Kujtime nga: Sadik Zeqiri/
Më 16 maj 1999, ditë e diel, kur lufta kishte marrë përmasa të mëdha në gjithë Kosovën, Ukshin Hotin policia serbe e nxori nga burgu i Dubravës, duke dhënë arsyetimin e mëpastajmë për, kinse, lirimin e tij. Por, heroi i mendimit shqiptar, siç e quajti mbrëmë shkrimtari Ismail Kadare, e heroi ynë shpirtëror brenda dhe jashtë grilave, Ukshin Hoti, asnjëherë nuk u kthye në shtëpi pranë fëmijëve të tij e pranë shoqërisë së vet. Ai ishte dënuar më 17 maj 1994, me pesë vjet burgim por, edhe pse e përfundoi dënimin burrërisht, për fatin e tij nuk di gjë kush. Sigurisht që dinë ata që e kanë nxjerrë nga burgu dhe ata që e kanë përcjellë përtej burgut.
Duke evokuar sot kujtime nga burgosja dhe lirimi i tij, një ditë para humbjes së gjurmëve të tij, fati i personalitetit, ndër më të madhit shqiptar, Ukshin Hotit, padyshim se është një nga fatet më tragjike të të burgosurve shqiptarëve të Kosovës. 21 vjet më parë, pra më 16 maj 1999, ai e përfundoi dënimin e shqiptuar nga regjimi fashist serb dhe do të duhej të ishte në liri, për të cilën po atë ditë, teksa dilte nga burgu, u foli shokëve të vet të pavijonit B: “Shokë, shihemi në Kosovën e lirë”. Megjithatë, pas daljes nga burgu, ideologu shqiptar, i përcjellë nga dy roje drejt derës kryesore të burgut të Dubravës, nuk është parë më nga askush, askund.
Ukshin Hoti u lirua nga burgu në një ditë jo të zakonshme për lirimin e të burgosurve. Nuk kishte ndodhur që asnjë i burgosur, i cili e kryente dënimin, të lirohej nga burgu në fundjavë, por as në ditë festive. Lirohej, ai që e kryente dënimin, gjatë ditëve të punës, që i bie një ditë para se ta kryente dënimin e caktuar, por asnjëherë pas tij.Në burgun e Dubravës dënimin, dhënë nga regjimi serb për çështje kombëtare, po e kryeja edhe unë por, jo në pavijonin B ku ishte Ukshin Hoti, por në pavijonin C, dritaret e të cilit ishin me pamje kah dera kryesore e burgut. Natyrisht se edhe brenda burgjeve kërkonim liri. Pak liri horizontesh gëzonim herë pas herë, bërë disi si me radhë nga shokët e dhomës, nga dritaret e dhomës së burgut, kur i lëshonim sytë jashtë dhomës, në oborrin e burgut e hapësirës qiellore. Më 16 maj kisha kohën dhe radhën të shikoja unë në dritare. Dhe kurrë s’më hiqet nga mendja dhe nga sytë burri me ecje vertikale e të drejtë nga pavijoni B drejt daljes kryesore, i shoqëruar nga ata dy gardianë, për të cilin u interesuam shumë me shokë të dinim kush ishte ai. Kuptuam ndërkohë, pasi ndodhi hataja e madhe më 19-24 maj në burgun e Dubravës, se ai që po dilte i shoqëruar nga burgu kishte qenë Ukshin Hoti.
Të njëjtën ditë me Hotin janë liruar edhe dy të burgosur të tjerë, njëri ishte nga Juniku dhe ishte i burgosur në pavijonin C. Atë ditë kur u lirua nga burgu junikasi, e pyeti gardianin që e mori për ta nxjerrë jashtë: “Me çka do të shkoj në shtëpi?” Gardiani iu përgjigj: “Deri në Pejë jemi përgjegjës për juve, më pas shkoni ka të doni”. Këtë bisedë mes tyre e kemi dëgjuar nëpërmjet dritareve të dhomave që i linim hapur. Trupi i të ‘liruarit’ nga Juniku është gjetur në varrezat e Lugut të Baranit në Pejë në vitin 2004, e profesor Ukshin Hoti ende askund.
Më dhemb shpirti që, sa herë vjen ditëlindja e masakrës sonë në burgun e Dubravës, gjatë gjithë këtyre 21 vjetëve përkujtojmë mbetjen tonë gjallë dhe “lirimin” e bacës Ukë, të cilit kisha qejf t’ia jepja dorën, ta kapja ngrykë por që, fatkeqësisht, pata fatin vetëm ta shoh nga dritarja e qelisë sime të burgut.
Lavdi të gjithë të rënëve për liri!
Lavdi dhe përkujtim të përgjithmonshëm Ukshin Hotit!