Artan Nati/
Nuk ka dyshim se çdo person, në përgjithësi, është më pak i mirë nga sa imagjinon se është ose dëshiron të jetë. Të gjithë kanë një anë të errët. Dhe sa më shumë të përpiqeni ta fshihni atë, aq më e zezë dhe më e dendur bëhet. E mira që shohim në botë përcaktohet nga e keqja që ne perceptojmë. Pa të keqen, nuk ka të mirë. Pa errësirë, nuk ka dritë. Pa një antihero të përcaktuar qartë, nuk ka hero. Dhe kjo shpjegon pse ne jemi kaq të shpejtë për të demonizuar ata që mendojnë ndryshe ose që na kundërshtojnë. Tribalizmi është në strukturën e qenies sonë. Kultura jonë aktuale kërkon dëshpërimisht për antiheroin sepse ne duhet të etiketojmë të keqen në mënyrë që të kemi një ndjenjë të mirë. Nëse mund të gjejmë një person negativ, kjo na lejon të ndihemi moralisht superiorë. Nëse nuk ka një antihero, ne do të krijojmë një të tillë. Dhe tani shoqëria jjonë është më e ndarë se kurrë. Me cilëndo palë që të shoqëroheni, pala tjetër duhet të demonizohet. Sa më shumë që i perceptojmë si djaj, aq më të polarizuar bëhemi. Por pyetja është, si mund të jeni i sigurt nëse jeni në anën e së mirës? Edhe personazhet më të këqij në histori mendonin se ishin në anën e së mirës. Shpesh gjërat djallëzore bëhen në emër të drejtësisë dhe të jeni të sigurt se kushdo, i çfarëdo kombësie, qëndrimi politik apo feje, shkon gjithmonë në luftë me një ndjenjë të drejtësisë së plotë. Ana tjetër është djalli. Sigurisht që të gjithë nuk mund të jenë në anën e mirë, përndryshe e keqja nuk do të ekzistonte. E vërteta e çështjes është se e mira dhe e keqja ekzistojnë vetëm në syrin e shikuesit. Nuk ka kufi midis së mirës dhe së keqes. Vija që ndan të mirën nga e keqja nuk kalon midis Kosovës e Serbisë, as midis Shqipërisë e Greqisë, apo midis PS-së dhe PD-së dhe as midis Ramës e Berishës dhe as midis demokratëve dhe socialistëve, por kalon në zemrën e çdo njeriu, në mënyrën se si ne mendojmë e gjykojmë. Hitleri konsiderohet si njeriu më i keq që ka jetuar ndonjëherë, por në fillim të viteve 1930, Hitleri u shpall si një hero, jo vetëm në Gjermani, por në pjesën më të madhe të Evropës. Ai kishte lulëzuar ekonominë gjermane dhe po ndërtonte një shoqëri efikase, të pasur, inovative. Në vitin 1936, Hitleri dhe gjermanët organizuan Olimpiadën, e cila shfaqi prosperitetin gjerman për të gjithë botën. Në vitin 1938, ai ishte Njeriu i vitit i shpallur nga revista prestigjoze ”Time” . Regjimi nazist u mbështet dhe u vlerësua nga intelektualë, ekonomistë, fitues të çmimit Nobel dhe media. Si çoi ky prosperitet në kampe përqendrimi dhe dhoma gazi? Nuk ndodhi brenda natës. U desh një proces hap pas hapi që nazistët të mendonin se po bënin mirë, duke menduar se ishin në anën e fisnikërisë dhe virtytit, duke menduar se çdo veprim që bënin ishte për përmirësimin absolut të njerëzimit. Motoja e Hitlerit ishte, e mira e përbashkët përpara së mirës individuale, dhe përfundimisht ideologjia e tij për të arritur të mirën e përbashkët do të çonte në një holokaust. I njëjti proces ka ndodhur në çdo gjenocid në histori, nga Pol Poti në Kamboxhia te Mao në Kinë e deri te Stalini në Bashkimin Sovjetik. Nuk bën përjashtim as krimineli Enver Hoxha dhe rregjimi i tij komunist. Enver Hoxha u konsiderua si shpëtimtari i kombit, si personi që do të bënte shqiptarët të hanin me lugë të florinjtë, që do të bënte Shqipërinë fanar ndriçues. Dhe ishte pikërisht ky besim, se ideologjia komuniste ishte fitimtare dhe kundështarët ishin djaj dhe armiq, që do ta shndërronte vendin në kamp përqëndrimi dhe ferr në tokë. Ishin komunistët e verbuar nga egoizmi i tyre, se vetëm ata ishin engjëj dhe gjithë të tjerët ishin djaj, që shkatërruan jetën e shqiptarëve dhe pjesës më vitale të vendit. Të gjithë këta njerëz menduan se po rregullonin qytetërimin. Ata të gjithë kishin një vizion për të krijuar një utopi, por për të arritur në atë utopi, vuajtjet masive dhe vrasjet masive u bënë të nevojshme. Fatkeqësisht tragjeditë e vendit tonë nuk mbaruan me zhdukjen e komunizmit, por vazhduan edhe në demokraci, sepse mënyra e të menduarit nuk ndryshoi shumë, sepse komunizmi u zhduk, por mënyra komuniste e të menduarit ishte mes nesh. Pas viteve 90, demokratët erdhën në pushtet (një pjesë e mirë demokratë vetëm në emër) me besimin se ata ishin në anën e drejtë të historisë dhe të pagabueshëm. Ky mentalitet bardh e zi prodhoi tragjedinë më të madhe politike-ekonomike në vend, luftën civile të 97-tës. Kjo tragjedi ishte produkt i mentalitetit komunist, edhe në krye të PD-së, e cila u uzurpua nga ish komunistët në kurriz të klasës së persekutuar në vend . Por hallet e Shqipërisë duket se nuk mbarojnë këtu, biles edhe me ardhjen në pushtet të një brezi më të ri, të përfaqësuar nga Edi Rama e Erion Veliaj, me premtimin e madh se ata janë e ardhmja dhe kuptojnë përkatësinë europiane të vendit. Shumë shpejt u kuptua se ata kishin trashëguar egoizmin dhe besimin se ishin të pagabueshëm dhe armiqtë po i sabotonin kudo. Kjo ka sjellë në vend korrupsion galopant, degjenerim social si edhe krim të organizuar. Ky është kuptimi i fjalës së urtë të lashtë, rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira. Në mënyrë që të shpëtojmë botën nga e keqja, ne duhet të shkëputemi nga egoja dhe të njohim demonët tanë të brendshëm. Kuptimi nga kjo është se e mira dhe e keqja nuk janë gjë tjetër veçse konstruksione mendore. Të gjithë ne, por veçanërisht politikanët tanë, duhet të kuptojnë se ata si të gjithë ne, janë krijesa kapriçoze dhe me kujtesë të kufizuar dhe mbi të gjitha me një talent për vetëshkatërrim.
========================================================================
Në dramën e Shekspirit “Julius Cesar” në dialogun midis dy fisnikëve Casius dhe Brutus thuhet : “Faji, i dashur Brutus, nuk është tek yjet tanë, por tek ne”
Cassius vazhdon duke i kujtuar Brutit se Cezari është thjesht një njeri, jo një zot, dhe se ata janë njerëz të barabartë me Cezarin. Ata kanë lindur të gjithë njëlloj të lirë, dhe pse do t’u duhej papritur t’i përkuleshin një politikani tjetër? E aplikuar në politikën bashkëkohore shqiptare, fare mirë mund të themi se faji në Shqipërinë e sotme nuk është në fatin tonë, por në veten tonë, sepse kemi zgjedhur të jemi mediokër në të menduarit tonë, të paqartë në këndvështrimet tona dhe dritëshkurtër në pikëpamjet tona për gjërat që ndodhin rreth nesh.
Duket sikur Shqiperia është ndarë në dy popuj, atë demokratik dhe socialist,të cilët jetojnë në egoizmin e tyre dhe mendojmë se ata janë engjëj dhe kundeshtarët djaj . Pjesa tjetër mendojnë se ky vend është e thënë se nuk bëhet dhe se kjo është e shkruajtur,ndoshta mallkim, osé yjet apo astrologjia thonë se këtu nuk ka të ardhme gjë që na kujton Shekspirin se fati yne nuk varet nga yjet por nga ne. Ashtu si Brutus duhet të shkëputemi nga egoizmi ynë dhe të mendojmë se besnikëria jonë është ndaj demokracisë dhe përkatësisë europiane të vendit dhe jo ndaj monarkëve të rinj, që ashtu si Jul Çezari, duan ta kthejnë vendin në perandorinë e tyre.