Dielli
Eva Qerimi, themeluesja e qendrës Prishtina Language Center, njëkohësisht edhe autorja e librave Gjuha Shqipe, niveli A1 & A 2, vizitoi Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ajo u shpreh shumë e emocionuar për këtë vizitë në selinë qëndrore të Vatrës dhe shumë krenare për rolin që Vatra dhe Dielli kanë luajtur në historinë e kombit shqiptar. Eva Qerimi u prit në Vatër nga Editori i Diellit Sokol Paja i cili i shpjegoi imtësisht rolin dhe etapat në të cilat ka kaluar Dielli dhe Vatra që nga krijimi e deri në ditët e sotme, sfidat me të cilat ndeshen përditë dhe synimet për Vatrën dhe Diellin e shekullit të 21-të. Eva Qerimi ka studiuar në Universitetin e Prishtinës për Gjuhë dhe Letërsi shqipe, në nivel universitar dhe pasuniversitar. Ajo drejton Qendren e Gjuhëve të huaja Prishtina Language Center ku ofron një program me dhjetë gjuhë të huaja, duke pasur fokusin më të madh gjuhën shqipe për të huajt që jetojnë e punojnë në Kosovë. Qendra me seli në Prishtinë, është themeluar në vitin 2012 dhe ka për qëllim kryesor promovimin e gjuhës shqipe në veçanti dhe kulturën shqiptare në përgjithesi. Mësimi ose përvetësimi i gjuhës shqipe ofrohet për të gjitha nivelet dhe për të gjitha grupmoshat. Interesimi më i madh vjen si nga të huajtë, ashtu edhe nga shqiptarë e diasporës, tregoi Eva Qerimi për Diellin e Vatrës. Së fundmi, bibliotekës së qendrës Prishtina Language Center, degës së shqipes, u janë shtuar edhe librat e rinj të gjuhës shqipe, niveli A 1 dhe A 2, pas të cilëve pritet të vijnë edhe dy nivelet e radhës, ato B1 dhe B2, shpjegoi Eva Qerimi gjatë vizitës së saj në Vatër. Ajo i dhuroi Bibliotekës së Vatrës 2 nga librat e saj të cilët mund të përdoren nga mësuesit dhe nxënësit e shkollave shqipe në diasporën shqiptare të Amerikës.