Ilir Levonja/
Me duart në xhepa. I gjatë si ai. Me bluzë herë me numrin e partisë në fushatë. Herë me stemën e OKB-ës. Herë me ngjyrën e rilindjes së tij. Po ecën. Më këmbë. Dhe ne që e postojmë me vrap në internet. Facebook, twitter, instagram. Kemi një kryeministër që ecën vet. Më këmbë. (Megjithëse në distance, truprojat mbajnë barkun me duar.) Vështrojnë sa majtas e djathtas. Edi po ecën në këmbë. Me duart në xhepa. Me ato buzëqeshjet e tia gjysmë të hidhura. Nganjëherë edhe nevrikoset. I bërtet, gazetarëve. Madje u tregon se sa për ibret të zotit janë bërë. Po ecën …, po shkon tek Iliri. Tek ai, me të cilin bëri gallatë për vite me radhë. Pozita dhe depozita etj.
1)Ndërsa po ndiqja mbrëmë deri vonë, një studio të radhës në Opinion. Ku njëri dëshmonte i gjallë. Dhe tjetri kërkonte fakte shkresore. Ku ziheshin për të folur. Ku në mënyrë përfekte sajohej një pyll zhaurimash. Një suferinë natyrale. Njëri ironik, tjetri pioner i devotshëm. Realiteti përpëlitej si puna e asaj presë’ në këmbët apo kthetrat e një grabitqari.
Pastaj sërish të njëjtin avaz. A ka krisje mes Edi Ramës dhe Ilir Metës? Përse iku ministri? Iku vet apo e detyruan.? Jepni përgjigje. Çfarë ka mes tyre.? Pastaj a vidhet në dogana? Vërtet, a keni dokumenta? Keni fakte? (Megjithëse përballë, në ekran një qënie e gjallë raportonte për kapjen e shtetit. Me emra… me aktivitet të deklaruar. Prapë, a keni fakte?). Shkurt, rrëmujë dhe paga të mira për të folur.
2)Sot vendi ynë është i kapur nga një ankth? Si po shkon humori I kryeministrit me kryeparlamentarin.? Duket sikur shëndeti jonë varet nga gjëndja e tyre shpirtërore. Ose të paktën kështu mendojmë ne. Një rast për debat të zjarrt. Mundësi për të treguar devotshmëri. Cili prej tyre është më i forti. Cili më i ndershmi.
Më pas e njëjta pyetje. Çfarë kërkon të tregojë Ilir Meta me lëvizjet në qeveri? Jo e ka kapur, jo nuk e ka kapur kryeministrin. Suferinë fjalësh. Kur është fare e thjesht. Qartësisht e dukshme. Kryeministri deklaron që nuk do ketë lëvizje ministrash. Kryeparlamentari bën të kundërtën. Prapë ne pyesim. Jo për çfarë e bën. Çfarë do t’i tregojë. Ndërkaq postojnë foto se si Edi ecën vet. Se si shkon tek zyra e padronit. Më këmbë, mes qytetarëve dhe truprojave. Moderni, kryeminstri ynë.
3)Me atë numër deputetësh, që ka … Ilir Meta jo që e kapur Edi Ramën prej fyti. Por me garipllëk i kërkon edhe takime. Madje me qetësi i thotë t’i bëj publike. Ta shikojnë shqiptarët se si ai ecën vet. Se i shkon në zyrë. Dhe keqardhjen më të madhe, sado që përpiqen ta lajnë e fshijnë nëpër studio e Opinionit. E kanë vet socialistët. I sillen vërdallë këtij buçkoje të rrëgjuar nga dietat. Gati ta mbysin. Por, çfarë të bëjnë? U desh kaq përpjekje bojkotike, kaq autobuzë ngjyrë violetë, kaq mund fushate, kaq guxim të fortish nëpër qytetet e Shqipërisë së lodhur. Që të vinin në pushtet. Sa inatin dhe duhmën për t’i dhënë shqelmin këtij buçkoje. E kthejnë në dhele idhnakësh. Edhe pse kombëtarja e Berishës është e shpërbërë. Nuk është larguar fantazma.
I pari që hallakatet kështu, që po u bën vetëm një shërbim të mbrapsht shqiptarëve. Socialistëve gjithashtu…, është Edi Rama.
Edhe pse është koha të tregojë largëpamësi politike. Ai nuk ka kurajo. Politkanë të tillë i vine rrallë një vendi. Do të jetë vonë kur ai të arsyetojë se…, (mbase kur të shkruaj librin e kujtimeve) prishja e një aleance. Çuarja e vendit në zgjedhje të parakohëshme. Nuk është fundi i botës. Përkundrazi një largëpamësi politike. Eshtë koha kur vendi, qytetarët kanë nevojë për një shanc. Që të largojnë të keqen.
4) Eshtë shanci i madh Edi. Me këtë krisje dhe ndarje që ka Pd-ja. Ca të Saliut, ca të Lulit. Ca në shtëpi pasi duan që të shkojnë e t’i luten. Ca në luftë për Primin elektoral. Dhe ca si e thashë, në një kombëtare të lodhur Kuvendi. Dhe po të kthehesh nga krahu tjetër, ku haraçi i aleancës me LSI e ka futur shqiptarin në një panik jetësor. Me rekorde ikjesh dhe aplikimesh pranë Llotarisë Amerikane. Me këtë karshillëk reformash etj. Nuk ke për ta çuar atë anije asnjëherë në Europë. Asesi ta rilindësh. Megjithatë, është shanci i madh…, për një politikan bashkëkohor. T’i japi qytetarëve mundësinë. Që ai të kuptojë nëse është apo jo një rilindas i vendit të vet.
Qazim Rrushaj says
Po i lexoj me endje shkrimet e Ilirit. Disa shprejhe i perdor sikur te kete lindur ne Kercove. Shkruan shkurt me plot kuptime. Pa inate, pa intriga; analizon gjera te rastit; te rrjedhes politike nder partite shqiptare dhe qeverise.
I lexoj me kuriozitet, dhe politikanet e Shqiperise duhet t’ia vene veshin, sepse flet pa tendenca.
Shendet te plote!
Qm Rrushaj