-Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë dhe ka mbetur e papërfunduar, rezultatet e zgjedhjeve nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë, ndësa ende nuk ka koalicione paszgjedhore/


-A do të ketë Kosova përsëri zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, në një ditë me të rregulltat lokale në 22 tetor 2017?/
-PAN: Vendimi i kryesuesit për thirrjen e seancës të enjten është arbitrar /
PRISHTINË, 7 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori vendim për emërimin e katër ministrave të rinj në kuadër të Qeverisë së Kosovës.
Në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, kryeministri Mustafa ka emëruar Ministër të Financave, zëvendësministrin e deritashëm, Agim Krasniqi, Ministre të Kulturës Rinisë dhe Sportit, shefen e deritashme të Stafit në Kryeministri, Vlora Dumoshi, Ministër të Infrastrukturës, zëvendësministrin e deritashëm, Hanefi Muharremi, si dhe Ministër të Punës dhe Mirëqenies Sociale, zëvendësministrin e deritashëm, Safet Kamberi.
Në vijim, kryeministri Mustafa do të marr vendim për emërimin edhe të ministrave të tjerë në vend të ministrave të deritashëm të cilët janë zgjedhur deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Ministrat e rinj do të ushtrojnë këto detyra deri në themelimin e Qeverisë së re të Kosovës, bën të ditur njoftimi dërguar nga Qeveria në detyrë.Kur do ketë Kosova Qeverinë e re të votuar në Kuvendin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të para gati dy muajëve, 11 qershorit 2017, ende nuk dihet.
Vazhdimi i Seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës me axhendë zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit paralajmëroht për të enjten e 10 gushtit, në orën 10:00. Njoftimi u bë sot në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.Burime tjera bëjnë të ditur se ftesa për pjesëmarrje u është drejtuar të gjithë deputetëve, ndërkohë që ka disa paralajmërime për mospjesëmarrje.Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nisi në 3 gusht paradite me vonesë dhe vijoi me tre pushime dhe një ndërprerje në mesditë, pastaj e ftuar për në orën 15:00 për vazhdimin që u bë i pamundur nga mosardhja e deputetëve të koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma. As në 4 gusht nuk vijoi seanca meqë vijoi mungesa e deputetëve, ndërkohë që vetëm gjysma e tyre kishin ardhur në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.Pas këtyre zhvillimeve, në 4 gusht në mesditë, lidhur me vazhdimin e seancës konstituive u mbajt takim konsultativ i përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare, i ftuar e drejtuar nga deputeti më i vjetër kryesues i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Pas diskutimeve, u vendos që të mërkurën, në 9 gusht, në orën 10:00, të mbahet një takim i ngjashëm konsultativ, përkitazi me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit”, theksonte deklarata zyrtare dërguar nga Kuvendi.Një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në 10 maj, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK, të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit, të cilat poashtu ishin të parakohshme.
Në 2 gusht 2017, Qeveria e Kosovës, e zgjedhjeve të para tre viteve, zhvilloi mbledhjen e 151-të, të pestën të pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, të gjashtën si qeveri në detyrë pasi u rrëzua në 10 maj në seancën e Kuvendit në mocion mosbesimi.Mund të ishte kjo mbledhja e fundit e kësaj qeverie, pasi për një ditë më pas, 3 gusht, ishte ftuar mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës pas së cilës mund të zgjidhej qeveria e re.
Por, seanca u ndërpre dhe mbeti e papërfunduar ndërsa rezultatet nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë, prandaj koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme, ndërkohë që Kosovën e presin edhe zgjedhjet e rregullta lokale këtë vit, në 22 tetor.A do të jetë kjo datë e 22 tetorit 2017 edhe e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare – të dytave brenda këtij viti, apo do të konstituohet Kuvendi dhe do zgjedhet Qeveria e re e Kosovës? Përgjigja në këtë pyetje pritet, edhe kjo mund të vonohet…
***
PAN: Vendimi i kryesuesit për thirrjen e seancës të enjten është arbitrar
Prishtinë, 7 gusht 2017/ Koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe i partnerëve të tjerë, në një komunikatë të dërguar sot, shpreh shqetësim për vendimin arbitrar të kryesuesit të seancës konstituive për vazhdimin e kësaj seance në ditën e enjte. Më tej në komunikatë thuhet:Me këtë vendim të njëanshëm, kryesuesi e seancës konstituive është vënë të shërbim të plotë vetëm të një subjekti politik, duke shkelur edhe parimin mbi të cilin ka ndodhur takimi i kaluar konsultues mes subjekteve politike parlamentare.Ky vendim i kryesuesit dëshmon se ai, bashkë me partinë Vetëvendosje, janë të interesuar që ta thellojnë edhe më shumë bllokadën në Kuvendin e Kosovës dhe jo të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me grupet e tjera parlamentare.Koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe i partnerëve të tjerë, qëndrimin për vazhdimin e seancës konstituive do e jap pas takimit konsultativ të vendosur me pajtueshmëri mes shumicës së subjekteve politike për të mërkurën në orën 10:00.Koalicioni jonë është i bindur se oferta për shmangien e krizës përmes votimit të kryeparlamentarit dhe kryeministrit të ri me marrëveshje politike, do të përkrahet prej shumicës së subjekteve politike parlamentare.Prandaj, zgjedhja e të nominuarit tonë për Kryetar të Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe e të nominuarit për Kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, përkundër përpjekjeve të tashme bllokuese në Kuvendin e Kosovës, janë procese të pandalshme politike, përfundon komunikata e PAN.