Sokol Paja/
New York, 24 Dhjetor 2024 – Elvana Shala, Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovën në Komisionin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ajo u prit nga kryetari Dr. Elmi Berisha, sekretari Dr. Pashko Camaj, anëtari i kryesisë z.Ilir Cubi dhe editori i Diellit. Në fjalën e mirëseardhjes Dr. Berisha përgëzoi Ambasadoren Shala për arritjet dhe punën e saj të shkëlqyer dhe e njohu në detaje me historinë e Federatës Vatra e gazetës Dielli. Kryetari Dr. Berisha gjithashtu veçoi takimet e Vatrës në Washington dhe institucionet amerikane e përpjekjet e vazhdueshme diplomatike, patriotike dhe atdhetare të Vatrës në dobi të çështjes kombëtare. Ambasadore Elvana Shala në fjalën e saj shprehu mirënjohje për Vatrën dhe shpjegoi punën e saj në diplomacinë publike në interes të Kosovës dhe shtresave të njerëzve me nevoja të veçanta. Synimi i Ambasadores Shala është të ngrejë zërin e Kosovës në institucionet më të fuqishme të botës. Elvana Shala ka studiuar për Komunikim Masiv, Gazetari dhe Shkenca Politike.