
Eugjen Merlika/
Mbas dorëzimit të Shkodrës malazezve figura e Esat Pashës merr një rëndësi të veçantë në jetën politike. Njeri me një formim të pakët kulturor, por me nuhatje politike të fuqishme, pa shumë skrupuj por me një ambicje të pasosur në veprimtarinë politike, me marrëdhënie të ndryshme në qarqet e huaja, Esat Pashë Toptani lakmonte të vihej në krye të Shtetit shqiptar. Në vjeshtën e vitit 1913 ai fillon një sulm të fuqishëm kundër Ismail Qemalit dhe Qeverisë së Vlorës për të ndryshuar selinë e Qeverisë. Në letrën që Xhemal Belegu i dërgoi M. Krujës, që mban datën 21 shtator 1913, flitet për një meting të organizuar në Durrës nga përkrahës të Esad Pashës, për të krijuar idenë se populli nuk e do më Qeverinë e Vlorës. Ishte preludi i shpalljes që, tri javë më vonë, Pretorija (Pleqësia) e Durrësit do t’i drejtonte shqiptarëve për t’a kandiduar Esad Pashë Toptanin në krye të një qeverie të Shqipërisë së mesme. Ndërmjet organizuesve të kësaj lëvizjeje politike kishte intelektualë të shquar si Faik Konica e Mitat Frashëri, veprimtarë të hershëm atdhetarë e publiçistë si Dervish Hima apo Menduh Zavalani, njerëz t’afërt t’Esadit si Hamit be Toptani apo Fazil Pasha, aventurierë politikë si Basri beg Dibra et. Motivet e kësaj kundërvënieje ndaj I. Qemalit dhe Qeverisë së Vlorës janë të shumta e të ndryshme. Mbas më shumë se njëqind vitesh të këtyre ngjarjeve historiografia shqiptare nuk na jep ende një shpjegim të mirëfilltë shkencor të këtij çasti historik. Teksti i Historisë është i mbushur me interpretime “marksiste” të ngjarjeve, të paraqitura në mënyrë të sipërfaqëshme, pa asnjë objektivitet shkencor, duke anashkaluar ngjarje e personazhe që, më vonë, komunizmi do t’u ngjiste etiketën e “tradhëtisë” e të “tradhëtarit”. Vëllimi i tretë i “Historia e popullit shqiptar” as që e përmend fare këtë dokument që dëshmon për atë çarje në politikën shqiptare.
Shqipëria e 1913-ës ishte një mozaik qendrash, ndikimesh, mendësish, figurash e forcash politike. Në këtë mozaik ishin të natyrshme zilitë e shemëritë që, herë herë, arrinin në kundërshti të fuqishme. Kjo ishte ana njerëzore, vetiake e marrëdhënieve mes pjesëmarrësve që shpesh kapërthehej e ndikonte edhe veprimet në arenën politike. Gjëndja e jashtzakonshme në të cilën ndodhej Shqipëria me ushtritë e fqinjëve ballkanikë në trojet e saj, me një pozitë shumë të dobët në planin ndërkombëtar, me institucione të vjetra, të trashëguara nga Turqia, me njerëz t’administratës të mendësisë otomane, probleme të theksuara ekonomike e të infrastrukturës, me ndikime e prirje të ndryshme në drejtim të shteteve t’Evropës nuk i jepte askujt “shkopin magjik” të sistemimit të problemeve, që donin kohën e tyre të domosdoshme të viheshin në rrugën e zgjidhjes.
Më duket me vënd të sjell këtu disa nga argumentat që themeluesit e “Pretorisë së Durrësit” shpalosnin në shpalljen e tyre në gjuhën turke. Shpallja fillon me një pohim të prerë mbi Qeverinë e Vlorës: “Shrregullimin qi ka shkaktue Qeveria e Përkohëshme e Vlorës në vênd , paligjsít dhe paudhsít e saj i din mbarë Evropa…..”[1]Nuk merret vesh se si gjithë Evropa ishte vënë në dijeni të “paudhësive” të Qeverisë që, në më pak se një vit ekzistence, nuk kishte patur kohë të merrej me problemet e panumurta të rëndësishme të Vendit, mbasi çështja e përcaktimit të kufinjve ishte ajo që mbizotëronte n’atë çast politik. Megjithatë autorët e Shpalljes së 13 tetorit 1913, të parët ushtrues të “dialektikës” shtetërore shqiptare, shtrojnë në tryezë arsyet e kundërshtisë së tyre.
“Në shërbim të sigurimit janë shtí në punë shumë laro e gjaksorë….”
“Nëpunsit nuk janë zgjedhun prej njerëzve të ndershëm e t’aftë dhe aqë sa ka qênë nevoja, por janë mbajtun në vênd zyrtarët e vjetër të regjimit turk….”
“Nji qeverí e përkohshme s’ka të drejtë e kompetencë me dhânë konçesione….”
“Qeveria e Vlorës po të kishte marrë para sŷsh psikologjinë e popullit shqiptar duhej t’a kishte kuptue se lumnia dhe bashkimi i tij nuk mund të sigurohej veçse me nji princ në krye… Por asnji hap s’ka bâmë deri tash ke Fuqít e Mëdha për zgjedhjen e dërgimin e mbretit. Kjo provon se i pëlqen gjêndja kaotike e soçme qi të mundet kështu me sundue vetë si t’i dojë qejfi….
Ky popull ka bâmë shumë metingje për me protestue kundra Ismail-Kemal Beut për këto veprime e shpërdorime qi kanë për qëllim me çue në vênd lakmít vetiake e me sigurue interesat e veçanta të tia….”
“Sikur t’ishim përpara nji qeverie të rregullt e të kishim nji parlament, sigurisht njerzit e saj do t’ishin marrë në gjyq dhe vêndet e tyne do t’i kishin zânë ata qi t’i meritojshin për zotsí e aftí….”
Parsija e intelektualët e Shqipnís së mesme, dmth. të Durrsit, …. të Krús, të Tiranës, të Peqinit e të Mates me rrethet e tyne, qi gjinden ndërmjet ujit të Mates e lumit të Shkumbinit, tue pamë se vetëm me pushkë mund të rrëzohej nji qeveri qi përbuz pa tjetër e pa diftue asnji shkak e arsye dëshirat e kërkesat e popullit, por tue mendue edhe se gjaku qi do të derdhej kishte për të shkaktue nji dasí të përjetëshme e n’anë tjetër tue mos pasun as jetën e vet të sigurtë me këtë qeveri, u mblodhën në Kuvênd dhe simbas traditave t’ona kombtare zgjodhën nji krye e nji pleqsí për me matarue punët e popullit…”[2]
Është i habitshëm fakti që një dokument i tillë, që përmban një padi kaq të fuqishme kundër së parës qeveri të të parit shtet të pavarur, të mos jetë i pranishëm në tekstet e historisë zyrtare të tetëdhjetë viteve të fundit. I parë sot në hapësirë kohe më shumë se një shekulli, mendoj se është shumë i vyer për të kuptuar ecurinë e ngjarjeve dhe problemeve të kombit tonë fill mbas Shpalljes së Pavarësisë.
Ka gjithshka n’atë dokument: shqetësim për mënyrën si u ngjiz shteti i ri, për mungesën e meritokracisë në rradhët e kuadrove themelues, për praktika që quheshin të paligjëshme e zotime për të mos njohur asnjë vendim t’asaj qeverie, për kritika t’ashpra sa i përket strategjisë së përcaktimit të kryetarit të Shtetit, madje padi për përfshirje në strukturat e shtetit të elementëve kriminalë…. Ka kaluar më shumë se një qindvjetor e gjuha e politikës nuk ka ndryshuar aspak, por ka ardhur duke u trashur. Sikur vetëm gjysma e atyre padive t’ishin të vërteta, proçesi historik kundrejt Ismail Qemalit dhe bashkëpuntorëve të tij shpallës së Pavarësisë, do të kishte qënë i pamëshirshëm. Fakti që ai proçes nuk ka gjetur zbatim në historiografinë tonë tregon se shumica e atyre padive nuk kanë patur bazë të vërtetë.
Por ne sot, që e shohim të shkuarën tonë historike me syzet e nderimit e vlerësimit për një pjesë të mirë të veprimtarëve politikë t’atyre viteve, aq më tepër kur bëhet krahasimi i vetëvetishëm me kolegët e tyre të mbas vitit 1944, ai dokument duhet të na bëjë të përsiasim gjatë e thellë e ndoshta të rishohim në kah objektiv e kritik edhe opinionet tona. Duke mbajtur parasysh emrat e personaliteteve që qëndronin mbas shpalljes së “Pretorisë” e ndihmesën e tyre në jetën politike shqiptare të mëvonëshme, më duket se ka mjaft arsye për t’a parë me një farë mosbesimi të ligjshëm atë ndodhi në të gjithë dritë-hijet e saj.
Kemi të bëjmë me një ndarje dy pjesësh të klasës politike shqiptare, një dasi që ndodhte mbas më pak se një viti nga krijimi i Shtetit, në një kohë kur ish kryeministri i Sërbisë, Vlladan Djordjeviç, botonte në gjuhën e tij e në gjuhët më të njohura evropiane librin “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, ku mundohej të vërtetonte idenë se “Shqiptarët nuk ishin t’aftë të krijonin e të mbarështonin një shtet të qytetëruar….”, ide që dëmtonte shumë çështjen kombëtare në mjediset politike e intelektuale t’Evropës s’asaj kohe. Nëse do të kishte qënë vetëm Esat Pashë Toptani ideatori e frymëzuesi i atij dokumenti, do t’a kishim quajtur atë si një shprehje të lakmisë për pushtet e të arritjes tek ai nëpërmjet metodave demagogjike e populiste, pa përjashtuar as përdorimin e forcës. Por kur në fushën e tij e n’ujdi me të luanin personalitete intelektuale si Faik Konica e Mithat Frashëri, përpilues të dokumentit, na mbetet një hidhësirë në gojë, sepse përfytyrojmë një Vend e një popull që, në hapin e parë të ecjes së tij të pavarur, fillon të çalojë. Në vend që të gjente tek intelektualët e tij të paktë frymën e bashkëpunimit për interesat e Vendit, qoftë edhe nëpërmjet një dialektike të fortë e kundërshti pikëpamjesh, gjindemi përballë një dasije që nuk i sillte asgjë të mirë atdheut. Ky qëndrim përligjej me një mbledhje të disa përfaqësuesve të një pjese të Shqipërisë, në këtë rast të asaj të mesme, së cilës i bashkohen intelektualë të Jugut të saj e të Kosovës.
Ftillimet që përdoren, edhe se një pjesë t’arsyeshme, rrëshqasin në demagogji e në një gjuhë që na kujton atë të pasardhësve të tyre mbas tridhjetë vitesh. I parë në këtë këndvështrim, del më i qartë qëndrimi i gabuar i Mufid be Libohovës që, në mungesë të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, mori përsipër të hedhë poshtë propozimin e ardhur nga Tirana, pak muaj më parë. Sigurisht një Kuvend i ri i gjithë krahinave shqiptare do të kishte arritur në përfundime që do të kishin shmangur dasinë e madhe të klasës politike t’asaj kohe.
Shpallja e 13 tetorit 1913, që priret t’i hapë udhën një “principate” të Esad Pashës në Shqipërinë e mesme, duke vënë në pikëpyetje Shtetin e bashkuar, është një dokument që meriton një analizë të mprehtë e pa paragjykime. Pa hyrë në logjikën e vjetër e shterpë t’etiketimit bardh e zi të ngjarjeve e protagonistëve të tyre, studjuesit e sotëm duhet të thellohen në përmbajtjen e këtij dokumenti me objektivitetin e duhur, për të ndarë grurin nga egjra e për të përcaktuar shkencërisht cili ishte thelbi i kundërshtive, cilët ishin motivet e përgjegjësitë.
(Marrë nga vëllimi “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare)
[1] “Mustafa Kruja në historinë shqiptare” OMSCA 1, Tiranë 2012 Faqe 213
[2]Po aty, Faqe 213 – 214