



Sokol Paja/
Z. Elmi Berisha fitoi mandatin e dytë në krye të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ai mori 23 vota kundrejt Rafaela Priftit me 2 vota, Prend Qetta 1 votë dhe 1 votë abstenim, në Kuvendin e Përgjithshëm Zgjedhor të Federatës të mbajtur në New York më 26 Shkurt 2022. Punimet e Kuvendit që zgjatën rreth 10 orë u shoqëruan me diskutime dhe debate të forta për mënyrën sesi ka funksionuar Vatra e Dielli për 2 vitet e shkuara dhe sfidat që na presin në të ardhmen. Punimet e Kuvendit i hapi Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i cili falenderoi pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët e tij dhe dorëzoi mandatin te Kryesia e Kuvendit. Kuvendi filloi me himnin kombëtar të SHBA dhe Republikës së Shqipërisë. Kryetari i Vatrës z.Berisha propozoi Ervin Dinen dhe Valentin Lumaj për kryetar Kuvendi, votim nga i cili fitoi z.Dine që zgjodhi nënkryetar të Kuvendit z.Bashkim Musabelliu dhe sekretar të Kuvendit z.Eduard Aranitasin dhe në mes të punimeve të Kuvendin zonja Nazo Veliu Sekretarja e Vatrës iu bashkua ekipit që udhëhoqi Kuvendin. Në fjalën e parë përshëndetëse të Kuvendit, Konsulli i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës në New York, Ambasador Frymëzim Isufaj ndër të tjera tha: “Sot është një ditë e rëndësishme për Vatrën dhe komunitetin shqiptar. Vatra dha një ndihmesë të jashtëzakonshme për çështjen kombëtare, Vatra është pjesa më e lavdishme e historisë sonë me ndikim kulturor, historik e patriotik. Çdo shqiptar ndihet krenar për Vatrën e Vatranët për potencialin intelektual dhe frytet që Vatra i ka dhënë kombit tonë” tha Ambasador Isufaj. Gjeneral Gani Shehu nga Batalioni Atlantiku u shpreh se: “ Vatra ka dhënë një aktivitet të madh historik për të gjitha etapat që ka kaluar kombi e atdheu ynë”. Përshëndetën gjithashtu në Kuvend z.Mhill Velaj nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, z.Dash Myftari i Shoqatës Atdhetare Dibra, z.Mark Qehaja Kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane Skënderbej, Safet Llolla nga shoqata Ana e Malit, Shaqir Gjokaj nga shoqata Malësia e Madhe, Ceno Duli nga shoqata Ulqini, Esad Gjonbalaj nga shoqata Plavë e Guci, Blerim Koçani sekretar i Shoqatës Peja. Punimet e Kuvendit vazhduan me verifikimin e mandateve të delegatëve të Kuvendit. Z.Lek Mirakaj si delegati më i vjetër pjesëmarrës në Kuvend ndër të tjera deklaroi se fryma e Vatrës duhet të jetë e bashkimit, vëllazërimit dhe unifikimit. Nuk duhet të ketë kurrë ndarje e përjashtime por bashkime vlerash kombëtare, tha z.Mirakaj. Z.Alfons Grishaj kërkoi prej të gjithë të pranishmëve paqe, vëllazëri, e bashkim për të mirën e Vatrës, komunitetit e kombit tonë. Kryetari i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj u bëri thirrje delegatëve për të vazhduar të bashkuar e për të çuar përpara amanetin e Nolit e të Konicës. Delegatët e Kuvendit pranuan me votë delegatët nga degët e Manhattan, Miami, Queens, Jacksonville. Kuvendi më pas vazhdoi me ekspozenë e kryetarit të Vatrës z.Elmi Berisha i cili pasqyroi punën 2 vjeçare në krye të Vatrës. Dr. Ilmie Mara pyeti kryetarin e Vatrës se: çfarë ka bërë Vatra në nivel ndërkombëtar për historinë e shqiptarëve, çështjen çame, dhe sesione shkencore për historinë e vlerat e shqiptarëve? Delegati Valentin Lumaj pyeti bashkëpunimin e Vatrës me qeveritë në shtetet shqiptare Prishtinë e Tiranë, delegati Viktor Vorfi pyeti për avancimin e çështjes shqiptare, delegati Rafael Floqi pyeti për lobimin në Kongresin Amerikan. Më pas punimet e Kuvendit vazhduan duke paraqitur raportin e punës: arkëtari i Vatrës z.Marjan Cubi, Dr. Pashko Camaj për Fondin e Studentëve, dhe Editori i Diellit Sokol Paja. Me kërkesë të delegatit z.Asllan Bushati u mbajt një minutë heshtje për viktimat e luftës në Ukrainë. Zoti Bushati kërkoi që të zgjidhet kontingjenti inteligjent në Vatër dhe të zgjerohet Vatra në anëtarësinë e saj me kapacitete e talente nga diaspora shqiptare. Z. Lumaj vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të Vatrës dhe vuri në theksim ato gjëra që nuk realizuan. Z. Ilirjan Blloshmi kërkoi ndër të tjera bashkim të Vatrës dhe vatranëve. Z. Viktor Vorfi solli në vëmendje largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria dhe kërkoi angazhim më të madh të Vatrës në dobi të mirëqënies së shqiptarëve. Dr. Ilmie Mara deklaroi se: “Shqiptarët presin shumë nga Vatra. Fjala jonë është ligj. Vatra duhet të jetë më afër problemeve të shqiptarëve në diasporë, të ndërhyjë me deklarata të veçanta kur shkelën të drejtat e shqiptarëve, futja e elementëve të rinj në Vatër dhe intelektualëve, transparencë të kuotave, të bëjnë takime, seminare e konferenca rreth çështjes kombëtare, Vatra të ketë në fokus çështjen çame, krijimi i Departamenteve të Vatrës është domosdoshmëri” tha në diskutimin e saj zonja Mara. Editori që drejtoi Diellin për 12 vite Dalip Greca, ai që krijoi një epokë të shkëlqyer në Vatër e në Diell, ekspozoi në Kuvend punën e Diellit sidomos në pandemi dhe rolin e Diellit në informimin e pasqyrimin e mërgatës shqiptare kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Ai theksoi ndër të tjera se: “Vatra nuk ka luksin të largojë askënd por të mbajë çdo vlerë që ka Vatra. Nëse doni Nolin e Konicën zbatoni edhe Kushtetutën e tyre” theksoi z.Greca. Z.Muhamet Omari deklaroi se Vatra duhet të ndryshojë konturet e saj pasi kanë ndryshuar kushtet politike të vitit 1926 dhe situata politike në hapësirën mbarëshqiptare. Duhet angazhim më i fuqishëm i Vatrës në trojet kombëtare. Rafael Floqi kërkoi që Vatra të lobojë fort për votën e diasporës dhe lobimin te politika dhe institucionet amerikane. Z.Mondi Rakaj falenderoi z.Elmi Berisha për punën e mrekullueshme për dy vite dhe solli në vëmendje investimin personal të bërë nga Berisha e bashkëpunëtorët e tij në dobi të çështjes kombëtare. Z.Mark Gjonaj (Nderi i Kombit) theksoi rolin e jashtëzakonshëm të Vatrës në 110 vite histori dhe punën e jashtëzakonshme për vendosjen e Rrugës Fan Noli në Bronx New York. Valentin Lumaj lexoi një rezolutë për gjëndjen e rëndë të shqiptarëve dhe qeverisjen e keqe në Shqipëri të cilën e miratoi Kuvendi i Vatrës. Z.Toni Sufaj në fjalën e tij theksoi se Vatra duhet të jetë Vatër e bashkimit të shqiptarëve. Z.Bashkim Musabelliu paraqiti Projekt-Kanunoren e Vatrës e cila në nenet kryesore të saj, ato që përcaktojnë afate mandatesh apo pika thelbësore të funksionimit e veprimtarisë, u debatuan, u diskutuan fuqishëm, por që kaluan të miratura e të ndryshuara në nenet respektive. Z.Musabelliu prezantoi Projekt-Kanunoren 2022 ne emer te Komisionit te punes te perbere nga juristet z.Mehmet Kadria e Kujtim Porja te autorizuar per kete Projekt nga Kuvendi i Vatres ne Michigan 2020. Më pas kandidatët për kryetar të Vatrës Elmi Berisha, Rafaela Prifti dhe Prend Qetta lexuan platformën para delegatëve. Në vazhdim u zhvillua votimi për kryetar të Vatrës ku z. Elmi Berisha fitoi mandatin e dytë në krye të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ai mori 23 vota kundrejtë Rafaela Priftit me 2 vota, Prend Qetta 1 votë dhe 1 votë abstenim. Kuvendi përfundoi punimet me sukses të plotë ku u lanë shumë detyra e angazhime për të ardhmen si për Vatrën, Diellin e çdo vatran në përmbushje të misionit historik të Vatrës. Për të gjithë të pranishmit u shtrua një darkë vëllazërore në Restorant Cakor ku u festua deri në orët e vona nën tingujt e magjishëm të zërit të mbretit të këngës shqiptare Gëzim Nika (Mjeshtër i Madh). Vatra shpreh mirënjohje për mediat Tv Alba Life, Tv Kultura Shqiptare, Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës e çdo gazetar që ishte i pranishëm në Kuvendin e Vatrës, sidomos z.Dritan Haxhia për mbulimin ekskluziv të Kuvendit.
PROGRAMI 4 VJEÇAR I KRYETARIT TË VATRËS Z. ELMI BERISHA
1. Do të vazhdoj të promovoj vlerat e kultivuara nga “Vatra” brez pas brezi që nga themeluesit e saj në avansimin e çështjes shqiptare dhe trojeve etnike gjithandej, duke u mbështetur në parimet e vlerave demokratike dhe civilizuese mbi të cilat veprojnë institucionet dhe shteti amerikan;
2. Do të reformoj dhe freskoj “Vatrën” duke u hapur ndaj brezit të ri të bashkëkombasve tanë në SHBA, ndaj ideve të reja, alternativave kreative që promovojnë kombin tonë dhe vlerat e tij në institucionet amerikane qoftë politike, ekonomike, edukative, shkencore dhe kulturore;
3. Me ngritjen e këtyre kapaciteteve me brezin e ri të edukuar në SHBA, duke ofruar profesionist të fushave të ndryshme, do të vazhdojmë forcimin e lidhjeve shumëdimenzionale me institucionet vendimarrësë të SHBA-ve si Senatin, Kongresin dhe Stejt – Departamentin amerikan në funksion të avansimit të cështjes shqiptare, në rrafshin politik, ekonomik, edukativo – shkencor, kulturor dhe afirmativ për kombin tonë;
4. “Vatra” do të jetë institucion avangard i shqiptarëve në SHBA, duke ruajtuar parimet e neutralitetit, duke mbajtur pozicione të forta apartiake dhe duke përcuar mesazhin se ne jemi të të gjithëve dhe se misioni ynë është zhvillimi dhe avansimi në të gjitha fushat i kombit tonë dhe të gjitha trojeve etnike pa përjashtim;
5. “Vatra” do të bashkëpunojë ngushtë me Qeveritë e Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit e zgjedhur nga vota e lirë të shqiptarëve në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi, do kërkojë drejtësi për Çamerinë, do luftojë për të mirën e të gjithë bashkombasve, në funksion të bashkërëndimit, bashkëpunimit dhe koordinimit të përbashkët për avancimin e gjithmbarshëm në rrafshin politik, ekonomik, arsimor e kulturor të gjithë kombit tonë.
6. Dixhitalizimi i Gazetës Dielli dhe gjetja e sponsorëve me qëllim që gazeta të rritet në staf, rubrika, cilësi dhe siguria financiare e vazhdimësia të jetë e padiskutueshme.
7. Seli e re qëndrore për Federatën Panshqiptare “VATRA” me qëllim që ndërtesa e re të jetë multifunksionale dhe të përmbushë nevojat dhe kërkesat e kohës.
8. Krijimi i Bibliotekës Shkencore të Vatrës dhe pasurimi me tituj shkencor më qëllim që kjo Bibliotekë të kthehet në njësi kërkimore për të gjithë studiuesit dhe studentët shqiptarë në USA dhe jo vetëm.
9. Krijimi i Degëve të reja të Vatrës në shtetet kryesore të Amerikës dhe në Kanada.
10. Bashkëpunime të frytshme me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë e Kosovës, me Institutet Kërkimore e Shkencore në Shqipëri e Kosovë dhe të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë në këto dy shtete dhe në mbarë hapsirën shqipfolëse.
11. Krijimi i një fondi të veçantë për botimet me qëllim që Vatra të mbështesë studiuesit, shkrimtarët dhe botuesit e rinj.
12. Rritje e Fondit të Studentëve, gjetja e sponsoreve e mbështetësve të fuqishëm me qëllim që Vatra të mbështesë vit pas viti me Bursa sa më shumë studentë shqiptarë.