NGA QAZIM SHEHU/
Enver Memishaj gjithnje e me teper po dëshmon se puna përkushtuese, studimi hulumtimi dhe nxjerrja nga harresa e fakteve te mbuluara prej historiografisë së vjetër , jo vetëm është një moto e tij, pasion vullnet, por edhe nje detyre qytetare ,atdhetare, e cila kerkon kembëngulje skrupolizitet dhe lodhje.Pas librit të suksesshem për Ahmet Lepenicën ku ai vendosi raporte të reja njohje për Luftën e Vlorës,1920, dhe përmbysi larg çdo tendence ideologjike disa mite te sajuara prej komunizmit,Enveri vjen me një libër të ri :”Prefektet e Vlorës”.Botimi i autorit në këtë fushë, plotëson një boshësi njohjeje, dhe sjell duke shtruar nevojën e konfirmimit të vlerave të atyre personaliteteve të cilët e u gjendën në krye të njësive administrative të shtetit shqiptar në kohë të qeta dhe të vrullshme, për të dhënë ndihmeën e tyre në sendërtimin dhe përhapjen e ligjit në shtresa të popullsisë.
Nganjëherë historia e shtetit shqiptar kapet në kulmet e saj dhe figura të cilat janë vendosur në të, vetëm duke shikuar nivelet më të larta dhe harrohet se historia është më e gjërë, më verikale dhe ka nevojë të njihet e të kompletohet në krejt tablonë e saj.Një studiues serioz niset nga parime të veçanta nga metodologjia e kërkimit dhe ballafaqimit , pa fshehur gjë.Autori ka bërë një kombinim të shkëlqyer të jetës së këtyre figurave me fatet historike të kombit shqiptar,pra, ai e ka parë atë në dritën e fakteve dhe ngjarjeve historike të kombit dhe sidomos të Qarkut të Vlorës, një Qark i rëndësishëm ku është prodhuar histori e lavdishme në sendërtimin dramatik të shtetit shqiptar e ku tendencat e shteteve shoviniste kanë vërshuar gjithnjë drejt tij për sabotimin dhe prishjen e imazhit të shtetit tonë, por, dihet se popullsia patriote e kësaj treve i ktheu këto tendenca drejt shpërbërjes së tyre.
Vlora si një bastion i shqiptarizmës nuk mund të kuptohet edhe pa punën dhe përkushtimin e këtyre shtetarëve të cilët me mundësitë e shtetit shqiptar u munduan dhe ia arritën jo vetëm të shtrijnë ligjitn në indet e shoqërisë, pavarësisht rrethanave dramatike në kthesa të shpresave të mëdha ,por edhe të faktorizojnë një frymë shtetformuese me shembullin e tyre.Enver Memishaj e merr historinë e këtyre prefekteve që nga viti 1912 e deri më 1992.Nga viti 1947 deri më 1994 ky institucion i Ligjit u zevendësua me sekretarët e parë të partisë së punës,një institucion i diktaturës komuniste që ndërpreu traditën e shtetformimit duke e zevendësuar me partinë shtet.
Një pjesë e mirë e këtyre prefekteve u pushkatuan nga komunistët ,vetëm e vetëm se kishin shërbyer në regjimin e kaluar dhe kishin mbrojtur ligjin. Ishte një prirje e fuqishme e mendësisë dhe propagandës komuniste që të gogolizonin çdo gjë nga e kaluara e cila binte ndesh me traditën e ligjit dhe që vetiu sfumonte ideologjinë dhe urdhërin e pambështetur në ligj.Kjo propogandë i paraqeste prefektet si shërbëtorë të një fryme të vjetër antipopullore, kur në të vërtetë sekretarët e parë dhe kryetarët e komiteteve ishin ata që ishin vënë nëpër rrethe për të drejtuar jetën në frymën e ideologjisë së partisë dhe të urdhërave famëkeqe që merreshin nga zyrat e sigurimit.Duke lexuar me kujdes jetën e këtyre burrave të shquar si Refo Çapari, Osmën Haxhiu,Qazim Kokoshi,bindesh për kontributin e tyre të çmuar dhe për lartësimin e figurës së tyre në dritën e fakteve historike dhe lexuesi e bën krahasimin vetë, ndërsa e shikon sesi çdo baltosje propogandistike e komunizmit vjen një moment dhe hiqet dhe llumi i kësaj balte shkon vetiu tek hedhësit e saj.Duke përshkuar jetën e tyre autori na bind sesi ata punuan me përkushtim në këtë instancë të nderuar të shtetit shqiptar duke pranuar sakrificat e kohrave të vështira nëpër të cilat kalonte vetiu gjithë shteti shqiptar për shkak të turbulencave që sollën dy luftrat botrore e pastaj prej vetëpushtimit komunist.Ti shërbesh shtetit tënd me një devocion ligjor të admirueshëm dhe të presësh prej tij ndëshkimin e pamerituar kjo ndodhi vetëm në Shqipërinë komuniste, ku nga 30 prefektët që shërbyen në vitet 1912-1944, shumica pati një fat të hidhur,dy prej tyre u burgosën, shtatë u internuan nga fashistët dhe komunistët,u pushkatuan gjashtë prefektë,vdiqën në burgjet komuniste tre.”Drama e tyre mori përmasat e dramës kombëtare”, do thotë autori për ta, ndërsa më vjen në mendje thënia e gjeniut Mitrush Kuteli:”Duaje atdhenë edhe kur të vret”.
Kjo thënie nuk mund t`u shkojë më tepër për shtat veçse këtyre burrave të shquar të kombit shqiptar që mbrojtën ligjin, pavarësisht regjimeve, sistemeve dhe pushtimeve të herëpashershme që kaloi vendi jonë në atë kohë.Autori shpreh admirimin dhe njëkohësisht obligimin e tij për këta burra të shtetit shqiptar, që ata të mos mbeten figura të harruara po që njëkohësisht përmes këtij libri të kuptohet roli i tyre e njëkohësisht të kuptohet se historia e shtetformimit është edhe një histori ku ata vunë një gur themeli të fortë duke e sjellë fytyrën e ligjit dhe drejtësisë në konture sa më reale dhe natyrale, pranë jetës së njerëzve e duke modeluar përmes përgatitjes, përkushtimit dhe forcës e kurajos morale sesi mund t`i shërbehet shtetit tënd në mënyrë që jeta e njerëzve të bëhet më e mire, më e kuptueshme dhe zhvillimi social ligjor të ecë në parametrat e duhura.Duke pasë parasysh se ligji devijohet sot, kur shoqëria shqiptare ka kaluar një shkallë dhe disa nivele të mira të emancipimit kulturor përmes kalimit të kohës dhe grumbullimit të përvojave dhe sitjes së tyre , po atëherë sa vështirë e kanë pasur këta prefektë ndërsa Shqipëria doli nga një traditë vakum prej perandorisë osmane dhe kur mentaliteti i shtetit armik injektonte një mentalitet mosbesues ndaj shtetit në tërësi.
Po nganjëherë punët e mëdha bëhen në rrethana tekanjoze dhe të papritura dhe gjenden njerëz adekuatë të përshtatshëm dhe kurajozë për t`i realizuar pikërisht këto punë dhe për të përshpejtuar proceset jo vetëm të njohjeve ligjore po edhe të zbatimit të tyre.Në këtë kuptim libri i Enver Memishajt sjell një informacion të plotë dhe të bollshëm, ku duket se autori është mbështetur në një dokunentacion të sugjeruar e të verifikuar pa lënë të shpëtojë gjë ,gjithnë konform të vërteave të cilat duke u nxjerrë nga harresa marrin një vlerë të re ,pikërisht sot kur duhet të ndihesh krenarë për punën e këtyre njerëzve në mbrothësimin e mbarëvajtjes së punëve të shtetit shqiptar përmes ligjit dhe garancive që jep zbatimi i tij.Duhet thënë se trazirat e jashtme politike alternoheshin shumë herë me ato të brendshme që merrnin nganjëherë përmasa të frikshme për shkak të elementëve të indoktrinuar ose të vënë në prapaskenë nga dora e jashtme.Asnjëherë armiqtë e Shqipërisë nuk e kanë dashtë shtetndërtimin e etnisë shqiptare, për t`u justifikuar para botës me raprezaljet e tyre në popullsinë civile, pushtimet dhe orekset e tyre shoviniste janë paraprirë nga kjo propagandë dinake e cila zhvlerësonte aftësinë shtetformuesse të shqiptarëve dhe deridiku ia arrinte qëllimit.
Madje kjo teori vepron dhe sot. Kundër kësaj ngrihet lart modeli i shkëlqyer i këtyre burrave të mençuar që Enver Memishaj i zbërthen në libër , model që ndërtohet nga një punë vetmohuese në vënien e ligjit dhe kryerjen e punëve përmes tij ,larg çdo tendence korruptive apo shfrytëzimi të pushtetit për të realizuar qëllimet e tyre.Madje ka pasur edhe prefektë të cilët shkrinë pasurinë e tyre në dobi të Shqipërisë duke na e sjellë këtë pamje dhe gjest fisnik si një akt të lartë patriotizmi të pazhvlerësuar e që merr domethënie universlae në të gjitha kohrat.Kjo domethënie sillet si një akt i madh moral për të gjithë zyrtarët e shtetit të sotëm shqiptar, për të treguar patriotizëm të vërtetë modern, kur është fjala se vetëm ligji dhe zbatimi i tij nuk është vetëm një detyrë e atyre njerëzve që janë poshtë tyre, po së pari është një detyrë që u përket atyre që konsiderohen mbrojtës të ligjit në radhë të parë, dhe kjo më pas vazhdon duke u shtrirë në të gjitha indet e shoqërisë.Më lë mresë gjatë leximit se gjithë këta burrashtetarë, me ndonjë përjashtim vijnë nga një përvojë në administratat e huaja, po kur vihen në krye të punëve në Shqipëri këtë përvojë nuk e marrin si një plagjiaturë dhe ta aplikojnë motamo,veçse dinë ta infiltrojnë bukur në realitetet e reja, duke krijuar kështu traditën e administratës shqiptare, studimi i të cilës i kalon kufijtë e një shkrimi.Të pajisur me kulturë, dije, ata gjithashtu e njohin ligjin, po njëkohësisht dinë të shfrytëzojnë rrethanat të cilat favorizojnë zbatimin e tij për të treguar se çdo zbatim i ligjit është një inkurajim për një shoqëri më të qetë, më të kulturuar.Shumica e tyre vijnë nga familje me rrënjë në historinë e Shqipërisë, nga krahina të tjera dhe familjet e tyre kanë dëshmuar një aktivitet të ngjeshur patriotik në dobi të çështjes shqiptare në të gjitha kohrat.Kjo tregon se asgjë nuk krijohet as sajohet nga asgjëja, se familjet fisnike, ato që komunizmi u mundua t`i zhbënte duke i shpronësuar, dënuar dhe keqtrajtuar, janë ajo vlerë reale për të cilën duhet me u bindur se kjo vlerë ka qenë dhe mbetet një nder në historinë e Shqipërisë moderne.
Në librin e Enver Memishajt gjen një fluks informacioni të kontrolluar dhe sistemuar gjë e cila flet për punë të kujdesshme, dhe ky informacoion sa i hapur aq është edhe i ngjeshur ,duke dhënë gjërat më pikante të cilat japing portretin e prefekteve të Qarkut të Vlorës, të përbashkëtën e tyre që përcillet nga veprimtaria në dobi të shtetit, forcimin e rendit publik, ekonominë, sigurinë rajonale e përcjelljen e informacionit në qeveri në mënyrë të saktë e sa më dinjitoze.Memishaj vizaton portrete njerëzish të rëndësishëm me një gjuhë të thjeshtë ku argumenti ndodhet në rezonancë të plotë me faktin dhe ngjyresën lokale dhe kohore. Ky portretizim lakonik dhe me vlera nuk vizatohet pa njohur dhe pa pasur në dorë një lëndë të bollshme të cilën ai tashmë e zotëron.
Natyrisht kjo lëndë selektohet në dobi të ndriçimit të figurave të këtyre njerëzve të shquar të historisë së shtetformimit tonë nëpër kohëra të vështira dhe delikate atëhere kur vihej në provë jo vetëm struktura sociale, po gjithë historia e mbajtjes së shtetit në këmbë.Me një gjuhë të thjeshtë larg ndërlikimeve për të qenë sa më afër së vërtetës e njëkohësisht për ta shoshituar atë në përputhje me boshtin ideotematik të librit, autori ia ka arritur të shkruajë një libër sa njerëzor, aq edhe historik, duke zbërthyer në detaje historinë e rajonit të Vlorës për të kuptuar përmes saj edhe rrejdhat kombëtare dhe anasjelltas. Me këtë libër jo vetëm ndriçohet një pjesë e historisë kombëtare, përmes figurave të caktuara të saj, po njëkohësisht edhe plotësohet një vakum, e kjo është padyshim meritë e autorit, i cili, tashmë, në fushën e studimeve historike po lë gjurmët e veta, për të treguar se historia kombëtare ka ende faqe për të shfletuar, ka ende figura që duhen ngritur në këmbë dhe duhen vënë në vëmendje të lexuesit. Libri i Memishajt, pasqyron historinë e Vlorës si një trevë krenare me një rol përcaktues në historinë kombëtare, si një krahinë që u bëri ballë shovinizmave të kohrave, po edhe si një qytet, Mekë e patriotizmit, altar, aty ku duhet të falen shqiptarët sepse aty u ngrit flamuri, dhe sepse Vlora e meriton.