Nga ILAZ KADRIU, profesor /Chikago.
Para disa ditësh, në varrezat shqiptare në veriperëndim të Chicago- s, në praninë e më shumë se 500 pjesëmarrësve dhe me nderimet dhe respektin më të madh, u varros atdhetari dhe kontributori i madh i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në shtetin e Illinois-it, me seli në Chicago Faik Ajroja.
U lind në fshatin Llaxhe të Kërçovës më 1936 në një familje të varfër. Në moshën 5 vjeçare, komunistët jugosllavë ia vrasin të jatin, kurse babagjyshin ia burgosen 12 vite. Faiku mbetet jetim dhe rritet me kujtimet më të tmerrshme të kohes së luftës dhe pas saj.
Në moshën shumë të re, e lëshon vendlindjen dhe vendoset përkohësisht në Zvicër. Punon disa vite dhe prap kthehet në fshat. Pas nja dy tri viteve vjen në Amerike dhe vendoset në veriperëndim të periferisë së Chicago-s. Pasi punon një kohë, Faiku i sjell edhe 4 djemtë e tij, të cilët, dalëngadalë me punë dhe djersë, të gjithë së bashku, nën komandën e Faik Ajros, blejnë kompaninë TBS të cilin,gjatë kohë e ka udhëhequr ai. Aty punojnë më shumë se 300 punëtorë, nga të cilët disa janë shqiptarë.
Sot këtë kompani e udheheqin tre djemtë e tij: Nexhati, Rushiti dhe Tahiri.
Për rifreskimin të kujtesës së atyre që e njohën djalin e katërt Xhevahirin: u vra në mënyrë tragjike para 6 viteve në Kërçovë, dhe mu kjo tragjedi e djalit,dalëngadalë e shkriu nga mërzia edhe xha Faikun.
Kështu i mbylli sytë një personalitet më rendësi në komunitetin shqiptar. Një kontributor i rrallë për cështjen kombëtare. Aktivistët i dalluar në kohën e luftërave të fundit shqiptare në Ballkan. Anëtarë nderi i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane ” Uskana “, anëtarë i përhershëm i kryesisë së Komunitetit Shqiptaro Amerikan, në Chicago, i dekoruar me disa medalje dhe çertifikata nga presidenti Bush dhe partia republikane. Zyra e xha Faikut është plot fotografi dhe artikuj gazetash të cilat pasqyrojnë aktivitetin e rëndësishëm kombëtar të shqiptarëve në Chicago ku xha Faiku bënte pjesë.
Referatin e shkurtër, domethënës dhe shumë emocional e lexoi Ilaz Kadriu, shok dhe mik i ngushtë i të ndjerit.
Pas leximit të biografisë së shkurtër, Ilazi në mes tjerash tha:
Të nderuar të pranishëm,
Kur Zoti krijoi gjithësinë, ai krijoi edhe njerinë, dhe bashkë me të krijoi edhe rrethanat tjera të cilat mundemi ti shohim dhe ata të cilat janë të pakapshme për syrin dhe mendjen tonë.
Por, pas kësaj, Zoti, njëkohësisht krijoi edhe vdekjen e secilës gjallesa e cila frymon në mënyrën e vet. Kështu që cdo gjë që vjen në këtë botë duhet të shkojë. Ky pra eshtë proces që e krijoi i madhi Zot.
Shumë njerëz jetojnë dhe vdesin, kurse xha Faiku vdiq të jetojë, pasi që kujtesa për të do të jetojë gjatë në memorien e atyre që e njohën. Ai ishte njeri qe nuk fliste shumë. Urtësia dhe sjellja e tij e qetë fliste vetë.
Të gjithë me lot në sy e përcollëm xha Faikun në banesën e tij të fundit duke u lutur që Zoti ta dërgojë ne lartësitë më të mëdha të parajsës së universit.
Në fund, në emër të familjes Ajroja, faleminderojmë të gjithë pjesëmarrësit në këte ceremonial mortor si dhe ata të cilët na ngushëlluan përmes të pamjeve dhe telefonatave të shumta.
ILAZ KADRIU, profesor
*Autori i shkrimit ka qenë kryetar i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në shtetin e Illinois-it në Chicago.