TH I RR J E
Me rastin e festës së fillimit të punimeve të Kongresit të Manastirit nga 14-22 Nëntorit 1908, Shoqata Humanitare dhe Kulturore “Programi Unik Shqiptar” në Maqedoni i bënë kërkesë “Programit Unik Shqiptar” në SHBA, që të ndihmojë me ndihma për blerjen e rreth 9.000 Abetareve për nxënësit shqiptar në Maqedoni pasi ka disa vite që libri me emrin ABETARE është hequr pa të drejtë. Ky projekt bëhet me qëllim që edhe nxënësit e shkollave fillore në Maqedoni të mësojnë me Abetaren e njësuar, ashtu siç mësojnë nxënësit shqiptar në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Luginën e Preshevës dhe në Diasporë. Siç shihet vetëm vogëlushët shqiptar në Maqedoni janë përjashtuar për të mësuar me librin e dashur të Abetares, kjo jo për faj të ndarjes territoriale, por për faj të politikanëve të dobët shqiptar. Këta politikanë harrojnë se në Maqedoni u vendos Unifikimi i Alfabetit të Gjuhës shqipe me shkronja latine, prandaj është ofendim i rëndë që vetëm vogëlushëve shqiptarë në IJRM tu mohohet mësimi me Abetaren mbarëkombëtare. Pra sot si pasojë e politikës diskriminuese nxënësve shqiptar u mungon libri bashkë me termin Abetare e cila është simbol i sakrificës e shumë pishtarëve të arsimit.
Ne si PUSH, duke vërejtur se asnjë parti politike, asnjë deputet dhe ministër shqiptar në Maqedoni nuk po bëjnë përpjekje që Abetarja mbarëkombëtare të mësohet edhe nga nxënësit shqiptar në Maqedoni, atëherë PUSH do t’ju krijojë mundësinë që këta fëmijë ta kenë Abetaren dhuratë-falas.
Programi Unik Shqiptar do punojë që të gjithë nxënësve shqiptar në shtator të 2013 të kenë ABETAREN UNIKE në duart e tyre. Pra nuk do të lejojmë që disa fëmijë shqiptar të trajtohen me syrin e nënës dhe disa të tjerë me syrin e njerkës për faj të politikës vasale të pushtetarëve.
Ne shpresojmë se do të gjejmë mbështetje dhe mirëkuptim nga të gjithë shqiptarët kudo në botë pavarësisht nga idetë politike dhe besimit fetar që i përkasin. Kjo iniciativë nuk është politike, por Kombëtare, Kulturore dhe Humane.
Kryetar
Prof.Teuta Kamberi-Llalla