Nga Thanas L. Gjika-
Pjesë nga shkrimi portret-biografi kushtuar shkrimtarit Luan Rama)- Letërsia dhe artet shqiptare pas kapitullimit të regjimit diktatorial u ndodh në udhëkryq. Metoda e realizmit socialist për krijimin e veprave letrare dhe artistike doli nga moda si metodë e pavlefshme. Shkrimtarë, poetë, piktorë të dalë nga burgjet dhe kampet e internimit filluan të botonin krijimet e tyre nëpër gazetat e opozitës si “Rilindja Demokratike”, “Republika”, “Liria”, etj dhe në libra më vete, ku shpalosnin përmasat e krimit komunist. Urrejtja ndaj regjimit diktatorial u shtua dhe u bë më e ndërgjegjshme.
Shumë intelektualë të ndershëm e ndjenë për detyrë morale të përkrahnin të përndjekurit e ndërgjegjes, të cilët ishin dënuar padrejtësisht për bindjet e tyre ndryshe nga ato të regjimit komunist. Mirëpo shumica e krijuesve të veprave letrare e artistike të realizmit socialist të trembur se mos pësonin burgje dhe dënime si pësuan dikur kundërshtarët e partisë komuniste, u lidhën me Partinë Socialiste, vijuesen e PPSh-së, filluan të shanin me shkak e pa shkak çdo veprim të udhëheqjes së Partisë Demokratike, madje dhe të anëtarëve të thjeshtë të saj, u vunë gurë në rrota proceseve demokratike.
Mirëpo megjithëse u pranua se sistemi komunist dështoi dhe metoda e realizmit socialist ishte e pavlefshme, kur vinte puna që krijuesit e veprave socrealiste të pranonin faktin se me veprat e tyre i kishin shërbyer ideologjisë së gabuar të partisë shtet, se kishin deformuar të vërtetën historike, se kishin vrarë moralin e shëndoshë, pra se kishin bërë gabime dhe krime artistike, ata nuk e pranonin dhe nuk i kërkuan popullit të falur. Ngulën këmbë se i kishin shërbyer artit, se veprat e tyre pavarësisht nga disa gabime ideore kishin vlera artistike të përhershme. Të ngujuar në një pozicion të tillë ata nuk donin të vlerësonin krijimtarinë e të dënuarve të ndërgjegjes të krijuar në kushte ferri brenda burgjeve e kampeve të internimit. Ata e nënvlerësonin edhe krijimtarinë e re të tyre të pas ndërrimit të regjimit.
Ndryshe ndodhi me krijuesin Luan Rama, i cili këtë kthesë epokale të botës sonë e jetoi në Francë ku kryente detyrën e amabasadorit të Shqipërisë. Romani “Epistolari i Zaratës” dhe përmbledhja poetike “Porto-Palermo” janë dëshmi të forta artistike të evoluimit të tij ideor dhe artistik në të mirë të letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Të përkthesh “Ferrin” e Dantes për t’i mbijetuar ferrit të Zvërnecit
Në vitin 1998 u botuan letrat që Mark Ndoja, një intelektual i formuar para luftës në një universitet italian, i kishte dërguar bashkëshortes së tij nga kampi burg i Zvërnecit në vitet 1957-1958. Duke lexuar atë tufë letrash Rama shtoi njohuritë e tij mbi vuajtjet e të dënuarve politikë në burgjet e diktaturës komuniste. Iu ngacmua fantazia krijuese, sidomos nga fakti se ky i dënuar i kishte mbijetuar gjendjes së rëndë duke gjetur mbështetje e ngushëllim te puna krijuese, te përpjekjet për të përkthyer “Ferrin” e Dante Aligerit. Bashkëvuajtësit e tij ishin Kasëm Trebeshina, Tuk Jakova, Sallaku, Spiro Gjoka, Gjin Marku komandant Brigade, Xhavit Qesja komisar brigade, etj.
Në roman këta persona historikë rikrijohen si personazhë me emra të tjerë si Fredi, Xhafo ish-komandant i një brigade partizane, poeti Kamber, Sotiri, Aleksandri, etj. Krijohen ngjarje dhe një atmosferê e veçantë, meditime, dialogje, përshkrime dhe emocione nga fantazia e autorit, ngjeshur me metafora, kontraste, krahasime e një mori figurash letrare e sintaksore. Në formë letrash ai ngjizi romanin me titull “Epistolari i Zaratës”, ku trajtoi jetën e disa intelektualëve shqiptarë të dënuar politikë prej regjimit komunist. Për shkak të sëmundjeve ose paaftësive fizike këta të burgosur e kryenin dënimin e tyre jo në kampet e punës së detyruar, por në barakat e manastirit mesjetar të ishullit të vetmuar Zvërnec pranë Vlorës, që ishte kthyer në burg. Ishullit ia ndërroi emrin në Zarata. Romani u prit mirë, u përkthye dhe në gjuhë të huaja. Për të kanë shkruar kritikë të huaj për versionet në frëngjisht, anglisht e italisht, midis të cilëve po përmend recensionin profesional të studiueses Blerina Suta për botimin në italisht.
Do të përpiqem të sjell këtu një pjesë të pasurisë së madhe ideo-artistike që ngërthen kjo vepër, në dukje e vogël me 104 faqe, por që L. Rama me mjeshtërinë e tij krijuese ka ngjeshur ngjarje dhe emocione, me të cilët ka dënuar në shumë aspekte krimet e komunizmit dhe ka përgjithësuar formimin e lartë kulturor, talentin krijues dhe botëkuptimin human të të përndjekurve të ndërgjegjes.
Kompozicioni i veprës është i thjeshtë. Ai ndërtohet përmes riprodhimit të 13 letrave që personazhi kryesor, Fredi, një ish-mësus letërsie, ia dërgon Brunës, së dashurës së tij, e cila jetonte në Shkodër bashkë me nënën e tij të moshuar. Në këto letra jeta është riprodhuar në përputhje me të vërtetën historike, të cilën autori e pati përvetësuar përmes njohjes së drejtpërdrejtë të jetës, leximit të letrave konkrete të Mark Ndojës dhe të shumë materialeve të tjerë që pati fatin t’i lexonte gjatë jetës në Paris, në metropolin e kulturës europiane demokratike.
Subjektin e romanit autori e thurr përmes rrëfimit të ngjarjeve që u ndodhin të burgosurve në kampin burg, ngjarje që ai i riprodhon në letrat dhe intermexot e tyre. Secila letër mund të konsiderohet si kapitull i veprës, i cili përbëhet nga një hyrje me disa vargje nga poema “Ferri” e Dantes, nga teksti i vetë letrës dhe nga një shprehje latinisht që jepet në fund si mbyllje. Jashtë këtij subjekti janë parathënia, ku autori jep përshkrimin gjeografik të ishullit ku jetuan të dënuarit; dhe pasthënia ku autori jep disa sqarime rreth krijimit të veprës dhe fakte pas botimit të saj.
Në letrën e parë letërshkruesi, Fredi, prezanton bashkëvuajtësit e tij. Shumica e tyre kishin qenë luftëtarë kundër zgjedhave të huaja, ose partizanë komunistë, a intelektualë që ishin dënuar për ndonjë mendim ndryshe ndaj vijës politike të partisë. Përmes prezantimit të jetës dhe dënimit të secilit bashkëvuajtës shpaloset ideja: “Diktatura komuniste hante jo vetëm ata që mendonin ndryshe, por dhe bijtë e vet”. Në letrën e dytë tregohet se kampi burg kishte qenë manastir i vjetër kushtuar Shën Janit (Shën Gjonit të katolikëve), mirëpo në ditën e festës së këtij shenjti (ngjarjet ndodhin në vitet 1957-1958, pra para prishjes së institucioneve fetare dhe ndalimit të riteve fetare) oficeri roje lejoi të hynte në sallën e kishës vetëm priftin, por jo fshatarët dhe as të dënuarit. Fredi me shokët qëndruan te dera e sallës. Këta dëgjuan klithmën e priftit “Fali o Zot se s’ dijnë ç ‘ bëjnë!”, kur pa se fleta e rregullores ishte varur pranë derës së sallës e mbërthyer me një gozhdë që kishte shpuar syrin e shenjtit të pikturuar aty. Më tej të dënuarit, njerëz me besime të ndryshme fetare, dëgjuan me vëmendje predikimin: “Kush urren vëllain e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk di nga shkon sepse terri ia ka verbuar sytë”. Pas këtij psallm-mesazhi, tregohet se Fredit iu kujtua vepra e Rodenit “Porta e Ferrit”, frymëzuar prej “Ferrit” të Dantes. Këtë vepër madhështore të derdhur në hekur ai e kishte parë në Paris gjatë një vizite që kishte kryer kur ishte student universiteti. Portrete, krahë, gjymtyrë, sy që të trondisin kur i shikon, gojë të hapura që klithin, ngërç shpirtrash dhe trupash njerëzorë. Si Dante dhe Rodeni kishin treguar gjendjen tronditëse të shoqërisë njerëzore, ku dobësia e shpirtit të shtyn drejt krimit. Me të tilla rrëfime e meditime shpaloset ideja: “Diktatura komuniste me luftën kundër besimeve fetare po e vriste moralin tradicional dhe po e zhyste popullin në rrugën e errësrës”. Në letrën e tretë, Fredi i shkruan Brunës se ai e filloi përkthimin e veprës së Dantes me poemën “Parajsa” sepse ëndërronte që të bënin së bashku një jetë të bukur. Në kontrast me këtë ëndërr, rrëfimi kalon me digresion te procesi gjyqësor, kur gjykatësi injorant ia tundi Fredit fletët e daktilografura të përkthimit duke i thirrur: “Parajsën ke shtypur këtu, parajsën e borgjezisë, parajsa e vërtetë është parajsa që ndërton shteti ynë i diktaturës së proletariatit.”. Më tej sillen gjykime e meditime të heroit për poemën “Ferri” me përkthimin e së cilës po merrej në kushtet e rënda të burgut. Kalohet në kontrast me këto kushte te përshkrimi i vizitës që kishte bërë Fredi te shtëpia e Dantes në Firence, ku mësoi disa hollësi për dashurinë e tij me Beatriçen. Dashuria u kishte lindur që kur ai ishte 9 vjeç e ajo 8, por që nuk mundën të bashkoheshin kurrë sepse pushtetarët e dënuan atë me dëbim nga Firencja, ku s’mund të kthehej që të shihte të dashurën e tij. Fredi gjen rast t’i shprehë Brunës edhe një herë ndjenjat e tij të thella për të duke i shkruar se e donte po aq sa e donte Dantja Beatriçen, të cilën e përjetësoi në veprën e tij dhe sa e donte piktori Sandro Botiçeli Simonetën, fytyrën e së cilës e përjetësoi në një mori kryeveprash. Dashuria për Beatriçen dhe Firencen e fisnikëroi Danten dhe i dha fuqi të duronte vuajtjet e ekzilit, kurse imagjinatës së tij i dha forcë për të krijuar “Ferrin” me nëntë rrathët e tij ku vendosi njerëzit e pamoralshëm, kriminelët, kopracët e mëdhenj, tradhëtarët, heretikët, njerëzit e dhunës, fallxhorët, hajdutët dhe në rrethin e fundit vendosi Luçferrin që po hante Brutin dhe Kasin dy tradhëtarët e Jul Qezarit. Kurse Fredit dashuria për Brunën dhe Shkodrën i kishte dhënë forcë të duronte torturat në hetuesi dhe po i jepte forcë të kalonte vuajtjet fizike dhe mungesat e shumta në kampin-burg të errët e plot lagështi. Këto vuajtje përjetohen në ferrin real dhe jo në ferrin imagjinar të Dantes. Përmes të tilla përqasjeve transmetohet ideja: “Dashuria është ndjenja më e fortë njerëzore, ajo i fisnikëroi, i forcoi për të duruar vuajtjet dhe i frymëzoi intelektualët shqiptarë të dënuar prej regjimit diktatorial për të krijuar vepra letrare artistike, ashtu si fisnikëroi, forcoi e frymëzoi të internuarin Dante Aligeri”.
Shkrimtari L. Rama është i pajisur me një botë të pasur ndjenjash dhe aftësinë e shprehjes së tyre. Në roman ka shpesh shpërthime ndjenjash lirike edhe pse jeta e burgut është plot vuajtje: “E dashur Bruna, shkruaj emrin tënd dhe ndalem për disa çaste, sepse njëqind gjëra që dua të t’i them më vinë në mendje njëherësh. Atëherë mbyll sytë dhe nga errësira e plotë më vjen drita tënde, më vjen ti, ashtu siç nxitoje dikur kur vije drejt shtëpisë, me atë hapin tënd të lehtë si një flutur dhe me fustanin që të tundej në erë. Ngjisje shkallët me vrap dhe vije të më pushtoje. Nganjëherë, në ëndërr, edhe unë nxitoj kështu, duke ardhur me vrap, i lirë, drejt teje, por nuk arrij ta gjej figurën tënde, sytë e tu dhe nga kjo përplasje me errësirën zgjohem i trembur dhe pres kështu mëngjesin, pa mundur të flë sërrish. Dhe atëherë marr ‘Ferrin’ në duar dhe rilexoj…”- Me këto rreshta fillon letra e katër. Më tej Fredi i shkruan nuses se pas leximit e rileximit të kësaj vepre në kushtet e burgut, kuptoi se Dantja e vepra e tij qënkeshin tjetër, se kishin dimensione marramendëse, jo ashtu si i kishte menduar jashtë burgut. Pastaj kalohet te jeta brenda në burg ku tregon për fatin e dy bashkëvuajtësve të tij, Sotirit dhe Kamberit.
Sotiri ishte një djalosh që kishte studiuar në Itali për regjisurë, por që për shkak të luftës nuk mundi ta vinte në skenë punën e diplomës, një dramë të Pirandelos të cilën e kishte interpretuar dikur Aleksandër Moisi, e që pas lufte e kishin dënuar sepse tentoi të arratisej. Torturat pas dënimit e kishin tronditur mendërisht dhe në Zaratë ai niste të recitonte në italisht poezi të Leopardit apo ndonjë nga pjesët e dramës së diplomës së tij. Ushtarët nuk e duronin, në fillim talleshin dhe e përqeshnin, pastaj nisnin ta shkelmonin gjersa ai më në fund pushonte. Kurse Kamberi ishte një poet, me të cilin autori ka tipizuar Kasëm Trebeshinën e krijues të tjerë). Ky një ditë, i pushtuar nga frymëzimi u fsheh në një skaj të ishullit, por kur e gjetën e rrahën aq keq me shqelma fytyrës sa që i thyen nofullën dhe Fredi me shokët mezi e ushqenin me lëngje. Të tilla trajtime të të dënuarve i dhanë të kuptonte Fredit se jeta në burg nuk ishte ashtu si e kishte menduar kur ishte jashtë tij. Jeta e burgut e bëri Fredin të kuptonte dimensionet e vërteta të veprës së Dantes dhe dimensionet e vërteta të diktaturës së pamëshirshme komuniste. Ideja është e qartë: “Jeta plot vuajtje në burgjet e diktaturës shqiptare i mënçuroi të dënuarit politikë dhe i ndërgjegjësoi të kuptonin dimensionet e vërteta të kryeveprave botërore dhe të vetë jetës nën diktaturë”. Eshtë pikërisht ky ndërgjegjësim që e ndihmoi Fredin të sqaronte në letrën e pestë se përse vijonte punën cfilitëse për përkthimin e “Ferrit” kur i mungonte një fjalor i pasur i gjuhës shqipe, kur shokun pranë e mbyste kolla e i zihej fryma sa dukej se po vdiste, kur një nga shokët e tjerë mezi merrte frymë nga azma, kur shpesh i mungonin fletoret ku të shkruante dhe qirinjtë për ndricim dhe kur Bruna i lutej ta linte këtë punë: “E dashur Bruna! Përse më shkruaje që ta lë “Ferrin” dhe të mos merrem më me të? Ke frikë, apo do që mos të futem akoma më thellë në trishtimet dhe dhimbjet e kësaj bote? Jo, kjo vepër i duhet popullit tim. Ai duhet ta lexojë në gjuhën e tij që të njohë më mirë botën, vetveten, që të kërkojë gjithnjë dritën në udhën e tij, pa të cilën nuk mund të ringrihet…”. Po në letrën e pestë mësojmë gjendjen e rëndë financiare të Brunës, e cila, për të blerë ushqimet që do t’i dërgonte Fredit, kishte shitur fustanin e saj më të bukur, etj. Fredi i kalon ditët duke punuar e duke jetuar me kujtimet e Brunës; ai e nxjerr shpesh nga xhepi fotografinë e saj që ajo i pati dërguar, ngrihet e bën sikur po vallzon duke e mbajtur atë në krahët e tij, e lexon letrën e saj shumë herë sa ajo vjetërohet, etj. Me të tilla rrëfime nuk ka si të mos kuptosh se autori ka ngjizur idenë tjetër: “Intelektualët shqiptarë të dënuar nëpër burgje e kampe internimi gjatë diktaturës, pavarësisht nga kushtet e rënda, i ishin përkushtuar përkthimit të kryeveprave botërore si mision për të ndihmuar në ringritjen morale e shpirtërore të popullit shqiptar”.
Romancieri Rama është krijues me botëkuptim të gjerë shoqëror. Gjatë jetës së tij i ra rasti të njohë e të ketë shokë, miq e të afërt të familjes nga të dy krahët, komunistë të përkrahur të regjimit dhe të dënuar të atij regjimi. Edhe fakti që ai ka jetuar në Paris që nga marsi i vitit 1991 e në vijim, bashkë me leximet e shumta, kanë ndikuar që ai të njohë në thellësi botën mendore të të përndjekurve të ndërdërgjegjes dhe ta vlerësojë horizontin e tyre të gjerë kulturor dhe botëkuptimin e tyre human. Pikërisht këtij aspekti ai i ka kushtuar letrën e gjashtë, ku Fredi i shkruan Brunës për ndryshimet e jetës që po ndodhnin në Shqipëri, si tharrja e kënetave, shtrirja e arsimit nëpër fshatra, ngritja e fabrikave të reja, në njërën prej të cilave ishte punësuar dhe Bruna, etj. Ai shpreh gëzim për këto arritje dhe uron që edhe lufta e klasave të zbutej e të mos ndodhnin më arrestime e burgime për një fjalë goje, për gjendjen e pasur ekonomike, ose prejardhjen shoqërore. Ai nuk beson se ndryshimet ideore midis tij e Lazrit mund ta shpinin këtë në armiqësi e keqbërje, prandaj i lutet Brunës që të mbajë lidhjet me këtë shok edhe pse ai ishte familjarisht i lidhur me njerëz të pushtetit. Me këtë letër autori ka dashur të shprehë idenë socialpolitike: “Të përndjekurit e ndërgjegjes ishin njerëz të kulturuar e humanë, të çliruar nga ndenjat e urrejtjes e të hakmarrjes. Ata nuk i urrenin kundërshtarët e tyre ideorë dhe nuk i mohonin punët e mira të tyre”. Këtë ide e vërtetoi dhe jeta shqiptare pasi u ndërrua sistemi politik më 1991, kur të dënuarit e ndërgjegjes të liruar nga burgjet e kampet e internimit nuk u shprehën ndonjë kërkesë për revansh e hakmarrje. Secili u përpoq të sistemohej e të mbijetonte duke punuar e jo duke rëmbyer gjënë e pasurinë e të tjerëve. Fatkeqësisht ishin përsëri disa komunistë e sigurimsa që u vunë në shërbim të klanit Hoxha-Alia për realizimin e planit Katovica, të cilët u mobilizuan për të rimarrë pushtetin politik dhe ekonomik e pasi e rimorën vijuan të gjallëronin në kushtet e reja enverizmin, duke penguar krijimin e shtetit ligjor e duke krijuar oligarkinë me të cilën po përjetësojnë mbajtjen e pushtetit.
Problemi i botëkuptimit të të dënuarve vijon edhe në letrën e shtatë, ku Fredi tregon se gjatë ndihmës që filloi t’i jepte Stavrit në ditët e fundit të jetës së tij, këtij ish-komunisti idealist i dënuar, intelektual i formuar në Athinë me idetë e Platonit e të Sokratit. Ai respektonte Marksin, por shante stalinizmin. Fredi kuptoi se mendimet e tyre për lirinë e njeriut, të drejtën, pushtetin, për vlerësimin e popullit, për të ardhmen e Shqipërisë, etj ishin të afërta dhe tha me vete: “Po dhe unë si Stavri jam, si Stavri mendoj”. Kurse Stavri përmes një krahasimi të goditur formuloi mendimin e tij: “Ne të dy, më duket sikur jemi si dy krahët e një pëllumbi… Pëllumbi s’mund të fluturojë vetëm me një krah. Ne duhet t’i bashkojmë idealet tona për këtë tokë që ka shumë etje dhe uri.” Pikërisht ky mendim zbulon idenë e autorit: “Të përndjekurit e ndërgjegjes kishin bindje të ndryshme politike, por ata e donin njësoj popullin dhe nuk e përjashtonin njëri-tjetrin. Bashkëpunimi midis tyre do të ishte i mundshëm kur të vinte liria”. Luan Rama e vlerëson lart inteligjencën superiore të intelektualëve të dënuar prej diktaturës komuniste. Në letrën e tetë ai tregon se togeri e gjen Fredin duke shkruar letër, ia rrëmben atë dhe pa e lexuar, midis tyre zhvillohet dialogu: – “Shan qeverinë, hë?! Qeverinë që u dha tokat të varfërve! Qeverinë që ju mori florinjtë! Mirë ua bëmë”! – “Ç’ florinj”? – i thashë. – “Jeta jonë është aq e thjeshtë… Unë jam mësues zotëri”! – “Mos më thuaj zotëri”! – u nxeh ai, – “madje as shok mos më thuaj, sepse nuk mund të jesh shoku im. Unë jam armiku yt”! Togeri e grisi letrën, por Fredi e riprodhoi pa mundim sepse e kishte të shkruar në mendje. Ai i sqaron Brunës vuajtjet e Dantes që e kaloi gjithë jetën në mërgim i përndjekur dhe i dënuar me vdekje, që nuk u lejua të kthehej në atdheun e tij, në Firencen e lirisë e të gjenisë krijuese, Firencen e Beatriçes së tij. Dhe Fredi (pra L. Rama) sqaron: “Por atdheu i Dantes në të vërtetë u bë arti, letërsia, humanizmi”. E pikërisht këtu zbulohet dhe ideja e kësaj letre: “Intelektualët shqiptarë që u dënuan prej diktaturës komuniste, jeta e burgut (unë do të shtoja, ose jeta në arrati) u privoi atdheun, por ata me punën e tyre intelektuale e kapërcyen këtë mungesë duke bërë atdhe artin, letërsinë, humanizmin”.
Midis dëmeve morale që shkaktoi diktatura komuniste shqiptare ishte dhe shkatërrimi i shumë traditave të lashta të popullit tonë, tradita për të cilat atë e kishin vlerësuar popujt fqinjë dhe udhëtarë, konsuj e ambasadorë të huaj. Luan Rama ndalet te letra e nëntë për të treguar shkatërrimin e respektit të popullit tonë ndaj të vdekurit. Zonja Zeli, bashkëshortja e Stavrit nuk u njoftua të vinte për ta parë burrin e saj në ditët e fundit të jetës, madje organet e Sigurimit, si në gjithë burgjet shqiptare, nuk e njoftuan atë as për ta marrë e varrosur pranë familjes, por e hodhën dhe e mbuluan në një gropë pa vendosur asnjë shënjë. Sipas radhës së vizitës, Zeli mbërriti dy ditë mbas varrimit. Bashkëvuajtësit nuk mund t’ia thoshin drejtpërdrejt të vërtetën… Kur ajo e mësoi se ku ishte vendvarrimi shkoi u shtri mbi të dhe vajtoi derisa u mek si e vdekur. Në vijim Fredi shpërtheu: “… këta i varrosin të vdekurit në burgje dhe nuk ua kthejnë familjeve as t’i qajnë e t’i përcjellin për herë të fundit. Me ç’të drejtë kjo? A mund të mbahet i burgosur dhe një i vdekur? Kjo është çmenduri”! Ky shpërthim i Fredit shpreh idenë revoltuese të autorit: “Diktatura komuniste shqiptare ishte çnjerëzore me të gjallët dhe me të vdekurit”.
Karakteri çnjerëzor i rojeve të burgut zbërthehet edhe në letrën pasardhëse, tek e dhjeta, ku Fredi i shkruan së dashurës se të burgosurit ishin bërë miq me Gulin, një qen që u rrinte pranë dhe ua lehtësonte dhimbjet e vuajtjet. Mirëpo Guli u zhduk për ca kohë dhe kur u kthye solli me vete dhe një konkë, qenushe me të cilin luante dhe gëzonte veten dhe të burgosurit. Kur e pa këtë skenë gëzimi gardiani u pezmatua. U turr dhe e goditi Gulin fort. Gëzimi u prish, kafshët ikën të tmerruara dhe nuk u kthyen më. Autori për ta forcuar efektin e kësaj skene shtazarake, shfrytëzon kontrastin dhe tregon se Bruna pasi i lante e i thante rrobat e Fredit, kur i hekurroste, i vendoste mbi veshje të veta që të merrnin aromën e saj. Kjo gjë e vogël e bënte të lumtur Fredin në atë jetë ferri, i cili pasi e falenderon për këtë kujdesje, e mbyll letrën me fjalët “lumturia është çështje shpirtërore”. Ideja kuptohet pa vështirësi: “Diktatura komuniste nuk lejonte të gjallonte ndër burgje asgjë qoftë dhe një qen që mund t’u krijonte gjendje të gëzuar shpirtërore të burgosurve të ndërgjegjes”.
Jo pak gra e burra, pasi dënohej njëri prej tyre, tjetri/tjetra e frikësuar nga ndjekjet pas shpine të informatorëve të Sigurimit se mos pësonin internim a burgim, ngrinin padijën për divorc. Ky problem psiqik shoqëror me pasojat e tij trajtohet në letrën njëmbëdhjetë. Poeti Kamber, shkruan Fredi, ishte tronditur e bërë si i luajtur menç. I kishte ardhur njoftimi se gruaja, nuk mund të duronte më dhe kishte bërë ndarjen, kuptohet me gjyq fallco, ku nuk paraqitej pala tjetër. Fredi u trondit kur pa Kamberin të klithte e të dridhej, pastaj të përpëlitej për tokë nga epilepsia, sëmundje që e kishte pasur në fëmijëri. Fredit iu kujtuan katakombet e burgut Porto Palermo, ku kishte qenë më parë bashkë me 200 të dënuar në atë katakomb errësire si në shpellën e Dionisit të Sirakuzës. Letra vijon me rrëfimin e Aleksandrit, një të dënuari që e kishin sjellë në burgun e Zaratës nga kampi i punës së detyruar të Maliqit. Dukej si plak 70-vjeçar ndonëse ishte i ri. Kishte vuajtur shumë gjatë punës për tharrjen e kënetës së Maliqit. Ky u tregoi të burgosurve për groposjen e një të dënuari në baltë, i cili për pak do të kishte vdekur. Ndonëse Aleksandri nuk përmend emrin e të dënuarit, lexuesit e romanit e dijnë tashmë se kjo groposje i pati ndodhur shkrimtarit Mitrush Kuteli. Gjendja e rëndë e të burgosurve bëhet më e kuptueshme, kur Fredi i shkruan gruas se të dënuarit e Zaratës ishin të ngjashëm me njerëzit-personazhe të Dantes. Ai shton se në fillimin e këngës së tridhjetekatër, këngës së fundit të poemës, ku kishte arritur me përkthimin, Dantja shkruante: “Unë nuk vdiqa dhe nuk mbeta i gjallë: gjykoje vetë nëse ke nuhatje dhe inteligjencë se si jam bërë kështu pa vdekur dhe i pajetë”. Kështu ishin dhe Fredi me bashkëvuajtësit, të gjallë e të vdekur njëkohësisht. Ata i pret vdekja, por mbijetojnë sepse nga shpirti u del një forcë e brendshme, e cila i kthen në jetë. Më tej tregohet episodi më i rëndësishëm i kësaj letre, ngjarja tragjike e Seferit, një ish-partizani që ishte plagosur në luftë, madje ishte dhe vëlla dëshmori. Gruas së tij ia kishin refuzuar për të satën herë kërkesën për takim. Filloi të shante e të thërriste, doli jashtë manastirit në mes të shiut si i xhindosur, zhveshi rrobat dhe po i klithte toger “Bulldogut”: “Thomëni, çfarë ju kam bërë? Përse nuk e lejoni gruan time? Përse më mbani këtu? Apo se i dhashë luftës aq shumë? A nuk ju mjafton kjo plagë që kam marrë në luftë dhe gjaku i tim vëllai”? Dhe priste që “Bulldogu” ta gjuante me automatikun që po bënte gati për ta shkrepur. Fredi me shokët vrapuan dhe filluan ta tërhiqnin, po Seferi bërtiste: “Le të më vrasin, aq më bën! E ç’e dua këtë jetë në robëri?…” Mezi e futën brenda. Mosrespektimi i së drejtës për takim me familjen për një ish-partizan, vëlla dëshmori, dhe që vetë ishte plagosur në luftë, ka lidhje me shpërdorimin e idealeve të kohës partizane pas marrjes së pushtetit prej Partisë Komuniste. Këtu transmetohet ideja: “Partia me anën e shërbëtorëve të verbër që kishte në Ministrinë e Brendshme kishte krijuar një shtet diktatorial çnjerëzor që shkelte idealet e luftës dhe gjakun e dëshmorëve”.
Kurse në letrën e dymbëdhjetë autori trajton problemin e dhunës fizike dhe lirisë së brendshme shpirtërore. Fredi njofoti Brunën se e mbaroi përkthimin edhe të këngës së fundit e “Ferrit”, ku jepet dalja e Dantes dhe e Virgjilit mbi tokë dhe gëzimi që ndjenë prej dritës së bardhë të diellit dhe natyrës plot bukuri. Për ta ngushëlluar bashkëshorten që të mos mërzitej se ferri i tij nuk po mbaronte, i riprodhon këshillën që i kishte dhënë shoku i tij Xhafo: “jeta është thjesht një lojë dhe s’duhet parë me trisht, por duhet gëzuar çdo çast sa jemi gjallë, qoftë dhe në ferr, pasi ajo që ka rëndësi nuk është izolimi, mungesa e lirisë së përgjithshme, por është të jesh i lirë në vetvete, ta ndjesh veten të lirë edhe kur të mbyllin në qeli, edhe kur të mbyllin gojën, të mendosh në liri dhe ku askush të mos mundë të të dhunojë mendimin. Askush, asnjë fuqi, nuk mund të ta prangosë atë”.
Për të mos e lënë Brunën në dëshpërim, Fredi si zakonisht, pas këtij episodi të hidhur riprodhon një ngjarje të gëzuar. Në ishull, pranë burgut erdhën dy pelikanë të bukur të cilët për disa ditë me radhë po mblidhnin degëza pemësh për të ndërtuar folenë e tyre. Do të krijonin familje. Letra mbyllet me optimizëm: “Ishte diçka që na bëri të harrojmë një çast se ishim të burgosur. Ato shkonin e vinin, rrihnin krahët e mëdha dhe ne na kujtonte atë që quhet gjenezë. Një fole po ngrihej. Dhe kjo na lumturoi të gjithëve”.
Këshilla e Xhafos për ta ruajtur mendimin të paprangosur, bashkë me antitezën që krijohet midis gjendjes së rëndë të të burgosurve dhe gëzimit që shkakton fundi i poemës me daljen e Virgjilit dhe Dantes nga ferri, si dhe gëzimi që u krijuan të burgosurve dy pelikanët që po krijonin folenë e re, shpalosin idenë: “Të burgosurit e kapërcenin hidhërimin që u shkaktonte dhuna shtetërore me arritjet e tyre krijuese dhe me gëzimet që u sillte vetë natyra”.
Në letrën e fundit, të cilën autori e quan “Epilog apo letra e trembëdhjetë”, arrihet pika kulminante e romanit. Bruna më në fund mbërriti te burgu, ku do të realizonte takimin e shumëpritur me të dashurin e saj. Mirëpo takimi nuk u realizua, Fredin e kishin shpënë në degën e Punëve të Brendëshme në Tiranë, për ta marrë në pyetje lidhur me ish-nxënësin e tij Beson, një punonjës i gjykatës që e kishte ndihmuar për ta dënuar më lehtë. Sigurimi donte ta dënonte Beson, ndoshta të ridënonte dhe Fredin. Lexuesi ishte paralajmëruar disi për një gjë të tillë dy letra më parë përmes rrefimit të një ëndrre që kishte parë Fredi. Në ëndërr Beson e vrau roja gjatë arratisjes me barkë nga burgu. Pas rrëfimit të ëndrrës, Fredi i shqetësuar i shkruante Brunës: “Kam frikë për Beson”. Bruna ua la miqve të Fredit çantën me ushqime që kishte sjellë. Seferi i dha asaj fshehurazi letrën që Fredi ia kishte lënë amanet për t’ia dorëzuar Brunës. Kjo ishte letra e trembëdhjetë të cilën Bruna e lexoi pasi u largua nga ishulli kur ishte hipur mbi një kamion gjithë pluhur. Për ta kuptuar idenë e kësaj letre dhe fundin tragjik të Fredit, që nuk u kthye më, as në burg e as në shtëpi, vlen të riprodhoj disa rreshta të kësaj letre: “E dashur Bruna, tani që kam mbaruar Ferrin, jetën e shoh ndryshe. Tani jam dikush tjetër dhe lus Zotin që Danten e takova përsëri, këtu, në këtë ishull të humbur. Kush mund ta mendonte se një ditë do të gjendesha këtu dhe të përktheja Ferrin… se do të jetoja çdo ditë me këtë vepër gjigante të letërsisë botërore? Thuamë! Dante më mësoi si ta kuptoj këtë jetë efemere. Eshtë e habitshme të të them, por Dante me mbajti në këmbë, më mbajti gjallë, më dha frymë. Netë të tëra, në përgjumje, në zgjandër… unë gjeta një forcë tjetër që e kisha këtu, në këtë libër, në këto faqe që përktheja, në ato që shkruante Dante, poeti fatkeq që megjithatë i mbijetoi vdekjes, pasi ai e tejkaloi atë, sepse Dante erdhi deri tek ne, madje dhe në këtë kamp ku lirinë e kanë prangosur. Dante t’i largon këto pranga, ai të bën të kuptosh se ka tragjedi akoma më të mëdha në jetën e njeriut dhe të kombit dhe se mbi gjithë tragjeditë e mëdha jeta rilind më e fortë, më e bukur… Shpesh pyes veten: vallë kjo ka qenë natyra njerëzore që në mugëtirën e kohërave? Vallë, kështu është krijuar ky njeri për të rrënuar qytete, qytetërime, të cilat janë ndërtuar me aq mund kohë më parë nga të tjerët; të vrasë biri të atin, fqinji-fqinjin, që njeriu të gëzohet për krimin? … E megjithatë, unë dua të besoj se e keqja nuk është totale. Në fund të fundit, Dante kishte besim tek njeriu dhe dashuria. Dhe unë, kam besim tek të dyja. Njeriu mund të mbruhet ndryshe, të ndërtohet ndryshe përmes kulturës, poezisë, muzikës, artit. Ndër të tjera, në këngën e fundit, Dante shkruante: “Kapu fort më tha mjeshtri im, me frymën që i merrej si ajo e një njeriu të përndjekur: në shkallë të tilla ne do të ngjitemi për ta lënë këtë vend të kaq shumë të këqiave…. Dante kishte besim në të ardhmen. Unë kam besim tek pranvera. Ne do ta shijojmë jetën tonë edhe pse vonë. Furia do të kalojë”. Me këto rreshta Fredi i jep kurajë gruas së tij, kurse L. Rama i trasmeton lexuesit idenë kryesore të krejt romanit: “Intelektualët e dënuar nëpër burgjet e egra të diktaturës komuniste shqiptare e gjetën mbështetjen e tyre te arti, filozofia, dhe kështu e mbijetuan ferrin real”.
Kjo ide, ky mesazh përgjithëson fatin e gjithë atyre intelektualëve të dënuar që u morën me përkthime si Mark Ndoja, Pashko Gjeçi, me krijim pikturash si Lek e Leonard Pervizi, Maks Velo, me krijime poezish e shkrime në prozë si Lazër e Jozef Radi, Kasëm Trebeshina, Trifon Xhagjika, Visar Zhiti, Frederik Reshpja, Havzi Nela dhe dhjetra e qindra të tjerëve.
Konkluzione
Dita e përkujtimit të diktaturave naziste e komuniste. 23 gushti, vjen e shkon, por në Shqipërinë që u dogj prej ushtrive nazifashiste, që u cfilit prej diktaturës komuniste, kjo datë nuk përkujtohet zyrtarisht edhe pse shumë krijues i kanë p dëuar në veprat e tyre letrare e artistike.
Mendoj se skulptorët shqiptarë mmund të realizojnë një vepër monumentale ku të përgjithësojnë vuajtjet e popullit tonë të viteve 1939-1991 të ngjashme me veprën “Porta e Ferrit” të Rodenit. Kjo vepër mund të titullohet “Porta e diktaturave”. Materialin dhe frymëzimin ata mund ta marrin duke studjuar me vëmendje veprat e Visar Zhitit, Arshi Pipës, Sami Repishtit, Lek Pervizit, Lazër e Jozef Radit, Uran Butkës e Pjetër Pepës, At Zef Pllumbit, Maks Velos, Frederik Reshpjes, Trifon Xhagjikës, Luan Ramës, memorialet kushtuar poetëve të pushkatuar Vilson Blloshmi e Genc Leka, esetë e Mërgim Korçës, Jozef Radit, Eugjen Merlikës, Edison Ypit e shumë vepra të tjera.
Një monument i tillë do ta ndihmojë shoqërinë shqiptare të çlirohet nga krimet e bashkëpunëtorëve të nazifashizmit dhe komunizmit dhe ta përgatisë moralisht për të hyrë në Bashkimin Europian.