Sokol Paja/
“E vërteta: pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora” e veprimtarit të shquar të kombit shqiptar Ekrem Bardha, është një kryevepër e rrëfimit, një dëshmi e gjallë, një e vërtetë e madhe, një angazhim i pa mposhtur, një monument historik në marrëdhëniet 1 shekullore shqiptaro-amerikane dhe përpjekjeve të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen kombëtare e sidomos për pavarësinë e Kosovës.
“E vërteta: pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora”, është një vepër e shkëlqyer e kryeveprave të historike të protagonistëve patriotë shqiptarë në Amerikë që vijnë të rrëfyera në një libër plot arritje, sfida, suksese, histori e mbi të gjitha përpjekje të pandalshme për komb e atdhe.
Ekrem Bardha, një ndër shqiptarët më aktivë, protagonistë e më të fuqishëm në gjashtë dekadat e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në librin e tij shfaqet si promovues dhe mbështetës i palodhur i të drejtave të shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
Libri i aktivistit Ekrem Bardha është një vepër shumë e rëndësishme që do u shërbejë ekspertëve e studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencave politike dhe historike pasi është një kontribut dokumentar i dorës së parë me: faksimile, ftesa, deklarata, dokumenta, fotografi, memorandume, komunikime personale, letër shkëmbime, intervista, takime, lobime, dëshmi etj. ” E vërteta” e Ekrem Bardhës është mbi të gjitha edhe një mirënjohje e thellë për ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit e kombit mik amerikan përgjatë historisë sonë kombëtare ku falë mbështetjes amerikane kombi ynë mbijetoi, fitoi e sot radhitet mes kombeve të lirë, të zhvilluar e të qytetëruar në familjen e madhe perëndimore.
Ekrem Bardha në librin e tij detajon përpjekjet kolosale për liri e pavarësi të Kosovës ku së bashku me zyrtarë të lartë amerikanë si senatorë, kongresistë e presidentë të Amerikës e bënë Pavarësisë e Kosovës realitet i cili edhe sot më shumë se kurrë ka nevojë për përkujdesjen e vëmëndjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Libri përmban detaje historike rreth familjes Bardha, mbështetjes që Kongresisti William Broomfield i ka dhënë shqiptarëve si rasti “Ivezaj” e rezolutën për Kosovën, puna e jashtëzakonshme me Presidentë amerikanë, Kongresistë, Senatorë e diplomatë, personalitete publike e politike, shpalosin më së miri detajet nga aktivizmi prej gjashtë dekadash për çështjen kombëtare të Ekrem Bardhës. Nderimi e vlerësimi prej presidentëve amerikanë si Ford, Nixon, Regan, Clinton, Bush tregojnë potencialin dhe vlerat e Ekrem Bardhës i cili për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi vuri në lëvizje politikën e institucionet më të larta të shtetit amerikan.
Në librin e z.Bardha i kushtohet rëndësi edhe ndryshimit të sistemit monist në Shqipëri, rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane, ndihmat humanitare të dërguara prej diasporës në Kosovë e Shqipëri, krizën e ambasadave etj.
Një moment i veçantë në libër është krijimi i Këshillit Shqiptaro-Amerikan (NAAC) si organizimi më i lartë shoqëror, politik me figura të shquara të mërgatës shqiptare në Amerikë dhe kontributin e tyre diplomatik e lobues në dobi dhe mbrojtje të interesave të Kosovës e kombit tonë.
Në libër përmendet një episod i përplasjes së z.Bardha në Departamentin e Shtetit me Ambasadorin Gerbald në mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ekspozimi i krimeve, masakrave e gjenocidit serb në Kosovë.
“Pushtetet dhe qeveritë lëvizin, Atdheu është i përjetshëm” porosi që tingëllon si psalm ungjillor që na e lë amanet Ekrem Bardha për dashuri të pa kushtëzuar për atdheun. “E vërteta: pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora” e Ekrem Bardhës është një ndër botimet më serioze në fushën e diplomacisë aktive shqiptaro-amerikane, një trashëgimi e vyer publicistiko-historike dhe kontribut i artë në historinë moderne të kombit shqiptar e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.