Me rastin e 76 vjetorit të lindjes së Mbretit LEKA I, Partia “Lëvizja e Legalitetit” Dega Mat, organizon një takim me antarë të saj, miq dhe të ftuar. Me këtë rast në Burrel u organizua edhe ceremonia e dorëzimit të titullit “QYTETAR I NDERI” z. Ekrem Spahiu.
Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i PLL dhe njëkohësisht Kryetar i Komunës Lis z. Agim Selita i cili ndër të tjera tha: “Këto data të shënuara të muajit prill, ne gjithmonë i kemi kujtuar duke i përmbledhur me datën 5 prill, që sigurisht është dita më e gëzuar se lindi Princi trashëgimtar Leka. Kjo ditë nuk është si çdo datëlindje e zakonshme, se me lindjen e Princit u vu guri i parë në themelet e krijimit të Dinastisë Mbretërore Shqiptare, prandaj ky lajm u prit me hare dhe gëzim të madh nga mbarë populli shqiptar”.
Në emer të Këshillit foli Kryetari i saj z. Lulzim Kola, i cili edhe i dorëzon titullin z. Ekrem Spahiu me motivacionin:
“Për kontribute të veçanta në dobi të Komunës Lis, si edhe për përkushtimin dhe vëndosmërinë e tij në realizimin me sukses të plotë të një proçesi, për promovimin, lartësimin, vlerësimin dhe nderimeve të Mbretit Zog I dhe Familjes Mbretërore Shqiptare”.
Z. Ekrem Spahiu duke marrë titullin “QYTETAR NDERI” ndër të tjera tha:
“Të jesh qytetar nderi i trevës tuaj është një ndjesi krejt e veçantë nga të gjitha Bashkitë dhe Komunat e tjera të vendit, se je pikërisht në trojet e Familjes Mbretërore Shqiptare, në vendlindjen e Mbretit Zog I për të cilët krenoheni jo vetëm ju në Burgajet, Lis dhe Mat, por të gjithë shqiptarët.
Ky gëzim shtohet edhe më shumë, pasi kjo ceremoni zhvillohet pikërisht sot më 5 prill, me rastin e 76 vjetorit të lindjes së Mbretit Leka I që ne legalistët e festojmë çdo vit.
Gjithë ato fjalë të mira që thatë nuk shkojnë thjeshtë për mua, por absolutisht edhe për bashkëpuntorët e mi dhe të gjithë legalistët që janë njerëzit më të mrekullueshëm të cilët kanë kountribuar e sakrifikuar për idealin mbretëror dhe atë kombëtar.
Ato vlerësime dhe nderime për Mbretin Zog dhe Familjen Mbretërore, nuk mund të realizoheshin nëse nuk do të kishim vullnetin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike, Kryeministrit z. Sali Berisha, Kryetarit të Bashkisë Tiranë z. Lulzim Basha dhe gjithë strukturave të PD”.
Z. Spahiu duke e mbyllur tha: Të jesh “Qytetar Nderi ” është një oblikim i madh, prandaj shpreh angazhimin tim se do ta mbaje me dinjitet këtë titull.
Në emër të Partisë Demokratike foli z. Bedri Hoxha – Deputet i Matit dhe i Qarkut të Dibrës, i cili pasi vlerësoi lart kontributet e z. Spahiu dhënë për demokracinë, Legalitetin, Matin dhe në veçanti për Familjen Mbretërore, shtoi se: “Do të ishte në nderin tonë që z.Ekrem Spahiu të ishte “QYTETAR NDERI” i të gjithë bashkive dhe komunave të rrethit Matit”.