Nga Zeno Jahaj/
Themeluesit dhe udhëheqësit shtetërorë të Kosovës, të rrëmbyer e të plaçkitur tinëzisht, u çuan në Hagë, në të ashtuquajturën “Gjykatë Speciale”, me targë kosovare, por pa simbolet shtetërore të Kosovës.
Shtetarët kosovarë, të ardhur nga lufta çlirimtare, ndoshta mund të jenë hakmarrë me tepri. Por zor se ekziston skenar më i mirë për t’i poshtëruar. Jo vetëm ata vetë, por të ardhmen e Kosovës.
Skenari i poshtërimit buron nga viti 1999. Në atë vit, Serbia dështoi së zbatuari “Memorandumin SANU”, të përgatitur rreth 15 vjet më parë nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve (!) për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. Europa e arsyes, këtë herë për arsye morale, nuk e la Serbinë të zbatonte platformat e saj naziste. Duke e ndëshkuar me armë.
Athëherë Serbia kaloi në platformën tjetër: “Poshtërimi ndërkombëtar i shtetformimit kosovar.” Çka shohim me poshtërimin e shtetarëve kosovarë tash disa vite e, sidomos më qartazi sot, është e shkruar e zeza mbi të bardhë në këtë platformë.
Nuk janë sekrete. As vetëm të kohëve moderne. E gjithë historia serbe në Ballkan është histori platformash. Të shkruara. Është ndër kombet e pakta në Ballkan që ka mbijetuar dhe është zgjeruar vetëm në saj platformash genocidi, shpërnguljeje “paqësore” e tjetërsimi ndaj kombeve të tjerë.
Platforma e parë nisi me dyndjen e hordhive serbo-sllave në Ballkan në shekullin e 6-të a të 7-të. Ishte një platformë thjesht ushtarako-fetare: përkatësisht shpërngulje me dhunë metodike e banorëve të natyrshëm shqiptarë, autoktonë sa vetë historia. Çka pushtonin me ushtri mbretërit, i shënjtëronte ushtria e priftërinjve. Çka ushtria e pushtonte të fundit, Patriarkana e Pejës, Beogradit dhe Karlovcit e shenjtëronte të parën. Sikundër shihet, Patriarkana serbe është e Pejës, pastaj e Beogradit dhe e Karlovcit!
Kështu kishte ndodhur me platformën tjetër të radhës, të hartuar nga një shtetar serb, e emërtuar “Naçertanje”, domethënë “Program”, “Platformë”. Thelbi i saj, i përmbledhur qartazi nga historiani i famshëm kroat, Ivo Banac, ishte: asimilim dhe zgjerim. E shkruar në vitin 1844 ajo duhet të udhëhiqte, siç udhëhoqi, njohjen e shtetit serb në Kongresin e Berlinit më 1878. Një 1
platformë që e bëri punën e vet. Serbia mori ç’deshi. Përkundrazi, Shqipëria u shpërfill edhe pse mbante një kongres paralel në Prizren, në kryeqytetin historik të saj. Sepse shqiptarët ishin një kohë më prapa nga serbët, një brez më prapa se platforma serbe. Sepse serbët luajtën me kohën, ndërsa shqiptarët e lanë kohën të rridhte.
Për të ardhur te Programi i Cubriloviç, i vitit 1937, i emërtuar pa asnjë dilemë hipokrizie apo diplomatike: “Dëbimi i shqiptarëve”! Cubriloviç, vrasës në grup i Arkidukës austro-hungarez Ferdinand në Sarajevo, ngjarje që i vuri zjarrin botës në vitin 1914, profesor artesh, akademik dhe shtetar serb, e kishte, kësisoj, përvojën e duhur: leksioni i tij ishte platforma më efikase për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova që u zbatua përgjatë gjithë Luftës së Ftohtë.
Në vigjilje të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe në prag të shpërthimit të kazanit 100 vjeçar të urrejtjeve nacionale, platformat individuale u zëvendësuan me platforma kolektive. Objektivi i tyre ishte menaxhimi i interesave nacionale në kushtet e reja gjeopolitike. Lindi kështu platforma tjetër, Memorandumi “SANU” i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (!) i vitit 1986. Ishte pikërisht platforma që frymëzoi Millosheviçin t’i quajë shqiptarët “minj” dhe të ankohej te europianët “pse nuk po na leni t’i vrasim…”!
Prej këtej Platforma apo Plani “Patkoi 1999” (jo çuditërisht edhe ky një term nga bota e kafshëve!), për të përzenë me dhunë popullsinë shqiptare nga Kosova. Patkoi ishte një gardh mbytës në tri anë me portë në anën e katërt, drejt Shqipërisë a Maqedonisë, më saktë nga sytë këmbët.
Çka shohim sot, me poshtërimin e të gjithë shtetarëve kosovarë në gjykatën “kosovare”, në bazë të platformës “Poshtërimi ndërkombëtar i shtetformimit kosovar”, nuk është veçse baza e një platforme tjetër: “Destabilizim përpara shtetnjohjes”. Një platformë ku do të hyjnë në lojë “republikat” komunale serbe në Kosovë, ushtria serbe e shërbimeve të inteligjencës, të shitur e të blerë, pse jo dhe kompani “private” ushtarake ruse, të regjura në luftërat hibride për shkëputjen e Donbasit nga Ukraina.
Platforma tjetër e radhës është “Rikthimi në Jeruzalemin serb”, përkatësisht ripushtimi i pjesshëm dhe/ose i plotë i Kosovës. Prandaj shpenzimet ushtarake serbe për vitin 2019 kapnin 2.2% të Produktit të Përgjithshëm të vendit, në krahasim me 1.6% që kapnin në vitin 2018. Prandaj Serbia është pajisur me raketat e sofistikuara ruse S-400, raketat Pantsir, dronë të brezit
2
më të fundit (aeroplanë pa pilot) “Bayraktar TB2”, etj. Ndërkohë Beogradi, kosherja klasike e inteligjencës së superfuqive, sot mbetet post i përparuar i asaj ruse.
Serbinë nuk e sfidon askush. As Rumania, as Hungaria, as Bullgaria. Bosnjë-Herzegovina apo Kosova jo e jo.
Armatimet, shërbimet e shpenzimet marramendëse ushtarake që po akumulon Serbia përllogariten të përdoren në një kuadër që lidhet me shpërbërjen e NATO-s. Sinjalet janë dhënë. Makroni i Francës, sapo e ka quajtur NATO-n “të goditur në tru”. Pastaj, si për t’u rikthyer në ekuilibrat e dy luftrave botërore, deklaroi se, në rast konflikti ushtarak midis Greqisë e Turqisë, Franca do të ndihmojë dhe mbështesë ushtarakisht Greqinë! Domethënë një sinjal optimist edhe për aleatin e hershëm serb.
Vetë NATO, për herë të parë në historinë e saj, u gjend në mëdyshje se kë të vlerësojë rrezik e kërcënim: administrate Trump ishte e dyzuar nëse ishte Kina, Rusia apo të dyja së bashku. Në këtë amulli, shpenzimet ushtarake duhet të rriten mbi 2% të Produktit të Përgjithshëm, për çka shumica e aleatëve ose janë kundër, ose nuk janë në gjendje ta përballojnë.
Metamorfoza të tilla gjeopolitike janë dhuratë për Serbinë. Kur kosovarët menduan se NATO do ishte e përjetshme në Kosovë, e harruan Serbinë. Pikërisht atëherë Serbia bënte gati platformën e radhës: zhdukjen e fakteve kompromentuese të krimeve serbe, blerjen me flori të figurave influente të tipit Dick Marty e të tjerë, për të krijuar “fakte” për gjoja krime shqiptarësh, këtej e andej kufirit shqiptar.
Sigurisht duhet të jetë paguar mirë edhe një farë Carla Del Ponte, libri i së cilës “Gjuetia: Unë dhe kriminelët e luftës”, është një platformë më vete se si mund të poshtërohet edhe Shqipëria. Ish kryeprokurorja, e blerë nga Serbia, nuk shkroi asnjëherë për masakrat e regjimit serb në hapësirën jugosllave, për monstruozitetin e të cilave botës ende i mbahet fryma. Gjeti vetëm të sajojë një shtëpi kanibale në Shqipëri! Sepse në çdo shtet tjetër nuk dihet se në ç’shtyllë poshtërimi, turpi apo penale do të kishte përfunduar. Politika shqiptare është fajtore që nuk e ka paditur këtë monstër në gjykatë ndërkombëtare, ende as sot pas 12 vjetësh.
Serbia ngrohet në këtë zjarr antishqiptar. Serbët tani bëjnë sehir, se punuan për këtë ditë që në vitin 1999, për të sajuar, deformuar, blerë e shitur: “Shteti shqiptar shkatërrohet fare lehtë,
3
mjafton të ekzistojë vullneti te shërbimet serbe. Nuk është vështirë të futësh në grindje shqiptarët mes tyre toskë, gegë, të krishterë, myslimanë, linja fisnore, fetare. Nëse i mban në konflikt mes tyre, ata e harrojnë ëndrrën për Shqipërinë e Madhe. Shqiptarët duhet të mbahen në konflikt, shërbimet serbe e shkatërrojnë shtetin në Shqipëri fare lehtë. Vritni një politikan shqiptar, akuzoni konkurrentin e tij, krijoni luftë fisnore, krahinash apo politike mes tyre.”
Ndërkohë, serbët kanë kohë të mjaftueshme për të vënë në jetë platformat e radhës.
Shqiptarët prandaj janë një kohë më prapa se serbët. Sepse merren me blozën që ka lëshuar Serbia sipas platformës që ka përgatitur një kohë më përpara. Sepse vetë shqiptarët nuk kanë frymëzuar, as kanë ideuar apo hartuar ndonjëherë platforma kundër kombeve të tjerë. Nuk është e qartë nëse kjo tregon vlerë, dobësi apo mungesë kulture strategjike. Por një gjë është e qartë: shqiptarët, në çdo kohë janë gjendur një kohë më prapa nga të tjerët dhe, nëse nuk na vjen keq, syleshë.
Pse? Sepse “Serbët mbajnë shënim, ne shqiptarët mbajmë mend!” – më thotë një miku im nga Kosova.
Nëse ne nuk do të luajmë me kohën, nëse nuk do të kuptojmë proceset, atëherë do të ndodhë ajo që Presidenti i sapozgjedhur amerikan Biden ka vlerësuar me gjenialitet për ne shqiptarët, afro dy dhjetëvjeçarë më parë: “Jo vetëm shqiptarët, por të gjithë myslimanët e rajonit, kanë qenë viktima të një plani jo aksidental, por të mirëmenduar. Ju dhe trashëgimia etnike që përfaqësoni, mund të mbeteni si pjesë e harruar e qytetërimit perëndimor edhe për 100 vjet të tjera…ju jeni përdorur si gurë shahu për 400 vite me radhë. Kanë përfituar shumë nga përçarjet tuaja, nga grindjet tuaja…ju duhet të vendosni se ku do të shkoni…nëse nuk arrini të tregoheni më të mëdhenj sesa shtypësit tuaj…atëherë jeni të pashpresë dhe do të kaloni edhe një shekull tjetër si ai që kaloi.”