-PROESTA E OPOZITES HYNE NE DITEN E 20-të/
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është treguar i prerë me qeverinë duke thënë se nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.Gjatë bashkëbisedimit me gratë në çadrën e lirisë pasditen e sotme, Basha u shpreh se zgjedhje fasadë nuk do të ekzistojnë.Duke marrë shkas edhe nga simbolika e 8 Marsit, kryedemokrati Basha bëri me dije se opozita ka marrë dy vendime.E para ka të bëjë me organizimin e Kuvendeve Qytetare në gjithë vendin për zgjedhje të lira dhe vendimi i dytë është se në Shqipëri nuk do të organizohen më zgjedhje fasadë.
Fjala e plotë e kryetarit të PD Lulzim Basha/
Sot në 8 Mars, duke marrë kurajo nga kurajo e grave shqiptare, opozita e bashkuar ka marrë një vendim. Ky vendim që po kështu ka filluar të spinohet në forma dhe mënyra të ndryshme është i thjeshtë dhe i qartë. Vendimi përbëhet nga dy pjesë. E para; organizimin në të gjithë territorin e Shqipërisë të Kuvendeve Qytetare për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme. Këto kuvende do të jenë hapësirat e lirisë ku do të bashkohen qytetarë, do të bashkohen punëdhënës dhe punëmarrës, të papunë, të rinj e të reja, intelektualë, akademikë, artistë, sportistë, fermerë, pensionistë, për ti dhënë thellësi dhe qendresë qëllimit tonë madhor, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike. Këtu do të marrë formë përmes kontributit të çdo shqiptari Republika e Re, republika e vlerave europiane, republika e barazisë së qytetarëve para ligjit, republika e kufizimit të pushtetit për politikanët dhe fuqizimit të pushtetit politik dhe ekonomik për qytetarët.
Në këto forume, gjithkush ka mundësinë, është i mirëpritur dhe i thirrur të jetë pjesë e hartimit të këtij projekti të madh kombëtar. Nuk është e nuk mund të jetë kurrë, as monopol i Lulzim Bashës, as monopol i Partisë Demokratike dhe as monopoli i opozitës, Republika e Re është është që nga gjeneza, kërkesa juaj e do të jetë projekti i çdo shqiptari.
Vendimi i dytë i opozitës së bashkuar nuk është bojkoti i zgjedhjeve. Jo more zotërinj, nuk do tia hidhni kaq lehtë. Nuk ka për të patur bojkot zgjedhjesh, sepse zgjedhje fasadë me krimin, nuk do të ketë. Qytetarët shqiptarë janë të vendosur. Rezistenca civile, mosbindja civile, armata e republikës së re do të pengojë me të gjitha mjetet popullore, qytetare, demokratike dhe paqësore, zgjedhjet me krimin, zgjedhjet me drogën dhe zgjedhjet fasadë. Ua kemi dhënë paralajmërimin nga ky shesh me 18 Shkurt. Ua përsërisim ditë për ditë, e natë për natë. Ngule mirë në mendje. Zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur më në Shqipëri.
Ndaj i ke bërë hesapet pa popullin, ose siç thotë populli pa hanxhinë. Populli është këtu, vendimi është marrë, zbrit me këmbë në tokë. Shqiptarët nuk i dorëzohen më dëshpërimit. Askush nuk do të vrasë më veten për gjëmat e qeverisjes tënde. Të gjithë bashkë, do të vrasim republikën e vjetër, siç kemi vrarë frikën. Dhe do ti japim shqiptarëve atë që duan dhe meritojnë, Republikën e Re ku ka vend për të gjithë. Ata njerëz, burra, gra të rinj e të reja që duan një Shqipëri europiane të votës së lirë, të ligjit të barabartë për të gjithë, të drejtësisë së vërtetë që nuk mbron, por ndërshkon krimin dhe korrupsionin. Këto janë vlera të përbashkëta europiane. Këto janë vlera esenciale perëndimore. Ky është edhe themeli i demokracisë më të madhe në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga kemi marrë dhe vazhdojmë të marrim përkrahje dhe mbështetje pa kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sonte dua të risjell në vëmëndje dhe të falenderoj përzemërsisht të gjithë ata që përmes mesazheve, letrave, telefonatave, bisedave të drejtpërdrejat me mua apo me përfaqësuesit e nderuar të koalicionit tone, siç është z Mediu që sapo u kthye nga Uashingtoni, Kanë mbështetur dhe mbështesin këtë beteje, si; kongresmenët: Dan Lipinski, Randy Hultgren, Richard Hudson, Louie Gohmert, John Moolenaar, Thomas Suozzi, Jeff Fortenberry, Trent Kelly dhe Robert Aderholt. Si dhe senatorët Lamar Alexander, James Lankford, Mike Enzi, Luther Strange, Susan Collins, Jim Inhofe, Tom Cotton, Roger Ëicker, Mike Rounds dhe Ted Cruz.
Gratë e dhunuar nga qeveria rrëfejnë historinë në çadrën e lirisë/
Në sheshin e lirisë, nëna, profesioniste, vajza të arsimuara, dëshmuan persekutimin që qeveria u ka bërë, duke i larguar nga puna me pa të drejtë. Madje largimet ishin edhe më tro?nditëse ku shumë nëna u larguan nga vendi i tyre i punës pa paralajmërim, gjatë lejes së lindjes, apo edhe në rastet kur fëmijët e tyre vuanin nga sëmundje të rënda. Të gjitha këto rrëfime tronditëse ishin pjesë e bashkëbisedimit sonte me kryetarin e Partisw Demokratike Lulzim Basha.
Juvina, tregoi historinë e saj ku u largua nga puna teksa kishte marrë lajmin e hidhur se djali i saj i mitur kishte lindur me një sëmundje agresive.
“Kërkuan largimin tim edhe pse djali im ishte diagnostidikuar me paralizë cerebrale. Ata nuk donin t’ia dinin. Isha e diplomuar në dy fakultete dhe sapo kisha nisur masterin shkencor. Kërkoj largimin e kësaj qeverie për shkak se dua që nënat me fëmijë me nevoja të veçanta të mbështeten nga një qeveri e re”.
Eda Grimci u largua nga puna pak ditë pasi kishte lindur fëmijën e saj të dytë. Ajo u njoftua për largimin nga puna nga Ministria e Mbrojtjes ku ushtronte profesionin e saj si juriste, vetëm me një telefonatë gjatë kohës që sapo kishte lindur dhe ishte ende në spital.
“U largova nga puna nga një ministre femër. Nuk u lejova të hyja në institucion pasi ishte dhënë urdhër. Largimi im nga puna nuk erdhi si pasojë e shkeljeve që unë kisha bërë, jo, isha demokrate. I kërkoj zotit Basha që të premtojë të zbatojë vendimet e gjykatave për rikthimin në vendin e punës të të gjithë atyre që janë hequr me pa të drejtë nga kjo qeveri”.
Në çadrën e lirisë bashkëshorti i Brunildës, e cila tragjikisht vrau veten në qytetin e Korçës, 3 vite më parë pasi u pushua nga puna, theksoi se bashkëshortja e tij kreu këtë veprim, për shkak të largimit nga puna.
“Vazhdojnë të na persekutojnë, edhe pse jemi familje e thjeshtë dhe e ndershme. Brunilda ishte e vetmja që punonte dhe mbante familjen”, tha ai.
Humbja e jetës së një pacienti nga mungesa e ilaçeve në spitalin e Lezhës, u rrëfye nga bashkëshortja e tij Dila. Ajo dëshmoi gënjeshtrën që ministri i shëndetësisë Beqaj u thotë shqiptarëve.“Bashkëshorti im humbi jetën pasi nuk gjendej ilaçi për sëmundjen që ai kishte”, theksoi ajo.Një tjetër rast i shkarkimit pa asnjë motiv, ishte ajo e zonjës Rina Istrefi, arsimatare, me 25 vite punë.“Më hoqën për bindje politike. Ku është portali mësues për Shqipërinë? Profesionistët janë jashtë sistemit arsimor. Persekutimi është i jashtëzakonshëm. Sfidova problemet e mia shëndetësore sepse e dua këtë profesion. U shpikën testime pa bazë ligjore. Fyejnë rëndë inteligjencën shqiptare. Arsimtarët janë aty por janë flakur jashtë sistemit arsimor zonja ministre. Flakni tej frikën politike në arsim, ngrini zërin dhe kërkoni të drejtat tuaja. Guxova më tepër se të tjerët, ndaj jam jashtë sistemit arsimor. Zonja ministre në asnjë moment nuk tregove se je grua, nënë apo arsimtare. Largohu zonja Ministre. Ti ke ngelur në klasë”, tha mësuesja e gjuhës dhe e letërsisë.Violeta Geca, e hequr nga puna me dhunë nga Erjon Veliaj, tha se ai ka hedhur në rrugë të madhe një familje prej 7 anëtarësh. “Unë fitova gjyqin dhe duhet të rikthehem”, tha ajo.Hariklla Zoto paralajmëroi ngujim përpara Ministrisë së Mbrojtjes pas një problemi me pronën e saj.“Policët më kanë tërhequr zvarrë në katër të mëngjesit, teksa unë prisja një përgjigje nga Ministrja e cila sot ka shkuar me pushime. Isha në të drejtën time”.
Lulzim Basha tha se megjithë vuajtjet dhe persekutimet, dhe përvojat tronditëse, gratë janë kthyer në model të qëndresës e rezistencës për drejtësi e dinjitet.
“8 Marsi është ditë proteste, është ditë proteste dhe qëndrese dhe sot me 8 Mars 2017 gratë e pranishme në sheshin e lirisë i vunë vulën europiane 8 Marsit, jo ditë feste, ditë proteste! Sonte dëgjuam disa nga dëshmitë e grave, nënave, vajzave të pranishme këtu në këtë shesh të lirisë. Këtu ka dhe shumë burra, besoj se ndajmë të njëjtin mendim se ajo që dëgjuam ishte në rradhë të parë tronditëse dhe rrënqethëse, tha Basha, duke shtuar se në radhë të dytë, me gjithë vuajtjet, persekutimin, nëpërkëmbjen, sakrificat e jashtëzakonshme që këto gra dhe qindra e mijëra si ato anembanë Shqipërisë kanë hequr e po heqin nën këtë qeverisje të pashpirt, sërish me qëndresën që kanë bërë me forcën dhe kurajon që kanë demostruar, ato janë bërë heroinat tona, heroinat e çdo shqiptari”.
Duke u ndalur tek modeli i Edi Ramës, Basha tha se: “Ky model nuk ka të bëjë me ideologjitë, nuk është model i djathtë kurrsesi, sepse e djathta bazohet tek familja, tek vlerat familjare, tek respekti i ndërsjelltë midis bashkëshortëve, tek ngritja në piedestal dhe barazia e vërtetë midis gruas dhe burrit në familje dhe në jetë, por nuk është as model i majtë. Edi Rama me sjelljen e tij dhe pasojat e rënda ndaj grave shqiptare përfaqëson vetëm modelin e krimit, modelin e drogës, modelin e trafikantëve që i bëri deputetë dhe kryetarë bashkish”.
Për Bashën, dhuna që ushtrohet ndaj grave sidomos në zgjedhje do të ndalet, do të marrë fund. Basha siguroi se lëvizja popullore që ka nisur nuk ndalet deri në fitore, deri në garantimin e votës së lirë e të ndershme.
“Sot, Shqipëria gjendet para një udhëkryqi me pikëpyetje të mëdha. Kriminelët, trafikantët e drogës, që morën për veshi kandidatët për kryetarë bashkish në vitin 2015 e deri në zgjedhjet e pjesëshme të Dibrës në vitin 2016, e kanë treguar fare mirë se çfarë ndjejnë dhe se çfarë respekti kanë për qytetarët shqiptarë në tërësi dhe për gratë në veçanti. Me dhjetra me qindra dëshmi gjatë proceseve zgjedhore faktuan dhunën verbale, kërcënimet me jetë dhe dhunën fizike të këtyre horrave të veshur me pushtet ndaj grave në zonat elektorale. Të gjithë e mbani mend rastin e 18 vjeçares nga qyteti i Vorës, e cila me lotë në sy denoncoi në ekranin e Blendi Fevziut se ditën që priste të festonte të drejtën e saj për herë të parë si qytetare e Republikës, për të votuar, u mbyll 24 orë në shtëpi duke qarë sepse banditët e veshur me pushtet kishin kërcënuar nënën dhe babain e saj se do ti hidhnin në erë dyqanin nëse do të dilte të votonte. Ky është realiteti i krimit të lidhur me pushtetin dhe pushtetit që mbështetet te krimi. Përsëri krimi i bërë njësh me pushtetin kërcënon të drejtat tona themelore”, tha Lulzim Basha.
Kryetari i opozitës dënoi faktin se mediat vazhdojnë të diktohen dhe nuk I kushtojnë rëndësinë që meriton Shqipërisë reale.“Ditë për ditë e natë për natë ky shesh ka dëshmi tronditëse të Shqipërisë së vërtetë dhe ditë për ditë e natë pë natë ekranet qeveritare bëjnë gjithçka, transmetojnë gjithçka përveç Shqipërisë së vërtetë. Sa herë që ekranet e kapura nga qeveria censurojnë Shqipërinë e vërtetë, drejtohuni Facebook-ut, aty do të gjeni të vërtetën e pacensuruar, të vërtetën troç, siç thuhet, haptazi në këtë shesh të lirisë”.
Kongresmeni amerikan: SHBA ju mbështet në kauzën për zgjedhje të lira/
Kongresmeni amerikan Trent Kelly ka shprehur shqetësimin për situatën politike në vend dhe mbështet kauzën e opozitës që kërkon zgjedhje të lira dhe demokratike.
Përmes një letre dërguar kryetarit të Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, kongresmeni Kelly thekson shqetësimin për kultivimin e drogës në vend, krimin e organizuar dhe frikën e manipulimit të votave.
“Sot jam i shqetësuar për situatën e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s. Informacione zyrtare dhe media kanë denoncuar kultivimin dhe trafikimin e drogës. Kjo përbën rrezik për demokracinë dhe shtetin ligjor. Zgjedhjet parlamentare janë parashikuar të mbahen më 18 qershor. Në dijeninë time, nuk është ndërmarrë asnjë nismë për rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Unë mbështes fuqimisht qytetarët shqiptarë dhe kauzën e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qytetarët shqiptarë duhet të dinë se kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në kauzën e tyre të drejtë për lirinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, thuhet ndër të tjera në letrën e kongresmenit amerikan dërguar Bashës dhe Mediut.