Artan Nati/
Ne përdorim rrëfimet magjepsëse të së kaluarës për t’i dhënë kuptim botës së sotme. Pse ka rëndësi historia? Sa herë që diskutohet rëndësia e historisë, përshkrimi, zgjedhja e fakteve si dhe gjuha e përdorur, i japin asaj një kuptim dhe emocion të ndryshëm. Si mund ta kuptojmë të tashmen tonë ose të shohim të ardhmen tonë nëse nuk mund ta kuptojmë të kaluarën tonë? Si mund ta dimë se kush jemi nëse nuk e dimë se kush ishim? A mundet historia të përcjellë një ndjenjë dhe t’i bëjë njerëzit dhe popujt të reflektojnë mbi gabimet e të kaluarës e t’i korrigjojnë ato që të mos përsërisin historinë? Natyrisht që po. Historia ka të bëjë me zbulimin “çfarë ndodhi në të vërtetë”, ndersa letersia na tregon sesi kane menduar njerezit ne ate kohë.
E kaluara mund të jetë e vdekur, por historia është e gjallë dhe është ndërtuar në të tashmen. Në fund të fundit, a ekziston një gjë e tillë si rrëfimtari apo ka vetëm histori? Me gjithë çuditë e disa kërkimeve shkencore misterioze, ne të gjithë e dimë se shkenca përfundimisht çon në funksionimin e llambave elektrike, motorët e makinave ndizen dhe zemrat e pushuara pompojnë gjak përsëri. A mund ta testojmë vlerën e historisë në të njëjtën mënyrë? A mund të vërtetojmë se një politikan, një individ apo një popull, një financier apo një mësues është më i mirë, më i lumtur apo më i plotësuar duke pasur një ndjenjë për historinë?
M.gj.s ka kaluar shumë kohë e breza nga periudha e mbretit Zog dhe ngjarjet e luftës së dytë botërore, përsëri emocionet triumfojnë mbi arësyen dhe ne kemi dy pamje të kundërta për historinë tonë. Historianët janë të ndarë në vërtetësinë e ngjarjeve, po ashtu edhe publicistët e shkrimtarët, duke përcjellë mesazhe negative dhe përçarë më tej njerëzit. Fakti që shumë nga shkrimtarët apo edhe historianët tanë e ndajnë historinë, ngjarjet dhe personazhet, në të mirë apo të keq, në ëngjëllor apo djallëzor, në se njerëzit do të shkojnë në parajsë ose ferr, harrojnë faktin se njerëzit janë të prirur të kryejnë vepra hyjnore apo djallëzore në varësi të rrethanave dhe zgjedhjeve që ata bëjnë. Kjo dinamikë shihet shpesh si një cikël i vazhdueshëm ku asnjëra palë nuk triumfon përgjithmonë mbi tjetrën. e mira dhe e keqja nuk janë absolute, por më tepër konstrukte sociale të pasqyruara në sisteme të ndryshme morale dhe siç e ka thënë nobelisti rus Solzhenicin “Vija që ndan të mirën nga e keqja nuk kalon nëpër shtete, as midis klasave, as ndërmjet partive politike — por drejt e në zemër të çdo njeriu.”
Funksioni kryesor i librave trillues është të përshkruajë se çfare mendonin, evolucionin dhe transformimin e personazheve, duke i lejuar lexuesit të “përtypë” rritjen dhe zhvillimin e tyre të brendshëm, ndërsa lundrojnë në sfidat dhe rrethanat e paraqitura brenda historisë, duke krijuar në thelb një ndjenjë udhëtimi personal dhe emocional. Per kete arsye Kadareja ndoshta është i vetmi që e bën lexuesin të jetë pjesë e historisë apo rrëfimit të tij. Në romanin “Dosja H”, Kadare, e bën lexuesin të ndihet si pjesë e ngjarjes e të ndez emocionet se patriotizmi nuk është një term abstrakt, apo një medalje në gjoksin e burracakëve. Atje tregohet se si të huajt shfrytëzojnë injorancën e qeverisë dhe naivitetin e protagonistëve për të shkatërruar vlerat tona dhe e bën lexuesin të revoltohet dhe të ndërgjegjësohet për realitetin e hidhur. Po ashtu te “Prilli i thyer” lexuesi bashkëjeton me shqetësimet dhe mungesën e shtetit ligjor duke e bërë atë të transformohet dhe të revoltohet ndaj gjendjes tragjike. Këto kërkohen nga shkrimtarët dhe historianët 35 vjet pas përmbysjes së komunizmit dhe 45 vjet komunizmi.
Duhet të largohemi nga mitizimi i dëshmorëve të lirisë dhe të persekutuarëve politikë, sepse të gjithë jemi njerëz që gabojmë dhe duhet të hymë thellë në shpirtin njerëzor për të kuptuar realitetin dhe historinë. Ata duhet te na jepen me te gjithe spektrin e ngjyrave te natyrës njerëzore. Shkrimtarët dhe historianët më me zë të kohës sonë nuk kanë arritur të shkëputen nga urrejtja, duke mbajtur shpirtin e tyre të prangosur dhe duke injektuar tek ne idenë se egziston vetëm e mira dhe e keqja dhe harrojnë se çdo gjë transformohet dhe udhëtimi më i vështirë, por çlirues, është udhëtimi në nënndërgjegjien njerëzore. Sfida më e madhe me të cilën përballen shkrimtarët, mësuesit dhe komunikuesit e mëdhenj të historisë nuk është të rrëfejnë vetë historinë, madje as mësimet e historisë, por pse historia dhe interpretimi i saktë i saj ka rëndësi. Si të ndizet shkëndija e parë e vullnetit të që ndodhi me lëvizjet e mëdha në historinë tonë apo edhe asaj botërore. Në fund, supozoj se historia ka të bëjë me imagjinatën dhe jo me faktet. Nëse nuk mund ta imagjinoni veten të dëshironi të kryeni trazira kundër korrupsionit galopant në ditët e sotme, apo kultit të individit dhe mungesës së demokracisë në partitë politike, sidomos PS dhe PD, atëhere shkrimtarët dhe historianët, nuk e kanë kryer rrolin e tyre.
Nqs nuk mund të mendojmë veten apo kombin tonë të kryejmë ato trazira që me parrullën “Liri – demokraci”, mobilizoi studentët e gjithë vendin për përmbysjen e komunizmit, apo sakrificat e pafund që sollën shpalljen e pavarësisë, atëhere historia dhe ata që e përçojnë atë kanë dështuar. Nqs ne nuk mësojmë nga historia se lufta heroike dhe sakrificat tona, të cilat u kurorëzuan me sukses në luftën nacional-çlirimtare, nuk u mbrojtën nga uzurpatorët komunistë, apo fitorja e demokracisë pas viteve 90, nuk u mbrojt nga uzurpatorët ish-komunistë dhe individë karrieristë, atëhere ne nuk kemi mësuar asgjë nga historia. Historia na mëson se jeta është një lojë për ata që mendojnë si të shfrytëzojnë sistemin dhe një tragjedi për njerëzit e thjeshtë të mbetur pa mundësi financiare për edukim dhe pamundëso biznesi. Kjo ka ndodhur si në kohën e Zogut, gjatë pushtimit të Italisë fashiste, kur shtresat e pasura, nën petkun e patriotizmit, mbanin popullin e thjeshtë në injorancë dhe skamje thjesht për interesat e tyre por nën maskën e patriotizmit që në fakt ishte tradhëti kombëtare. Kjo lojë vazhdon më tej në komunizëm, por shumë më çnjerëzore dhe reaksionare. Në ditët e sotme “patriotët” politikanë e biznesmenë nuk kanë fare ndryshim nga e kaluara. Kjo është një nga arësyet kryesore që shpesh thuhet se “Ne mësojmë nga historia që ne nuk mësojmë asgjë nga historia” Historia nuk është histori e të huajve, alienëve nga një mbretëri tjetër, por është historia që ne të imagjinojmë veten në atë kohë dhe situata. Historia është kujtesa që ne duhet të kujtojmë se si është të jesh mbrojtës i kristianizmit në kohën e Skënderbeut, si të jesh luftëtar i pavarësisë në 1912 apo si të sakrifikosh jetën e studimet e tua siç bënë studentët e dhjetorit apo edhe si të jesht i burgosur politik dhe ndoshta edhe komunist në kohën e diktaturës. Historia nuk është abstraksion, është armiku i abstraksionit.
Historia është studimi se si gjërat ndryshojnë. Provat janë gjithmonë të pjesshme. Faktet nuk janë të vërteta, megjithëse janë pjesë e saj dhe informacioni nuk është njohuri. Dhe historia nuk është e kaluara, por është metoda që ne kemi evoluar për të organizuar injorancën tonë për të kaluarën.
Çdo njeri në botë mban një barrë të rëndë. Kur u mësojmë histori të rinjve, ndonjëherë e bëjmë atë për të zhvendosur një pjesë të barrës sonë mbi supet e brezit të ardhshëm. Ne duam që të rinjtë të vazhdojnë të mbajnë në vete besimet, kujtimet, identitetet dhe konfliktet që na kanë rënduar gjatë gjithë jetës sonë.
Kjo është e padrejtë. Një arsye shumë më e mirë për të mësuar historinë është të ndihmosh fëmijët të çlirohen nga të paktën disi prej frikës, iluzioneve dhe urrejtjeve të tyre. “I shikon këto gjëra, fëmijë? Kam ngecur me to për vite me radhë dhe më kanë bërë të mjerë.”
Shpresoj që historia të bëhet një mjet për të liruar njerëzit dhe jo për t’i lidhur ata. Një mjet për të krijuar marrëveshje të reja në vend që të përjetësojnë konfliktet e vjetra. Në fund të fundit, qëllimi i mësimit të historisë nuk është të kujtosh të kaluarën, por të çlirohesh prej saj.