demokracinë e saj ta shpërndaja kudo nëpër botë, t’u falja liri popujve dhe kombeve të robëruar, siç është dhe kombi im i ndarë në 6 pjesë…”
ZYBA HYSA: – Cila ka qenë vatra juaj familjare (prestarët e familjes, ku punonin, shtëpia, gjendja ekonomike?)
CARRIE HOOPER: – Mamaja ime dhe babai im u lindën në shtetin e Massachussetts –i t. Mamaja ime u rrit në qytetin e Neëburyport që ndodhet në bregun lindor të shtetit, dhe babai im u rrit në Pittsfield që ndodhet në pjesën perëndimore të shtetit. Prindërit e mi u transferuan në Elmira të Nju Jorkut për shkak të punës së babait tim.
Prindërit e mi dhe unë kemi jetuar në të njëjtën shtëpi që nga pothuaj tridhjetë e pesë vjet. Është një shtëpi dykatëshe. Në katin e parë ndodhen dhoma e ndenjjes, dhoma me pianon, dhoma ku hamë, kuzhina, që e rinovuam para disa vjetësh, një banjë që shërben gjithashtu si dhoma ku lahen rrobat, dhe veranda. Në katin e dytë ka tre dhoma fjetjeje, dhomën me kompjuterin, dhe një banjë. Shtëpia është shumë e rehatshme. Pranë shtëpisë kemi lule dhe pemë të tjera.
Nuk jemi të pasur sa për para por gjithmonë kemi pasur ushqim dhe nuk vuanim nga uria. Prindërit e mi punonin fort për të mbijetuar. Babai im kishte studiuar për mësues por kur mbaroi universitetin, nuk kishte vende pune, prandaj u detyrua të merrej me punë të tjera. Në Massachussetts punonte në një dyqan që shiste pije alkolike. Pastaj punonte për një kompani që prodhon patatina dhe produkte të tjera të këtij lloji. Atëherë punonte për një kompani ajrore në aeroporte të ndryshme duke ndihmuar pasagjerët që vinin për të fluturuar dhe duke vënë bagazhet në aeroplan. U pensionua në vitin 2005 dhe tani punon me vëllanë tim, Michael, i cili punon si avokat dhe ka biznesin e vet në shtetin e Texasit.
Mamaja ime punonte si sekretare në vende të ndryshme dhe për 20 vitet e fundit të karrierës së saj, punonte si sekretare në kishën tonë në Elmira. Kam edhe një motër, Sherri, që punon si infermiere. Vëllai im dhe motra ime janë më të mëdhenj se unë.
Vëllai im, Michael, është e martuar për të tretën herë dhe ka dy fëmijë: Catheryn (nga martesa e parë), që studion aktrimin, dhe Madison (nga martesa e tretë), që shkon në shkollë. Motra ime është e martuar për të dytën herë dhe ka dy fëmijë: Shayne (me burrin e parë) dhe Justin (që e adoptoi.) Burri i saj i dytë ka një vajzë, Sarah, nga martesa e tij e parë. Shayne vallëzon, këndon, i bie violinës dhe pianos, merr pjesë në shfaqje teatrale, dhe punon në një dyqan që shet verë. Justin përpiqet ta rregullojë jetën e tij. Nuk jam e sigurt se çfarë pune bën Sarah por ajo është shumë e zgjuar dhe është pjekur shumë gjatë viteve të fundit. Unë nuk jam e martuar por kam një shok të mirë, Timin, që jeton në Huntsville të Alabamës, dhe e vizitoj disa herë në vit.
CARRIE HOOPER: – Cila ka qenë vatra juaj familjare? (prestarët e familjes, ku punonin, shtëpia, gjendja ekonomike)
ZYBA HYSA: Prindërit e mi kanë qenë nga Librazhdi, një qytet i vogël afër Elbasanit, por më saktë, nëna ka lindur në fshatin Dardhë dhe babai në fshatin Kokrevë. Familja e nënës sime ka qenë e shpërngulur nga Gramshi, për arsye (hasmërie), por edhe sot nuk e di të vërtetën, se ka mundësi që origjina të jetë nga Korça dhe kanë ndryshuar vend nga përndjekjet serbe që bënin familjeve patriote.
Babai im rrjedh nga një familje pothuaj e pasur, se na tregonte pronat (kemi pasur gjysmën e fshatit me toka, ku mbanin dhe të punësuar nga Maqedonia). Ata merreshin me bujqësi, blegtori dhe tregti. Babai im nuk ka vazhduar ndonjë shkollë, por dinte të shkruante dhe lexonte dhe organizonte kurse kundër analfabetizmit. Kur janë martuar, nëna ka qenë 14 vjeçe dhe në moshën 16 vjeç ka lindur vëllanë e madh që e quajnë Bajram, i cili është i martuar dhe ka 6 vajza dhe një djalë. Ai ka qenë mësues, por më vonë është marrë me kulturën. I binte fizarmonikës dhe organos, tani është në pension dhe jeton në Tiranë. Pas çdo tre vjetësh nëna na ka lindur të gjithëve, pra pas tre vjet të vëllait të parë, lindi vëllai i dytë, Idrizi, që ka qenë me zgjuarsi të jashtëzakonshme dhe sistemi komunist e kërkoi për në sigurimin e shtetit, por nuk pranoi babai, kështu u diplomua agronom dhe ka punuar në drejtorinë e Bujqësisë, dhe Komunë, por ai ka ndërruar jetë pas një aksidenti tragjik para dy vitesh, në moshën 59 vjeçare dhe ka lënë 7 fëmijë, 5 vajza dhe dy djem. E treta fëmijë jam unë, dhe kam lindur në 26 qershor 1955, pasi u diplomova për mësuesi, vazhdova dhe një kurs filozofik e kam 39 vjet që jap mësim gjuhë shqipe në shkollat nëntë – vjeçare. Kam qenë e martuar për 25 vjet që na viti 2002 jam e divorcuar dhe kam 4 fëmijë, 3 vajza dhe një djalë, ku dy vajza mbaruan fakultetin ekonomik, janë të martuara të dyja, e madhja Enkejleda ka 3 fëmijë: një djalë e dy vajza, tjetra, Eglantina, ka një vajzë e martuar në Tiranë, vajza e vogël Borana, mbaroi për Diplomaci në Bukuresht të Rumanisë dhe atje u martua dhe djali Isufi vazhdon në Tiranë Universitetin për Mjedisin. Pas meje kam një motër, Hatixhe, që ka mbaruar Konservatorin për Kanto, punon në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, e martuar, me dy fëmijë, kam dhe një vëlla, Hamitin me shkollë të mesme, se nuk u dha e drejta për më lart, por atij i pëlqen shumë muzika klasike dhe kur ai këndon arie nga opera të ndryshme mrekullohem, është i martuar me dy djem dhe motrën e vogël, Lytfijen e cila pasi mbaroi gjimnazin, kreu dhe një kurs koreografie dhe ka punuar ne vatër kulture, një valltare e shkëlqyer, ku ka qenë pjesëtare e ansamblit “Librazhdi” duke u përfaqësuar edhe në festivale të ndryshme në Shqipëri dhe Turqi, e martuar me dy fëmijë; djalë dhe vajzë.
E pse familja jonë ka qenë nga më të pasurat në fshatin tim, pas viteve ’60 u shpronësuan dhe u krijuan kooperativat bujqësore. Harrova të them, se babai im ka qenë shumë arsimdashës dhe kur vëllai i madh u rrit për në shkollë të mesme, i thotë xhaxhait për ta dërguar në Tiranë në shkollë për mësues, por nuk pranoi, atëherë ne u ndamë nga trungu familjar, ku kishim së bashku 4 shtëpi, një dykatëshe dhe tri nga një kat duke na dhënë për të jetuar në një shtëpi veçan, por me kushte jo të mira. Babai e rregulloi diçka dhe aty kalova fëmijërinë. U ndamë si të përbuzur, se në atë kohë nuk e përfillnin shkollën në fshat e pse me një varfëri të tejskajshme babai na shkolloi të gjithëve, por në atë kohë ishte ligji që nuk lejoheshin më shumë se 1 – 2 veta nga familja për në shkollë të lartë, kështu vetëm dy mbaruan të lartën dhe unë gjysmë të lartë filozofi, por të gjashtë fëmijët mbaruan të mesmen agronomi, vëllai vogël, motra gjimnaz dhe kurs koreografi.
ZYBA HYSA: – Çfarë kujtimesh të bukura dhe të hidhura nuk të largohen nga mendja prej asaj periudhe të jetës suaj?
CARRIE HOOPER: Kam shumë kujtime të bukura nga fëmijëria ime. Prindërit e mi nuk më pengonin të provoja gjithçka që doja. Më pëlqente të shkoja në shkollë dhe lexoja shumë. Më pëlqente të luaja jashtë dhe imagjinoja se një pjesë e kopshtit tonë ishte një xhungël. Njëherë provova të krijoja një lumë në kopshtin tonë duke gërmuar një gropë dhe duke derdhur ujë në të. Kisha edhe një karrocë të vogël që e mbusha me bar dhe u ul në të dhe e ngisja. Më tej më pëlqente të ndërtoja fortesa me gurë. Nganjëherë babai im dhe unë shkonim te një parku afër shtëpisë sime. Për më tepër mbaj mend udhëtime për në shtetin e Ohios ose për në Massachussetts për të vizituar familjarë.
Kam edhe kujtime të bukura nga koncerte në të cilat merrja pjesë në korin e shkollës dhe në orkestrën e shkollës. Merrja pjesë gjithashtu në korin e kishës sime dhe bashkë me kore të tjera të kishave të ndryshme, përgatisnim njëherë në vit një shfaqje teatrale që prezantonim për publikun. Për më tepër për një shfaqje për Krishtlindjen në kishën time këndova një solo. Kur ndiqja mësime për piano dhe për kanto, merrja pjesë në koncerte që mësuesit organizonin.
Kur isha në shkollën e mesme, në kishën tonë kishim një studente nga Suedia dhe gjatë një darke në kishë grupi i të rinjve rikrijoi një paradë për festën e Shën Lucia, që kremtohet në Suedi, dhe e luajta këngën për Shën Lucian në piano. Më tej të gjithë të pranishmit kënduan një strofë e një kënge tjetër suedisht dhe i shoqërova me piano.
Radioja ishte dhe vazhdon të jetë një shoqe e mirë. Si fëmijë Dëgjoja programe në stacionin publik dhe dëgjoja një kanal që luante muzikë të lehtë të vjetër. Kur isha 15 vjeçe, mora një radio me valë të shkurtra si dhuratë për Krishtlindjen dhe e përdorja për ta dëgjuar BBC-në nga Anglia dhe më pëlqente të kërkoja stacione të tjera nga e gjithë bota. Më ndihmoi shumë kur mësova gjermanisht, italisht, dhe suedisht sepse dëgjoja programe në këto gjuhë.
Në moshën 12-vjeçare ndoqa mësime për balet dhe më pëlqente të krijoja valle që i ekzekutoja për mamanë time. Për këto e vishja kostumin tim të baletit.
Natyrisht që kam edhe kujtime të hidhura nga fëmijëria ime. Kur këndoja në korin e fëmijëve në kishën time, drejtori i korit na bërtiste shpesh. Isha fëmijë e ndjeshme dhe kjo më frikësonte aq shumë se u largova nga kori për pothuaj tre vite. Nuk mund t’ia shpjegoja mamasë sime se pse nuk doja të këndoja më në kor, vetëm kuptoja se nuk u kënaqja me të. Por pas tre vitesh u ktheva në kor dhe kisha një përvojë më të mirë. Drejtori i korit nuk bërtiste aq shumë dhe kishte më shumë durim. Tani e kuptoj se ndoshta ai nuk dinte si ta përpunonte stresin e tij dhe prandaj na bërtiste. Më tej mendoj se ndoshta nuk i pëlqente ta drejtonte korin e fëmijëve. Por siç thashë, ai fitoi më shumë durim me vitet dhe në fakt është mësues i mirë dhe një organist i shkëlqyer dhe ne bashkëpunuam shumë herë pa asnjë problem fare. Më shoqëronte në piano dhe në organo kur këndoja solo në kishë. Ne kuptohemi shumë mirë.
Në shkollë kisha një mësuese muzike shumë të aftë dhe shumë e dashur por kur këndoja në korin që ajo drejtonte, na bërtiste shpesh, dukuri kjo, që bënte që nuk më pëlqente të shkoja në provat dhe në ditën e provës gjithnjë kisha dhimbje barku. Mirëpo nuk u largova nga ky kor dhe tani më dhimbset për mësuesen sepse kuptoj se edhe ajo duhet të kishte qenë shumë e shqetësuar. Ishte e re dhe ndoshta mendonte se e vetmja mënyrë për ta mbajtur rregullin në klasë ishte të bërtiste. E kam falur në zemrër dhe nuk ruaj ndonjë hidhërim ndaj saj.
Të gjitha ngjarjet e fëmijërisë sime më kanë forcuar dhe kanë pasuruar jetën time.
CARRIE HOOPER: – Çfarë kujtimesh të bukura dhe të hidhura nuk të largohen nga mendja prej asaj periudhe të jetës suaj?
ZYBA HYSA: – E para që më vjen në mend, ka qenë dashuria prindërore. Nuk kam fjalë ta përshkruaj, por sot që unë jam edhe gjyshe, kurrë nuk kam arritur të përcjell atë lloj dashurie si të prindërve të mi dhe e them me bindje: nuk është pasuria ajo që e bën një fëmijë të lumtur, pasuria i krijon mundësi për një të ardhme të sigurt, por si prindërit e mi, nuk besoj të ketë njeri në botë të transmetojë dashuri me aq bujari, që edhe sot kur ata nuk i kam dhe kur unë jam në rolin e tyre e ndjej akoma atë ngrohtësi të fjalëve dhe përqafimeve të tyre, edhe sot sytë e mi kanë dritë prej syve tyre që vetëm ata dinin të shkëlqenin si margaritar kur ne mblidheshim mbrëmjeve rreth vatrës, ku herë këndonim, (babai i binte çiftelisë, vëllai fizarmonikës), herë kërcenim, herë tregonim barsoleta, gjëza, anektodë, recitonim poezi… (për këto ishte mjeshtre nëna ime, që i krijonte në çast dhe i recitonte si ndonjë aktore e madhe dhe ne mrekulloheshim… Sot e mendoj që ajo ka qenë një poete e madhe, një artiste e madhe, një nënë e rrallë.)
Unë jam marrë shumë me vallë, me këngë, me gjimnastikë e mbi të gjitha, që fëmijë librin kurrë nuk e kam lëshuar nga dora, lexime pafundësisht, pak kam lexuar poezi, shumë prozë e filozofi në vitet e mëvonshme e deri më sot. Kjo ka bërë që unë të kem krijuar mbi 5 vëllime poetike, tre romane, një vëllim me tregime, katër libra studimorë, një publicistikë…
Fëmijëria më vjen pranë më pas e veshur keq, saqë edhe sot ndjej dridhmat e ftohtit në trup, kur shkoja dhe kullosja bagëtinë e librin nuk e lëshoja nga dora e pse duart më nxiheshin nga të ftohtit. Punonim të gjithë dhe mbijetuam, mësonim shumë dhe u shkolluam, por kurrë nuk harroj babanë që na thoshte: “Bij, kur të martoheni, para se të lindni fëmijë, mendoni, nëse jeni në gjendje t’i shkolloni”.
Siç e thashë edhe më lart, që ne u ndamë nga trungu familjar për arësyen që e përmenda, mbetëm pa përkrahje, ndaj babai më ndaloi nga shkolla, pasi mbarova klasën e katërt fillore. Unë e mendoja që ai e kishte të pamundur të më dërgonte, ndaj nuk i thosha gjë, por tre muaj unë vetëm qaja, derisa një kushëriri im i thotë babait dhe atëherë shkoj në shkollë me tre muaj vonesë, se tufën e kulloste kushëriri.
Ajo që nuk më del kurrë nga kujtesa është se kur u ndamë nga pjesa tjetër e trungut familjar, unë kisha një kec dhe një qengj manar, i kisha mësuar që të më rrinin përherë pranë, por xhaxhai nuk na i dha dhe kam qarë për ta dy ditë derisa u sëmura dhe është interesant, për dy ditë ngordhën të dy, qengjin e pickoi gjarpri dhe kecin e qëlloi bariu me gurë…
Harrova të them se kur do shkoja në shkollë për mësuese, babai nuk më ndaloi, por ishim kaq shumë të varfër, saqë nuk kishim para të blinim rroba, ndaj pushimet e verës, unë shkova në Librazhd e punova në fermë. Isha një vajza shumë e brishtë dhe ecja në këmbë 30’ gjer dilja në xhade, aty hipja mbi karrocerinë e kamionëve që sillnin hekur – nikel dhe kur frynte erë, unë vishesha me pluhur të kuq, më pas zbrisja në qytet e përsëri ecja në këmbë 30’ dhe shkoja në fermë e punoja punë bujqësie. Duart e mia kullonin gjak, por ishte e vetmja mundësi që unë të fitoja diçka për të blerë rroba e libra për shkollë.
ZYBA HYSA: – Si e mendonit fëmijërinë tuaj po të kishit lindur në Shqipëri?
CARRIE HOOPER: Po të isha rritur në kohën e diktaturës, do të kisha qenë antikomuniste e palëkundur. Nuk mbështes asnjë sistem që i mohon popullit lirinë. Do të kisha mësuar ndonjë vegël muzikore, për shembull, piano, dhe do të kisha kënduar. Do të më kishte pëlqyer gurgullimin e lumenjve dhe madhështinë e maleve dhe do të isha kënaqur duke shëtitur në pyll. Në shkollë do të më kishin pëlqyer mësimet për historinë. Do të më kishte tërhequr legjenda e Rozafës dhe të bëmat heroike e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut. Do të isha ndier krenare të isha shqiptare dhe që flisja një gjuhë të rrallë dhe të lashtë. Ndoshta nuk do të kishim qenë familje e pasur por do të kisha kërkuar të gjitha mundësitë për t’u shkolluar dhe do të kisha pasur shumë shokë dhe shoqe.
CARRIE HOOPER: – Si e mendoni veten sikur të kishe lindur në Amerikë.
ZYBA HYSA: – Së pari do i gëzohesha lirisë së fjalës, mendimit dhe veprimit. Do kisha mbaruar mbi dy universitete dhe do kisha mësuar shumë gjuhë të huaja. Nuk do kisha vuajtur sa këtu dhe nuk do kisha qenë më e lumtur se këtu, se në Shqipëri jetohet me pak dhe gëzon shumë, Shqipëria më ka falur kënaqësi që kurrë nuk do i gjeja në Amerikë, se mendoj që njerëzit atje janë të ftohtë, rendin pas parasë, unë krijoj marrëdhënie me njerëzit jashtë interesave materiale, kështu mendoj që do ndjehesha shumë e vetmuar, ndërsa këtu kam qenë e rrethuar me njerëz që i kam dashur dhe më kanë dashur, por që edhe më kanë zhgënjyer.
Po të isha në Amerikë, do kisha depërtuar deri në Shtëpinë e Bardhë që demokracinë e saj ta shpërndaja kudo nëpër botë, t’u falja liri popujve dhe kombeve të robëruar, siç është dhe kombi im i ndarë në 6 pjesë, i vetmi vend që kufizohemi me tokë shqiptare, por që trojet i përkasin Greqisë, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi. Këtë ëndërr e kam edhe sot që jam në Shqipëri, të kem mundësi të takoj Obamën dhe të bisedoj për hallet e popullit tim fisnik e krenar që e kanë poshtëruar e copëtuar pa mëshirë.
Të kisha lindur në Amerikë, do kisha një fëmijëri pa kokëçarje, por kurrë më të lumtur se këtu. Atje më tremb oqeani, këtu më ngazëllen deti, liqenet, lumenjtë, malet, fushat grykat, oh sa e bukur është Shqipëria ime, ajo është e bukur nga natyra, ndërsa Amerika ka bukuri kukulle, e ndërtuar nga njeriu. Unë sapo dal në shkalët e pallatit, ndeshem me detin, gadishullin dhe ishullin, me palmat, me kodrat me ullinj, me njerëz që flasin gjuhën time, atë gjuhë që nuk do e ndërroja me asgjë në botë. Mbase flas gabim, por nuk e di e them me bindje: Jam e lumtur që linda këtu, në Shqipëri, këtë nuk e them se jam shqiptare, por kurrë nuk më ka shkuar në mend të iki të jetoj jashtë vendit tim!
ZYBA HYSA: – Si e ke përjetuar adoleshencën … rininë dhe kur ke ndjerë për herë të parë për një djalë dhe si i krijoni ju lidhjet të adoleshencës? Po të rinisë?
CARRIE HOOPER: – Nuk kisha ndjenjat kryengritëse që karakterizojnë adoleshencën për shumë të rinjtë. Nuk kundërshtoja prindërit e mi. Faktikisht nuk shoqërohesha shumë me moshatarët e mi në shkollë sepse ndjehesha më e pjekur për moshën time, ndoshta sepse duhej të isha më shumë e organizuar dhe më përgjegjëse për shkak të gjendjes sime si e verbër. Më pëlqente shkolla shumë dhe përqendrohesha te mësimet ngase më duhej më shumë kohë për t’i kryer detyrat e shtëpisë. Më tej nuk ndaja të njëjtët interesat si moshatarët e mi. Desha të bisedoja me intelektualë për tema më të thellë sa, për shembull, atë që bëra gjatë fundjavës. Librat dhe radioja ishin shokët e mi më të shtrenjtë dhe mund të bisedoja më lehtë me mësuesit e mi ose me të rriturit se sa me moshatarët e mi.
Sa për djem, kur ndiqja shkollën e mesme, kisha një shok, edhe ai i verbër, me të cilin takohesha shpesh dhe kishim një marrëdhënie më intime por nuk mund të them se u dashurova me të. Më në fund e kuptova se ai nuk ishte burri i drejtë për një marrëdhënie më serioze, por mbanim kontakt derisa ai ndërroi jetë para disa vjetësh.
Kur jetova në Suedi si bursiste Fulbright, kisha një të dashur suedez dhe ne kaluam çaste të bukura bashkë. Mora pjesë në një paradë për festën e Shën Lucias dhe ai më lexoi tekstet për këngët që grupi do të këndonte dhe i transkriptova tekstet në brail. Për më tepër festuam ditëlindjen e këtij shoku te shtëpia e tij ku u kënaqëm shumë. Më tej shëtisnim shumë dhe bisedonim shumë. Ai i binte trombës shumë bukur. Mirëpo ai kishte vuajtur dëmtime në kokë për shkak të një aksidenti rrugor në fëmijëri dhe si rrjedhojë kishte probleme me leximin dhe pak me të folurit. Ishte kritike ndaj meje nganjëherë por tani kam kuptuar se ai është në thelb një njeri i mirë që luftonte kundër shumë vështirësive në jetë. Jam mirënjohëse për kohën që kalonim bashkë.
Tani kam një shok të mirë, Tim Hendel, që është i verbër, dhe ai jeton në qytetin e Huntville-it në shtetin e Alabamës që ndodhet në jug të ShBA-së. Meqenëse ai është pothuajse 30 vjet më i madh se unë, kuptohemi mirë dhe e vizitoj disa herë në vit. Do të thosha se jemi shokë të ngushtë dhe kemi një marrëdhënie të veçantë. Ai është shumë i zgjuar dhe më ka mësuar shumë. Gjithashtu më ka ndihmuar në rrugën e mësimit të shqipes duke më regjistruar transmetime nga programe radiofonike në shqip nga interneti si Redio Vatikani dhe Radio Tirana, dhe ai më dërgon këto programe në kasetë.
CARRIE HOOPER: – Si e ke përjetuar adoleshencën … rininë dhe kur ke ndjerë për herë të parë për një djalë dhe si i krijoni ju lidhjet të adoleshencës… po të rinisë?
ZYBA HYSA: – Ne e kemi kaluar adoleshencën pa e ditur që quheshim adoleshentë, ishim thjesht “Pionierë të Enverit”, ku çdo mëngjes bënim betimin: “Pionierë, në luftë për çështjen e partisë dhe të popullit, të jeni gati!” dhe ne të rreshtuar para shkollës thërrisnim njëherazi: “Gjithmonë gati!”, me gjithë këtë unë adoleshencën, ose më mirë të them periudhën e ndryshimeve të mia fiziologjike e pasuan edhe ndryshime në ndjesi dhe preferenca tjera, ku kisha shumë dëshirë të bisedoja me djem (mbase kjo ka qenë tërheqja e parë, por nuk dinim ta shpjegonim), por nuk bëhej fjalë që të thoshe “Ai djalë më pëlqen!” se do merrje epitetin “Vajzë e përdalë”, apo të rrije gjatë duke biseduar me një djalë, nuk bëhej fjalë, bile më kujtohet një herë na vendosën në banka me djem dhe të gjitha vajzat filluan të qajnë derisa na i hoqën djemtë. Unë, nuk di si ta shpjegoj, por më pëlqente shumë të bisedoja me djem, se më dukeshin më të prirur, apo më të privilegjuar për të realizuar vetveten.
Në atë periudhë të moshës sime kam lexuar pafund libra e kjo më ka shoqëruar gjithë jetën, edhe tani nuk mund ta kuptoj veten jashtë leximit të përditshëm. Më ka mbetur në mendja një libër me titullin “Sikur të isha djalë” të një autori të mrekullueshëm shqiptar Haki Stërmilli, i cili u ndalua më pas nga diktatura komuniste dhe përherë me vete kam thënë “Ah, sikur të isha djalë!” Mbase kjo më shtynte të bëja gjëra që bënin djemtë, se nuk ndjehesha e realizuar në kornizën e të qenit vajzë. Në orën e fizkulturës luaja përherë futboll dhe ftoja shoqet të luanin, por asnjëra nuk guxoi. Kur isha nxënëse në shkollën pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, fitova olimpiadën sportive si gjimnastja më e mirë e rrethit. Më vjen ndër mend se një ditë para olimpiadës, nuk mund të bëja një ushtrim në unaza dhe pasi mbarova studimin, në errësirë, që të mos më shihte njeri, shkova në palestër dhe fillova të stërvitem, por rashë, si duket kisha qenë pa ndjenja e kur u ngrita, përsëri vazhdova me unazat e deri sa e bëra urën, palosjen e ushtrime tjera që sot nuk i mbaj mend më.
Shkoja nëpër grupe artistike dhe kërceja bukur vallet popullore, por unë jam një kërcimtare e zonja edhe për valsin, tango… të gjitha kërcimet, vetëm balet nuk mundem, se nuk kam pasur mundësi për t’u stërvitur. Përherë kam ëndërruar të jem pjesë e një balloje ku të jem veshur me një fustan klasik të kuq, me këpucë me takë e të kërcej nën tingujt e një valsi, apo tangoje. Pjesërisht më është realizuar, se në atë kohë nuk na lejonin të visheshim ashtu, por të paktën kam pasur fatin të kërcej në Pallatin e Brigadave në Tiranë me një burrë (nuk e njihja) që kërcente shumë bukur dhe asnjë nuk u ngrit tjetër veç ne të dy dhe kur u ulëm pati duartrokitje. Oh, si ndjehet njeriu kur kërcen! Janë momente fluturuese! Eh, shumë, shumë gjëra të bukura kujtoj, por duke u rritur, nga ajo zhdërvjelltësi në shkollë, në shtëpi, fillova të pëlqej vetminë, të shkëputesha nga tufa e fëmijëve, kjo mbase ngaqë isha vajza e madhe dhe nëna më angazhonte me punët e shtëpisë, por kur shkonim gjatë verës me keca dhe qengja, prapë unë ulesha mbi gurë dhe përhumbja në peizazhet marramendëse të natyrës së Vërtopit, Bokave të Bardha, Grykës së Lisavës… e ato kanë mbetur edhe sot të fiksuara në mendjen time si piktura e përherë dëshiroj t’i shikoj. Përherë nëna më thërriste e kur më gjente poshtë shtëpisë, tek toka e mbjellë duke lexuar, apo medituar, shqetësohej dhe më qortonte që të mos rrija më vetëm. Edhe babai e kishte vënë re këtë gjë dhe përherë më thërriste duke më dhenë mollën më të mirë, fikun më të pjekur, rrushin më të madh dhe pikërisht për këtë arë kam shkruar poezinë e parë, por që nuk e mbaj mend, por kurrë nuk do të harroj ngazëllimin tim nga madhështia e rrezeve të diellit mëngjesor, kur binin mbi bulëzat e vesës që kishin qëndruar mbi bimën e misrit të sapo dalë mbi tokë, ku ara kthehej mijëra rreze drite ylberore, që kur thyheshin dukeshin sikur mbinin nga toka. O Zot! Po kur nxirrte kokën dielli mbi Shebenik si një zgalem i zjarrtë flakëronte majën e malit përballë, mbi fshatin Dardhë e më pas sikur hidhte hapa zbriste ngadalë si një nuse e moçme, puthte Gurin e Skënderbeut, siç bëjnë nuset kur i puthin dorën zonjave të shtëpisë plot nderim, derisa pinte ujë në Shkumbin e më pas ngjitej me ngadalë Faqes së Bregut të Haxhiut, dhe kur dilte mbi Breg, atëherë ne ia shihnim portretin e plotë mbi Shebenik e Kokreva ime e dashur, pushtohej tej e tej me dritë dielli deri në mbrëmje vonë, kur ai perëndonte atje ku përplaste rrezet e para të mëngjesit. Nuk kishte se si të mos shkruaja më pas për Vendlindjen time vargjet: “Eh, Kokrevë, vendlindja ime/ ngado qeshë e kudo shkoj/ nuk kam gjetur një thërrime/ që sa ti të më shijojë…”
Profesionin e mësuesisë e kam ëndërruar që fëmijë, ndaj kur bëmë dokumentet për shkollë, për të tri degët shënova mësuesinë, por kur të gjithë shkuan në shkollë, mua nuk më erdhi lajmërim, ndaj bashkë me gjyshen time, shkova tek Seksioni i Arsimit dhe pyetëm. Të gjithë e njihnin gjyshen time, se daja atë kohë punonte pranë Komitetit të Partisë së Rrethit. Kur hapën listat, mua më kishte dalë e drejta për tek Pedagogjikja e Elbasanit, por ishte vendosur vizë dhe më kishin caktuar për infermiere në Korçë. Fillova të qaja me të madhe dhe gjyshja ime e mirë me telefonin e zyrës merr Komitetin e Partisë e me zë kërcënues, se do bënte njërën për padrejtësinë që i është bërë mbesës, por në telefon ishte daja, ndaj i tha që të shkonte te shtëpia sa më parë dhe shpresat u fikën, ndaj iu nënshtrova fatit, mora shatin dhe punova 10 ditë në kooperativë derisa korrieri më sjell një telegram, ku njoftohesha se më kishte dalë bursa për mësuesi. Më vonë e mësova që vetë gjyshja kishte shkuar në Elbasan, tek drejtori i atëhershëm, Vasil Kamami, dhe i kishte dhënë nga bursat rezervë, kështu ika e direk klasa ishte punë prodhuese. Më duhej të bëja 2 gropa ullinjsh e nuk mundja, isha vajzë shumë e brishtë, ndaj hodha kazmën e u ktheva mësuesit, e i thashë se kam ardhur për shkollë, nuk punoj dot, por ai më kërcënoi se do t’i thoshte drejtorit e do më ndiqnin nga shkolla, ndaj lashë veglat e punës nga frika dhe turpi që t’i dilja para sysh drejtorit, ika në shtëpi e përsëri 10 ditë në brigadën e kooperativës.
Pasi vjen telegram nga shkolla, mora raport mjekësor dhe shkova përsëri. Ato janë vitet më të bukura të jetës sime, se kisha mundësi të lexoja pafundësisht, ishte një bibliotekë mjaft e pasur e unë kujdesesha për të dhe merrja libra aq sa herë të doja, nuk kam qenë tip studiuese për librat e shkollës, por kur mësuesit fillonin shpjegimin e mësimit, unë nuk pipëtija, çdo fjale e thënë prej tyre, e shënoja tek blloku im që e kisha ndarë me aq sa lëndë kisha, kështu, librat e mi kurrë nuk hapeshin, përveç që më thoshte mësimin një shoqja ime që mësonte përmendësh e vetëm me kaq, kam qenë nxënëse mbi mesataren, se gjatë studimit 4 orësh, në çdo kohë të lirë, vetëm lexoja libra artistikë, pra unë udhëtoja me fantazinë time nëpër rrugët e Romës, Parisit, Moskës… përmes përshkrimeve të autorëve të ndryshëm.
Duke lexuar pafundësisht letërsi të huaj, pak shqiptare, se lejohej vetëm e censuruar, më pëlqente Petro Marko dhe e kam vlerësuar si një përfaqësues i letërsisë moderne shqiptare, që kurrë nuk iu nënshtrua diktaturës e pse shpesh e ndalonin, persekutonin… ndaj unë kisha tjetër koncept ndaj dashurisë, një koncept që buronte nga shpirti dhe si e re që isha më pëlqente të “dashurohesha” me personazhe të librave, se ishin pranë ndjenjave të mia, se sa të kisha një lidhje dashurie, por njeriu nuk mund të shpëtojë ngacmimeve shpirtërore, ndaj kam pasur një djalë që lexonte shumë, binte dhe veglave muzikore, ishte nga qyteti, por duke biseduar ramë në sy dhe dy rrugë ishin, ose të fejoheshim, ose të braktisje shkollën me turp. Duke fantazuar sipas librave, unë e dërgova në shtëpi, por kurrë nuk u bëmë as të dashur, as të fejuar, ishim shumë shokë, bisedonim gjatë dhe kur e pamë që asnjëri nuk ndjente, secili shkoi në rrugën e tij. (E kujtoj me dhembje, se ndërroi jetë nga një aksident automobilistik disa vite më vonë.) Kjo gjë më lëndoi për kohën, se në opinion quhesha e ndarë, por unë nuk jetoja me kohën, jetoja me botën e qytetëruar, ndaj dhe jam ndëshkuar në jetë.
Shumë kanë shkruar për diktaturën komuniste, por dëmi që i bëri njerëzve gjatë shpronësimeve, nuk është asgjë para shkatërrimit të vlerave shpirtërore njerëzore, dëm, që edhe sot i vuajmë pasojat.
ZYBA HYSA: – Besoni në dashuri? Ke rënë ndonjëherë në dashuri? Ç’mendime keni për dashurinë si ndjenjë universale?
CARRIE HOOPER: – Patjetër besoj në dashuri në shumë nivele. Së pari, e dua Zotin dhe kam besim të fortë te Ai. Lutem shumë dhe e mbaj Zotin për të dashurin tim të vërtetë. Është ai që sundon në jetën time, ai është kënga që bubullon në qenien time, është Ai që më ngushëllon në kohëra më të vështira. Është Ai që më ka dhuruar dhuntitë e mia. Ai më jep fuqinë të bëj gjithçka dhe më ka bekuar me një jetë të plotë, shëndet të mirë, një familje dhe shokë të mirë, dhe një punë frytdhënëse.
Së dyti besoj në dashurinë midis njerëzve. Dashuria vëllazërore do të thotë t’i pranosh njerëzit siç janë pa i gjykuar edhe pse ndoshta nuk pajtohesh me atë që thonë ose bëjnë. Kur dashuria e vërtetë ndriçon shpirtin, lind dëshira për t’u shërbyer atyre në nevojë siç e bënte Nënë Tereza. Po të kuptonim se jemi të gjithë njerëz të krijuar në shembullin e Zotit, që është dashuria vetë, dhe po ta shihnim njeri-tjetrin jo vetëm me sytë, por edhe me zemrën, pa paragjykime dhe duke respektuar dallimet midis nesh që japin kopshtin njerëzor një larmi lulesh, do të kishim një botë më të paqtë pa luftë dhe varfëri.
Së treti mund të flasim për dashurinë midis dy njerëzve. Për mendimin tim dashuria e vërtetë rritet ngadalë sa më shumë dy njerëz njihen me njeri-tjetrin. Dashuria është aftësia ta pranosh pa përsosmërinë e partnerit, të mund të qëndrosh pranë njeri-tjetrit në kohëra të errëta, ta thuash dhe ta pranosh fjalët, Më fal. Nuk është e lehtë as ta kërkosh, as ta pranosh faljen, por është një nga çelësat e një marrëdhënieje të shëndetshme. Komunikimi i çiltër dhe i hapur ka gjithashtu shumë rëndësi. Më mirë është ta duash njeri-tjetrin se sa të jesh në dashuri me një person tjetër. Ndjenja e dashuri zgjat një kohë të shkurtër, por dashuria e vërtetë kapërcen të gjitha vështirësitë dhe zgjat për gjithmonë.
CARRIE HOOPER:- Besoni në dashuri? Ke rënë ndonjëherë në dashuri? Ç’mendime keni për dashurinë si ndjenjë universale?
ZYBA HYSA: – Fjala dashuri për mua fillon në besimin tek Zoti, asnjë nuk më bind se dashuron, nëse nuk beson Zotin, se dashuria të vjen pranë edhe nga mijëra kilometra, ajo është një lloj energjie që shkëputet nga kuantet e shpirtit të një mashkulli dhe futet brenda trupit të një femre duke u bashkuar me kuantet e shpirti dhe po kaq energji del nga kuantet e femrës drejt shpirtit të partnerit.
Duke ditur që shpirti përbëhet nga këto grimca që hyjnë e dalin tek ne pa pushin, aq sa futen ne trupin tonë, po aq dalin e shpërndahen në univers më shpejtësi drite apo mendje, (askush nuk e ka përcaktuar dot), por në dashuri ato shkojnë e vijnë dhe ne ndjehemi të dashuruar si të ishim fare pranë. Kështu ndodh edhe me Zotin, se zoti mendoj që mund të jetë energji në univers si një rregullator i gjithësisë dhe kur e beson, ai është i pranishëm tek ne e na jep energji të pallogaritshme për të kryer punë dhe vepra të jashtëzakonshme.
Unë mendoj se të besuarit në Zot është çelësi i suksesit tonë, në punë, në shoqëri, në dashuri në krijimtari… në gjithçka. Unë e kam ndjerë praninë e tij gjithë jetën, ndaj e pse janë përpjekur të më poshtërojnë, të më persekutojnë, të më fyejnë, të më vrasin, nuk ia kanë arritur, se kisha një energji të brendshme që më ngrinte lart edhe kur më rrëzonin përdhe.
Dashuria fillon tek besimi në Zot, tek dashuria për natyrën, dashuria për njeriun… Dashuria e vërtetë vjen, kur ne nuk e mendojmë dhe ikën kur e harrojmë… asgjë nuk kemi në dorë, ajo është si muzë poezie, është energji e pa komanduar dhe unë mbi dashurinë asgjë nuk vë, as paranë, as karrierën, as privilegjet, mbi dashurinë kam ndërtuar jetën time dhe pse jam lënduar, kam qenë vetvetja. Unë mendoj se njeriu një herë dashuron, por ketë dashuri mund ta strehojë në më shumë se një partner, se si çdo gjë në jetë që transformohet, ajo kërkon ushqim që të zhvillohet e kur këtë ushqim nuk e gjen më tek partneri, pa e kuptuar ajo ka gjetur shtrat tjetër për të hedhur shtat… si pjesë e kuanteve të shpirtit.
Edhe kur nuk kam të dashurin pranë, jam e dashuruar me kujtimet, me natyrën, me njerëzit, me ajrin, me dritën… me gjithçka që Zoti ka vënë në dispozicion të njeriut dhe çdo ditë kur hap sytë thërres me zë njeriun që dua dhe falënderoj Zotin për mundësinë që më jep për të shijuar jetën, për fëmijët që më ka falur, për shëndetin, për vuajtjet që më ka dhënë, se ato më bënë të fortë dhe të kuptoj sa vlerë ka dashuria.
Si çdo njeri, edhe unë jam zhgënjyer nga dashuria, por jo nga dashuria ime, ajo që nuk duroj dot në dashuri, është hipokrizia, mashtrimi (gjë që për fat të keq në Shqipëri ndeshet shpesh, se dashuria do kualitet njerëzor) dhe nëse unë e dalloj një gjë të tillë, dashuria aty mbaron edhe sikur të më kushtojë shtrenjtë e më ka kushtuar shtrenjtë, por unë nuk mund të jem tjetër, ndaj sot unë jetoj vetëm, por kurrë e vetmuar, pranë kam imazhin e dashurisë, të fëmijëve, të cilët i kam të larguar e mbi të gjitha kam Zotin pranë që më beson për këto që po u rrëfej ju mike e dashur pa të njohur fizikisht, por kuantet e shpirtrave tanë tashme kanë filluar ecejaket e tyre dhe bashkëpunojmë paqësisht në miqësinë tonë të sinqertë.
ZYBA HYSA: – Cilat kanë qenë motivet që të nxitën për të mësuar gjuhën shqipe?
Carrie Hooper: Fillova të mësoja shqip në tetor 2008 pasi kisha një student nga Shqipëria në kursin tim të italishtes. Së pari përdora një libër në brail që e gjeta te Biblioteka për të verbrit në Angli dhe studenti im më ndihmoi. Gjithashtu një grua transkriptoi një fjalor shqip – anglisht në brail që e kisha blerë. Më tej gjeta një libër audio me përralla shqiptare te Biblioteka për të verbrit në Suedi. Në verë 2009 dhe në verë 2010 ndoqa kurse të gjuhës shqipe tek Arizona State University në Tempe të Arizonës. Tani për tani lexoj artikuj nga gazeta shqiptare duke përdorur kompjuterin tim të aksesshëm. Për më tepër shoku im, Tim Hendel, që jeton në Huntsville të Alabamës, më regjistron programe radiofonike në internet në gjuhën shqipe. Përveç kësaj flas në telefon me shqiptarë për të ushtruar gjuhën.
Në shtator 2010 këndova një koncert me këngë shqiptare në kishën ortodokse Shën Elia në Jamestoën të Nju Jorkut. Në tetor 2010 këndova në Kishën e Shën Gjergjit në Boston të Massachussettit. Në qershor 2011 këndova në një koncert në Tornto të Kanadasë me rast të mbylljes së vitit shkollor te shkollat shqipe atje. Në prill 2012 mora pjesë në festimin e njëqindvjetorit të themelimit të Vatrës duke kënduar himnin amerikan dhe një këngë, “O popull i dashur”, për të cilën shkruajta tekstin shqip dhe kompozova muzikën. Në qershor 2012 dhashë një intervistë në Neë York për një film shqiptar me producent Piro Milkanin dhe regjisor Petrit Rukën, që trajtoi historinë e Himnit Kombëtar shqiptar. Gjatë intervistës këndova Himnin kombëtar shqiptar. Filmi fitoi një çmim të veçantë për njëqindvjetorin e Pavarësisë. Në fund të qershorit 2012 dhashë dy prezantime te Arizona State University në Phoenix të Arizonës ku kisha ndjekur kurse të gjuhës shqipe gjatë verave së viteve 2009 dhe 2010. Në prezantimin e parë diskutova se si mësova shqip si të verbër dhe përshtatjet që më duheshin. Në prezantimin e dytë fola për eksperiencën time duke mësuar shqip dhe këndova këngë shqiptare.
Në tetor 2012 vizitova shkollën shqipe në Bronx dhe dhashë një prezantim për prindërit dhe nxënësit në të cilin fola për eksperiencën time duke mësuar shqip dhe duke kënduar këngë shqiptare. Në qershor 2013 mora pjesë në programin për mbylljen e vitit shkollor te shkolla shqipe në Bronx duke kënduar katër këngë shqiptare. Përveç kësaj ndoqa Meshën në Kishën Katolike Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut. Më tej jam bërë anëtare e ansamblit Bashkimit Kombëtar drejtuar nga Gjergj Dedvukaj dhe i bie çiftëlisë. Mora pjesë në një koncert të tyre në korrik në Detroit të Michiganit.
Gjatë viteve kam dhënë intervista për Gazetën Dielli, për gazetaren Rajmonda Moisiu, për gazetarin Beqir Sinën për gazetën Bota Sot, për gazetaren Kozeta Zylon, për Radio Kosovën, dhe Radio e diela, një program që transmetohet në AM 1540 në Toronto të Kanadasë. Gjithashtu mora pjesë në emisionin e gazetarit njujorkez, Qazim Dodës, Shqiptarët e Amerikës.
Kam shkruar mbi 60 poezi shqip dhe disa janë botuar në gazetën Dielli dhe në Revistën Kuvendi. Para disa vjetësh dhashë disa prezantime për Shqipërinë për klube vendore në të cilat tregova fakte për vendin dhe këndova këngë shqiptare.
ZYBA HYSA: – A njeh shqiptarë atje dhe ruan lidhje miqësie me ta?
Carrie Hooper: – Nuk kemi një komunitet shqiptar në Elmira por njëherë takova një shqiptare në rrethin tim. Mirëpo ajo është shumë e zënë me fëmijët dhe me punë dhe ka shumë kohë që nuk kemi folur bashkë. Mirëpo njoh shumë shqiptarë në qytetin e Nju Jorkut, në Massachussetts, në Pensilvani, në Michigan, në Chicago, në Toronto të Kanadasë, dhe në shtetin e Arizonës. Disa i kam takuar dhe disa jo. Flas në telefon me disa shqiptarë dhe disave u shkruaj emaile. Këmbej mesazhe elektronike edhe me shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë. At Artur Liolini, prift te Kisha katolike e Shën Gjergjit, më lidhi me disa shqiptarë.
ZYBA HYSA: – Unë u habita, kur djali i Isuf Luzajt, Dalani, më solli një poezi të krijuar nga ju për ta përfshirë në librin “Isuf Luzaj në Biografinë e Kombit”, si u frymëzuat, keni lexuar ndonjë libër të tij, apo keni dëgjuar për këtë personalitet të nderuar të kombit shqiptar, por dhe me një kontribut të madh në Amerikë?
Carrie Hooper: – Lexova një artikull në Gazetën “Dielli” për Dalan Luzan që festoi ditëlindjen e tij në fshatin në të cilin u internua me familjen e vet kur ishte fëmijë. Shkrimi përmendi Isuf Luzajn, të atit të Dalanit, dhe përcolli të dhëna për jetën e tij. U frymëzova ta shkruaja poezinë për Isuf Luzajn pasi lexova këtë artikull. Nuk kam lexuar ndonjë libër të Isuf Luzajt por e di se ishte njeri shumë i zgjuar dhe atdhedashës dhe jepte mësim në universitet në Amerikë.
Për Isuf Luzajn
(Carrie Hooper)
Tempull i dijes,
Korife e atdhetarizmit,
për çlirimin e shqiponjave
Të robëruara
Në kafazin e diktaturës,
Pareshtur punove.
Ishte shpërblimi yt
I pamerituar
Kurbeti trishtimprurës
Dhe Internimi shtazor
I gruas dhe të fëmijëve.
Mirëpo,
Nga rrushi i fatkeqësive,
Një verë të ëmbël prodhove
Duke ndriçuar universitetet amerikane
Me zgjuarsinë tënde.
Në livadhin e mendjes sate,
Bulëzuan vargjet e tua.
Në panteonin e dijetarëve,
Në plejadën e filozofëve Gjëmon
Emri yt i pavdekshëm.
ZYBA HYSA: – A mendon se Kombi im do të bashkohet një ditë dhe do të përparojë si gjithë kombet e tjerë?
Carrie Hooper: – Shqipëria ka shumë potencial të bëhet një vend i qytetëruar dhe i zhvilluar si vende të tjera. Ka bërë përparime në këto njëzet vite, për shembull në infrastrukturë, dhe më vjen mirë se ka njerëz që punojnë për ndalimin e dukurisë së gjakmarrjes. Megjithatë ka shumë punë për të bërë. Politikanët duhet të mendojnë për të mirën e Kombit, jo vetëm për t’u pasuruar vetë. Duhet të pushojnë së fajësuarit të njeri – tjetrit dhe të bashkëpunojnë për të mirën e vendit. Duhet të gjenden më shumë mundësi për t’i punësuar të rinjtë kështu se nuk ikin nga vendi. Shqipëria po humb trurin e vet për shkak të emigrimit dhe kjo nuk do të ndihmojë në përparimin e vendit. Me gjithë vështirësitë, e di se një ditë Shqipëria do të zhvillohet dhe trojet shqiptare do të bashkohen. Kombi shqiptar ka një shpirt ngadhënjyes dhe gjithmonë ka mbijetuar gjatë historisë së vet.
JETËSHKRIMI (CARRIE HOOPER)
U linda në Elmira të Nju Jorkut, në janar të vitit 1975. Elmira ndodhet në pjesën jugore të shtetit të Nju Jorkut afër kufirit me shtetin e Pensilvanisë. U linda dy muaj e gjysmë para kohës dhe si pasojë mushkëritë e mia nuk ishin të zhvilluara plotësisht. Prandaj në moshën tetëditore iu nënshtrova një operacioni për të hequr një pjesë të njërës mushkri. Pastaj qëndrova në inkubator për tre muaj dhe meqenëse mora tepër oksigjen retinat e mia u dëmtuan dhe u verbërova. Mirëpo verbëria nuk më pengon, sepse kam mundësi të përjetoj botën me shqisat e tjera. Të gjithë që shikojnë do të mund ta përjetojnë botën me të gjitha shqisat, por ata varen shumë nga sytë. Thënë shkurtimisht, kam një jetë të plotë dhe të pasur.
Kreva shkollën fillore dhe të mesme me fëmijë që shikonin dhe mora librat e mia në brail ose në audio. Kishte edhe njerëz që lexonin për mua dhe mësova të shkoja me bastun. Fillova mësime për piano në moshën katërvjeçare dhe mësime për kanto në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare. Në shkollë i rashë ksilofonit, marimbës, glockenspielit, dhe baterive në orkestër dhe këndova në kor. Fillova të kompozoja muzikë në moshën tetëvjeçare.
Pas diplomimit tim nga shkolla e mesme në vitin 1993, mora një bachelor për kanto te Mansfield University në qytetin e Mansfield të Pensilvanisë në vitin 1997.
Gjatë kohës në Mansfield fillova ta mësoja gjermanisht sepse për studimet e mia u kërkua që të ndiqja një gjuhë të huaj dhe zgjodha gjermanisht sepse mendoja se do të më ndihmonte të kuptoja më mirë atë çfarë këndoja në atë gjuhë. Që nga dita e parë e kursit e dija se desha të bëhesha pedagoge e gjermanishtes. Në shkollën e mesme kisha mësuar frëngjisht por ajo gjuhë nuk më kishte tërhequr shumë dhe nuk punoja fort për ta mësuar. Mirëpo ushtroja gjermanisht si dhe gjuhë të tjera që i mësova më vonë duke i dëgjuar, duke lexuar dhe duke folur në telefon me folësit e gjuhës në fjalë.
Gjatë studimeve të mia në Mansfield, fillova gjithashtu ta mësoja italisht sepse kori me të cilin këndoja duhej të shkonte në Itali si pjesë e turneve evropiane. Më tej fillova ta mësoja rusisht dhe latinisht por këto dy gjuhë nuk i kam zotëruar mirë.
Pasi kreva studimet te Mansfield University, mora një master për gjermanisht (1999) dhe një master për kanto (2001) te University at Buffalo në Buffalo të Nju Jorkut. Gjatë asaj kohe fillova ta mësoja spanjisht dhe mësova pak finlandisht. Për më tepër fillova ta mësoja suedisht sepse dirigjenti i orkestrës së universitetit vinte nga Suedia dhe desha të flisja suedisht me të. Në atë kohë kishte një program në transmetimin anglisht të stacionit radiofonik në valët e shkurtra, Radio Sëeden, që quhej In Touch Ëith Stockholm që u mundësonte dëgjuesve që të lidheshin me suedezë për t’u drejtuar pyetje të ndryshme që trajtonin kulturën dhe jetën suedeze. Unë i shkruajta programit një email, sepse desha të mësoja më shumë për situatën e të verbërve në Suedi. Drejtuesit e programit më lidhin me Ulrika Norelius, një studente e verbër te Kolegji i muzikës i universitetit mbretëror në Stockholm të Suedisë dhe biseduam në telefon në anglisht. Biseda jonë u transmetua në radio dhe Ulrika dhe ne vazhdonim të mbanim kontakt. Ajo më tregoi për mundësinë për të huajt që studionin te Konservatori i muzikës në Stockholm për një vit akademik. Aplikova për këtë program dhe aplikova për një bursë Fulbright për t’i paguar shpenzimet. Kolegji i muzikës në Stockholm më pranoi dhe mora bursën Fulbright. Nga shtator 2001 deri më qershor 2002 studiova kanto te Shkolla për muzikën të universitetit mbretëror në Stockholm.
Tani punoj si pedagoge të gjermanishtes dhe të italishtes tek Elmira College në qytetin tim të Lindjes, Elmira të Nju Jorkut. Gjithashtu jap mësime për piano dhe për kanto në shtëpinë time. Më tej jap koncerte vokale në vende të ndryshme. Këndoj në korin e kishës sime dhe në një kor tjetër me emrin Common Time. Në kohën e lirë Më pëlqen të lexoj, të bisedoj me njerëz, të shkruaj poezi, dhe siç e përmenda më lart, më pëlqen të mësoj gjuhë të huaja. Përveç gjermanishtes, italishtes, dhe spanjishtes, flas edhe shqip lirisht
JETËSHKRIMI
Zyba Hysen Hysa lindi në fshatin Kokrevë të rrethit Librazhd më, 26 qershor 1955. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas në Elbasan, ku në vitin 1974 merr diplomën e mësuesisë. Në 1979 mbaron kursin filozofik dhe më pas ushtron profesionin e mësuesisë në lëndën gjuhë shqipe, në fillim në Vulçan, Polis Gostimë të Librazhdit dhe që nga viti 1999 në Vlorë.
Krahas punës së mësuesisë, që nuk u nda për asnjë çast, ajo ka qenë aktiviste e rinisë duke u zgjedhur deri në forumet më të larta. Së fundmi aderoi në Shoqatën për Identitet dhe Bashkim Kombëtar (SHIBK), nga e cila dha dorëheqjen me daljen në skenë të Kreshnik Spahiut që bashkoi gjithë shoqatat patriotike në partinë politike “Aleanca Kuq e Zi”, të cilën e denoncoi si antikombëtare që në embrion.
Që nga viti 2010 anëtare e Institutit të Integrimit të Kulturës Mbarëkombëtare Shqiprare, ku ka dhënë një kontribut të çmuar me veprimtarinë e saj në të gjitha trojet etnike shqiptare.
Në ditën e shpalljes së pavarësisë ajo ka dorëzuar flamurin për Bashkimin e Kombit te kulla e Jasharëve dhe bashkë me anëtarët e kësaj shoqate janë betuar se do të falin gjithçka për bashkimin e kombit shqiptar. Një komb, një shtet, një flamurë!
Ka qenë bashkëpunëtore në revistën për fëmijë “Vala e kaltër”, Drejtuese e emisionit për fëmijë “Drita e diturisë”. Krijimet e para poetike i ka botuar qysh në vitin 1972 në gazetën “Shkumbini” të Elbasanit.
Në vitin 1978, pasi dërgon për botim poemën “Me ju nuk jemi krushq” në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” = i kthehet përgjigjja: “Kujdes, ke frymë moderniste në poezi!” dhe që nga ajo ditë nuk botoi më.
Pas vitit 1990:
Pjesëmarrëse në Inter Fest “Viti i Eseut” Strugë”,2007, në Festivalin e Dytë Ballkanik të Poezisë, Lushnjë 2009, Nderuar me çmimin e tretë “Fatos Arapi” nga Bashkia Vlorë, dhjetor 2011, me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Komuna e Çairit, Shkup 2011 dhe me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Poeteka “Ndue Bytyci” e nderon me çmimin e parë “Për poezinë më të mirë në festivalin e parë të poezisë “Bytyci”, gusht 2012.
Gjatë viteve ka dhënë shumë intervista për Radio Tiranën, RTK, TVSH, Apollon, Amantia, Vlora Chanel… si dhe është intervistuar nga gazetarët: Murat Gecaj, Albert Zholi, Spasse Thanasi, të botuara në shtypin e shkruar shqiptar si: Gazeta “Republika”, “Nacional”, “Telegraf”, “Standard”, si dhe në faqet elektronike “Dielli”., “Zemra Shqiptare”, “”Fjala e lirë” etj.
Ka publikuar shkrime kritikë letrare, poezi, tregime… në gazetat dhe revistat letrare të kohës si: “Nacional”, “Muzgu”, “Obelisk”…
Libra: “Shkreptima Dhembjeje” (poezi) 2002, “Festa e Abetares” (poezi për fëmijë) 2002, “Erë Shqipërie” (poema) 2004, “Dritë në Llakatund” (poezi për fëmijë) 2005, “Kur Shpirti Vallëzon” (monografi artistike) 2006, “Obelisku i Bektashizmit” 2007, “Sikur…” (poezi) 2009, “Nënë Engjëllore” (poemë) 2010, “Lumi kërkon detin” (poezi) 2011, “Mbretëresha ime” (tregime) 1012, “Sharrajt në Jetën e Kombit” 2012 (Libër shkencor – historik – letrar – publicistik)
Libra, në dorëshkrim: Tre romane, dy libra studimore, një publicistike, tre vëllime poetike, 10 libra për fëmijë…
Vlorë-Nju Jork, dhjetor 2013
Murat Gecaj says
Pershendetje, mike e kolege Zyba Hysa dhe urime per keto dy Internista interesante! Gjithashtu, i uroj nga zemra: Shendet dhe gjitha te mirat, zj.Carrie Hooper!
Me respekt:
Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues
Tirane, 10 dhjetor 2013