
Artan Nati/
Shumë shqiptarë ndeshen me konceptin e votimit për “më të voglën nga dy të këqijat”, kur vjen sezoni i zgjedhjeve. A është ndonjëherë e justifikuar të zgjedhësh një kandidat thjesht sepse ata janë opsioni “më pak i keq”, edhe nëse nuk përfaqësojnë bindjet tona? Përgjegjësia qytetare nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me aktin e votimit, por thekson rëndësinë e mençurisë, aftësisë dalluese dhe pjesëmarrjes në shoqërinë ku jetojmë. Në një ambient politik si i joni, shpesh e gjejmë veten duke zgjedhur midis opsioneve të papërsosura, jo vetëm në votime, por në shumë fusha të jetës.
Pra, si duhet t’i qasemi kësaj dileme si qytetarë? A duhet të abstenojmë nga votimi nëse nuk mund të mbështesim plotësisht një kandidat, apo është më mirë të votojmë për atë, politikat e të cilit janë e keqja më e vogël, edhe nëse ato nuk janë afër vlerave tona? Çfarë parimesh përdorni kur vendosni se si të votoni?
A jeni ndjerë ndonjëherë keq, të detyruar të zgjidhni vetëm midis dy fatkeqësive? Keni ndjerë se do të preferonit të goditeshit në fytyrë sesa me një thikë në stomak?
A preferoni të keqen më të vogël mbi atë më të madhen? Të gjithë kemi qenë fajtorë për zgjedhjen e një të keqeje “më të vogël” të përcaktuar në mënyrë arbitrare, një e keqe që është më e vogël për ne, ndoshta, por jo për të tjerët.
Unë them ‘fajtor’ sepse ne nuk jemi kurrë të pafajshëm për zgjedhjen e ndonjë niveli të së keqes, pavarësisht nga justifikimet tona se kemi të drejtë. Përveç kësaj, e keqja më e vogël nënkupton një të pavërtetë dhe ka gjithmonë një zgjedhje të tretë, dhe të katërt. Përtej kësaj mundësie të vetëm dy zgjedhjeve, qëndrojnë zgjedhje të tjera si ato parimore, që ne jemi shumë frikacakë dhe të dobët për t’i marrë në konsideratë. Edhe moszgjedhja është një zgjedhje e vlefshme. Edhe zgjedhja e të dyja opsioneve mund të jetë një alternativë. Megjithatë, ne zgjedhim të keqen më të përshtatshme sepse na përshtatet ta konsiderojmë të keqen “më të vogël”, duke mos ndalur asnjëherë për të pyetur veten “më e vogël për kë?” Dhe kjo nënkupton që ne u besojmë kapaciteteve tona mendore mjaftueshëm për të dalluar me saktësi se cila nga dy të këqijat është në të vërtetë më e vogël dhe sipas standardit të kujt.
Problemi me zgjedhjen e të keqes më të vogël është se ne humbasim kuptimin e asaj që është e mirë. Ne harrojmë se e keqja më e vogël është ende e keqe (duke supozuar se është me të vërtetë e keqja më e vogël e mundshme që mund të zgjedhim). Nëse ndihemi të justifikuar moralisht për zgjedhjen e një të keqeje, edhe pse më të vogël, ne korruptohemi moralisht, pasi ngatërrojmë të keqen më të vogël me të mirën.
Historia e demokracisë në vendin tonë fillon me zgjedhjen e të keqes më të vogël. Intelektualët shqiptarë, përfaqësuesit e klasave të përmbysura dhe për më tepër të burgosurit politikë, zgjodhën të keqen më të vogël dhe iu bashkuan disa partive të djathta (por vetëm në emër të tilla). Deri këtu gjithçka duket mirë, por në fakt në krye të saj ishin ish- komunistët dhe sigurimsat të emëruar nga ish byroja politike. të shndërruar në ëngjëj brenda natës (edhe djalli ishte ëngjëll, por i rënë nga qielli). Përkrahësit e ‘të keqes më të vogël’ këmbëngulin që, nëse vazhdoni të zgjidhni më të voglën nga të dyja, do të vazhdoni të minimizoni të keqen dhe me kalimin e kohës, do ta bëni të keqen të zhduket. Megjithatë, e kundërta ndodhi. E keqja paraqitet si “më e vogël” kur të kërcënon me një “të keqe më të madhe”. Mënyra si rrodhën ngjarjet pas krijimit të këtyre partive, tregojnë se ato u spastruan nga kundështarët, të persekutuarit politik u përçane, biles u akuzuan si spiunë. Disa prej tyre, që njiheshin në publik si antikomunistë, u larguan si ambasadorë apo iu dhanë poste të rëndësishme si edhe përfitime të tjera. Pranimi i keqes më të vogël solli të keqen më të madhe, duke shndërruar të djathtën shqiptare në pronë të nje rrethi të ngushtë njerëzish, duke i hequr shpirtin krijues të ëndërruar nga proponentët e “të keqes më të vogël”. E keqja triumfon kur ne refuzojmë të zgjedhim midis dyzimit të rremë të të këqijave “më të mëdha” dhe “më të vogla”. Të mos zgjedhësh asnjë të keqe është një opsion i tretë i zbatueshëm, por kërkon sakrifica që shumica nuk janë të gatshëm të bëjnë. Këta demokratë të vërtetë kishin opsionin që mund të mos zgjidhnin asnjë të keqe. Thjesht duhet të pranojnë se ishin shumë të verbër dhe frikacakë. E keqja më e vogël nuk është e mirë; është thjesht e keqja më e përshtatshme. Në fakt ata kishin mundësi të krijonin partinë e tyre si opsion i tretë, ndonëse me shumë sakrifica. Ndoshta akti më patriotik do të ishte të pranonin se zgjedhja e të keqes më të vogël është e keqja më e madhe, duke hapur kështu rrugën e demokratizimit të vendit në situata si kjo e sotmja. Pasoja e kësaj zgjedhje është e qartë: një pushtet i korruptuar i të majtës dhe një e djathtë inegzistente.
Sot Shqipëria dhe shqiptarët ndodhen para një dileme të ngjashme me atë të viteve 90, të cilën e dimë fare mirë si përfundoi. Zgjedhjet e 11 majit të këtij viti do të jenë një provë e madhe për maturimin e shoqërisë sonë, e cila do të jetë vendimtare për të ardhmen e kombit. Shumë nga intelektualët dhe njerëzit e penës në Shqipëri dhe jashtë saj janë të mendimit se ne duhet të zgjedhim të keqen më të vogël.
Mendoj se më tragjik është fakti se disa nga të burgosurit e mendimit dhe shkrimtarë të njohur tashmë kanë mbetur peng i të kaluarës, duke e parë botën në të mirë dhe të keqe, ose në rastin konkret në të keqe të madhe dhe të keqe të vogël. Mendoj se ne duhet të mendojmë përtej të mirës dhe të keqes, sepse duke zgjedhur të keqen më të vogël, pikërisht pa dashje këta njerëz u bënë pjesë e të keqes së madhe. Ata u bënë pjesë e tragjedive si ajo e 97- tës, apo anëtarësimit në konferncën islamike dhe më tej në marrëveshjet e turpshme PS e PD në kurriz të forcave progresiste. Unë mendoj se votimi për më të voglën nga dy të këqijat në të vërtetë çon gjithmonë në më shumë të këqija. Pra, ju ose votoni për “Satanin” ose “Djallin”, dhe ju prekni ferrin me njërën apo tjetrën zgjedhje. Nuk mund të jesh në rrugën e Zotit duke mbajtur dorën e djallit.
Nuk dua të them se njera parti është më e keqe se tjetra, apo cila është e keqja më e vogël. Thjesht mendoj se polarizimi i sistemit dypartiak në këtë vend na ka bindur se këta janë kandidatët për të cilët duhet të votojmë. Ata nuk janë të vetmit, ata janë njeri më i keq se tjetri.
Nuk duhet të japim votën për kandidatët që nuk po i përmbushin premtimet e tyre. Mos votoni për ta! Kemi dëgjuar boll argumente për të keqen më të vogël dhe se si duhet të votojmë për të. Kjo është ajo që dy partitë e mëdha duan që ne të mendonjmë. Ata duan që ne të ndiheni të detyruar të votojmë vetëm për ta, dhe ata zihen se kush është e keqja më e vogël. Kësaj rradhe ne kemi opsione të treta dhe nuk duhet të mbetemi peng e të keqes më të vogël.
Unë nuk dua të votoj për njërën palë vetëm sepse e urrej palën tjetër dhe anasjelltas. Mënyra se si do t’i qasemi këtyre zgjedhjeve të ardhshme varet nga ne, por ne nuk mund të vazhdojmë t’i lejojmë politikanët të na zënë në kurth që të votojmë për ta duke folur për një “të keqe më të vogël”. Duke ecur përpara, ne duhet të kërkojmë më shumë nga njerëzit që zgjedhim dhe të mos i lejojmë ata të na frikësojnë që të votojmë për ta. Para se të vendosim të votojmë duhet të mendojmë nëse vërtetë jemi të detyruar të vendosim nëse duam që kryeministri i ardhshëm do të jëtë i korruptuari me një kravatë të kuqe apo blu.
Të jetosh është të zgjedhësh. Por për të zgjedhur mirë, duhet të dish se kush je dhe çfarë përfaqëson, dhe jo të zgjedhësh se kush është më i keq satani apo djalli.