NGA RESHAT KRIPA/
Një anekdotë e vjetër tregon se kur Neroni i vuri zjarrin Romës, populli u ngrit në revoltë dhe rrethoi pallatin perandorak. Neroni, i frikësuar, thirri këshilltarin e tij, të urtin Seneka, dhe i tha:
– Si t’ia bëjmë, ata po hyn në pallat?
Seneka iu përgjigj:
– Hidhua fajin të krishterve.
Në atë kohë krishterimi kishte vetëm pak kohë që kishte lindur dhe Shën Pjetri ndodhej në Romë.
– Po, a do të më besojnë? – pyeti Neroni.
– Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret, – iu përgjigj Seneka.
Kjo sentencë u vërtetua më së miri me rezultatin e zgjedhjeve që sapo mbaruan. Populli u besoi gënjeshtrave të shumta të Edi Ramës se tani e tutje do të hanin “me lugë të florinjtë”, siç thoshin dikur ish komunistët. U besoi gënjeshtrave për qindramijrat që do të punësoheshin, për shërbimin shëndetësor falas, për heqjen e taksave për bisnesin e vogël, për legalizimin e banesave e të tjera, e të tjera që do t’u kryekan brenda një afati prej një viti. Populli u besoi ndaj ia dha shumicën dërmuese të votave Partisë Socialiste dhe koalicionit që ajo drejton.
Le t’i hedhim një vështrim rezultatit të zgjedhjeve që tashmë kanë përfunduar. Sipas tyre PS ka fituar 66 mandate, PD 49, LSI 16, PR 3, PDIU 4, PBDNJ 1 dhe PKDSH 1. Si koalicione ASHE ka fituar 60% të votave baras me 84 mandate, ndërsa APMI 40% ose 56 mandate.
Natyrisht një rezultat i tillë shokoi edhe ata parashikuesit më të aftë të rezultateve, madje edhe vetë fitimtarët. Si ka mundësi një humbje e tillë për Aleancën ë Djathtë? Si ka mundësi që Elbasani, të cilit sapo i mbaroi autostrada moderne që e lidh me kryeqytetin brenda një gjysmë ore, të votojë për Aleancën e Majtë? Si ka mundësi që Shkodra dhe Kavaja, që për njëzetedy vjet kanë qenë bastione të së djathtës, të votojnë për të majtën?
Me daljen e këtyre rezultateve Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli para zgjedhësve të vet dhe me një kurajo prej fisniku pranoj përgjegjësinë për humbjen dhe deklaroj dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij, një veprim që Edi Rama duhej ta kishte bërë që në vitin 2009, pas dy humbjeve radhazi të zgjedhjeve për pushtetin lokal apo qëndror, por që nuk pati kurajon ta bënte, megjithse një gjë e tillë parashikohej edhe në statutin e partisë së tij. Një veprim të tillë nuk e kanë bërë edhe drejtuesit e një mori mini-partish, djathtas dhe majtas, që figurojnë artificialisht në skakierën e politikës shqiptare, por që gjatë këtyre 22 viteve pluripartitizëm, nuk kanë arritur asnjëherë të fitojnë. Për këto mini-parti, për vite të tëra, nuk kemi dëgjuar të zhvillohen kuvendet e tyre dhe të zgjidhen organet drejtuese megjithatë, çuditërisht, kryetarët mbeten të përjetshëm.
Por le t’i analizojmë të dhënat e dala nga këto zgjedhje dhe le të nxjerrim detyrat që duhet të ketë opozita e re në të ardhmen. Këtë e bëj pasi, sipas mendimit tim, përsëritja e tyre do të bëj që në të ardhmen Partia Demokratike të pësojë fatin e simotrave të saj në vendet e Europës Lindore. Ndaj le t’i rendisim njera pas tjetrës.
Në rast se do t’i referohemi rezultateve do të konstatojmë se PS ka fituar aq mandate sa në vitin 2009, ndërsa PD ka 25 mandate më pak, pasi në numrin 49, katër deputetë janë të partive të tjera të koalicionit dhe dy të ardhur para pak ditësh nga Partia Socialiste. Kështu që mbeten 43 deputetë. Me pak fjalë, ka më pak deputetë se në vitin 1997 kur këto zgjedhje u zhvilluan pothuajse në kushte lufte dhe ky koalicion nuk u lejua as të bënte fare fushatë. PR dhe PDIU kanë fituar nga 4 mandate, aq sa nuk i kanë arritur ndonjëherë në këto 22 vjet zgjedhje pluraliste. Kjo i çuditi edhe ata vetë. Por çudia më e madhe qëndron te LSI-ja që fitoi 16 mandate nga 4 që kishte. Siç shihet kjo nuk është një fitore e PS-së. Kjo nuk është edhe një fitore e LSI-së, por është një dhuratë që ia bëri PD-ja. Në vitin 2009 PD-ja fitoi, së bashku me aleatët, 70 deputetë. Në pamundësi të formonte qeverinë preferoi të fuste në koalicion 4 deputetët e LSI-së dhe gaboi. Gabimi ishte se nuk mund të futen në të njëtin stan si ujqërit dhe delet. Ilir Meta e kishte treguar veten se kush ishte, që me çështjen e arit të Krabës, qëndrimin ndaj Nanos dhe arrestimin e Sali Berishës. Çuditërisht, këto u harruan dhe LSI-së, zyrtarisht, iu dorëzua 20% e pushtetit
që në fakt e tejkaloi këtë shifër. Iu dorëzuan tre ministritë kryesore, Ministria e Jashtme, e Ekonomisë
dhe e Shëndetësisë si dhe posti i Zëvendëskryeministrit. Një gjë e tillë solli pushimin nga puna të një numri të madh të përndjekurish politikë dhe simpatizantësh të PD-së dhe zëvendësimin e tyre me militantë të LSI-së në tre dikasteret qëndrore dhe drejtoritë përkatëse në rrethe dhe natyrisht një gjë e tillë solli edhe një farë pakënaqësie brenda rradhëve të vetë PD-së. Ky ishte një nga shkaqet që solli rrjedhjen e mandateve nga PD-ja te LSI-ja.
Por si do t’i vej filli krushqisë së re Rama-Meta? Ndoshta nuk kam të drejtë por, duke u nisur nga ngjarjet e kaluara, dyshoj se krushqia e tyre do të përfundojë me sukses. Si do ta zgjidhë zoti Rama çështjen e 21 janarit pasi dihet mirë qëndrimi ato ditë i Metës në këtë ngjarje. Si do ta përmirësojë gjendjen e shëndetësisë pasi ishte ministri i Metës në krye të atij institucioni. Si do ta zgjidhë çështjen e ekonomisë së vendit, pasi ishte përsëri ministri i Metës në krye dhe është edhe përgjegjësia e tyre për gjendjen që, sipas Ramës, qenka e mjerueshme. A do të emërojë ndonjë nga ish ministrat e mëparshëm të Metës në këtë detyrë? Do të presim dhe do të shohim. Viti i parë i qeverisjes kalon shpejt. Koha do të tregojë se sa do t’i realizojë premtimet.
Qëndrimi ndaj të përndjekuve politikë Është e vërtetë që PD-ja është e vetmja forcë që ka përkrahur të përndjekurit politikë. Një gjë e tillë u reflektua më së miri gjatë periudhës së parë (1992-1997) të qeverisjes së saj. Por nuk vazhdoi ky trajtim me të njëjtin ritëm gjatë qeverisjes së dytë (2005-2013). Le ta ilustrojmë me shembuj konkretë.
Në vitin 2006 u miratua Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë në mbështetje të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Për Ndëshkimin e Krimeve të Kryera nga Regjimet Komuniste”. Kanë kaluar shtatë vjet nga miratimi i saj dhe deri më sot është realizuar vetëm një pikë, ajo e krijimit të Institutit të Hetimit të Krimeve të Komunizmit. Çfarë e ka penguar Kuvendin e
Shqipërisë t’i heq titujt dhe dekoratat ish diktatorit Enver Hoxha? Çfarë i ka penguar historianët të
rishikojnë historinë e Shqipërisë? Çfarë e ka penguar Ministrinë e Arsimit të rishikojë tekstet shkollore? Përse nuk hapen dosjet e bashkëpuntorve të ish Sigurimit të Shtetit dhe pse nuk bëhen publike dokumentat që dëshmojnë krimet e komunizmit? Përse ende nuk janë kthyer në muze burgjet dhe kampet e tmerrshme, nuk janë hapur muzeumet e krimeve të komunizmit, nuk është ngritur memoriali në nderim të atyre që dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot? Të gjitha këto pyetje kërkojnë përgjigje.
Po Partia Socialiste si do të veprojë lidhur me këto? Unë nuk besoj se ajo do të jetë e gatshme t’i zgjidhë këto çështje. Nuk besoj duke iu referuar fakteve të këtyre viteve. A nuk ishte ai që nxorri deputetet jashtë kur miratohej ligji për dënimin e krimeve të regjimit komunist? Kjo tregon se ai asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm për të dënuar këto krime.
Është miratuar një ligj për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë por zbatimi i tij le shumë për të dëshiruar. Dëmshpërblimi i të pushkatuarve pa gjyq dhe të internuarve në tela me gjëmba sapo ka filluar. Një projekt-ligj i Qeverisë mbi dëmshpërblimin e menjëhershëm të atyre që kanë kaluar moshën 85 vjeç, heqjen e nenit të terrorizmit për të dënuarit politikë dhe zgjatjen e afatit të dorëzimit të dokumentave, ka mbi një vit që është miratuar nga komisionet parlamentare, megjithatë, nuk kaloi në seancë plenare për miratim, aq më tepër kjo ndodhi kur në krye të Kuvendit kishim një kryetare nga shtresa e të përndjekurve politikë.
Nuk besoj gjithashtu se do të jetë Partia Socialiste ajo që do t’i zgjidhë këto çështje. A nuk ishte Edi Rama ai që i nxorri jashtë deputetët kur miratohej ligji mbi dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë dhe amendamenti mbi dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq? A do ta bindë dot ish kryeministrin Majko të kërkojë falje për shprehjen “Ata ishin plehra” të thënë në Komisionin e Ligjeve kur diskutohej ky ligj? A nuk ishte ai, së fundi, që i nxorri jashtë deputetët nga salla kur miratohej ligji për lustracionin? Mendoj se, para së gjithash, i takon atij të kërkoj falje para shtresës së të përndjekurve politikë për këto veprime të kryera me urdhër të tij. Unë do t’i kujtoja se të përndjekurit politikë nuk janë ato kokra që ka mbledhur pas vetes, individë pa personalitet që nuk përfaqësojnë as veten e tyre, Të përndjekurit politikë janë një shtresë e gjërë që në plan të parë kanë parimet e tyre, kanë çështjen kombëtare.
Një çështje tjetër që ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve është edhe burokracia administrative që ka
pushtuar disa institucione të vendit. Nuk janë të pakta rastet ku për një çështje apo tjetër po t’u drejtohesh drejtuesve të institucioneve askush prej tyre nuk denjon të kthejë përgjigje. Lidhur me këtë kam raste personalisht që për çështje që i përkasin shoqatës ku bëj pjesë apo çështje personale u jam drejtuar disa herë drejtuesve të Ministrisë së Ekonomisë, Financës apo institucioneve të ndryshme deri edhe Kryetares së Kuvendit por asnjë nuk është munduar të kthejë përgjigje. Kjo nuk i nderon.
Partia Socialiste i fitoi këto zgjedhje. Rama do të jetë Kryeministri i ardhshëm. Do të formojë qeverinë e re. Dhëntë Zoti të mos jetë e vërtetë ajo që shkruajnë gazetat se paska bërë marrëveshje me një sharlatan si Spartak Ngjela, që deri tani ka ndërruar pesë apo gjashtë parti, për ta emëruar Ministër të Drejtësisë. Po të jenë edhe ministrat e tjerë si ai, lumi ta marrë Shqipërinë. Koha do të tregojë se si do të rrjedhin ngjarjet.
Shkëputja nga mentaliteti komunist është një pikë tjetër që nuk ka mundur të realizohet në vendin tonë. Shfaqje e kësaj është hymnizimi i drejtuesit, që në vendin tonë ka arritur në përmasat e një Perëndie të re. Një gjë e tillë e ka lodhur këtë popull. A nuk ishin mjaft 46 vitet e diktatorit Hoxha, ku të ngratit popull i zunë duart kallo nga duartrokitjet dhe iu ngjir zëri nga të brohoriturit? Drejtuesit e partive kryesore politike duhet ta dinë se dalja vend e pavend, disa herë brenda ditës dhe në të gjitha kanalet televizive apo faqet e gazetave, të rrethuar nga analistë militantë, më tepër i largon ata nga masa e gjërë e popullit të tyre. Një gjë të tillë nuk e shohim në vendet e tjera me traditë demokratike. Nuk shohim ovacionet frenetike ndaj drejtuesve në këto shtete.
Këto ishin disa arsye, sipas mendimit tim, që Partia Demokratike dhe koalicioni i djathtë i humbi zgjedhjet. Do të doja t’i drejtohesha dhe t’i thoja Kryetarit te ri të Partisë Demokratike se ajo humbi vetëm një betejë. Beteja të tjera na presin. Kjo shtron si detyrë që ajo të refrlektojë sa më parë dhe ashtu si duhet. Mendoj se kjo gjë nuk mund të zgjidhet me një mbledhje Kryesie apo Këshilli Kombëtar. Mendoj se është e domosdoshme një mbledhje e gjërë e të gjithë atyre që i janë kushtuar kësaj partie, që kanë besim se është ajo që do të vendosë demokracinë e vërtetë perëndimore në vendin tonë. Në këtë mbledhje duhet të dëgjohen zëra nga të gjitha krahët, madje edhe nga ata që mendojnë ndryshe. Duhen shprehur të gjitha alternativat dhe duhen zgjedhur më të mirat. Jam anëtar i kësaj partie qysh në ditët e para të themelimit të saj, më 6 janar 1991 dhe do të vazhdoj të jem edhe në ditët e saj më të vështira, duke shprehur hapur mendimet e mia. E lë në mendimin tuaj të çmoni në se kam të drejtë apo jo.
Do t’i sugjeroja zotit Rama se , në rast se dëshiron të ketë sukses, të realizojë ato të meta që kam konstatuar më sipër. Kjo do ta kthejë Partinë Socialiste në një parti të vërtetë të majtë europiane. Por kam dyshime se kjo, për vetë përbërjen e saj, është e vështirë të realizohet. Një katrahurë sundon sot në vendin tonë. Miku i djeshëm papritur është bërë armik ose e kundërta. Nuk janë të rralla rastet kur pelivanë politikë hidhen nga njeri kamp në tjetrin, aty ku mendojnë se gjejnë terren më të favorshëm për realizimin e prapësive të tyre. Drejtues të së majtës, pa pritur e pa kujtuar kthehen në të djathtë madje, me këtë mënyrë, arrijnë të zgjidhen edhe deputetë . Nga ana tjetër ka drejtues të djathtë që bien në prehrin e së majtës dhe bëjnë karrierë. Me pak fjalë janë kthyer në trafikantë idealesh. Kjo gjë më bën të pyes:
– Çfarë jeni ju, mor zotërinj, të djathtë apo të majtë?
Kjo më kujton një anekdotë tjetër të vjetër, me të cilën dua të mbyll shkrimin tim.
Një natë, ndërsa flinin, gruaja i thotë Nastradinit të famshëm:
– Or burrë, në krahun e djathtë ke një qiri. Të lutem ndize!
Nastradini, i përgjumur, i përgjigjet:
– Eh, moj grua, ku e di njeriu natën se ku e ka krahun e djathtë dhe ku të majtin?
Në një gjendje të tillë janë edhe shqiptarët dhe me këtë gjendje nuk mund të shkohet në Europë.
Rrapo Dnushi says
rruga e demokracise fillon me kthimin tek i zoti, te prones qe grabiti komunizmi dhe pervetesuan politikanet postkomuniste