Dr. Entela Komnino/
Libri është nderuar me çmimin e gazetës ‘Dielli’ për 110 vjetorin e botimit.
Disa vjet pas botimit të librit ‘E vërteta për Nolin’, interesi mediatik dhe i rrjeteve sociale, në proporcion të përmbysur me atë që do të duhej të ishte shkencor, na provon ndriçimin nga vepra e Fan Nolit si shqiptarë edhe përtej më shumë se 100 vjet nga shkrimi i saj. Si autore jam e përmbushur të shoh se këndvështrimi qendror i Nolit në libër për ta hulumtuar e gjetur siç ai shkruante e ishte e jo siç do ta donim, në veçanti studiuesit, nuk mbeti vetëm një sfidë, por rezultat i mbështetur e realist. Disa vjet më pas, ky shqyrtim duket të jetë një bazament i qendrueshëm përfundimesh nga koha kur u hulumtua si i tillë dhe një projeksion prodhues diskutimesh mbi autorin më të lexuar e më popullor mes shqiptarëve – Fan Noli.
Uroj që këto pjesë të plotësojnë ato pyetje që i lindin çdo lexuesi të Fan Nolit dhe të nxisin më tej rrahje mendimesh apo objekte shkencore të mirëfillta mbi ligjërimin e shqipes dhe Shqipërisë nga Fan Noli.
“E vërteta për Nolin” nuk është një provokim me tituj, aq më pak çudibërës, dalë rrethanash të mundësive më shumë se 100- vjeçare për përgjigje. Çudija është, por ajo i takon tjetër fakti: brenda mundësive po ashtu më shumë se 100- vjeçare, pyetja ende e pabërë vazhdon të sfidohet nga e vërteta hartuese; retorika. Brenda mundësive mëse mijëravjeçare të të folurit, shqip, nga ana tjetër, tejkalon çdo arsye të grupuar të gjuhëve sipas kombit. E vërteta me cilën jetoi me çudi edhe përmbi cakut të vdekjes dhe shkroi për shqiptarët Fan Noli, tejçuar sot edhe me kufij të papërfytyrueshëm në kohën e shkrimit të tij si ato të rrjeteve sociale, ka ngritur edhe pa zhvillimet numerike pandehma kuptimi tej atyre pa çudi, pa mbërritur dot gjithësesi në një proces të vijueshëm pyetje-përgjigje, specifikisht të domosdoshëm edhe në kushtet e gjallimit shqip të ndodhive dhe letrave.
Në fakt, Fan Noli, e ka filluar vetë pandehmën duke i shkuar pas një kodi shkrimi dhe kuptimi të botës si prift, gazetar, shkrimtar, politikan, kritik letrar, diplomat, historian, përkthyes, madje dhe si muzikant. Të gjitha këto janë shfaqur për së jashtmi nën kuptimin gati organik që një prift është orator, një gazetar është orator, një politikan po ashtu. Ky produkt – jetësor e autorial përmban vetë i pari të vërtetën siç ka ndodhur, me shanse për t’u pyetur e përgjigjur nga retorika. Por vepra e natyra e kuptimit, të njehsuara sipas pandehmës, nuk kanë mundur të shmangin deri tani kritikën e hamendësuar që numëron si përfundime të vetat përshkrimin e thjeshtuar të mbresave nga vepra e tjetrit, si për të vënë përfundimisht në dyshim vlerat reale të saj.
Noli nuk ngre as në vështrimin më të sipërfaqshëm nevojën për çmim paraprak pozitiv, e publicistika, si cilësi antologjike e tij, do të duhej madje t’u hiqte ‘detyrimin’ studiuesve të gjejnë patjetër arsye për prurjet afirmative të tij në kulturën e nnjë publiku, që padyshim ai i ka. Edhe më padyshim, të pandyerit e Nolit nuk ka patur thjeshtë e vetëm arsyet organike të krijimit të tij, por dhe ato të imponuara të shqipes e Shqipërisë. Këto të fundit si arsye krijimi, me specifikën e tyre e kapërcenin gati cilësisht atë kushtëzim që retorika ia njeh natyrshëm pikërisht krijimit. Vendi i origjinës së Nolit dhe jo thjeshtë ai i vendlindjes, pandehej se ekzistonte madje dhe pandehmën e vetme e bënin të ndihej vetëm publicistët e veprimtarët, e mes tyre dukshmërisht Noli. ‘E vërteta për Nolin…’, nuk do të ishte asnjë ndodhi e ndryshme, aq më pak e vërtetë, nëse impresionohet si deri tani nga ‘materia Noli’.
Rikthimi i Nolit, si pandehmë e paartikuluar e kodit të mbijetesës së një vogëlushi shëndetlig, pa të cilin nuk do ta kishim veprën e tij sot, nuk ka rënë në sy ende në letrat kritike të shqipes aq më pak të provokojë me retorikë. Kuptimi që rri nderur në vepër si për të treguar se çfarë pa ‘përtej’ dhe pse mbeti në jetë, lexuar si mision prej Nolit, nxit procese shpjegimesh të pangritura ende. Të ngjarat historike sipas pjesëmarrjes ose ndërmjetësimit mediatik të Nolit mbi to dhe, më tej, shpjegimi sipas veprës së ligjërimit, rikthejnë në dritë vdekatarin që e solli trupin e tij dy herë nga ‘e përtejmja’ për të thënë të pathënat ende të shqipes së deriatëhershme që vazhdojnë të marrin frymë në Publicistikën e tij. Fakti se çfarë kanë dhënë për kuptim letrat apo e folura e zbardhur e Nolit me paravajtje kodin retorik, ka konfigurim teorik.
Gadamer ka përfunduar i sigurtë se: ‘Përsa kohë ekziston një teori retorike, të gjithë tekstet hartohen sipas metodologjisë. Nëse zbatohen kategoritë retorike në interpretimin e teksteve, atëherë është kryer një kontribut në ndriçimin e rregullshmërisë së qëllimshme të formës’. 1 Pikërisht kjo që ndodh më tepër në vepër, orientohet nga Gadamer po mbi fjalinë-formulë se: ‘Ajo që është konceptuar nën presionin e mënyrës së të shprehurit dhe të të menduarit, bëhet tani e mundur përmes përshkrimit të analitikëve’. 2 Por pyetja e gjerë e fenomeneve retorike në një vepër publicistike rrezikon jo rrallë të mbetet dhe vetë retorike, gjë që nuk do të sugjeronte asnjë materie të shpjeguar e jo më kuptim. Në të njëjtën kohë, ky proces, sa dhe vetë Noli, i sfidon përkundrejt kritikës që nuk ia ka bërë akoma, disa pyetje mijëvjeçare, si ajo e Methieu de Vendome në 11703 mbi atë që ka pyetur para tij Quintiliani4 e që retoricieni Thomas Wilson në shekullin XVI i jep si: ‘Who, what, and where, by what help, and by whose; Why, how, and when, do many things disclose’5 Edhe më ngulmuese bëhet habia e moskonsiderimit të deritanishëm të retorikës kur gjykon veprimin e gjendjen e shumëfishtë të saj në veprën publicistike – si dukuri për t’u analizuar, por dhe një mënyrë për të vështruar Nolin autor. Gjetja e substancës reale nga analiza dhe formalizimi i saj sipas kuptimit të Plett , shpjegon organikisht kompetencën retorike të Nolit. Prurjet vetjake autoriale janë emri tjetër për këtë substancë, të pandehur ose informale deri tani në letrat e kritikës shqipe në terma sa më lart. ‘E vërteta për Nolin’ sugjeron kështu një proces kuptimi të tij, jo siç e duam, por siç është.
1 Gadamer, Hans Georg ‘Rhetorik, Hermeneutik und Ideologiekritik’, Frankfurt, 1971, fq. 67
2 Si më lart
3 Plett,V., Heinrich ‘Einfuehrung in die Rhetorische Textanalyse’ Helmut Buske Verlag, Hamburg 1983, fq. 12.
4 Quintiliani „ De institutione oratoria’, vepër e cituar nga Plett,V., Heinrich, fq. 8
5 Plett,V., Heinrich, si më lart, fq. 12 6 Si më lart, fq. 3