Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj./
Opinion rreth librit të Bedri Tahirit “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”/
Me rastin e 60 vjetorit të lindjes, i uroj zotit Bedri Tahiri, Jetë të gjatë lumturi në familje, suksese në rrugën e vështirë , por të ndritur të krijimtarisë dhe studimit!Me respekt të veçantë! Vilhelme, Fitim dhe Familja Haxhiraj
Në fillimmuajin qershor 2016 z.Bedri Tahiri pati mirësinë të më dërgonte librin e tij të fundit, me titull ”Atdhetarizmi jeton në përjetësi”, një vepër kushtuar Sadri Kapitit dhe familjes së tij për vlerat e pamohueshme që kanë dhënë në dobi të çështjes kombëtare.
Ndërkohë që bashkëshorti im, Fitim Haxhiraj pati një takim në qytetin e Durrsit me z. Vladimir Muça, poet,shkrimtar,studiues dhe kritik letrar, si dhe me z.Skënder Kapiti, shkrimtar dhe publicist me vlera të rralla atdhetare, takoi edhe miqtë e letrave, poetët e Durrsit si Agim Bajrami, Kadri Tarelli, Xhevahir Cirongu, Skënder Kapiti, Bedri Tahiri dhe Naim Kapiti.Poetët dhe shkrimtarët durrsakë e kanë bërë zakon që mblidhen rreth tavolinës, në një Bar të qytetit apo në bregun e detit, jo vetëm për një kafe, por edhe thjesht për t’u përshëndetur, për të këmbyer mendimet rreth problematikës së gjerë që shqetëson gjithë komunitetin. Duke shijuar kafenë, nën joshjen e brizës përkëdhelëse detare të Adriatikut, këmbejnë libra, artikuj publicistikë, rrahin mendime dhe ajo që i bashkon është shqetësimi për arritjet në letërsi dhe vlerat që ajo mbart.
Një përurim ndryshe
Pikërisht më 7 qershor aty në Plazhin e Durrësit këta miq nga Thesprotia- Prishtina e Drenica, nga Korça e Skrapari, nga Vlora e Durrësi, të cilët i bashkoi rastësia, promovuan disi ndryshe dy libra të të dy autorëve. Botimi i fundit i vlonjates Vilhelme Vrana Haxhiraj është libri me titull “Dashuria plagoset, por nuk burgoset”, një përmbledhje letrash dashurie të pamundur, ose ndryshe autorja i ka quajtur “Letra nga Ferri”. Libri tjetër ishte i Bedri Tahirit me titull “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”. Ishte si bekim i Zotit që bashkohej Vushtrria e Drenica e Atdhetarit të Madh, Hasan Prishtina dhe heroit legjendar Adem Jashari me Vlorën dhe Kaninën e Gjergj Arianitit,të Ismail Qemalit e të Osman Haxhiut. Një urë lidhëse me vena e kapilarë gjaku të pastër ilir (thesprot- kaon e dardan), ai që i bashkonte , ishte flamuri i Skënderbeut. Në këtë tryezë me miq e vëllezër të një gjaku pellazgo-ilir, e kishte marrë fjalën Kanina dhe i përgjigjej Drenica. Në këtë mënyrë krej të natyrshme ishin bashkuar zemrat bujare për të folur me gjuhën e letrave të shpirtit mëmëdhetar. Por ajo që i shqetëson më shumë ata, janë problemet social –politike që mbart shteti më i ri shqiptar në hartën gjeopolitike të Evropës dhe të botës, Republika e Kosovës.
Si bijë të Dardanisë hyjnore, ata kërkojnë të ecin në gjurmët e të parëve të tyre. Ashtu si gjithë kombi, edhe ata nuk ia falin politikës së të Mëdhenjëve padrejtësinë që i kanë bërë kombit më të lashtë në botë, “Dekanes së Racave”,Shqipërisë, duke e copëzuar mes vendeve fqinjë. Nga trungu mëmë më 1945 shkëputën Thesprotinë që shtrihet buzë detit Jon, Çamërinë duke ia aneksuar Greqisë, përmes një genocidi të paparë. Më 1948 Treva shqiptare e Kosovës iu bashkua Jugosllavisë. Kurse në veriperëndim pjesa dërrmuese e malësisë së Madhe, Plava- Gucia, Shën Stefani dhe Uliqini i Kaluan Malit të Zi. Shqipëria jugëlindore si, Shkupi, Ohri, Gostivari, Manastiri, Tetova i kaluan Maqedonisë. Ndarja dhe copëzimi i trungut mëmë të Shqipërisë ndodhi në kohën që drejtonte Partia Komuniste Shqiptare, ndërkohë që deklamonte se “mbronte me fanatizëm integritetin tokësor të vendit”, mes luftës më të egër të klasave Diktatura Komuniste ndoqi genocid ndaj gjysmës së shqiptarëve. Shqiptarët kanë qenë nën një trysni e luftë të dyfishtë, luftë brenda llojit dhe luftë nga të huajt- shovinistët serbo –grek.
Gjithsesi lufta kundër asimilimit kombëtar dhe çkombëtarizimit apo për largimin nga trojet e të parëve
pellazgo-iliro-daradanë të popullsisë shqiptare të Kosovës, ka qenë e gjatë dhe e pandërprerë. Pikërisht ka qenë kjo arsyeja që Kosova i qëndroi besnike ruajtjes së identitetit shqiptar. Duke i ruajtur me fanatizëm gjuhën shqipe dhe zakonet, shqiptarët e kësaj treve, trima e të paepur, kurrë nuk e ndalën kërkesën dhe luftën për liri, ndaj nuk u asimiluan as gjuha dhe as traditat dhe nuk u çkombëtarizuan. Serbia herëpashere zhvendoste nga trojet e etërve familje shqiptare përmes një genocidi shfarrosës ndaj të pafajëve, u mohoi të drejtat dhe i denigroi si shqiptar. Dhe kush e bëri këtë? Kush këlthet për nacionalizëm? Ardhacakët e Ballkanit, sllavët që kërkonin të zhduknin zemrën e shqiptarizmit. Kjo i detyroi shqiptarët të merrnin rrugët e kurbetit, duke e lënë të ndezur vatrën e zjarrit të luftës për liri. Emigrimi dhe mungesa e lirisë, u bënë burimi kryesor për rritjen e kërkesave për pavarësi. Bota dhe Evropa i kanë shumë borxhe Shqipërisë.
Çdo familje kosovare u bë vatër qëndrese kundër pushtuesit në emër të atyre që dhanë jetën për liri, në emër të të drejtave të mohuara, në emër të varreve masive, të varreve pa emër, që ende këlthasin e kërkojnë drejtësinë e Hagës. Një vatër e tillë, edhe pse jeton në Dyrrahun e lashtë është familja Kapiti.
Pikërisht për sa fola më sipër dhe për patriotizmin e qëndresën e Sadri Kapitit bën fjalë libri më i ri i Bedri Tahirit me titull “Atdhetarizmi jeton në Përjetësi”.
Një libër për një të vërtetë të madhe
Puna që ka bërë autori Tahiri është një përmbledhje me mendime e vlerësime të bashkëkohësve jo vetëm nga Kosova por edhe nga Shqipëria. Në këtë libër çdo njeri që e lexon mëson të vërtetën e madhe historike për një familje që u sakrifikua, ku spikat portreti i Sadri Kapitit me djemtë e tij që e lartësuan emrin e të parëve, e ngritën veten në piedestal të kombit të tyre të shumëvuajtur e të larë në gjak. Kombi për ta ishte gjithçka. Kemi të bëjmë me një libër që flet për të vërtetën e pamohueshme historike, pasi historia e një kombi nuk është ideale, por janë ndodhi, ngjarje me vlera kombëtare, vendngjarjet, koha e zhvillimit të tyre, njerëzit që marrin pjesë në to dhe dokumentat që janë fakte të pamohueshme. Libri i zotit Tahiri është shkruajtur me kujdes, ku është përdorur standardi i shqipes letrare. Mendimet janë dhënë nga njerëz të kualifikuar si z. Shpend Topallaj-shkrimtar, Skënder Muçaj-arkeolog,Ilir Malindi (avokat) e Tomorr Çama etje…Për rëndësinë që ka për çdo shqiptar Pavarësia e Kosovës , unë për lexuesin po vendos këtë poezi të krijuar ditën e Pavarësisë së Kosovës ora 16…
Krahët e Shqipes
(Kosovës së pavarur)
Dy krahët Shqipes ia prenë barbarisht,
pamëshirë në copa,copa e ndanë
dhe e përçanë…
E trupi i të shenjtës “Mëmë”
u la në gjak,
Kaoni, Thesproti, Dardani dhe sa e sa…
thirrën njëherësh fisnikët ilir anembanë:
-Ngrehuni o burra, kudo që jeni,
Sot Shqipja mëmë, e plagosur na thërret:
“- Ndër shekuj plagë të rënda kam marrë,
as vet s’e di si kam ngelur ende gjallë.
Nuk dua hakmarrje,
urrejtje dhe mëri.
Shqipja të fluturojë,
kërkon vetëm liri,
ndaj edhe sot nuk dua të merrni hak.
Mjaft me luftë,
me mllefe dhe kërbaç,
Në Kosovë s’ ka prag të mos jetë larë me gjak
një foshnjë të dëlirë,
një djalë a një vajzë e vranë,
apo një vatër e shuan pa nam dhe nishan.
Vdekja për liri për ta ishte me mjaltë,
edhe pse mbyllën një derë,
shuan një vatër,
ku nuk ndizet më zjarr
dhe s’del më tym në oxhak.
Vëllezër, mos harroni të parët tuaj krenar,
atdhetari dhe vëllazërim kishin në plan të parë.
Kosovë martire!
Hidhi sytë nga flamuri kuq e zi,
me gjak ilir është endur,
mes territ ka dashur të flladitej në liri
Vivra -Vlorë më 17-2-2008
Duke shfletuar faqet e librit , u njoha me mendimet e vyera për vlerat atdhetare të familjes Kapiti. Z.Skënder Kapiti e kam njohur mes mediave ku ka shpalosur idetë e tij nacionaliste dhe për bashkim kombëtar, përmes artikujve të panumërt publicistikë edhe përmes librit “Triumfi i Kombit” Po perifrazoj disa nga këto vlerësime :
Shpendi Topallaj ka cituar për librin: “Personazhet e Bedri Tahirit janë figurat tona legjendare si Azem Bejtë Galica, Ahmet Delia, Hasan Prishtina, Adem Jashari, Hys Popova, Abdyl Krasniqi, Ramadan Zymer Bajraktari e shumë e shumë të tjerë nga ata që mbajtën ndezur “Flakadanët e lirisë”. Por shtjellohen aty edhe ngjarje kuptimplota, nga ato që me epikën e tyre e hijeshojnë biografinë e kombit tonë, na e shtojnë krenarinë dhe na bëjnë të ndihemi dinjitozë para syve të gjithë botës.”
Meqë mu dha rasti edhe unë kujtoj se kultura dhe reputacioni që ky bir i Drenicës, ky mësues i gjimnazit “Eqrem Çabej”, ky veprimtar i UÇK-së, ky gazetar dhe shkrimtar i palodhur, gëzon në Durrës respektin e të gjithë atyre që e njohin fizikisht apo përmes veprave të tij që hedhin dritë mbi luftën legjendare të Kosovës martire.
Natyrisht të gjithë e kemi të qartë se me punë njeriu arrin gjithçka sidomos atëherë kur jep shembullin e mirë. Gjatë leximit të librit çdo lexues mendon se familja e nderuar Kapiti ka nevojë për përkrahjen ose vëmendjen e pushtetit dhe të politikës si në Shqipëri edhe në Kosovë.
Sadri Kapiti nga Zallqi i Istogut, me prejardhje nga Medvegja e urrente shtypjen, ndërsa dëshira e ethshme për liri dhe dinjitet njerëzor e detyruan të largohet dy herë drejt Shqipërisë, pa ditur se edhe këtu, drejtonte Moska me Beogradin. Sadriu luftoi trimërisht krahas 4000 luftëtarëve të antifashistit Shaban Polluzha nga Drenica, i cili njëkohësisht ishte edhe kundërshtar i shovinizmit sllav. Ndaj u vra nga ushtria jugosllave në vitin 1945.
Sadri Kapiti pasi i vranë nipin, u plagos në këmbë dhe në dorë dhe u shtrua në spitalin e Tiranës. Ai mori një plagë të madhe në zemër kur pa me sytë e tij se ligjin edhe në Shqipëri e bënin emisarët e kuq jugosllavë. I tillë ishte Sadriu,i paepur që nuk falte tradhtinë dhe bashkëpunimin me armikun e kombit të tij. Me edukatën dhe atdhedashurinë që u dha djemve, ua la amanet vazhdimin e rrugës së tij, të cilët ecën në gjurmët e babait. Nga ky libër mëson shumë. Sugjeroj se ky libër dhe “Triumfi i Kombit” duhet të shërbejnë si pasaportë për brezat e rinj që nuk e dinë se ç’është sakrifica sublime.
*Është kënaqësi kur lexon se si shprehet Tomorr Çama tek Zemra Shqiptare më 13-10 2015 në shkrimin : “Si i njoha Kapitët e Durrësit”:“Libri i Skënder Sadri Kapitit “Triumfi i Kombit”që sipas mendimit tim është një thesar e një kryevepër me rëndësi kombëtare, është ashtu siç e ka përcaktuar dhe dikush tjetër si një nevojë që ta ketë çdo familje shqiptare këtë libër në shtëpi. Do të ishte e mjaftueshme sikur vetëm ta lexosh hyrjen e atij libri për të kuptuar vizionin e autorit për prosperitetin, për integrimin ndër shqiptar dhe për atë europian dhe të bashkimit kombëtar.”
*Ilir Malindi, po te Zemra Shqiptare reagon me zë të mprehtë e therës:“… sipas Skënder Sadri Kapitit patriotizmi kombëtar dhe demokracia e vërtetë janë ilaçet që e kurojnë politikën po që, po sipas tij patriotizmi dhe demokracia janë dy moralet apo dy virtyte deficitare të mëdha për thuajse tërë politikën kudo shqiptare.” Në një shkrim publicistik të S.Kapitit me titull “Politika është korrupsion” ai citon të ketë thënë për të se : “Politika jonë e keqe përzgjedh, seleksionon, heton dhe vigjëlon për të përjashtuar prej vetes, prej punëve të shtetit dhe prej pushtetit profesionalizmin, moralin , ndershmërinë dhe patriotizmin si dhe atë pjesë të shoqërisë me individë të këtillë pasi ajo xhelozon për ta , dhe ajo ,pra , politika e keqe ruan dhe mbron ndytësinë, injorancën, hajdutërinë , korrupsionin dhe tradhtinë e vet duke i bërë dëme të mëdha kombit, integrimit dhe prosperitetit të shoqërisë”.
Një mesazh për bashkim
Një vlerë të madhe ka libri i z. Tahiri me kapitullin e veçantë me dokumente të faktuara kërkesa apo vlerësime drejtuar politikës dhe shtetit për vlerësimin e Hotel “Drenica” që ushndërrua në pike referimi i qëndresës së palëkundur të familjes Drenica çpër çështjen kombëtare. Ai hotel u bë streha e gjithë vullnetarëve që shkonin për t’u bashkuar me UÇK për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Nga ai hotel zinin fill peticionet, kërkesat, deklaratat dhe thirrjet për të ndihmuar Kosovën. Edhe pa bërë asnjë shtatore nderimi, ajo godinë e Kapitëve duhet të quhet ” Faltorja e shqiptarëve “, Meka e atdhedashurisë”, “Drenica e Dyrrahut”. Kështu njerëzit do të kuptojnë dhe do ta nderojnë si një vend të shenjtë atë tempull që hedh dritë mbi luftën legjendare të Kosovës, pasi nga aty niseshin dhe vinin lajmet nga fushëbeteja e shqiptarëve . Ky tempull i shqiptarizmës i ndërtuar në token e Familjes patriote Kapiti, duhej respektuar edhe nga politika dhe nga shteti duke mos e cënuar por duke e shndërruar në një monument historik, sepse historia e përgjakur e Kosovës është pjesë e pandashme e historisë sonë kombëtare. Po kështu është edhe historia e Çamërisë dhe e tokave shqiptare në Mal të Zi apo Maqedoni. Diplomacia evropiane na cënoi duke miratuar një pavarësi të cunguar me një komb të gjysmuar, ndërsa ne nuk duhet të lejojmë që shqiptarët të rishkruajnë një histori të ndarë e të pëçarë në 5 shtete. Por ne duhet të kujdesemi që të shkruhet një dhe vetëm një histori e përbashkët kombëtare e Shqipërisë!
Pikërisht këtë mesazh dhe shumë të tjerë jep libri i z. Bedri Tahiri!
Urime z.Bedri për këtë dhuratë të çmuar që na ke dhuruar! Iu madhoftë emri Kosovës, trimave të saj dhe familjes së patriotit Sadri Kapiti që meriton vëmendjen e të gjithëve nga të dy anët e kufirit!
Vlorë, më 17-7-2016
Fritz Radovani says
Gjithnje e ma interesante analizat e zonjes Vilhelme.
Ju pershndes per trajtime te tilla temash me fryme atdhetare dhe unifikuese. Me respekt.