(Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow)
Fig.1 Profesorët Arshi Pipa dhe Ernest Koliqi
Kritika letrare shqiptare zë fill në Shek. XIX-të dhe babai i saj është padyshim Faik Konica me revistën “Albania”, për të cilën Ernest Koliqi do të shprehej në mënyrë brilante duke e cilësuar “si një palestër të vërtetë ideore kombëtare dhe një pasqyrë e të gjitha rrymave mendore e shoqërore.” Një shkollë e vërtetë kulturore në fakt, e cila jo vetëm që mblidhte rrotull saj gjithë shqiptarët por që u mësoi gjithashtu stilin evropian e të shkruarit, shijet fine letrare por edhe sesi ta shkruanin shqipen në mënyrë elegante.Aq sa Fan Noli me të drejtë pohonte: “Konica është kryelëvronjësi i gjuhës shqipe dhe Ne të gjithë jemi dishepujt e tij.”
Por nëse Konica qe gur-themeli i këtij tempulli, dy shtyllat e tij qëndrore janë pa diskutim Arshi Pipa dhe Ernest Koliqi. Me Pipën dhe Koliqin kritika letrare merr një tjetër kthesë.Ajo bëhet më selektive, më elitare dhe sigurisht edhe më cilësore, si në formë po ashtu edhe në përmbajtje.Të dy personalitetet në fjalë jo vetëm që e mbushin vakumin e kritikës letrare të kohës por gjithashtu ata e definojnë këtë kritikë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale.Kështu psh, Pipa në revistën “Shkëndia”(të themeluar nga Koliqi) por edhe “Kritika” (të themeluar nga vet ai), përmes artikujve të shkruar gjatë viteve 1940-1944 jo vetëm që do të merrej me shpalosjen e problemit të mungesës së kritikës letrare në vend (një problem të cilin e hasim fatkeqësisht edhe në ditët tona) por gjithashtu do ta përkufizonte esencialisht këtë fushë dhe rolin e domosdoshëm të kritikut si rishikues vleror.
Koliqi, po ashtu edhe Pipa duke e evidentuar mungesën e një historie të letërsisë shqipe iu vunë me mish e me shpirt punës për të nxjerr në pah përmes shkrimeve të tyre kontributet dhe vlerat ideore të një gjerdani shkrimtarësh duke nisur nga Fishta e Mjeda i madh, Konica e Noli, Migjeni e Kuteli, Çajupi e Asdreni, Ali Asllani, Lazër Shantoja e të tjerë me radhë. Në këtë kuptim, këta dy titanë bënë të mundur atë që një armatë e tërë rrogëtarësh qeveritarë nuk arrin ta bëj dot në ditët tona; e kthyen Shpirtin Kritik në Institucion dhe e ngritën kulturën e kritikës letrare në një nivel të papërfytyruar më parë. Revistat respektive “Shkëndia”(1940),“Kritika”(1944) dhe “Shêjzat” (1957) janë dëshmia më e mirë e pohimit të mësipërm.
Kritiku letrar gjigand Harold Bloom në një prej veprave të tij madhore dhe një pasazh në lidhje me rolin e kritikut kumton: “Tek kritikët më fin ne dëgjojmë thirrjen e fuqishme të Njeriut. Ata i thonë dikujt pse ka rëndësi të lexosh”.Pipa dhe Koliqi jo vetëm që e kryen me përgjegjësi të plotë këtë akt të lartë humanist duke na orientuar dhe drejtuar kah vlerat, letërsia dhe autorët më të mirë shqiptarë dhe arsyet pse duhet ti lexojmë por gjithashtu ata e mbushën dhe e pasuruan kulturalisht mjedisin tonë të varfër me vepra dhe autorë të shquar nga Letërsia Botërore (Klasikët, të Rilindjes Evropiane, ata të 900-tës por edhe Bashkëkohësit).Ata me përkthimet e tyre na shërbyen si vlerë-sjellës qytetërimor!
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme me Pipën dhe Koliqin, (këto dy miniera ideore që palo-studiuesit i shfrytëzojnë in extremis por pa ua cituar kurrë emrat dhe veprat në artikujt e tyre) do të ishte një nder dhe respekt për ta që Ministria e Kulturës të fillonte të ndante gjithashtu edhe çmimin e kritikës letrare “Pipa-Koliqi”.Jo se Pipa dhe Koliqi prej parrizit ku janë kanë vërtetë nevojë për tituj dhe lavde por ne pasardhësit e tyre kemi nevojë për modele dhë shëmbuj që përcjellin një IDEAL, një ideal që fatkeqësisht Postmoderniteti ynë i frikshëm i ka vënë kazmën për ta shëmbur.