Ne Foto:Edor Kabashi me ekipin, majtas afër tij bashkëshortja Sorana Ciura/
Shkencëtari shqiptar Edor Kabashi ka fituar çmimin ndërkombëtar “ENCALS Young Investigators Award” për vitin 2015. 38-vjeçari Kabashi u nderua me këtë çmim të rëndësishëm në shkencë, për punën e tij në fushën e gjenetikës, kryesisht për kërkimet e tij për sëmundjen e ALS-së (Skleroza Amitrofike Laterale), e ngjashme me sëmundjen e Alzhajmerit dhe të Parkinsonit.
Dr.Kabashi, që kryeson një ekip të specializuar që prej 2011 pranë institutit kërkimor të Parisit “ICM Brain and Spine Institute”, u shpall shkencëtari më i mirë në gjithë botën, në grupmoshën e tij. Çmimi iu dorëzua në Dublin të Irlandës nga Prof. Amar Al Chalabi, një nga neurologjistët më të shquar në botë.
Kabashi ka punuar si kërkues me ekipin e tij, së bashku me të shoqen Sorana Ciura, pas doktoratës së tij në Qendrën e Ekselencës në Neuromics në Universitetin e Montrealit në Kanada.
Ai ka mbi 50 botime dhe disa kapituj librash në fushën e shkencave të shëndetit. Arritjet më të spikatura kanë qenë identifikimi i një gjeni me rëndësi të veçantë në sëmundjen e ALS, përdorimi i peshkut zebër për të kuptuar sëmundjet që prekin neuronet motore dhe treguesit e multigjenetikës tek pacientët dhe modelet që ka studiuar. Kabashi i zhvilloi këto modele duke qenë në gjendje për të përmbledhur një numër të karakteristikave patologjike të ALS-së, duke përfshirë grumbullimin e proteinave, defiçitet motorike dhe anomalitë në parashikimet në neuronet motorike. Kabashi ka punuar me kompani që duan të testojnë strategji trajtimi në modelet kafshë para se të përdoren te pacientët. Zbulimet e tij do ndikojnë edhe në gjetjen e medikameteve të reja për trajtimin e sëmundjes.
Çmimi “ENCALS për kërkuesit e rinj” është projektuar për të njohur shkencëtarët më të zgjuar dhe më të zotë në sëmundjen ALS dhe jepet për kërkime në çështje të pazgjidhura. Çmimi gjykohet nga komisioni me një panel ndërkombëtar ekspertësh, në ndonjë risi ose me të gjitha risitë, për ndikimin klinik, sfidën e ideve ekzistuese rreth AL-së si dhe në forcën e publikimeve dhe të granteve”, shkruhet në motivacionin e çmimit për Kabashin.
Edor Kabashi është djali i madh i Kujtimit, mësues matematike dhe i Irmës, arkitekte që jetojnë në Toronto të Kanadasë. Edor Kabashi, lindi në Durrës, ku vazhdoi shkollën e mesme. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Rhode Island në SHBA, ku u nderua me diplomë nga ish-presidenti Bill Klinton. Më pas studioi mjekësi dhe biologji në Marylend. Më pas studioi në Sorbonë të Francës dhe në Montreal të Kanadasë, ku u doktorua në neurologji dhe biologji në vitin 2006.(Botuar fillimisht nga “NewsBomb.al”