Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
kandalet e fundit në Shqipëri janë ai i Bankës të Shtetit dhe sekretarit të punësimit të deputetit Kokëdhima. Këto skandale flasin qartë për degradimin e sistemit në Shqipëri, si pasojë e abuzimit me pushtetin përmes mitmarrjes, klientelizmit dhe nepotizimit.
Në Bankën e Shtetit, për shembull, janë të punësuar njerëzit e afërt të majës së Piramidës shtetërore të ndërtuar këta 23 vjet tranzicion. Të PD, PS dhe LSI. Prandaj palët heshtin.
I keni dëgjuar boritë e kooperativës folkorike të deputetëve të PD-së kundër ish-sekretarit të Kokëdhimës? Po përse heshtin për skandalin e Guvernatorit Fullani. Heshti edhe kryeministri Rama kur u bë me dije se bashkëshorti i Ministres Gjermeni është në një pozicion kyç në Bankën e Shtetit. Ky zotëri rezulton të jetë punësuar këtu prej 2001. Por pyetja është, a kemi këtu konflikt interesi?
Pyetja tjetër është, a kemi shpërdorim të pushtetit nga ana e zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar, të cilët i kanë punësuar bijtë e të afërmit e tyre në BSH?
Pyetja tjetër është se kush do t’i dënojë këta zyrtarë të lartë për shkelje të Kushtetutës, kur drejtësia është e pushtuar nga njerëz me lidhje familjare apo politike si gruaja e Fullanit and Co!
Prandaj themi se shteti është i kapur dhe sistemi ka rënë! Sepse në një sistem demokratik kemi shtetin e së drejtës, ku pushtetet janë të pavarura.
Le t’i kthehemi skandalit të ish-sekretarit të deputetit Kokëdhima në Sarandë, i cili u shoqërua me një fushatë linçuese të gazetës Shekulli kundër gruas që denoncoi tentativën për krim ndaj bijës së saj të mitur. Nga njëra anë deputeti Kokëdhima me të drejtë denonconte sekretarin e tij si pervers, nga ana tjetër gazeta Shekulli, botuesi i së cilës ka qenë Kokëdhima, e linçonte zonjën në fjalë, duke e nxjerrë të pafajshëm perversin. A kemi moral këtu?
Por personi që linçonte gruan trime tek Shekulli, i cili është pronari i hotelit ku ajo kishte punuar, nxjerr në pah „sekretin“ se si funksionon klientelizmi politik, i cili ka kalbur jo vetëm administratën publike, por edhe sektorin privat, duke ia marrë frymën tregut të lirë, pa të cilin nuk mund të ekzistojë kapitalizmi.
Në intervistën e dhënë tek gazeta e Kokëdhimës midis të tjerave ai thotë se „E. (Elvirën – shënimi im) ma pruri partia tek një mbledhje që kemi bërë me deputetin tek restorant hotel “Nertili”. (Intervistën e plotë mund ta lexoni në linkun që e kam publikuar http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=53803&kat=100)
Partia dhe deputeti që përmend i intervistuari nga Shekulli janë PS dhe deputeti Kokëdhima. Dhe prej këtej del se deputetët e partisë janë të plotfuqishëm. Ata kanë lidhje me biznesmenë, të cilët janë të detyruar të punësojnë njerëzit e deputetëve.
Kështu funksionon sistemi klientelisto-nepotik i krijuar nga trioja PD, PS e LSI. Prandaj shteti është i krimbur. Sepse kjo kalbje është e gjithë kupolës. Në një intervistë tek Zëri i Amerikës zonja Mirela Arqimandriti, drejtuese e Aleancës Gjinore për Zhvillim thotë se ngjarja e Sarandës nuk është një rast i izoluar, por është vetëm maja e ajsbergut të një morie ngjarjesh të tilla. “Kërkohet o para o seks në këmbim të një vendi pune, në këmbim të një të mire materiale në një vend të caktuar. Kjo është masive, kudo kërkohet o para o favore seksuale si në rastin e kësaj zonje.” Pra sekretarë si ai i Kokëdhimës ka plot, dmth kanë edhe deputetët e PD e LSI-së apo sekserët e tyre.Në emisionin e mëngjezit sot tek Koha për t’u zgjuar në News24, një qytetar denoncoi deputetin e PD Igli Cara i cili, sipas tij, kishte punësuar njerëz të vetët me diploma fallco marrë tek Kristal.
Denoncimi i këtij qytetari mund të jetë edhe hakmarrje e pastër, sepse Igli Cara është nga të vetmit deputetë të PD që ka kërkuar,dy ditë më parë, dorëheqjen e Guvernatorit Fullani.
Por gangrena mbetet. Shqiptarët janë të detyruar nga politika të votojnë jo për më të mirët, por për ata të cilët u premtojnë punë, si favor dhe jo si e drejtë thenelore e njeriut në një shoqëri të lirë. Punëdhënësit e tyre janë abuzues të pushtetit të popullit. Sepse deputeti votohet jo t’i shërbejë një pakice të privilegjuar, por gjithë komunitetit. Nga ana tjetër, edhe të punësuarit janë profiterë. Kesisoj kemi edhe degradimin e shoqërisë shqiptare. „Moraliteti ka marrë fund në Shqipëri, i tha Zërit të Amerikës zonja Arqimandriti“.
Nga ana e tij, Erion Veliaj, ministër i punës në kabinetin Rama, reagoi ndaj metodës Kokëdhima – e cila aplikohet si një metodë masive nga politika – duke thënë që të papunët të shkojnë në zyrat e punës dhe jo të deputetëve.
Por me një fjalë goje nuk ndryshon ai pisllëk që është ngritur për 23 vite rresht. Sepse këtë mekanizëm degradant e mbajnë në fuqi PD, PS dhe LSI. Prandaj zgjedhjet janë si fushëbetejash. Sepse riciklohet pushteti në dëm të shtetit ligjor. Partitë në Shqipëri funksionojnë si feude, ndërsa deputetët si feudalë me një pushtet të pakufizuar.
Edi Rama ka premtuar se do të luftojë plagët e tranzicionit. Të cilat i dalin si fantazma çdo ditë para syve. Po mbushet viti që ka ardhur në pushtet. Edi Rama nuk e ka të vështirë. Pasi ka me vete votat e 1 milionë shqiptarëve dhe do të ketë me vete edhe gjithë opinionin mbarë . Aq më tepër kur feudalët e tranzicionit janë prej kartoni, pa asnjë lloj legjitimiteti. Ata largohen me një të rënë të lapsit. Ashtu si u veprua në Lazarat, e cila dukej një kështjellë e pamposhtur e kupolës të krimit. Por duhet të veprojë tani.
21 Gusht 2014
Adriana Qeliku says
E nderuara Elida,
Kame ndjeke me vemendje artikujt tuaj dhe te bashkeshortit tuaj dhe jame nje adhuruese e veqante per guximin tuaj profesjonal.
Nuk mund te mos kujtoj periudhat me te remdesishme kur ju qe te dy ndriquat opinjonin Shqipetare me problemet qe eksistojne ne shoqerine Shqipetare.Pra,si dy shtylla,ju u rrenjoset tek lexuesit ma teper si lidere se sa gazetare.
Ju, denuat haptas, mafjozet komuniste te Kosoves,denuat vitin e mbrapesht 1997,denuat komunistet dhe bijt dhe bijat e tyre qe donin te rimgjallnin Enver Hoxhen,denuat korrupsjonet,vrasjet makabre te gazetareve,politikaneve,bisnismeneve,pra nuk ishit ne dakord dhe denuat kupolen mafjoze komuniste si ne Shqiperij ashtu dhe ne Kosove.
Mire shume deri tani…..,por nje gje nuk dua ta besoj kur ju ne ket artkull theksoni”pasi ka me vete votat e nje miljon Shqipetareve…… Dhe do te ket gjithe opinjonin Shqipetare”.
Une ketu nuk besoj qe Edi Rama I mori votat e lira dhe te ndereshme,ashtu nuk dua te besoj qe Ti-Elide te besojsh qe Edi Rama te shembe nje diktature 23-vjeqare. Apsolutisht nuk deshiroj ta besoj qe ti Elide dikure si zedhenese e mendimit te lire Shqiptare qe koha mbas diktatures se eger Hoxhiste doli nje diktature e re Berishjane.
Ndoshta ketu e ke fjalen??!!!
Me ne fund a duhet ta besojme si Ti si une
Qe Edi Rama pas-ardhesi I brezit te te diktatures Hoxhiste duhet ne rradhe te pare te mohoj,te denoj periudhen
50- vjeqare komuniste.
Masandej, te shohim dhe te besojme shembjen e “diktature 23-vjeqare neo-komuniste”.
Perfundoj qe besimin si lexuese e rregullt ndaj jush Elida ta perforcoj edhe ma teper dhe jo ta anashkaloj pa ndonje interes.
Nje shprehje popullore thote;
Pyshtij perpjet,
Te bjen ne sy,
Peshtyj posht,
Te bjen ne gjij.
Pra,a te besojme qe Edi Rama te denoj baballaret e tyre!!??
ELIDA BUÇPAPAJ says
E dashur Zonjë e nderuar Adriana, ju shpreh mirënjohjen dhe respektin, në emrin tim e të Skënderit. Ju falenderoj shumë për këto fjalë që thoni. T’ju them të drejtën jemi në pikë të hallit si komb. Tamam ashtu si thoni ju. Pështypj në tavan e pështyma na bjen në surrat. Kur do të duhej të ihism të faktorizuar, jemi më të defaktorizuar se kurrë. Për më tepër të gjitha vlerat shqiptare po zhduken. Sot e ke të vështirë të gjesh një mik, sepse në mentalitetin shqiptar ka hyrë interesi imediat. Sepse këtë kulturë ka edukuar pseudodemokracia që ne e mbështetëm me aq shpresë. Po ta shohësh sot se me këtë përfaqësohet e djathta del se nuk ka lidhje fare dhe se është pjesë e të majtës, por kjo s’do të kishte rëndësi nëse sot do të kihism shtetin e së drejtës, shtetin ligjor, që kujdeset për qytetarin, sidomos atë më të vuajturin dhe më në nevojë. Skënderi dhe unë jemi më të zhgënjyer se kurrë. Nëse do të ihism bashkë në një kafe unë do t’ju jepja detaje dhe ju do më jepnit të drejtë. Edi Rama e kam shkruar i ka fituar ato 1 milionë vota si refuzim ndaj mënyrës se si u qeveris vendi. Kur shkruaj se do të ketë me vete opinionin shqiptar – këtë e kushtëzoj nëse Edi Rama do të ndërmarrë veprime serioze duke luftuar mënyrën feudale që ka ndërtuar politika, duke luftuar nepotizimin, klientelizmin, mitmarrjen dhe këtë shëmtim që është krijuar, duke krijuar kushte për një jetë të sigurt. Pasi gati çerek shekull tranzicion, unë jam shprehur e kam thanë se nuk kam kujt t’i besoj, por prapë mendoj se mund të ngrihemi. Sot kam shkruar një shkrim tjetër për të njëjtën temë. Mbaj një qendrim të paanshëm, vetëm qendrim shqiptar, me sytë vetëm nga Perëndimi. Edhe një herë ju shpreh mirënjohjen. Zoti ju bekoftë, ju dhe familjen tuaj.
Me respekt,
Elida Buçpapaj
Adriana Qeliku says
E nderuera Elida,
Ju falenderoj shume per pergjigjen tuej te detajueme. Respekt per kete. Per hir te vertetes nuk jam shume i qarte me besimin tuaj tek njishi si koncept
( mendo respektin dhe vleresimin tim per ju te dy).
Per kete arsye po i shtoj ketu disa prej konstatimeve te tuaja sa per me ilustrue cka po dua te shprehe.
1) ”Kështu funksionon sistemi klientelisto-nepotik i krijuar nga trioja PD, PS e LSI. Prandaj shteti është i krimbur. Sepse kjo kalbje është e gjithë kupolës”
– Pyetja ime:
A s”asht Rama ne kupole, bile ne krye te kupoles e per ma shume ne lufte me te gjitha menyrat per me e marre ate kupole???
2) “…riciklohet pushteti në dëm të shtetit ligjor”
– A nuk asht riciklue edhe tash ne dam te shtetit ligjor???
3_ “Edi Rama nuk e ka të vështirë. Pasi ka me vete votat e 1 milionë shqiptarëve dhe do të ketë me vete edhe gjithë opinionin mbarë . Aq më tepër kur feudalët e tranzicionit janë prej kartoni…”
– Tash ,Rama a ban pjese te keta feudalet apo asht ai i ardhuni prej qiellit qe ka me e shpetue kombin shqiptar dhe me e vendose shtetin ligjor per tre vitet e ardheshme???
Te lutem mos mi merr per keq pyetjet dhe retoriken time. Nuk e kam zakon me u ndale tek opinionistet qe nuk besoj se kerkojne te verteten. Vetem tek ata qe i respektoj, e ju bani pjese ne kete grup prandaj e pashe te arsyeshme me u zgjate ma shume.
Deshiroj qe ne te ardhmen te pime nje kafe sbashkut,megjithese jame shume larg jush.
Pershendetje Adriana
ELIDA BUÇPAPAJ says
E dashur Adriana, të flm shumë që më shkruan. Po ke të drejtë.
1.Unë vazhdoj të them prej disa kohësh se sistemi në Shqipëri ka rënë, por nëse kemi një angazhim politik, vendi shpëton. Edi Rama është shef qeverie që e njeh Perëndimi dhe SHBA. Ka bërë premtime dhe duhet t’i mbajë. I ka premtuar Merkeli e cila i kërkon reforma të thella dhe ky i ka thënë po. Tani po vjen viti dhe Edi Rama duhet të lëvizi seriozisht.
Ja kemi shembullin e Bankës.Simbol i klientelizmit nepotizmit dhe abuzimit me pushtetin.
2. Riciklimi është 23 vjeçar. Pra duhet çrrënjosur. Një qeverie i duhet një kohë që të fillojë të japë rezultate. Por nëse i sheh shkrimet e mija që lidhen me kryeministrin e Shqipërisë, unë kam thënë troç, se Edi rama duhet ose të përmbushë premtimet ose duhet të largohet. Këtë alternativë e kam kthyer në refren.
3. Po mendoj se nuk e ka të vështirë. E kemi parasysh që Lazarati ishte një kështjellë e pamposhtur për gati 20 vjet. Shteti nuk hynte, sepse në Lazarat hynte politika. Aksioni për Lazaratin u krye brënda javës. Pa viktima flm Zotit. Përse e kishte lënë PD lazaratin në atë gjendje ? Kur dihet se Lazarati prodhonte rreth 4 miliardë Euro në vit ? Kush i ka marrë këto para. Politika ? Le të bëjmë llogari këta 23 vjet, nga ku 9 vjet kanë qenë të majtët dhe 14 PD. Unë që jam e djathtë e mbështeta operacionin e Lazaratit. Dhe si unë janë plot. Unë nuk do të votoja për Edi Ramën në 8 qershor. Por nuk do të votoja as për PD natyrisht. Pra a ka si unë përtej 1 milionshit ? Po ka! Plot të cilëve partitë u kanë ardhur në majë të hundës dhe duan vetëm shtet ligjor.
E dashur Adriana,
nëse Edi Rama nuk do të nxitojë të tregojë rezultate konkrete, nuk do ta durojë kush. Bankën e Shtetit në ato kushte, ku janë të punësuar gjithë bijtë, burrat e gratë e klasës politike, nuk do ta durojë kush, sepse janë shkelës të kushtetutës. Dhe si thotë Linkolni, ne populli jemi të plotfuqishëm në Kongres, Senat, gjykata jo për të rrëzuar Kushtetutën, por për të larguar njerëzit që e përçudnojne atë. Pra Edi Rama s’ka nga lëviz.
E dashur Adriana, nuk i marr fare për keq pyetjet e tua, përkundrazi. Ti më flet me zemër në dorë, unë të përgjigjem me zemër në dorë. Ashtu si mendoj unë.
Mua më vjen shumë keq kur njerëz nga kasta e PD futen dhe më bëjnë shantazh. KJo forcë politike ka dështuar dhe është zhgënjimi im më i madh. Sepse Skënderi dhe unë e ekmi mbështetur në kohë shumë kritike.
Po do ta pinim bashkë me shumë kënaqësi një kafe. Njeriu me njeriun takohen. Unë edhe një herë ju falenderoj, që na keni lexuar. Për ne ky është një dner shumë i madh. Skënderi dhe unë gjithmonë me Shqiptarët kemi mbajtur një pozicion shumë luajal dhe nga pozita të dy njerëzve me integritet. Doli se kemi gabuar duke e mbështetur PD!
Ju përshëndes dhe ju uroj e dëshiroj gjithë të mirat për ju dhe familjen tuaj të nderuar.
Elida
Xhaf says
Kam vene re se dikur, aty nga vitet e para te ketij shekulli bashkeshorti juaj z. Skender dhe ju trajtonit ne gaezeten Bota Sot ceshtje me rendesi kombetare dhe te politikes ne ndihme te demokracise dhe ne perkrahje te Rugoves e Berishes, te cilet ne Enciklopedine e Madhe Angleze vleresohen si demokratet nismtare pas shembjes se sistemit komunist ne Kosove e Shqiperi. Nuk di perse nuk ju shohim me ne kete gazete te nderuar. Kthimi mbrapsht ne ndihme te bijeve te kumunisteve te bllokut famkeq per mua eshte nje cudi tronditese. Nuk mund ta shpjegoj. Mos jane prekur interesat tuaja kur punonit per qeverine Berisha ne Zvicer apo Shqiperi? Cfare metomorfoze eshte kjo e z. Skender, per te cilinn kemi patur respekt. Se kush eshte Edi Rama i nje milion votave shifni se kush eshte bashkekpunetori me i ngushte i tij, uzurpatori dhe vjedhesi me i rrezikshem dhe imoralimkomunist Koco Kokedhima.
ELIDA BUÇPAPAJ says
Xhaf – më vjen keq – ti je person anonim. Prandaj edhe pyetja juaj është provokative, spekulative. Ne Rugovën e kemi mbështetur gjithmonë, pa asnjë lëkundje. Berisha ka lëvizur, ne kemi lëvizur. Sa për gazetën Bota Sot, atë e bëmë të madhe Skënderi, unë me bashkëpunëtorët tanë, sepse që kur kemi ikur ne ajo gazetetë ka marrë fund. ne e çuam deri në 200 mijë tani ka degraduar plotësisht. por siç të thashë, hiqe maskën dhe dil me emër dhe mbiemër. Botuesi i Diellit ka dhënë fjalën se nuk do t’i tolerojë anonimët, por vazhdon e i toleron, Dhe të gjithë anonimët provokojnë, spekulojnë dhe bëjnë shantazh. Por Dielli nuk duhet ta tolerojë.