Nga Alma LIÇO/
Dëshpërimisht mendoj se konsiderohem dhe jam e tillë dhe kjo lidhet në mënyrë të pashmangshme me trashëgiminë antikomuniste. Katër breza të familjes sime janë goditur/masakruar nga barbarizmi i kuq. Eshtë një përkatësi e përgjakur, e përlotur, mbuluar me vrasje, burgime, internime, përjashtime, konfiskime, shantazhime…etj…etj…të shtrira këto nga viti 1944 e në vazhdimësi, për të cilat kurrë nuk u bë drejtësi.
Por vitet e post komunizmit gjithnjë e më shumë po më konfuzojnë nëse duhet të konsiderohem e tillë!!!
“ Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”!!!… Ky sllogan absurd e mirëmenduar u servir menjëherë pas rënies së regjimit. Cili është kuptimi i tij…mos vallë viktimat dhe xhelatët janë një???
E persekutuar e regjimit komunist!! – Vetëshpallet me pompozitet bashkëshortja e Taulant Ballës, numrit dy ose tre të Partisë Socialiste, vazhdueses së drejtpërdrejtë të Partisë terroriste të Punës, Parti e cila kurrë nuk u distancua e dënoi krimet e Partisë amë. Vërtet rezulton që stërgjyshi i saj të jetë ekzekutuar me urdhër të Enver Hoxhës, por kjo ka ndodhur se teksa i shërbente atij në mënyrë të fshehtë, mësoi disa sekrete të cilat i pagoi me jetë. Për më tepër kjo familje në rrjedhën e viteve, jo vetem që nuk pati asnjë pasojë për këtë, por përkundrazi ishte një ndër të besuarat e regjimit.
E persekutuar e regjimit komunist!! – rezultoka edhe e motra e ish-kryeministrit Fatos Nano. E bija e Thanas Nanos, njërit nga besnikët më të ngushtë propagandistikë të Enver Hoxhës. “E gjora” ajo. Ish martuar me një person me biografi të cënuar, me pasojë transferimin me punë nga Tirana në Lezhë.
Vërtet konsiderohen të persekutuara zonjat e sipërcituara???…Cinike…Qesharake…e papranueshme dhe fyese.
I lutem gjuhëtarëve të gjejnë dhe konfirmojnë emërtimin e duhur për këtë kategori, pasi një gjë është e sigurtë: UNE NUK JAM ATO…e sa të tjerë si unë ndjehen pjesë e kësaj përdhosjeje.