(Kujtime për tim atë, të ndjerin Ligor Thanas Trebicka / Gjika)
NGA THANAS L. GJIKA/
Mbas viteve 80-të të shek. XIX-të, edhe për mërgimtarët shqiptarë, vendi më fitimprurës u bë Amerika. Këtu puna paguhej më mirë se kudo, kursimet ishin më të mëdha, prandaj shumë shpejt ky vend u bë, si për gjithë europianët edhe për shqiptarët, thithësi kryesor i krahëve të punës. Prej trojeve shqiptare shkonin në kurbet kryesisht shqiptarë toskë nga krahinat e jugut.
Jeta në vend të huaj i detyronte shqiptarët të njihnin e të respektonin rregulla e ligje të reja, më të mira se ato të sunduesit osman. Kështu, vitet e kurbetit shërbenin dhe si shkollë për zhvillimin shoqëror e psikologjik të emigrantëve. Amerika (SHBA), si vendi me i zhvilluar ekonomikisht dhe me ligje më demokratike, u bë shkolla më e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë; së pari, për shkak të kushteve ekonomike e politike më të mira, dhe së dyti, sepse këtu punuan në dhjetëvjetshat e parë të shek. XX-të disa intelektualë brilantë si Sotir Peci, Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konica, Kostë Çekrezi, Kristo Dako, Mihal Grameno, etj, të cilët me punën e tyre i dhanë kolonisë shqiptare një organizim dhe frymëmarrje atdhetare të nivelit më të lartë.
Shoqëria Panshqiptare VATRA bashkë me gazetën Dielli dhe Kishat Shqiptare luajtë një rol të madh për ndërgjegjësimin e emigrantëve shqiptarë për rolin që ata duhej të luanin lidhur me fatet e atdheut, të shoqërisë dhe të familjes së tyre.
Im atë quhej Ligor, por në familje dhe në shoqëri i thërrisnin shkurt Goni. Ai u lind ne korrik të vitit 1894 në Trebickë, një fshat malor i Korçës. Në moshën 6-vjeçare ai mbeti jetim. Babai i tij gjatë punës si murator për ndërtim shtëpish në qytetin Kavallë (sot Greqia Veri-Lindore) mori plevit dhe vdiq. Në atë qytet e varrosën. Në prill të vitit 1910 pa i mbushur të 16 vjetët Goni u nis për kurbet bashkë me disa kushërinj të parë. Nga Trebicka deri te Lëndina e lotëve në Korçë e përcolli nëna e tij e cila e kishte djalë të vetëm. Rruga u bë me kuaj nga Korça në Manastir dhe prej atje me tren deri në Hamburg të Gjermanisë. Në Hamburgut këta emigrantë u sistemuan në “qilarët” e një vapori dhe në fund të muajit maj zbritën ne State Island ku, mbasi i kontrolluan mos kishin ndonjë sëmundje ngjitëse, i pajisvn me nga një dokument dhe dolën nga zyrat e doganës. U takuan me kushëririn që kishte dalë për t’i pritur dhe shkuan me tren së bashku në Boston. Goni me kushërinjtë pas disa ditësh shkuan në Concord N.H. ku filluan punë, por dimri i ashpër i detyroi të shkonin vitin tjeter në Seatle Wa. në breg të Oqeanit Paqësor, ku binte vetëm shi, por jo borë. Aty punoi në punë të ndryshme. Shumë vjet punoi në një fonderi çeliku. Në fillim të shatatorit të vitit 1920, kushërinjtë që ishin më të mëdhenj në moshë, e morrën me vete dhe filluan rrugën e kthimit. Në fillim shkuan në Boston, ku morën pasaportat shqiptare prej komisarit (konsullit) Kostë Cekrezi që ua dërgoi sipas porosisë që kishin bërë në Washington D. C. Me vapor shkuan deri në Napoli, prej aty në Bari e nga Bari me një anije më të vogël u hodhën në Vlorë.
Nga Vlora shkaun me kamion në Leskovik, Ersekë dhe më 13 nëntor 1920 mbërritën në Korçë. Aty kishte shkuar për të banuar nëna e tij me gjithë fisin e saj sepse fshatrat e zonës së Vakëfeve, pra dhe Trebickën, i kishin djegur dy herë andartët grekë më 1914 dhe 1916. Në qytetin e Korçës ai u martua me një vajzë me origjinë nga Trebicka, e cila quhej Meropi, bija e Josif Dokos, edhe ai ish emigrant i Amerikës. Nga kjo martesë u lindën nëntë fëmijë, por jetuan vetëm dy djem e dy vajza: Pandora, Viktori, unë dhe motra e vogël Margarita.
Si bir i këtij emigranti kam përjetuar shumë fakte që dëshmojnë se emigrantët që ktheheshin nga SHBA, sillnin në atdhe kulturë të re jetese, qëndrim të ri ndaj punës, respekt më të madh ndaj ligjeve të shtetit dhe sjellje më të qytetëruar.
Puna e ndershme nuk është turp
Shqiptari i padalë nga atdheu ka pasur dhe ende ka një psikologji provinciale, ka dëshirë të mburret se është dikushi, se është i rëndësishëm, se kryen punë jo të rëndomta, etj. Në Korçë mbas kthimit të shumë emigrantëve nga Amerika ra në sy se këta njerëz nuk gënjenin kur i pyesje për punët që kishin bërë në kubet, se ata nuk e konsideronin asnjë lloj pune të ulët, të papëlqyeshme, kur ajo ishte punë e ndershme. Për ta çdo lloj pune ishte nder, sado e rëndë ose e thjeshtë a e ulët të qe ajo. Edhe gjatë viteve të diktaturës komuniste, për këta ish emigrantë ishte e huaj ajo shprehja që kishte lindur në Shkodër A e ndihmove dopak rrogën sot?, me të cilën shkodranët maskonin vjedhjen që i bënin pasurisë së shtetit.
Kështu im atë, pasi kishte punuar në vitet 1910-1920 në SHBA në shumë lloj punësh si punëtor fabrikash, furnizues peshku, pastrues, shitës, llustraxhi këpucësh, etj, kur u kthye në Korçë nuk e kishte për turp që të kryente çdo lloj pune si punë private mbas orarit të punës shtetërore. Kjo ishte mënyra e tij për të ndihmuar sado pak rrogën e vogël që merrte nga puna shtetërore si murator për mirëmbajtjen e Parkut të Automjeteve. Kur nuk e kërkonte kush për të ndërruar ndonje çati, për të ndërtuar ndonjë avlli, ose për të bërë ndonjë riparim, që ai e quante meremetim, delte nëpër qytet dhe po të shikonte se tjegullat e ndonjë çatie kishin luajtur vendit, ose muri i avllisë së ndonjë shtëpie private kishte bërë bark, trokiste te porta dhe pasi takonte të zotin e shtëpisë i propozonte për ta ndërruar çatinë, për ta rindërtuar murrin, etj.
Në Parkun e Automjeteve, bashkë me xha Gonin (kështu e quanim në familje baba Ligorin) punonte dhe një marangoz i cili me sharrën elektrike krijonte pluhur druri (tallash) gjatë çarrjes së dërrasave. Im atë me lejën e marangozit mbushte herë pas here nga një thes me tallash që e përdornim në shtëpi për të ngrohur bashkë me drutë që merrnim me triskë. Sasia e druve që na jepej me triskë nuk mjaftonte për të kaluar dimrin, ndërkohë familja jonë nuk kishte të ardhura që të blinte dru te fshatarët, të cilët i shisnin shtrenjt. E kishim bërë si regull që thesin me tallash, xha Goni ta shpinte nga puna e tij te shtëpia e një kushëriri në të hyrë të qytetit, karshi stadjumit të sotëm, kurse unë shkoja në mbrëmje e merrja thesin me një karrocë dore dhe duke ecur nëpër rrugët e Korçës e sillja në shtëpi.
Edhe pasi doli në pension im atë, për të ndihmuar pensionin e vogël, përpiqej të gjente punë të ndryshme private. Më kujtohetse një ditë fundgushti e vitit 1961, kur sa do filloja maturën, mamaja më dërgoi t’i shpija drekën babait tek një shtëpi afër qendrës së qytetit. Kur arrita atje pashë se babai nuk po punonte sipër çatisë si zakonisht, por jashtë shtëpisë, në rrugë. Kishte hapur kanalin e ujrave të zeza që ishte bllokuar nga shtypja e një kamjoni të rëndë. Unë e kisha vajzën e asaj familjeje shoqe klase. Më erdhi turp që xha Goni po punonte atë ditë një punë fare të rëndomtë, punë që kishte mbushur ambjentin me erë të keqe. Sa herë i shpija drekën, unë tregoja interes për punën që ai bënte, madje shpesh rrija dhe e ndihmoja. Ai shkoi te çezma e oborrit, lau duart dy tri herë me sapun deri lart te brryli u ul dhe hëngri bukë me orreks si zakonisht.
Atë ditë, gjatë kohës që ai hëngri drekën, unë nuk shkova te vendi i punës, ndënja kokulur pranë tij dhe sa mbaroi së ngrëni, futa në çantë enët, picetën e lugën dhe i a mbatha drejt e në shtëpi.
Në mbrëmje babai më pyeti:
-Pate turp ti se unë punova për të pastruar kanalin?
Unë si i turpëruar ula kokën dhe nuk u përgjigja. Ai vijoi:
-Puna e ndershme nuk është turp. Turp është të vjedhësh, të lypësh, të mos punosh, të mos i sigurosh familjes të ardhurat e nevojshme.
Unë për t’u justifikuar shtova:
-Po tani nuk jemi aq keq, Viktori u kthye nga Moska dhe po punon në Kinostudjo. Për Margaritën (motra e vogël e cila ishte nxënëse në shkollën e mesme mjekësore me gjysëm burse) ti nuk do paguash gjë se e paguan Viktori 1000 lekë në muaj. Pandora është mësuese dhe i jep mamasë 3000-3500 lekë për muaj. Prandaj mos puno punë të tilla, merru vetëm me çatitë dhe avllitë.
–Çdo punë e ndershme është Nder mor bir. Puna e ndershme nuk turpëron asnjeri.
Kur po shkonim një herë bashkë për të punuar te një shtëpi, rrugës ai pa dy gozhdë të shtrembëra e të ndryshkura, u shkëput prej meje, shkoi i mori, i shkundi nga pluhuri dhe i futi në xhep. Kur erdhi tek unë, i thashë:
-Bota do thonë se ti mbledh plehra.
-Unë shikoj të bëj punën time dhe nuk më intereson ç’ mendojnë e ç’ thonë bota, më sqaroi babai. Një gozhdë për zanatin tim është mjet pune, nuk është plehrë. Vjen puna që mund të mbetem majë çatisë edhe për një gozhdë. Të mos ulem për tokë për ta marrë një gozhdër, për mua ështe kapadaillëk e unë nuk jam kapadai.
Mos gënje. Gënjeshtra është mëkat.
Jeta nën diktaturën e rëndë komuniste kultivoi tek ne një mbyllje goje edhe kur e shikonim se po shtrembërohej e vërteta. Mirëpo ish emigrantët e Amerikës e kishin të vështirë të mbyllnin gojën kur shikonin se po shkelej e vërteta. Janë të njohura rastet kur Sejfulla Malëshova e Skënder Luarasi, intelektualë të formuar në Amerikë e Gjermani, ngriheshin në mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për të mbrojtur të vërtetën, demokracinë, gjë që u kushtoi atyre shumë shtrenjt.
Këtu dua të përmend një rast se si im atë nguli këmbë për të mos gënjyer edhe pse e vërteta dëmtonte një mundësi fitimi për të.
Në tetor të vitit 1961, xha Goni kishte mbushur moshën 66 vjet dhe qendra e punës vendosi ta nxirrte në pension, ndonëse ai kishte pak vite në punë shtetërore. Ai kishte punuar gjithsej në punë shteti 16 vjet. Ai kërkoi ta mbanin dhe një vit në punë sepse mbas një viti unë mbaroja shkollën e mesme, por nuk ia morrën parasysh kërkesën. Atëhere shkoi te zyrat e Sigurimeve Shoqërore. Nëpunësi i zyrës ishte një i njohuri i tij, ia llogariti vitet e punës dhe i tha se pensioni do t’i delte vetëm 2.600 lekë të asaj kohe, pastaj shtoi:
–Ti xha Goni ke gruan shtëpijake pa pension dhe dy fëmijë ende nxënës në shkolla të mesme, prandaj unë do të t’i shtoj disa vjet pune shtetërore nga koha e Mbretërisë dhe nga koha e pushtimit fashis. Do të ta regulloj që pensioni të arrijë të paktën 3.000 lekë.
–Jo, jo, iu përgjigj xha Goni, nuk mund ta vjedh governën. Ato katërqind lekë shtesë do t’i kem harram. Më jep pensionin që më përket, pa fëmijët kanë fatin e tyre.
Kështu doli në pension ky ish emigrant me pension të vogël dhe vijoi të përpiqej që të punonte nga pak privat, si pa rënë në sy, duke ndërruar çatitë e duke ndrequr avllitë e qytetit për të jetuar me hallall e nder. Gënjeshtra për të ishte mëkat i madh, sidomos gënjeshtra ndaj shtetit, të cilën e quante vjedhje.
Emigrantët e pëlqenin punën vullnetare të papaguar
Në Korçë dhe disa fshatra përreth ka çezma, rrugë e objekte të tjera të ndërtuara me punë vullnetare të disa ish emigrantëve a bijve të tyre. Në Drenovë, Mborje, Boboshticë, Dardhë e deri në Treskë e Trebickën e largët janë edhe sot rrugë të shtruara me gurë dhe çezma të krijuara më shumë me punë vullnetare sesa me pagesë, prej ish-vatranëve të riatdhesuar.
Në kodrat rreth e rrotull Korçës dhe në faqen e malit të Shëndëllisë kanë mbetur si kujtime të bukura disa çezma të bëra me punë vullnetare prej hidraulikut (çezmaxhiut) Mati Luke Stoja, biri i një vatrani nga Trebicka, kushëri i tim eti.
Në mëhallën e Shën Triadhës më 1973, si kudo filloi puna vulnetare për ndërtimin e shtëpive me punë vullnetare të papaguar. U mblodhën ustallarët e mëhallës, burra pensionistë me në krye usta Lonin, djalin e Vasil Thanas Trebickës, nipi i babait tim, Pano Vodica, Guri Qirici, Rako Niçka dhe im atë, të gjithë ish emigrantë ose bij emigrantësh. Disa burra e djem të rinj bënin naze e mungonin shpesh herë, kurse këta pleq, pa bërë naze, pa u ankuar për moshat e tyre rreth të 80-tave, iu futën punës dhe ndërtuan dy pallate aty mbi rrugën Jorgji Shtika, pallate që janë dhe sot.
Kur shkoj në Korçë, bëj nga një vizitë te komshinjtë e vjetër dhe kaloj posaçërisht anës atyre pallateve, i shoh me mall, më duket sikur shoh tim atë dhe nipin e tij, sikur llafosem me ta dhe me ustallarët e mëhallës që i njihja…
Kafshën mos e rrih, ajo të kupton, foli.
Një të djelë dimri të viteve 1961-1962, kur isha maturant, babai e unë zbritëm në qilarin e shtëpisë. E kishim zakon, që në dimër prisnim drutë me sharrë sepse ato i shiste shteti të gjata e soba nuk i merrte. Kur u lodhëm, gjatë pushimit desha t’i shprehja babait dashuri e respekt për të, për trajtimin e mirë që më kishte bërë, ndaj i thashë:
-Baba, disa shokë më kanë thënë se i rrahin baballarët kur gabojnë, kurse ti nuk më ke rrahur kurrë, ndonëse dhe unë kam gabuar. Për ty druri nuk ka dëlë nga xheneti?
-Kur isha atje qoftë (kështu i thoshte ai Amerikës), filloi të më sqaronte, shita dhe unë ca kohë banane me një karrocë që e tërhiqte kali. Mirëpo një ditë kali ishte lodhur dhe ndaloi. Donte të çlodhej, a të pinte ujë. Unë i rashë me kamzhik, që të ecte. Një polic, që u ndodh atje pranë, më pa dhe u sul drejt meje. Më gjobiti e më tha:
-Nuk lejohet të rrahësh kalin. Kafsha të kupton, foli dhe mos e godit.
-Kur në Amerikë, mor bir, më gjobitën se godita një kalë, si mund të godas unë pjellën time? Tha ai dhe shtoi: Ata që rrahin fëmijët duhen shpënë në Amerikë që të edukohen, se goditja e fëmijës atje dënohet jo me gjobë, po me burg.
Merru me punët e tua, mos u merr me punët e botës.
Ish emigrantët e kthyer nga Amerika binin në sy dhe për mungesën e një zakoni, prej të cilit vuanin shumë shqiptarët e padalë nga atdheu. Këta, sidomos gratë, merreshin shumë me thashetheme, gojosnin e komentonin punët e të tjerëve. Të tilla thashetheme për ta ishin si ushqim shpirtëror. Kurse ish emigrantët nuk tregonin asnjë interes se me se merrej ky ose ai, si e sa e kishte blerë këtë ose atë gjë, etj.
Një herë, erdhi e Vangjelit, komshia jonë, dhe si pa të keq, pasi i dha mamasë sime plackën që i kishte marrë hua, nuk u largua, po filloi të tregonte se kishte parë Andonin, komshiun përkarshi, me dy torba, njërën me mollë e tjetrën me zarzavate. Pas kësaj shtoi:
-Infermjerët kanë zanat të mirë. Ja Andoni u bën gjëlpëra të sëmurëve nëpër shtëpitë e tyre dhe merr shpërblim, herë lek, herë prodhime në natyrë.
-Po mëso të bësh gjëlpëra dhe ti moj e Vangjelit që të fitosh si Andoni. Pse rri në shtëpi, kursi për infermjerë është i hapur, i tha im atë dhe si për t’i thënë mjaft, shtoi:
-Merru me punët e tua, mos u merr me punët e botës.Kështu na e nguli ai në kokë mesimin qe te mos merreshim me punet e te tjereve, po te merreshim me punet tona.
Nostalgji për Amerikën.
Ishte e natyrshme që ish vatranët, pasi kishin jetuar shumë vite të rinisë së tyre në SHBA, gjatë viteve të diktaturës, të manifestonin një nostalgji për vendin ku kishin kaluar vitet më të bukura të jetës së tyre, për atë vend ku kishin punuar rëndë por ishin paguar mirë, për atë vend ku kishin shijuar lirinë dhe bollekun. Këtë ata nuk përpiqeshin ta fshehnin. Të djelave, sidomos gjatë dimrit, kur nuk kishin punë, sejcili vishte rrobat që kishte sjellë nga Amerika dhe shkonte për vizitë te shokët, ose në ndonjë klub. Sejcili e kishte nga një pallto gube e disa kostume të leshta me ngjyra të ëmbla, kafe, blu, bezhë dhe me pantallona të ngushta. Vinin në xhepat e jelekut orët e florinjta të xhepit me qostek, ngjeshnin në kokë ato kapellat republikë dhe unazat e florinjta në gishta. Mbathnin këpucët me majë dhe delnin nëpër qytet, sikur donin të sfidonin diktaturën e politikën e partisë që kërkonte t’i vishte qytetarët me rroba e kapela doku.
Kur fillonin të pinin kafet, më i moshuari fillonte urimin:
–Hajde, e me një paqe dhe u hapshin udhët!
-Amin, përgjigjeshin të tjerët.
Një ditë e pyeta tim atë: more po ne jemi në paqe, çfarë paqe uroni ju?
-Paqe i themi asaj të kohës së Zogut, kur një kapter policie të jepte passaportën me të cilën mund të shkoje për vizitë në Jugosllavi, Greqi, Itali, dhe për në Amerikë mund të aplikoje llotarinë…
Me atë urim ata tregonin se nuk pajtoheshin me ndarjen e botës në dy kampe armiqësore, me izolimin e Shqipërisë…
Ndjesë paçin vatranët e vjetër, që i dhanë familjeve të tyre një mendësi të re e na edukuan me dashuri për punën, me respekt për ligjin. Me dashuri ndaj punës dhe respekt ndaj ligjit e edukuan popullin shqiptar të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Sërbisë gjithë ata shqiptarë që shkuan e u kthyen nga emigracioni në Gjermani, Zvicër, Belgikë, SHBA e kudo gjatë kohës së Jugosllavisë së Titos.
Sot, kur fenomeni i emigracionit është bërë dukuri mbarëkombëtare, kam shpresë se kudo ku ka emigrantë shqiptarë po zhvillohet ai procesi i ndërgjegjësimit më të madh ndaj punës dhe ligjit, si ndodhte dikur me emigrantët tanë, modelet e qytetarisë moderne.