Nga Astrit Lulushi/
Zhvillimi fillon nga vetja. Dhe një vend quhet i zhvilluar sepse shumica e atyre që banojnë aty janë të zhvilluar. Ka vende që janë më pak ose aspak të zhvilluar, dhe njerëzit aty janë të ndrydhur – sepse kush nuk dëshiron të jetojë i lirë nga shtypja që vjen vetëm nga pushteti arbitrar, egoist, kapricios, mashtrues, tiranik, despotik, autoritar, ‘dorë e fortë’, me një fjalë ‘jodemokratik’ – ata që i shmangen këtij lloj etiketimi janë të tillë.
Kundërshtimi i arbitraritetit është i vetmi parim, e vetmja mënyrë që mund të mbrojë liritë e çdo njeriu. Kur njerëzit ‘lëshojnë pe’, mashtruesit, të pabesët dhe shkatërruesit i shtyjnë ata kaq shpejtë, sa më pas nuk ka rezistencë.
Kjo natyrë ‘dyndje barbare’, rritet çdo ditë gjithnjë e më shumë duke shtyrë e shkelur. Si kancer, ajo ha më shpejt dhe çdo orë. Njerëzit rriten më pak të qëndrueshëm, më pak të gjallë e më pak të virtytshëm, nga ata që bëhen më të korruptuar dhe çdo ditë shtojnë rrethin e vartësve të tyre derisa virtyti, integriteti, shpirti publik, thjeshtësia bëhen objekt talljeje dhe hiçi, luksi, egoizmi, ligësia e padrejtësia gëlltisin gjithë shoqërinë.
Egoizmi, thotë Ayn Rand, nuk është thjesht gabim, por paraqet një “marrëveshje intelektuale shkatërruese”, e cila eshtë përgjegjëse, më shumë se çdo faktor tjetër, për zhvillimin e kontrollit moral të shoqërisë.