Bashkim Koçi
Gazetar në Shqipëri/
Libri që ka si “personazh” kryesor dhe të vetëm, të bekuarën bujqësi, shkruar me pasion nga një misionar si Gjovalin Gjeloshi, të kthen prapa në vite dhe e vendosë bujqësinë tonë në dy kohë. Krahas nostalgjisë për këtë degë, nga më të rëndësishmet të ekonomisë, të ofron edhe problematikën e hallet pa fund të shëndetit pa shërim të plotë të saj. Edhe pse shkrimet problemore janë hedhur në letër dhe janë bërë publike në shtypin e kohës në periudha të ndryshme, e disa relativisht të largëta, çuditërisht janë aq të freskëta dhe aktuale sa lexuesi nuk do të mundë të jetë në gjendje të ndajë dot të shkuarën nga e tashmja. Shkrimet e autorit mund të jenë “të vjetër” nga vitet kur problemet janë evidentuar e trajtuar, por janë aq të freskët e aktuale, sa zor se gjen këshilla më të sakta për të shëruar e për ta bërë disi më të shëndetshme bujqësinë tonë të sëmurë.
Gjovalini duke u shfaqur edhe si specialist i nivelit të lartë, pra kompetent e i qartë për çka shkruan e këshillon, ka guxuar të rrok të gjitha problemet e hallemadhes bujqësi e madje të zbulojë e të rekomandojë nëpërmjet shembullit të më të mirëve, se ilaçi më i mirë që mund të bëjë efekt, është jo vetëm kujdesi e meraku për t’u qëndruar punëve në kokë, por edhe futja në përdorim e në masë të gjerë të teknologjive të përparuara. Gjovalini me pasion e merak bujku, nuk harron për të tërhequr vëmendjen e organeve të pushtetit vendor e qendror, si të periudhës komuniste edhe më shumë të asaj të demokracisë, që të mund të kthejnë ndonjëherë kokën për të dëgjuar ulërimat e dhimbjes të më të shumëvuajturës bujqësi.
Gjuha dhe fryma e shkrimeve është shpresëdhënëse dhe optimiste, por duke mos lënë mënjanë pozicionin kritik, të mbështetur nga faktet dhe dukuritë e konstatuara aty ku mbillet e korret, të cilat Gjovalini i ka qëmtuar me kujdesin dhe vëmendjen e gazetarit profesionist. Nuk mund të mos sjell në këto rradhë shkrime si shumë të goditura si “Kullotje me shkop” dhe jo “shkopin kullotave”, “Kujt i dhimbsen më shumë lisat: fshatarit apo rojtarit”, -”Të deleguar” që u ngatërrohen nëpër këmbë ”të zotëve të punës”, “Vërtetë, ia dhamë fshatit, ç’kishim për t’i dhënë”, “Në derra ra murtaja, në ministri raftë damllaja”, “Shirat përmbytës në qarkun e Lezhës ikën. Lanë mbrapa: llumin për fshatarët, turpin për qeveritarët”, “Toka që po u kalbet “mishi”, toka që po u dalin “brinjët”, e shumë të tjerë që ngrejnë dhe i japin vlera librit.
Gjovalinit i dhëmb, madje dhimbje që i shkon deri në kockë, trajtimi dhe kujdesi për tokën. Ai për këtë çështje e ka kapur “demin nga brirët” dhe as më shumë e as më pak, i ka sjellë në faqet e librit pa bërë asnjë zbukurim.
Tek shkrimet e trajtuara me profesionalizëm agronomi e gazetari si “Shqipëria, “delja e zezë…”, “Për “100 ha tokë”, apo “për çdo 100 ha tokë”?” apo “Kullimi bëhet në verë, ujitja në dimër”, “Të mbrosh tokën është si të mbrosh atdheun” etj, etj., lexuesi mbetet pa fjalë dhe mund të sjellë vlerësim maksimal për nervin me të cilin i sjell Gjovalin Gjeloshi.
Ajo çka të bën përshtypje në librin e Gjovalin Gjeloshit është përdorimi mjeshtëror i të gjithë zhanreve të publicistikës. Aty gjen shkrimin problemor, vëzhgimin, reportazhin, intervistën e madje edhe “Shënime Udhëtimi”. Kjo e fundit, qysh në kohën kur ai ishte student. Autori nuk e ka patur të vështirë, nëmos është ndjerë komod, të hedhë në letër me të gjitha ngjyrat e ylberit punën e fermerëve, gjithçka që ata sakrifikojnë për të kultivuar bimë të shëndetshme, për të prodhuar produkte bujqësore e blegtorale në standarde që kërkon tregu, madje edhe tregu evropian.
Dua të them se autori i këtij libri nuk ka lënë të mbetet “e harruar” ajo që e ka bërë të ndjehet “e fyer”, e lënë “prapa liste”, siç është fusha e propagandës. Në konceptin e autorit, propaganda nuk është një mjet që e ka përdorur vetëm sistemi komunist me tërë shtrembërimet që i veshim asaj. Për autorin, propaganda është komunikim që përdoret për të ndikuar ose për të bindur, ai mjet që çon përpara një axhendë të caktuar. Në këtë aspekt vlen të theksohet propagandimi i përvojës së përparuar në punët dhe shërbimet e bimëve të prodhimit bujqësor, si në bujqësinë e djeshme, ashtu edhe në të sotmen. Autori, përveç kritikave të gjithgjendëshme në tekst, ka sjellë edhe përvojën e përparuar në çdo rast.
Me guxim autori ka trajtuar jo vetëm çështje të bujqësisë, por edhe të fshatit në tërësi përpara vitit 1991: probleme të furnizimit të popullsisë me produkte bujqësore e blektorale, të cilësisë së gatimit të bukës e cila në fshat nuk e kishte vëmendjen e duhur, të urbanizimit të fshatit jo vetëm brenda vijave të verdha, të nivelit të jetesës. Dhe kryeshkrimi mendoj unë, për të filluar vënien e alarmit, se fshatari ynë po vuan nga mungesa e produkteve ushqimore, është shkrimi i botuar në faqen e parë të gazetës “Bashkimi”, më 1 korrik 1990, “Problemi është shtruar për zgjidhje. Të heshtim apo…”?, shkrim i cili hidhte idënë e zgjerimit të oborreve kooperativiste. Sipas dokumentacioneve të kohës, ky shkrim u bë shkak që Byroja Politike e Komitetit Qëndror të PPSH, 25 ditë më vonë daljes në dritë, të merrte vendimin për zgjerimin e oborreve. Po kështu , disa shkrime e intervista për pyjet, të mbeten në mendje.
Një vend të dukshëm zë bujqësia në tranzicion. Kjo fillon qysh me ndarjen e tokës sipas ligjit famkeq, ai i ndarjes së tokës për frymë pa shpërblim, abuzimet shtetërore që u bënë dhe vijojnë të bëhen në ndarjen e tokës bujqësore, te konceptet e reja që duhet të kemi për kooperativat bujqësore, pajisjen me mjete mekanike, kujdesi dhe ndihma e shtetit ndaj “bujkut të ri”, që tashmë quhet fermer, kujdesin e munguar ndaj ruajtjes së tokës bujqësore, ndaj rifutjes së tokave nën ujë apo deri edhe tek një term që fatkeqësisht është në vendin e duhur: “ribonifikimi” i tokave të Shqipërisë që shtrihen në zonën e lagësht fushore. Zëri është ngritur në qiell për këto probleme, është bërtitur e ulëritur, por memec-shurdhëria mbetet ende në grupin e sëmundjeve të pashërueshme. Janë disa shkrime që dëgjon melodinë e këtij problemi madhor.
Pena e Gjovalin Gjeloshit, që u kushtohet problemeve të bujqësisë, zë fill në gazetën e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, “Studenti i Bujqësisë”, vijon me gazetën kombëtare të përditshme “Bashkimi”, gazetë në të cilën bëri emër prej gazetari problemor të këtij sektori si dhe në gazetën “Koha Jonë”. Për të mos e ndërprerë aktivitetin gazetarsek për këtë sektor edhe pas vitit 1990. Fillimisht në gazetën “Rilindja Demokratik”, “Shpresë”, gazetën “Dita”, “55” dhe “Tema”.
Duke mos u mjaftuar vetëm me sipërfaqet botuese që i rezervonin gazetat e mësipërme, ai vetë themeloi dhe drejtoi disa gazeta lokale, ku ndër më të arrirat mund të përmendim gazetën “Drini”, e cila për tre vjet me radhë, u bë tribunë e mendimit të specialistëve për problemet që shqetësonin bujqësinë tonë të vuajtur. Gjovalini me këmbëngulje të pazakontë bën apel në këtë gazetë, por edhe në organe të tjera, për të vënë në shërbim të bujqësisë shumë më shumë vend në ekranet televizive, e pjesën që i takon në faqet e revistave e të gazetave periodike e kombëtare.
Një kapitull i veçantë në këtë libër i kushtohet pikërisht gazetës Drini. Autori, si drejtor dhe kryeredaktor i kësaj gazete, ka sjellë për lexuesin, mendimet e autorëve të ndryshëm për këtë gazetë, vlerësimët që i janë bërë asaj nga specialistë të bujqësisë, medias dhe fushave të ndryshme të ekonomisë. Një vlerësim e meritueshëm për këtë gazetë, sepse u botua në një kohë kur shtypi bujqësor, siç thotë specialisti Illo Foto, ishte varur në litar, pra mungonte dhe vijon të mungojë përsëri.
Libri “Balta që (s)duam”, me autor Gjovalin Gjeloshin ka privilegjin të jetë disi i veçantë në llojin e vet. Siç edhe e përmendëm në fillim të këtyre rradhëve, ai ka marrë përsipër të sjellë me kujdes e përgjegjësi, problematikat e të shkuarës së bujqësisë tek e sotmja. Të gjithë ata që do të mundin ta kalojnë nëpër duar, besoj se do të mundin të dëgjojnë një zë të fuqishëm: Bëj më të mirën që mundesh! Atë që e mbjell tani, do ta korrësh më vonë.