Nuk mund të jetë i plotë portreti i Ernestit pa thënë dy fjalë për profilin e tij poetik. Nuk arriti, për arsye financiare, të botojë lirikat origjinale dhe të përkthyera nga poeti Italian hermetik Giuseppe Ungaretti. Mbeti, gjithashtu, në dorëshkrim përkthimi në spanjisht i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, të cilin ia pati dërguar shumë kohë më parë Akademisë së Shkencave për botim. Nuk dihet fati i këtij dorëshkrimi.
Një cikël lirikash të Perdodës u botuan në revistën “Phoenix”, viti 1999 /nr. 2. Këtu është shkruar se poezitë i takojnë: “Këngëve të para”, “Elegjive” dhe “Monologjeve”. Nuk kuptohet që nën këto tituj, a bëhët fjalë për përmbledhje poetike apor për cikle poezish.
Poezia e tij, të cilën kam pasur fatin ta njoh që gjatë kohës së krijimit të saj, dallohet për një bukuri të rrallë, ndjeshmëri e shije të hollë, figuracion të pasur, një akustikë imitative, ku spikat paja e fonetikës së gjuhës sonë, jetësuar në një strukturë harmonike të realizuar, më së shumti, në pak vargje.
Veç motiveve të lirikës intime e të natyrës, poezia e Perdodës karakterizohet për dhuntinë e artë të shqetësimit intelektual për atë që po ndodhte me atdheun e popullin tonë, duke e pasqyruar atë në situata e detaje konkrete dhe duke njëmendësuar mesazhe fisnike të qarta, të cilat shpesh kalojnë në intonime revoltuese.
Intelektualëve shkodranë antikomunistë dhe sidomos dashamirëve të poezisë së vërtetë i bie detyra fisnike e mbledhjes dhe e botimit të poezive të Ernesit, dhe ndoshta edhe të ndonjë dorëshkrimi të ndonjë natyre tjetër.
Po bie këtu poezitë e botuara në revistën “Phoenix”, që u botua në Shkodër në vitet 1997 – 2003, me drejtor Dom Ndoc Nogaj dhe kryeredaktor Dr. Romeo Gurakuqi dhe disa përkthime nga Ungaretti.
Nga kangët e para:
Mengjez
U dogjen andrrat
Në dritë të trendafiltë
Edhe njiherë po lidhi
Fillin e këputur t’mendimit.
Nji nyje tjetër nji tjetër ditë.
Erë
Furishem shkon
N’per fletë
Fershllon
Fishkllon
E tretë.
Prelud
Këtë natë
(Ndërsa për rreth
Gjithkund m’pergjanë
Me flokun tand qi l’moj,)
Yjet e qiellit tim
Un pa u kujtue zbuloj
Kur ti çel e mbyll sytë.
Asgja pa dashuri
Nanës
N’kujtimin tand
Vadita lulet
Qi mbijetuen mbas teje :
Porse asnji prej tyne
Nuk çeli ma.
Ato kërkonin
Frymën e dashnisë
Që unë s’ua dhashë.
Nga “Monologjet’
Subkonsh
Andrrat më rrokullisin
Nder kambë të Trogloditit
Që më shikon e m’perqesh.
(Atje ku nisem shtegun
E nepër shekuj rryeshem
Shtrijmë krah’t per t’rrokun yjet . . .
E diellin që na zgjon)
Por gazi i njeiut t’shpellës
Ende m’ushton ndër veshë
E më trondit.
Nga “Elegjitë”
Brymë e gjak
(Dhjetor 1944)
Shumë gjethe ranë që atë vjeshtë
E prap po bien,
Porse kujtimin
Qoftë edhe nji i vetem e pert’rinë
E bahet brymë e gjak.
(Dhe ja ti vjen pers’ri
E ashtu si ban kjo erë,
Mbi gjurmët që la dhuna
Hedh prap nji dorë me gjethe
E qan mbi supin tim
Si bane at’herë.)
Ato nuk duken ma,
As edhe ti;
Kurse trishtimi
Prap endet në k’to rrugë,
Me mue
dhe gjethet
që bien.
(Pa titull)
Me kot pergjon tashma nga kumbonaret
Tingujt që malli zgjon n’kujtesën tande
Kumbon’t gjimuen kur ranë per t’fundit herë
Mbi tokën e dhunuar.
Agimet zbardhin pa meloditë e ambla
Që joshnin nga qielli sytë e veshtrimin,
tash jetën tande veç heshtja rrethon.
(Variant)
Me kot pergjon tashma nga kumbonaret
Tingujt që malli zgjon n’kujtesën tande
Kumbon’t gjimuen kur ranë per t’fundit herë
Mbi tokën e dhunuar.
Mengjezet zbardhin pa meloditë e ambla
Që joshnin nga qielli sytë e veshtrimin,
dhe muzgjet sjellin me vete trishtimin
e dit’ve tua pa t’ardhme.
tash jetën tande veç heshtja rrethon.
Flakët që sollën errësinën
(Prill 1946)
Ngado që shkoj, më ndjek me hije të saj
Kjo Kullë e gurtë që m’josh e më largon:
N’rrenojat e kujtesës.
Ende luhaten flakët;
Por kangët e Alkeut
(Që deshe ma teper se mue)
Nuk m’bien ndër mend tashma.
Me hijet e asaj nate,
Nji tjeter Omar Khattab*
Rendi mbas dit’ve tona
Të zymta,
Të ftohta
Si gurët e k’saj kulle,
Ku nga frengjitë
Ajo pak dritë që hyn
Veç larva mendimi sajon.
E dashtun
Ndoshta këtë mbramje Prilli
Krrokatja e korbit mbi Kullë
T’kujton dhe ty
Çka humbem pergjithmonë.
*Në vitin 640 Omar I (Abu Hafsa ibn al Khattab) dogji bibliotekën e Aleksandrisë, një nga ma të mëdhatë e asaj kohe. Trembëdhjetë shekuj ma vonë me urdhen të diktatorit E. Hoxha u grumbulluan tek “Kulla e Inglizit” (që për nji kohë të shkurtë sherbeu si sallë leximi), fondet e të gjitha bibliotekave të qytetit të Shkodrës, pësuan të njajtin fat.
Perkthime nga Giuseppe Ungaretti
Këshndellat
Nuk kam dëshirë
T’i futem
Lamshit
T’ udhve.
E ndjej
T’dermuem
Vetveten.
Më leni kshtu
Porsi një
Çakël
Të hedhun
M’një qoshe e
T’harrueme.
Këtu
Nuk u ndienka
Tjetër
Veç afshit të ngrohtë.
Kam
Ndejë bri votre
Me katër
Fjolla tym
Që laradashën.
(Napoli, 26 dhetuer 1916).
*
E ndihem i tretun
M’nji puthje
Që m’shkrinë
E më qetson.
Qiell i kthiellët
Po tretë
Kjo mjergull
E një
Nga një
Ja ku po dalin
Hyjet.
Po thithi
Freskun
Që ma dikon
E kthillta ngjyrë
E qiellit
E shof që jam
Një qenje
Kalimtare
Rrëmbye m’një valle
T’perjetshme.
(Pylli i Kiuton, korrik 1918).
Shtëpia ime
Çudi
Sa dashuninë
E ruejtkam prap per ty
E pra kujtova se e kam shpuplue
Nëpër botë.
Mall
At’herë
Kur nata biret
Teksa pa dalë pranvera
E rrallë
Ndokush kalon
Mbështillet mbi Parisin
Një ngjyrë e mbyllët
Vaji
Nga skaji
I urës
Kundroj
Të pakufishmen heshtje
T’njaj vajze
Së bjerrun.
Të kqijat
Tona
Shkrijnë
E si të tretun
Mbesim.
(Lokvica, 28. 09. 1916).
Agoni
Me vdekë sikur laureshat e etuna
N’mirazhë
Apor si shkurtat
T’ kaluemen detin
Ndër t’parat çufrra
Kur ma s’i kande të fluturojë
Por mos të rrosh me ankime
Si ‘j gardalinë
Hyje
Rishtas po digjen atje siper prrallat
Do t’bijnë me t’paren erë sikurse gjethet
Por t’vijë një tjetër frymë,
Një vezullim i ri ka per t’u kthye.
Ndeshkim
I mbyllun mes sendesh së vdekshme
(Një ditë edhe hyjet do t’shuhen)
Pse digjen për Zotin?
(Mariano 29. VI. 1916).
Kotsi
Papritmas
Naltohet
Përmbi gërmadhat
E pastërta
Habi
E pambarimit
E njeri
Germuçun
Mbi ujin
E ndritun
Nga dielli
Kujtohet
Se asht hije
Që l’kundet e
Thehet
Ngadalë.
(Valone, 19 gusht 1917)
Ushtarë
Qëndrojmë
Si gjethet
Ndër pemt
E vjeshtës.
(Pylli Kurton, Korrik 1918).
Heshtje e hyllzueme
E pemt e nata
Nuk po lëvizin ma
Përvecse çerdhesh.
(1932).
Ironi
Po ndiej pranverën ndër gemat e mërdhitun
N’ket orë mund t’endesh lirshëm, tue bredhë
Përmes shtëpive, i zhytun ndër mendime.
N’ket kohë janë mbyllë dritaret, por
Ky trishtim shëngjergjash ma treti gjumin.
N’ mëngjez, një tis i blerë do njomëzojë kso pemësh,
Q’ ende të thame qenë kur erdhi nata.
Zotynë nuk rrin pushue.
Vetëm në ket orë, ndoj andërrtari t’rrallë
I bjen me vuejt duke ia ndjehun veprën.
Sonte, ndonse asht prill, n’qytet bjen borë.
Asnjana dhunë s’ia dalka asaj që dan
E ftohtë
Dhe e heshtun.
Shpërfytyrim
Jam
P’shtetun për kapën
E barit të zverdhun
Një duhëm e athët
Livron e çlirohet
Prej brazdash pjellore
Kujtohem mirfilli
Q’u linda prej bujqësh.
E ndihem ndër sytë
(Që ndjekin të vemendshem
Ndryshimet e motit)
E njerit të rudhun
Si l’vorja e mandit që kinë.
E ndihem
Ndër f’tyra fmijnore
Si molla të kuqe
Si gjaku
Mes pem’ve cipllake
Si reja
Kullohem
Në diell
E ndihem i tretun
M’një puthje
Që m’shkrinë
E më qetëson.
*Perkthye nga Ernest Perdoda pa pretendime artistike, por qartë. (Shënim i Ernestit.)
Përgatiti për botim Anton Cefa
Ridgewood, New Jersey, 8 qershor 2016.
I nderuem Prof.Anton Çefa!
Sa mirë që ke sjellë në vemendje të lexuesit letrar një nga letrarët, përkthyesit tashmë të ndjerit Ernest Perdoda! Unë e kam ditë se asht një studjues, posedonte bibliotek me vlerë. E njoha edhe si mjeshtër elektriçist në repartin e Avolzhimit të Elektromotorave,transformatorve etj si njeri shum korrekt me qytetarin. Përdoda u angazhue me urtsi e inteligjenc pas 1992 në politikë me shum suksesë edhe pse pati shumë pengesa nga vetë subjekti ku drejtoi me nder e perkushtim demokratik. Një njeri ekselent.
Unë i lexova lirikat e Tij të shprehun botën e tij, individualitetin e tij, zymtsinë e kohës që kishte mpi Mendimin dhe levizjen e Nervit Poetik. Aty nuk gjen veshje konformizmi me kohën që i kompozoi. Në shqipërimet tij asht ma shum kozmosi i tij, pra i ka ba me folë në shqip, tuj e naltsue krijimtarin poetike të hueja. Fisnikria e juej ban që të kujtohen e të njihen poetët e panjohun në diktaturë dhe të nenvleftsuem pas-diktaturës! Mbetesh shpirti i Liris Fjalës Poetike!
Falemnerës!