Nga Hasan KOSTRECI/“Lake George” është një qytet i vogël turistik në pjesën më veriore të shtetit të New Yorkut, i cili gjatë verës, sidomos, ka mjaft gjallëri prej vizitorëve të shumtë që vijnë, jo vetëm nga zona përreth, por edhe nga Quebec-u i Kanadasë. Liqeni i madh me të njëjtin emër, si dhe kodrat përreth që zbresin ëmbël deri në breg, krijojnë një pamje të bukur dhe mjaft piktoreske, ndërsa bulevardi kryesor me dy trotuaret anash, lulishtja, ku më së shumti rrinë e ulen të moshuarit, si edhe amfiteatri antik në dalje të qytetit, e bëjnë atë qytet akoma edhe më tërheqës, Pikërisht këtu disa vite më parë pronotuam për të kaluar një pushim dy javorsh edhe unë sëbashku me t’ime shoqe, Fluturën, si dhe dy vajzat, Ermirën dhe Nurianën, në atë kohë të dyja studente në universitet.
– Përballë kemi një familje shqiptare nga Tirana, që banon në Montreal – i thashë Fluturës gjatë kohës që ishim ulur në tavolinë të katër dhe po hanim mëngjesin – Qe nje grua rreth të dyzetave sëbashku me të bijën afërsisht në një moshë me vajzat tona – e plotësova informacionin dhe mbasi mbarova së ngrëni, me filxhanin e qumështit në dorë u ula në kulltukun përballë.
– Qenë ndonjë familje e njohur? – më pyeti ajo.
– Ne vetëm sa u prezantuam, por nuk folëm më gjatë – iu përgjigja.
– Po fillimisht si e morët vesh që ishin shqiptarë.
– I foli shqip një qeni të vogel që e ndiqte nga pas – ia shoi kureshtjen vajza e dytë Ana, e cila megjithëse s’e kishte marë ende patentën për të drejtuar makinë, na pyeti;
– A ta marr unë deri tek liqeni?
Heshtjen tonë ajo e mori për miratim, prandaj, mori çelësat, doli para nesh jashtë dhe u ul në sediljen e shoferit.
– Ja tani do vijmë edhe neve – na foli nga dritarja e vilës përballë, vajza shqiptare me banim në Kanada – po marr edhe topin që të luajmë buzë liqenit – shtoi ajo.
– Mos u vono! – ia ktheu Ana, e cila mbasi ndezi makinën, nxorri pak kokën nga dritarja, që ta shihte ajo.
Moti atë mëngjes dukej i mirë dhe shënjat rrëfenin, se nga mesdita do bënte vapë, megjithëse pozicioni në lartësi i qytetit, si dhe era e freskët që vinte nga liqeni, krijonin një freski të këndëshme.
Parkuan makinën dhe mbasi morëm çadrën dhe karriket, u drejtuam për nga plazhi, por pamja nga afër e bukurisë së liqenit, na befasoi.
– Edhe Pogradecin tonë të bukur e kemi – u thashë dhe mbasi u xhvesha, vura rrobat poshtë çadrës dhe u ula.
– Mirëmëngjesi! – erdhi dhe na përshëndeti mbas pak shqiptarja me banim në Montreal – besoj se nuk iu bezdisim që ta ngrejmë çadrën pranë jush? – na pyeti ajo.
– Të lutem! – iu përgjigj ime shoqe dhe u ngritëm i dhamë dorën.
– Më quajnë Zamira. Kam banuar në Tiranë, por me origjine jemi nga Berati – u prezantua ajo – por përveç vajzës, me vete kam edhe babin, por sot ai nuk ndjehej mirë dhe e lamë që të pushonte– shtoi dhe mbasi u xhveshën, e bija u drejtua nga liqeni, ndërsa ajo u ul – im atë ka patur probleme me një dhimbje të vazhdueshme koke, për të cilën doktorët thonë se e ka nervore, por shpresojmë që ajri dhe klima e këtueshme mund t’i bëjë, sadopak, mirë e të qetësohet.
– Ja edhe vajzat i paskemi afërsisht të një moshe dhe do kënaqen këto ditë me njëra tjetrën – i tha Flutura, kur pa që ato u miqësuan menjëherë dhe filluan të lozin.
– I kishit thënë sime bije, se jeni marë dikur me sport. Apo jo? – e pyeta unë.
– Eh,…njëherë e një kohë. Kam luajtur voley boll me ekipin e Dinamos – m’u përgjigj Zamira dhe nxorri nga çanta syzet e diellit, vuri kapelen e kashtës në kokë dhe u shtri.
– Po Shqiprinë në ç’vit e keni lënë? – e pyeti përsëri ime shoqe.
– Ne si familje sëbashku me babanë, sepse im shoq më ka vdekur, jemi larguar në nëntëdhjet e treshin – u përgjigj ajo – Po ju?
– Në nëntëdhjetën, por na ardhka keq për bashkëshortin, që u paska lënë – e ngushëlloi Flutura.
– Më falni një minutë! – na mori pas pak ajo leje, sepse dëgjoi zilen e celularit të saj dhe u ngrit – siç u thashë, babanë nuk e lashë mirë, por tani e kishte marë veten dhe po lexonte – na tha kur u kthye – Ai ndjen kënaqësi, kur ka ndonjë libër të bukur në dorë dhe sidomos me tema historike, ndërsa unë e kundëta, e pasionuar jam vetëm mbas sportit dhe asgjë tjetër.
– Babaji, ndofta ka qënë mësues apo pedagog dhe e ka lidhur puna që të merret me libra – i sugjeroi Flutura.
.- Përkundrazi, ai ka punuar në një dikaster, ku mendohet se njerëzit atje janë të ngurtë dhe nuk bëhet fjalë fare për ndjenja.
– Atëhere me siguri do ketë qënë ndonjë llogaritar – qesha unë.
– Jo, ka qënë operativ dege –na kundërshtoi ajo, por nuk vuri re që unë me time shoqe në atë moment vështruam njëri tjetrin në sy – Fillimisht ka punuar në Çorovodë të Skraparit, ku qëndroi atje deri në shtatëdhjetën, më mbas në Berat dhe së fundi u transferua në ministrinë e brendëshme në Tiranë, ku përfundimisht atje mbylli edhe karierën e tij.
Për disa sekonda të tre qëndruam në heshtje dhe asnjëri s’po fliste. Dëgjoheshin vetëm llapuçitja e dallgëve, si dhë zërat e vajzave pak më tutje që vazhdonin të luanin.
– Ç’farë ke, nuk je mirë – më pyeti ime shoqe, kur pa që unë u ngrita, nxorra nga xhepi i pantallonave paketën e cigareve dhe e ndeza.
– Ndofta nga që u fute në ujë dhe do ketë qënë, me siguri i ftohtë – sugjeroi Zamira, e cila ende s’po kuptonte asgjë.
– Do kalojë dhe mos u shqetësoni – u thashë dhe mbasi bëra disa hapa në drejtim të bregut, u ktheva përsëri.
– Paskeni ardhur, si duket, me llotari – vazhdoi të shuajë kuriozitetin gruaja ime.
– Jo, kemi fituar azil politik– u përgjigj ajo dhe vuri buzën n gas.
– E si ka mundësi – nuk m’u durua mua – Një komunist siç ka qënë babaji yt dhe punojës sigurimi gjithashtu, të fitojë në Kanada statusin e azilantit politik!
– E, sa ka të tjerë si puna jonë – u përgjigj ajo dhe nisi që të lyejë fytyrën me krem.
– E shkatërruat atë vënd dhe tani erdhët në kapitalizëm, që babaji yt dhe shokët e tij e kanë sharë dhe nuk ka lënë gjë pa thënë.
– Jemi këtu për të pushuar dhe nuk kemi ndërmënd që të diskutojmë tema të tilla
– ndërhyri ime shoqe, kur pa që biseda s’po shkonte edhe aq mirë.
– Pse e latë Shqipërinë – vazhdova unë – Yt atë, zoti Nako u ka bërë, me siguri, propogandë që ta urreni kapitalizmin.
– E si e ditkeni ju emrin e tim eti? – u prish ajo në fytyrë.
– Dyshova kur e pashë para dy ditësh në verandën e vilës tuaj, por prezantimi që ju sot i bëtë, më bindi që është pikërisht ai.
– Kush ai? – ngulmoi Zamira.
– Ushtrinë, si e persekutuar, zonjë, e kam kryer në N.B U-në e Kakrukës në Skrapar, ku atje u njoha edhe me një djalë mjaft të mirë nga Himara, K. Konomi, quhej me të cilin u miqësova shumë dhe rrinim bashkë shpesh. Por një ditë prej ditësh atë e arrestuan dhe babaji yt, si hetues në atë periudhë, sëbashku me operativin e repartit, më thirrën, më bënë presion dhe bile më kërcënuan, se do më fusnin sëbashku me të në burg, kur unë u thashë se tema politike me Kostën, asnjëherë nuk pata bërë.
– Në realitet i gënjyet? – më provokoi ajo.
– Po. I gënjeva. Ashtu si dhe ju zyrën e emigracionit në Kanadaa – iu përgjigja – por me ndryshim, sepse jo vetëm që nuk pranova të bëhem spiun, por edhe atë nuk e rëndova akoma më tepër.
– Në atë kohë ajo ka qënë detyra e një operativi – u mundua ajo të justifikohet.
– Nuk jeni interesuar të dinit – vazhdova unë – se ajo shtëpi në Berat dhe me atë oborr aq të madh, ku ju keni kaluar fëmijërinë dhe keni bërë, me siguri, edhe mjaft fotografi, s’ka qënë e juaja, por e një ish të pushkatuari nga regjimi komunist. Atë komoditet që zoti Nako u kishte krijuar, mbante erë krim, sepse…
– Oh, mjaft të lutem! – më ndërpreu Zamira dhe nxorri nga xhepi shaminë të fshinte lotët.
– Ku po shkoni? – më pyeti ime shoqe, kur unë s’e vazhdova më atë bisedë, por u ngrita, mora teshat dhe fillova të vishem – vajza jonë nuk besoj që të vijë qysh tani me neve – më kundërshtoi ajo.
– Nëqoftëse më lejoni, do kujdesem unë për to – tha Zamira dhe me sy të përlotur u drejtua për nga bregu.
– Nuk është mirë që të sillemi kaq ashpër me një grua, të cilën u takuam vetëm rastësisht – vazhdoi të më kundërshtojë Flutura, kur me makinë arritëm tek vila dhe ndërsa ajo ngjiti shkallët dhe u fut brënda, unë u ndala, u ula në një nga stolat aty pranë dhe ndeza një cigare, por u habita kur mbas pak tek vila përballë, u hap dera dhe përpara më doli pikërisht ai, që dyzet e ca vjet më parë u suall aq ashpër me mua dhe më krijoi atë situatë aq të vështirë. Dukej i dobësuar, i plakur, ndërsa ngjyra e lëkurës, dikur ezmere, i qe transformuar dhe kthyer në të zezë.
.- Edhe unë të njoha, sapo të pashë – më tha dhe duke u mbajtur tek parmakët e shkallëve, zbriti dhe qëndroi disa hapa larg meje – nuk besoj që edhe mbas katër dekada, të jemi ende fanatikë në disa pikpamje të ndryshme që dikur bashkë kemi patur?
E vështrova dhe megjithëse nuk desha që t’i ktheja përgjigje, demagogjia e fjalëve të tij, më ngacmuan dhe nuk munda dot ta duroj.
– Ju, Nako dhe shokët e tu, akoma u thotë mëndja, se krimet që keni bërë, i justifikoni me një farë ideali, që në realitet tek ju nuk ka ekzistuar kurrë. Mashtruat atëhere dhe doni të na mashtroni akoma edhe sot? Kërkojuni falje këtij populli, për gjithë ato mizori që keni bërë – i thashë dhe ndjeva që u kuqa në fytyrë dhe gjaku më hipi në kokë.
Këtë ballafaqim, ish oficeri i ministrisë së brendshme, si duket, nuk e priti, prandaj u orvat që të ngrefosej e të mbante një farë autoriteti, por muskujt e nofullave, të vrenjturit e vetullave, damarët, që dikur i kërcenin për t’u kallur tmerrin viktimave të tij, tani ishin squllur dhe nuk po i bindeshin më. Pamja e tij, për momentin u transformua në një fantazmë, sa trëmbi edhe të bijën e tij, Zamirën, që sapo u kthye nga plazhi dhe po e shikonte.
– Baba, nuk je mirë ? – e pyeti ajo, ndërsa ai nuk iu përgjigj, por duke u mbështetur tek supi i saj, ngjiti përsëri shkallët dhe e u fut brënda, ndërsa unë qëndrova akoma aty dhe po vështroja vajzat e reja, që po luanin sëbashku me top……..