Nga PAOLO LEPRI
“Corriere della Sera”, 14 gusht 2021 Përktheu Eugjen Merlika
Skenari është i përsosur, montimi është i ngjeshur, efektet e veçanta të sendërtuara mirë. Por nuk bëhet fjalë për një film katastrofik, janë pamje të prodhuara nga një realitet në të cilin, secili prej nesh është viktima e, në një farë mase, edhe fajtori. Jemi spektatorë të ngatërruar në çdo vend, e nuk ka vlerë të fiket ekrani e të shihet diku tjetër.Toka është në një alarm të kuq.
Ky është realiteti (që nuk është një film). Pak ditë mbas shpërndarjes së raportit të gjashtë të Intergovernmental Panel on Climate Change – studimi i përgatitur nga një grup ekspertësh të OKB e të miratuar nga 195 qeveri të gjithë botës, në të cilin është vërtetuar se ngrohja e përgjithëshme i shkakton”dëme të pakthyeshme” planetit, përcakton valët e temperaturave të larta e ndihmon shirat me rrebeshe – një të nxehtë rekord ka minuar qëndresat tona, të vëna në një provë të rreptë nga pandemia, duke dërguar shënja alarmante të një spikame të vërtetë që kushtëzon stilet e jetës, kërcënon “normalitetin” për të cilin kemi nevojë, na bën të kuptojmë domosdoshmërinë për të ndryshuar qëndrimet tona. E nuk mund të ngushullohemi duke ngritur ledhe mendore n’emër të largësisë. Shtylla e zhivës pothuajse u çmënd pikërisht këtu, n’Italinë tonë të ndezur.
E ardhmja është tashmë e sotmja e jonë. Nuk duhet më të pyesim nëse jemi të bindur për nevojën e shpëtimit të planetit që mund të vrapojë drejt rrënimit të tij. Ky është një fakt i sigurtë. Duhet të pyesim nëse jemi ende në kohë për të shmangur katastrofën. Një shkrimtar i madh si amerikani Jonathan Franzen, prej vitesh i zotuar mbi problemet e mjedisit, mendon se është tepër vonë. Më mirë të shpresojmë se ai gabon.
Në të vërtetë, raporti i Ipcc i jep pjesërisht të drejtë autorit të Korigjimet kur ai ve në dukje se nuk jemi në gjëndje, aktualisht, të ndalojmë ngrohjen e përgjithëshme dhe kur siguron se shtimi i temperaturës do të vazhdojë në çdo rast deri në gjysmën e shekullit tonë. Një tjetër përkeqësim i mëtejshëm është i pashmangshëm “nëse nuk do të ketë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm pakësime të thella në shlirimin e gazit karbonik dhe të gazeve të tjerë të efektit serra”. Duhet të dijmë se çdo vonesë është e barabartë me një rrezik vetëvrasjeje kolektive. Asnjëherë si tani nuk është aktuale thënia latine”nihil difficile volenti”. Vullneti mund të mos mjaftojë, nëse nuk është vullnet i të gjithëve.
Duhet thënë (si për fushatën e vaksinimeve, pavarësisht vonesave fillestare) që veprimi i Bashkimit evropian po tregohet bindës, në mos për tjetër për seriozitetin e synimeve të paracaktuara. Paketa “Fit for 55”, e paraqitur në korrik, parashikon pakësimin me së paku 55 % të gazrave në krahasim me nivelin e vitit 1990 brënda vitit 2030, për t’arritur “carbon neutrality” në 2050. Plani parashikon ndërmjet të tjerave një vepër viganore pyllëzimi (tre miliard pemë të mbjella në dhjetë vitet e ardhëshme) dhe ndalimin e shitjes së makinave me benzinë dhe diezel që nga 2035. “Ekonomia e bazuar mbi lëndët djegëse fosile ka arritur caqet e saj – ka nënvizuar kryetarja e Komisionit të BE, Ursula fon der Leyen – e jemi të parët që po paraqesim një tabelë ecjeje konkrete”. Është e qartë, natyrisht që Evropës i takon edhe detyra të shtyjë Kinën dhe Hindinë të bëjnë pjesën e tyre. G20 e Romës dhe Cop 26 e Glasgow janë në program mbas pak muajsh.
Duke u kthyer tek Italia, dhe tek jeta e jonë e çdo dite, agresiviteti i klimës (dhe pasojat e tij shkatërruese) që kemi njohur nga afër na kujton se sigurisht nuk jemi në rradhën e dytë nga dora e shkujdesur e fajtore e njeriut për çfarë ndodh e për prishjet e shkaktuara mbi territorin tonë. Madje ekspertët na kanë shpjeguar se Mesdheu është një katror shumë i brishtë i fushës së shahut botërore, në kufi të zonave të ndryshme, në të cilat temperaturat shtohen gjithënjë e më shumë e reshjet janë të paracaktuara të pakësohen duke u rritur si intensitet. Nëse kjo e gjitha është e vërtetë nuk na mbetet veçse të përveshim mëngët. Përveç asaj që secili prej nesh mund të bëjë për mjedisin, që nga veprimi më i vogël, duhet të mëtojmë të mos mbetemi mbrapa.
Një piskamë e kësaj madhësie duhet përballuar, në muajt e ardhshëm e në vitet e ardhëshme, me të njëjtën frymë bashkëpunimi që kishte zotëruar në fazën e parë të pandemisë. Politika duhet të gjejë mbi këto tema bashkësinë sa më të gjërë të mundëshme. Si atë që ka lejuar lindjen e qeverisë së kryesuar nga Mario Draghi. N’Itali nuk ka një parti të fuqishme “të gjelbër”, në të kundërt t’asaj që ndodh në Gjermani. Arsyet janë të ndryshme, por bëhet fjalë për një fakt që mund të shtyjë forcat e pranishme në Parlament të marrin përsipër problemet mjedisore me vetëdijen se duhet punuar për të mirën e të gjithëve.
Një utopi? Ndoshta. Por vlera e saj është aq e lartë sa që leverdis të luhet. E të provohet për të mos e humbur.
“Corriere della Sera”, 14 gusht 2021 Përktheu Eugjen Merlika