




Blerta Alikaj/
Intervistë me organizatorët e NYTVFF Julian Biba dhe Elona Paja (Biba)
Edicioni i pestë i festivalit të filmit ndërkombëtar në New York, organizuar nga New York True Venture Film Festival, u mbajt në datat 19-22 qershor, në Producers Club Theatres. Shikuesit shijuan tre ditë të ngjeshura me filma të kategorive të ndryshme, dhe patën rastin të takoheshin me regjizorë, skenaristë, producentë, aktorë, dhe përkrahës të filmave që erdhën për t’u përfaqësuar nga Australia, Kolumbia, Kanadaja, Anglia, Brazili, si edhe nga Kalifornia, Vermonti, Nju Xhersi edhe Nju Jorku. Nata e çmimeve u mbajt gjithashtu në Producers Club, dhe u dha shansin krijuesve e përkahësve të filmave të njiheshin më tej me njëri-tjetrin e të forconin lidhjet për projektet e mëtejshme. Ky festival organizohet nga dyshja dinamike, Julian Biba dhe Elona Paja (Biba), partnerë të vërtetë në punë dhe në jetë. U takuam me Juljanin dhe Elonën në apartamentin e tyre të këndshëm në Fort Lee dhe pimë nga një frape fantastike, kuruar dhe shërbyer nga Juljani. Biseda ishte po aq e rrjedhshme, e ëmbël dhe energjizuese sa edhe pija që e shoqëroi.
NË USA DHE NË BOTË KA SHPESH NISMA PËR FESTIVALE FILMASH, TË CILAT NISIN ME VRULL DHE ME ZHURMË POR SHUHEN PAS NJË OSE DY VJETËSH. CILI ËSHTË SEKRETI I VAZHDIMËSISË SUAJ?
Elona Paja (Biba): Të menduarit pozitivisht, të punuarit fort, dhe të mësuarit nga viti në vit. Ka patur edhe momente lodhjeje e stresi, por besoj se na kanë bërë më të fortë, nuk jemi dorëzuar. Qëllimi ka qenë jetëgjatësia e festivalit dhe e realizimit të objektivave që i kemi vënë vetes për detyrë, krjimin e një rrjeti bashkëpunimi, shkëmbimi i përvojës dhe përkrahjen e talenteve të reja. Për t’u dorëzuar është e lehtë, por as unë e as Juliani nuk jemi njerëz që heqim dorë kollaj nga diçka që e kemi me pasion. Festivali është fëmija ynë (qesh) që sapo i la të 5 vjetët dhe po rritet shëndetshëm, pasi ka rrotull njerëz që e duan e krijues që e mbështesin.
Julian Biba: Nuk besoj se kemi ndonjë sekret vazhdimësie. Ne e bëjmë këtë punë me pasion, dëshirë, e këmbëngulje, edhe pse vështirësitë janë shumë të mëdha. Kur shikon gëzimin e shprehur për pjesëmarrjen nga regjizorët dhe artistët nga mbarë bota, të bëhet zemra mal e të jep shtytje përpara.
JU JENI TË DY ARTISTË SHQIPTARË, TË NJOHUR NË RRJETET E ARTIT E TË FILMIT NË NJU JORK E NË TIRANË. PSE JO FESTIVAL FILMI SHQIPTAR, POR NDËRKOMBËTAR?
Julian Biba: Ne jemi të dashuruar me filmin shqiptar, dhe në festivalin tonë kemi pasur disa herë të nominuar e fitues në kategori të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, dhe trevat e tjera shqipfolëse. Pra, edhe pse ndërkombëtar, ky festival ka organizues shqiptarë, dhe shpesh nderon artistë shumë të talentuar shqiptarë.
CILA KA QENË SHTYSA OSE VIZIONI PËR TA ORGANIZUAR KËTË FESTIVAL?
Elona Paja (Biba): Ne të dy donim të kishim një projekt tonin. Kur them një projekt, nuk e kam fjalën këtu për realizimin e ndonjë dokumentari apo filmi. Dëshironim diçka përtej kësaj. Duke parë sa të etur janë krijuesit e fushës së filmit për të prodhuar, dhe vështirësitë që kanë për të çarë e për të gjetur mbështetje në realizimin e projekteve të tyre, duke parë sa e madhe është konkurrenca, duke qenë vëzhgues të mirë të festivaleve të tjera, si unë dhe Juliani vendosëm të krijojmë një festival ku çdo kineast, skenarist, producent, etj., ta gjejë veten e të ndihet si në shtëpinë e vet. Festivali është i tyre dhe shërben vetëm për ta. Besoj që deri tani ia kemi dalë mbanë, dhe po përmirësohemi nga viti në vit (qesh).
CILI ËSHTË PROÇESI I PËRZGJEDHJES SË FILMAVE? CILAT JANË KRITERET KU MBËSHTETENI?
Julian Biba: New York True Venture Film Festival (NYTVFF) tani ndodhet ekskluzivisht në platformën filmfreeway.com, më e madhja në Amerikën e Veriut dhe kontinente të tjera. Filmat që na vijnë prej kësaj platforme, vlerësohen nga Juria e Festivalit që përbëhet nga artistë të fushave të ndryshme të filmbërjes si: regjizorë, producentë, aktorë, skenaristë, artistë të muzikës, etj. Prodhimet nominohen në bazë të pikëve të mbledhura dhe/ose fitojnë në një ose disa nga kategoritë që u përkasin.
CILAT JANË DISA NGA VËSHTIRËSITË MË TË MËDHA QË KENI HASUR? SI I KENI KALUAR ATO?
Elona Paja (Biba): Vështirësitë janë të shumta. Nuk është e lehtë të ndërmarrësh një sipërmarje të tillë e të thuash e realizova pa dhembje. Çdo etapë ka vështirësitë e veta. Juria punon gjatë gjithë vitit për përzgjedhjen e filmave, duke i parë e stërparë derisa jep pikët përfundimtare. Shfaqjet janë të lodhshme sepse duhen përqendruar në tre ditë të ngjeshura, 60-70 filma të shkurtër e të gjatë pa ndërprerje 12-14 orë në ditë. Ana financiare pastaj është hall më vete (qesh) por kur ka dashuri, gjërat bëhen edhe me pak. Janë qindra email-e që duhet t’u përgjigjesh, e për këtë ia qaj hallin Julit, por për këtë vit ia kemi lehtësuar punën duke ia kaluar përgjegjësitë koordinatores së festivalit (qesh).
SI I NXISNI LIDHJET MES ARTISTËVE DHE PJESËMARRËSVE?
Julian Biba: Ne e konceptojmë këtë si një event festiv ku filmbërësit dhe të gjithë artistët pjesëmarrës shfaqin projektet e tyre për tre ditë rrjesht, dhe ftojnë njëri-tjetrin për t’i ndjekur ato. Në natën e çmimeve, para ceremonisë, artistët mblidhen të gjithë bashkë me nga një pije në dorë e trokasin gotat. Kështu i çojmë më tej njohjet me njëri-tjetrin, edhe pse pak me ankth se janë konkurrentë për çmimet. Pas ndarjes së çmimeve, ne të gjithë festojmë arritjet e këtyre artistëve të mrekullueshëm me shampanjë dhe urime, ku zakonisht kanë gjenezat dhe bisedat për bashkëpunime të ardhshme.
A MBANI LIDHJE ME FITUESIT E EDICIONEVE TË SHKUARA? A MUND TË NA TREGONI NDONJË HISTORI SUKSESI TË TYRE?
Elona Paja (Biba): Ne ndajmë përafërsisht 21 çmime çdo vit, që do të thotë se në 5 vjet, festivali ka nxjerrë mbi 100 fitues. Është e vështirë t’i ndjekim të gjithë. Megjithatë, çdo vit i ftojmë fituesit e viteve të shkuara të marrin pjesë në juri, dhe pjesëmarrësit të ndjekin edicionet e reja.Ata na ftojnë në eventet e tyre gjithashtu, dhe shkojmë kur mundemi. Përveç pjesëmarrësve të rinj, kemi edhe nga ata që sjellin projektet e tyre përsëri, dhe na informojnë për sukseset e tyre të mëpasshme. Fetivali është ndërkombëtar, me pjesëmarrësnga e gjithë bota. Një nga fituesit e edicionit të tretë ishte nga një qytezë e vogël në Spanjë dhe është pritur si hero kur u kthye atje. Një nga fituesit e edicionit të katërt, sivjet erdhi nga Kanadaja dhe shërbeu në juri. Kjo anë e punës na kënaq vërtet.
CILAT JANË PLANET TUAJA PËR TË ARDHMEN E FESTIVALIT? PO TË ARDHMET TUAJA KRIJUESE?
Julian Biba: Ne shpresojmë që festivali të vazhdojë kështu si është, por edhe të shtojmë ditët, gamën, numrin e pjesëmarrësve dhe të sponsorve të cilët gjejnë tek festivali ynë një partner të sinqertë e pasionant. Vazhdimisht shkëmbejmë dhe debatojmë ide për projektet të ardhshme. Kemi rreth 29 çmime të fituara dhe 22 nominime për projekte filmike dhe skenare në IMDb. Momentalisht po përfundojmë një dokumentar shumë interesant, si edhe po planifikojmë xhirime për dy komedi respektive. Gjithashtu vazhdojmë komunikimet me kompani produksioni si në ShBA, ashtu edhe në Evropë për realizimin e filmave me skenarë të gatshëm për filmim.
ÇFARË MENDONI SE ËSHTË ELEMENTI MË I RËNDËSISHËM DALLUES PËR NJË FILM NË FESTIVAL?
Elona Paja (Biba): Kur një film është i mirë, kuptohet që në 3-5 minutat e para. Të gjithë përbërësit janë në harmoni, që nga kamera, mondazhi, loja e aktorëve, muzika, grimi. Pastaj në minutat e tjera, skenari të zhyt thellë dhe të mban të mbërthyer. Cilësia e filmave është vërtet e mirë, gjë që e bën edhe konkurrencën më të fortë.
ÇFARË RISIE DO TË SJELLË EDICIONI 2025 I FESTIVALIT? CILAT JANË PLANET TUAJA PËR EDICIONIN E ARDHSHËM?
Julian Biba: Në katër edicionet e kaluara live, kemi bërë të mundur që kushdo që merr pjesë si konkurrent dhe shikues gjatë shfaqjeve ose eventeve festive, t’ia kalojë sa më këndshëm e frytshëm. Këtë traditë do ta vashdojmë dhe planifikojmë ta përmirësojmë këtë vit.
ÇFARË KËSHILLE DO T’U JEPNIT ARTISTËVE E FILMBËRËSVE QË ASPIROJNË PËR TË FITUAR NË FESTIVALET E FILMAVE?
Elona Paja (Biba): Nuk është e thënë të jesh fitues, e rëndësishme është të ndjekësh ëndrrën. Besoj pa asnjë dyshim se kur punon fort dhe me seriozitet, puna jote do të shpërblehet një ditë. Unë kam parasysh një shprehje të Walt Disney-it, të cilës i referohem gjithmonë. Ai thotë: “Unë nuk bëj filma për të fituar para, unë bëj para për të realizuar filma.”. Është e vështirë për këdo që ka hyrë në këtë industri dhe kërkon sukes e para, por nëse ti je i talentuar dhe ndjek ëndrrën tënde, dera e suksesit ka për të t’u hapur një ditë.
MESAZHI I FUNDIT?
Ju ftojmë të na vizitoni në faqen tonë nytvff.com, të na gjeni në Facebook, X, dhe Instagram, si edhe të na bashkoheni në edicionin e ardhshëm që do të zhvillohet në 16-19 prill, 2025, si filmbërës, sponsorë dhe shikues. Pjesëmarrja është kontributi i parë dhe më i rëndësishmi drejt suksesit tuaj dhe të atyre që përkrahni.
Fotot
Ora e njohjes para ndarjes së çmimeve, Lura Lounge, Producers Club Theatres
Julian Biba (majtas) me kineastin më të mirë për 24, David Reina (A Hell of a Trip to Delicias)
Kryetari i Jurisë, John Vamvas me fituesit Kendra Kellman dhe Arthur Knox, filmi më i mirë eksperimental (If We Were a Movie)
Elona Paja (Biba) djathtas, me fituesin e kinematografisë më të mirë, David Gribble ACS (Final Broadcast)
Fitues të ndryshëm, NYTVFF24