
Analizë nga Rafael Floqi/
Alaska — Presidenti Donald Trump tha se ai dhe Vladimir Putin nuk arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë pas takimit të së premtes ,— pavarësisht se me Putin tha se kishin arritur në “një mirëkuptim” — ndërsa të dy udhëheqësit ofruan detaje të pakta mbi atë ç’ ka u diskutua, ndërsa lëvduan njëri-tjetrin. Takimi nisi me një duartrokitje të ngrohtë dhe një udhëtim të shkurtër me limuzinën presidenciale, një pritje e pazakontë për një kundërshtar që ka nisur luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga viti 1945.
Gjatë përshëndetjes, Putin buzëqeshi dhe tregoi mbi kokë, ku fluturonin avionët B-2 dhe F-22, ndërsa gazetarët e afërt i kërkonin të ndalonte sulmet ndaj civilëve. Trump dhe Putin ndanë limuzinën presidenciale “The Beast” drejt vendtakimit për diskutime të mbyllura me këshilltarët e tyre kryesorë. Ky nivel i afërsisë, i pazakontë për një armik historik, ngriti shqetësime tek liderët evropianë dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, të cilët u përjashtuan nga bisedimet. Në komente të shkurtra, ndërsa ndanë një skenë pas takimit për rreth 2 orë e gjysmë në Alaska, Putin tha se ai dhe Trump kishin arritur një “mirëkuptim” për Ukrainën dhe e paralajmëroi Evropën të mos “e pengonte përparimin e sapoardhur”. Por Trump më pas tha: “Nuk ka marrëveshje, derisa të ketë një marrëveshje” dhe tha se planifikonte të fliste së shpejti me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë, dhe NATO-n për t’i informuar ata mbi diskutimet.
Një takim jashtëzakonisht produktiv, por…
“Patëm një takim jashtëzakonisht produktiv dhe u ra dakord për shumë pika,” tha Trump. “Dhe kanë mbetur vetëm pak. Disa nuk janë aq të rëndësishme. Njëra është ndoshta më e rëndësishmja, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur atje.” Por ai vazhdoi: “Nuk arritëm dot atje.” Samiti i profilit të lartë përfundoi pa një marrëveshje për t’i dhënë fund, ose edhe për të ndaluar, konfliktin brutal – luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga viti 1945 – e cila ka vazhduar për më shumë se tre vjet. Të dy pritej të mbanin një konferencë të përbashkët për shtyp 30 minuta, por në vend të kësaj morën pjesë duke dhënë komente të shkurtra me radhë. Putini qe i pari dhe pastaj Trumpi, por të dy u larguan pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Kjo tregon se ende ka shumë gjëra për të cilat s’është rënë dakord.
A është samiti një fitore për Putinin?
Vetëm kthimi në SHBA për herë të parë në një dekadë ishte një fitore për Putinin, të cilin SHBA-të dhe pjesa më e madhe e botës kishin kohë që përpiqeshin ta izolonin. Marrëveshja për të ardhur në Alaska për t’u takuar me Trumpin gjithashtu bllokoi sanksionet ekonomike që Trump kishte premtuar nëse Moska nuk do të punonte më shumë për t’i dhënë fund luftimeve.
Rezultati mund t’i sillte dobi edhe udhëheqësit të Rusisë, pasi e premtja mund të çojë thjesht në më shumë takime në të ardhmen. Forcat e Rusisë janë të mëdha po bëjnë progres të drejtë në fushën e betejës, dhe më shumë diskutime me Trump u japin atyre më shumë kohë për ta mbajtur atë, duke shmangur sanksionet. Putin falënderoi Trump për tonin “miqësor” të bisedës së tyre dhe tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të “kthejnë faqen dhe të kthehen në bashkëpunim”.
Ai e vlerësoi Trumpin me një fjalim flirtues, si dikë që “ka një ide të qartë për atë që dëshiron të arrijë dhe sinqerisht kujdeset për prosperitetin e vendit të tij, dhe në të njëjtën kohë tregon mirëkuptim se Rusia ka interesat e veta kombëtare”. “Pres që marrëveshjet e sotme të bëhen një pikë referimi jo vetëm për zgjidhjen e problemit ukrainas, por gjithashtu do të shënojnë fillimin e rivendosjes së marrëdhënieve të biznesit dhe pragmatike midis Rusisë dhe SHBA-së”, tha Putin.
Trump përfundoi fjalimin e tij duke falënderuar Putinin dhe duke thënë: “do të flasim me ju shumë shpejt dhe ndoshta do t’ju shohim përsëri shumë shpejt”. Kur Putin buzëqeshi dhe ofroi: “herën tjetër në Moskë”, Trump tha “kjo është interesante” dhe tha se mund të përballet me kritika, por “mund ta shihja që mund të ndodhte”. Kjo deklaratë tregon se një takim tre palësh me tok me Zelenskyn është ende larg.
Takimi trepalësh ende larg
Aleatët e Trump e portretizuan presidentin e SHBA-së si një negociator të aftë për t’i dhënë fund konfliktit, një pretendim për të cilin Trump është mburrur prej kohësh se mund ta arrijë shpejt. Ai paralajmëroi se do të kishte “pasoja shumë të rënda” nëse Putin refuzonte të ndalonte luftën. Për Putinin, samiti ofroi një mundësi për të negociuar kushte që mund të siguronin fitimet territoriale të Rusisë, të bllokonin ambiciet e Ukrainës për në NATO dhe të rivendosnin ndikimin e Moskës mbi Kievin.
Synimet SHBA-Rusi: Putin kërkoi që Ukraina të lëshonte territoret e aneksuara nga Rusia në vitin 2022, të njihte zyrtarisht Krimenë si ruse, të hiqte dorë nga anëtarësimi në NATO, të zvogëlonte forcat e saj të armatosura dhe ta bënte rusishten një gjuhë zyrtare së bashku me gjuhën ukrainase. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili nuk ishte i ftuar, ka këmbëngulur që çdo marrëveshje paqeje duhet të marrë miratimin e popullit të tij dhe të përfshijë garanci të forta sigurie.
Zelenskyy publikoi një video ku shprehu shpresën për një pozicion të fortë nga SHBA-ja dhe theksoi gatishmërinë e Ukrainës për të bashkëpunuar në përfundimin e luftës. Ai paralajmëroi se lufta vazhdon për shkak se nuk ka sinjale nga Moska për përgatitje për t’i dhënë fund. Përjashtimi i Ukrainës e mungesa e Zelenskyy përfaqëson një pengesë për politikën e Perëndimit “asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”. Trump sugjeroi një takim të mundshëm trepalësh në të ardhmen në Alaska me Zelenskyy, megjithëse Rusia nuk është pajtuar.
Trump tha se do ta informonte Zelenskyy-n, udhëheqësit evropianë dhe partnerët e NATO-s rreth diskutimeve, duke përshkruar “disa përparime të mëdha” me “shumë pika të dakorduara” dhe vetëm “shumë pak” të pazgjidhura. Putin deklaroi gjithashtu se nuk do të kishte pasur luftë në Ukrainë nëse Trump do të kishte qenë president në vitin 2022, duke kritikuar në mënyrë implicite Joe Biden pa e përmendur atë dhe duke i krehur sedrën Trumpit.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Putin e quajti Trumpin një “fqinj të dashur” dhe tha se bisedimet u zhvilluan në një “atmosferë konstruktive dhe me respekt të ndërsjellë”, duke theksuar afërsinë e SHBA-së dhe Rusisë si fuqi fqinje. Ai e përshkroi takimin si “shumë të plotë dhe të dobishëm” dhe theksoi kontaktin e drejtpërdrejtë personal midis dy udhëheqësve.
Rreziqet kryesore mbeten
Ndërsa samiti përfaqësonte një dialog të rrallë të drejtpërdrejtë midis Trumpit dhe Putinit, rreziqet kryesore mbeten. Duke pritur Putinin në tokën amerikane, Trump i jep udhëheqësit rus një formë vlefshmërie pas viteve të izolimit ndërkombëtar, megjithatë dallimet e rëndësishme midis qëndrimeve të Moskës dhe Kievit e bëjnë çdo zgjidhje të menjëhershme të pasigurt. Takimi u zhvillua në Bazën Elmendorf-Richardson pranë Anchorage dhe përfshin takimin e dy presidentëve si dhe delegacionet përkatëse. Alaskë, e njohur historikisht si vijë fronte gjatë Luftës së Ftohtë për mbrojtjen raketore dhe inteligjencën, simbolizon një vend ku Lindja takon Perëndimin, duke e bërë vendin një zgjedhje domethënëse për një samit mbi Ukrainën.
Pse takimi u mbajt në Alaskë
Alaska ka një lidhje historike me Rusinë: ajo ishte pjesë e perandorisë së carëve deri në 1867, kur Cari Aleksandër II e shiti për 7.2 milion dollarë SHBA-së. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Alaska u bë objekt nostalgjie dhe shaka për rusët, dhe simbolika e saj si vend për samit rreth Ukrainës shihet si e fuqishme dhe ironike.
Samiti për Trump ishte një mundësi për të treguar aftësitë e tij si negociator dhe paqebërës, duke u paraqitur si dikush që mund të ndërmjetësojë përfundimin e konflikteve. Për Putinin, takimi ishte një mundësi për të konsoliduar fitoret e Rusisë, për të penguar aspiratat e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n dhe për ta afruar Ukrainën në orbitën ruse.
Takimi ndryshoi pak nga plani fillestar, duke përfshirë këshilltarët e politikës së jashtme të të dy liderëve: Marco Rubio dhe Steve Witkoff për Trump, dhe Sergey Lavrov dhe Yuri Ushakov për Putinin. Ky ndryshim tregoi një qasje më të kujdesshme nga administrata amerikane, në dallim nga samiti privat në Helsinki në 2018.
Takimi u zhvillua me një sfond “Alaska – Pursuing Peace” dhe pritet një konferencë për shtyp pas diskutimeve të mbyllura. Alaska, e ndarë nga Rusia vetëm nga 5 kilometra në pikën më të afërt, ka një rëndësi strategjike historike dhe moderne, duke vazhduar të monitorojë aktivitetet ajrore ruse.
Shanset për sukses ende mbeten të paqarta
Shanset për sukses mbeten të paqarta, edhe pse në diplomaci shumë gjëra nuk deklarohen, pasi Rusia dhe Ukraina kanë kërkesa shumë të ndryshme për paqen. Putin ka refuzuar një armëpushim të përkohshëm, duke e lidhur atë me ndalimin e furnizimeve perëndimore me armë dhe ngrirjen e mobilizimit ukrainas – kushte që Kievi dhe aleatët perëndimorë i refuzojnë. Trump theksoi se do të kërkojë një armëpushim të menjëhershëm dhe një marrëveshje të gjerë paqësore, edhe pse dyshon për mundësinë e saj.
Ai gjithashtu përmendi mundësinë e garancive sigurie për Ukrainën, por jo në formën e anëtarësimit në NATO, të cilën Putini e kundërshton fuqishëm. Gjenerali i NATO-s Alexus Grynkewich ishte gjithashtu në Alaska për këshillim ushtarak, duke mbështetur qasjen e fortë të Trump ndaj Putinit.
Në ditët në vijim pritet të dalin detaje të tjera pasi siç thoshte Isaac Goldberg – “Diplomacia është të bësh dhe të thuash gjërat më të këqija në mënyrën më të mirë.” Të presim që erërat e paqes dhe të arsyes të fryjnë por gjer tani “ Ala S’ka paqe!” Takimi vjen ndërsa lufta ka shkaktuar humbje të mëdha dhe ka shteruar resurset e të dyja palëve. Ukraina ka mbajtur qëndrim më të fortë se sa pritej pas pushtimit të shkurtër të shkurtit 2022, por lufta vazhdon intensivisht përgjatë një fronte mbi 1,000 kilometra.