
Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/
Në të drejtën ndërkombëtare klasike është parashikuar e drejta e shtetit për të bërë luftë, domethënë për të përdorur forcën e armëve si mjet për realizimin e qëllimeve kundrejt një shteti tjetër. Kjo mund të parashikohet në rastet për të vënë në vend një të drejtë të shkelur, për të detyruar kundërshtarin të tërhiqet nga territori i pushtuar ose të shlyejë një dëmshpërblim. Historia e zhvillimit të shoqërive ka treguar se realizimi i së drejtës me anë të forcës ka qenë metodë që përdorej nga një rreth i ngushtë i shteteve të mëdha ose më të fortët.
Popujt kanë synuar gjithmonë të gjenin mënyra të përbashkëta për parandalimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me anë të përdorimit të forcës së armëve. Përpjekja e parë për të institucionalizuar këtë u bë pas mbarimit te Luftës së Parë Botërore. Statuti i Lidhjes së Kombeve në vitin 1920, me gjithë kufizimet që parashikonte në zhvillimin e luftës, ai nuk e përjashtonte krejt luftën dhe përdorimin e forcës. Sipas Statutit të Lidhjes, një shtet kishte të drejtë të bënte luftë, “për të ruajtur të drejtën dhe drejtësinë”. Kuptohet se një formulim i tillë kaq i përgjithshëm e i papërcaktuar qartë linte mundësinë e kryerjes së agresionit të një shteti ndaj një tjetri. Në Paktin e Parisit të 27 Gushtit 1928, i cili zyrtarisht njihet si Traktati i Përgjithshëm për Heqjen dorë nga Lufta si Instrument i Politikës Kombëtare. Pakti mban emrin e autorëve të tij, Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Frank B. Kellogg dhe ministrit të jashtëm francez Aristide Briand. Fillimisht pakti u nënshkrua nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas nga shumë shtete të tjera, duke përfshirë edhe Fuqitë e Mëdha (në këtë pakt aderoi edhe Bashkimi Sovjetik), Më e rëndësishme ishte sepse ai është akti i parë ndërkombëtar që ndalonte luftën si mjet i politikës së jashtme. Sipas nenit të këtij Pakti, shtetet nënshkruese deklaruan solemnisht në emër të popujve të tyre, se ata e dënonin përdorimin e forcës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe hiqnin dorë nga konsiderimi i luftës si mjet i politikës kombëtare. Problematike ishte sepse pakti u lidh jashtë Lidhjes së Kombeve.
Që prej nënshkrimit të këtij pakti, ndalimi i luftës është sanksionuar si një normë e së drejtës ndërkombëtare. Kjo normë është ripohuar edhe në një varg aktesh të tjera ndërkombëtare siç janë Karta e OKB-së dhe Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare pas Luftës së II të Botërore. Karta e OKB-së në nenin e saj të dytë, paragrafi i 4-të shkruhet: “Në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare anëtarët e organizatës heqin dorë nga kërcënimi ose përdorimi i forcës, qoftë kundër tërësisë territoriale ose pavarësisë politike të çfarëdo shteti, qoftë në çdo mënyrë tjetër të papajtueshme me qëllimet e Kombeve të Bashkuara”.
Pakti nuk i përmbushi të gjitha synimet e tij, pasi ai nuk ishte në gjendje të parandalonte Luftën e Dytë Botërore por, luftërat u bënë më të rralla pas vitit 1945. Pakti nuk kishte asnjë mekanizëm për zbatim, ndoshta kjo ishte edhe një nga problematikat kryesore të tij. Megjithatë, pakti shërbeu si bazë ligjore për konceptin e një krimi kundër paqes, për të cilin Gjykata e Nurembergut dhe Tribunali i Tokios gjykuan dhe ekzekutuan udhëheqësit kryesorë përgjegjës për fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Dispozita të ngjashme u përshtaten më vonë në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe traktate të tjera, të cilat krijuan një politikë të jashtme më aktive e cila filloi me nënshkrimin e paktit. Nga sa më sipër mund të thuhet se, marrë në kuptimin thjesht si, “e drejta e shtetit për të bërë luftë” për të përdorur forcën e armëve, e drejta e luftës nuk njihet më nga e drejta ndërkombëtare e sotme. Çdo shtet, që bën një akt agresioni dhe përdor luftën për qëllimet e politikës së tij të jashtme, kryen një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare. Por kjo nuk duhet kuptuar sikur e drejta ndërkombëtare ndalon çdo lloj lufte. Objekt ndalimi i së drejtës ndërkombëtare janë luftërat pushtuese, grabitqare për përvetësimin e pasurive të të tjerëve. Këto janë luftëra të padrejta. Veç luftërave pushtuese, grabitqare janë edhe luftërat vetëmbrojtëse, për tu mbrojtur nga agresioni. Këto luftëra janë të drejta. Ato nuk mund te cilësohen si të paligjshme nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Në klasifikimin dhe vlerësimin e luftërave ka një evoluim të ri të koncepteve. Kështu për të vlerësuar një luftë nuk mjafton vetëm koncepti tradicional i përcaktimit nëse ajo është e drejtë ose e padrejtë. Në përkufizimin e luftërave tashmë ndikojnë shumë faktorë të cilët ende nuk janë marrë në konsideratë nga e drejta ndërkombëtare.
Nëse e marrim në mënyrë absolute ndalimin e përdorimit të forcës atëherë pse nevojiten forcat e armatosura? Forca ushtarake nuk konceptohet vetëm për zhvillimin e agresioneve madje në kohën e sotme ku pjesa më e madhe e rreziqeve e kërcënimeve nuk janë të karakterit jo ushtarak dhe zgjidhja e tyre nuk kërkon përdorimin e forcës ushtarake. Madje sot shprehja “nuk ka vend pa ushtri” nuk është plotësisht reale pasi vende të tilla ka, por gjithashtu shprehja se “ushtria është për luftë” nuk është plotësisht e përshtatshme pasi ushtritë kanë edhe detyra të tjera të rëndësishme dhe kur nuk ka rrezik për luftë kanë detyra edhe më të rëndësishme se lufta.
E drejta e vetëmbrojtjes njeh sot një zhvillim të ri. Në kuadrin e OKB-se, Karta e Kombeve te Bashkuara parashikon një sistem të tërë të sigurimit kolektiv. OKB-ja bazuar në kreun e VII-të të Kartës të OKB-së për ruajtjen e paqes dhe të sigurimit ndërkombëtar, nënkuptojnë që ajo të kundërveprojë kundër çdo akti të agresionit. Nga kjo del se shteti, që është viktimë e një agresioni sot nuk lihet vetëm në fatin e tij. Gjithë sistemi i Kombeve të Bashkuara në sajë të paqes dhe të sigurimit ndërkombëtar ka këtë kuptim: që një shtet i sulmuar të mbrohet nga të gjithë sikurse edhe një shteti keqbërës të ndëshkohet po nga të gjithë.
Karta e Kombeve të Bashkuara ngarkon me kompetenca e përgjegjësi kryesore për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare Këshillin e Sigurimit dhe Asamblenë e Përgjithshme. Zhvillimet kanë treguar se dispozitat e Kartës jo gjithmonë kanë gjetur zbatim. Këshilli i Sigurimit në këtë veprimtari mjaft herë ka qenë i bllokuar nga parimi i unanimitetit të pesë anëtarëve të përhershëm,(ShBA, Rusi, Francë, Angli, Kinë). Rasti i Kosovës, 1999 ishte ndoshta rasti më i veçantë kur NATO ndërhyri pa mandat nga Këshilli Sigurimit. Megjithatë ka disa raste të veprimit të Këshillit të Sigurimit me anë të sanksioneve ekonomike ose edhe prerja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin agresor dhe përdorimi i forcës ushtarake aq sa mund te jetë e nevojshme për të ruajtur ose rivendosur paqen. Pavarësisht nga atributet e Këshillit të Sigurimit për sigurimin e paqes ndërkombëtare asnjë shteti jo vetëm që nuk i kufizohet e drejta e vetëmbrojtjes por parashihet në nenin 51 të Kartës së OKB-së ku thuhet: “Derisa Këshilli i Sigurimit të marrë masat e nevojshme për ruajtjen e paqes dhe të sigurimit ndërkombëtar asnjë dispozitë e kësaj Karte nuk cenon të drejtën e natyrshme të vetëmbrojtjes së ligjshme, individuale ose kolektive në rast se një anëtar i Kombeve të Bashkuara bëhet objekt i një sulmi të armatosur”.
Rëndësi të veçantë, në lidhje me këtë ka përcaktimi i nocionit të agresionit. Debati për këtë nocion ka vazhduar për disa dekada, deri sa sot është arritur një përkufizim në bazë të një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-se, në vitin 1974, neni 1 i kësaj rezolute e përcakton agresionin si përdorim të forcës së armatosur nga një shtet kundër sovranitetit, tërësisë territoriale ose pavarësisë politike të një shteti tjetër, ose përdorim të çdo mënyre tjetër që nuk pajtohet me Kartën e OKB-së. Në këtë rezolutë jepen edhe disa shembuj të akteve agresive siç janë përdorimi i armëve nga një shtet kundër territorit të shtetit tjetër, bllokimi i portit ose bregdetit të një shteti nga forcat e armatosura të një shteti tjetër, sulmi Forcave të Armatosura të një shteti kundrejt një shteti tjetër, (sot rasti i sulmit Rusë kundër Ukrainës), dërgimi i bandave të armatosura në territorin e një shteti tjetër për të kryer akte dhune (rasti i fundit në Kosovë).
Zhvillimet e deritanishme ndërkombëtare kanë treguar se normat juridike kanë rëndësi relative. Një dekade pas miratimit të Paktit Brian- Kellog, shpërthen Lufta e Dyte Botërore, lufta më e madhe e më gjakderdhëse në historinë e njerëzimit. Edhe pas mbarimit të kësaj lufte, përvoja po tregon mjaft raste të shkeljes së kësaj norme, e cila vazhdon edhe sot dhe të “fortit”, nuk janë në gjendje ti ndalojnë ato. Ky fakt shtron nevojën e përcaktimit të disa normave dhe rregullave të posaçme që duhet të respektohen nga të gjithë përfshi edhe këta të “fortët”. Tërësia e këtyre normave dhe rregullave përbën “të drejtën e luftës”. Pra, e drejta e luftës mund të përkufizohet si një pjesë e së drejtës ndërkombëtare publike si një degë e saj e veçantë që ka për objekt të rregullojë marrëdhëniet midis vete shteteve që janë në luftë, nga njëra anë, si dhe marrëdhëniet midis shteteve ndërluftuese dhe shteteve neutrale, nga ana tjetër. Ajo që është më domethënësja, OKB-ja edhe pse e ndalon shprehimisht luftën si mjet të politikës së jashtme, nuk ka fuqi të ndaloje Fuqitë e Mëdha në rast shpërthimi të një lufte. Për këtë OKB-ja ka hartuar një kod të krimeve kundër paqes dhe njerëzimit, vetëm kaq. Ka mbi një vit që vazhdon lufta në Ukrainë, (Rusia fuqi e Madhe?), vriten me qindra të pafajshëm në Lindjen e Mesme, Izrael-Hamas, (Fuqitë e Mëdha vetëm flasin, asgjë më shumë). Mos vallë ka ardhur koha që vet OKB-ja të bëjë një riorganizim brenda saj? Në gjykimin tim po! Pyetja që me të drejtë lind sot është! A po shkon bota drejt një konflikti të ri botërorë? Unë do ti referohem shkurtimisht shkaqeve që sollën Luftën e Parë dhe Luftën e Dytë Botërore.
Shkaqet e vërteta të Luftës së Parë Botërore ishin sepse, Britania e Madhe dhe Franca humben parësinë e madhe ushtarako-ekonomike që kishin. Ky vend ishte marrë nga forcat e reja ushtarako-ekonomike si SHBA, Gjermani dhe Japoni. Ky ekuilibër i ri ushtarako-ekonomike, këmbëngulja për ndarje të reja të botës në zona për ndikim, ndarja e tregjeve të reja, etj, ndërlikoi seriozisht jetën politike ndërkombëtare dhe krizat politike bëheshin gjithnjë me te shpeshta dhe më të rrezikshme. Rivaliteti midis Fuqive të Mëdha u bë më i ashpër si në Evropë, Azi dhe Afrikë. Pamvarësisht preteksit, këto ishin shkaqet kryesore që çuan në Luftën e Parë Botërore.
Marrëveshja e Versajës në Paris pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore ngarkoi Gjermaninë me të gjitha fajet e luftës. Sanksionet që iu vendosën Gjermanisë ishin të rënda, por ajo do të firmoste këtë marrëveshje. Inflacioni, shkëputja e territoreve, kushtet e këqija të jetesës, tensioni i madh dhe çështjet e pa përfunduara të Luftës së Parë Botërore për ndarjen e territoreve, si edhe shumë arsye të tjera do bënin që vetëm pas 20 vjetësh të fillonte Lufta e Dytë Botërore.
Ç’farë po ndodh sot? Këmbëngulja e Fuqive të Mëdha për ruajtjen e zonave të tyre të ndikimit, krizat politike në vende të ndryshme po bëhen gjithnjë me të shpeshta dhe më të rrezikshme, terrorizmi në rritje, luftërat dhe konfliktet në disa rajone mund të zgjerohen, inflacioni dhe kushtet e jetesës në përkeqësim, etj. Midis këtyre paralelizmave dhe gjendjes së sotme, të gjithë janë në gjendje të gjykojnë se; A ka vërtetë premisa për një konflikt më të gjerë botërorë? Popujt nuk duan luftë! Ata shpresojnë dhe besojnë që Fuqitë e Mëdha “të fortit”, jashtë preferencave ta marrin situatën seriozisht dhe të ruajnë ekuilibrat.