NGA SHEFQET DOBRA/Ish i dënuar politik/
Rakip Dervishaj, pas dhjet vjetësh, u lirua nga burgu; në Vlorë e dërguan si të “dëbuar”, në kooperativë duhet të punonte. Në kooperativë, orari nuk respektohej, e diela nuk ishte ditë pushimi si në ndërmarrjet shtetërore, edhe kur binte shi, nuk u paguhej dita. Dita e punës- dmth, një ditë punë në kooperativë, quhej një normë. Për ta sqaruar: nëse norma në bërje kanali, ishte nëntë metrokup- kush bënte nëntë metrokup- thuhej se ka bërë një ditë pune, ose: 100 pikë, kush bënte katër –thoshin: 50/të pikë, dmth, gjysëm norme, gjysëm dit pune . Në fund të vitit llogaritej sa të ardhura kishte kooperativa, ato pjesëtoheshin për ditët- normat- dhe qëllonte që për një normë- sidomos kooperativave malore, mund ti binte për të marrë:- 20 lek të vjetra për një dit pune- dmth- për një normë. kurse kooperativat fushore, ishin më me fat, prodhonin më shumë- u shkonte dhe 100, lek të vjetra ditës, nëse kishte bërë çdo ditë normën.
Rakipi, që nuk ja dinte punëve të kooperativës- kishte rënë i ri fare në burg, vetëm në minierë kishte punuar- mjaft që të siguronte të paktën bukën dhe pak gjizë ose ndonjë zarzavat që ta bënte supë. Gjithmonë rrinte vetëm, nuk përzihej me tjerë.
Një ditë, në pushimin e drekës, i afrohet një i brigadës dhe i thotë: – pse nuk martohesh more Rakip, të krijosh familje?
-Po kush më merr mua more: kështu si jam katandisur..- i përgjigjet..
-Të marrin ore, pse s’të marrin- i thotë.
-Po kush guxon të më japë vajzë mua?
-Po gjej ndonjë të sojit tënd.
-Pse ore, keni filluar të martoheni edhe brenda sojit ju?
-Jo more jo, të jetë si ti nga biografia.
-Nuk kam qejf të martohem, po….
-Pse more, po është më mirë për ty.
-Po, është më mirë, është po, martesa sjellë edhe fëmijë, po… po sikur t’u mbushet mendja prapë të më çojnë ne burg, ku ti lë ata? Më mirë jam kështu, kur rafsha mos u vrafsha. Të bëhet si të bëhet, nuk e kamë mendjen prapa.
-Unë të them: martohu se kështu është më mirë.
– Faleminderit po… me që ma dashke të mirën, ma jep gocën tënde.
-Joo, se…
-Pse ke frikë? Ti je me biografi të mirë, ça të pengon? Meqë ma do të mirën, meqë më qave hallë- po të them. Duhet ti jesh mirnjohës atij që ta do të mirën.
-Epo, nuk i kemi njësoi kushtet.
-Po për atë familjen tjetër, pse nuk mendon si për vete?
-Për të mirën tënde e pata- i tha.
-Të faleminderit shumë, e kuptoj që më do të mirën por.. dhëndër nuk ke qejf të…
Një ditë, kur po kthehej nga puna, me lopatë e kazëm në krah, i lodhur e i mërzitur, kokë ulur, kishte humbur në mendime veta kur, pa pritur- dëgjoi ti thonë: – në emër të popullit, je i arrestuar, duart mbrapa! U drejtua, lëshoi veglat në tokë, i shikoj dhe, kur njëri po i vinte “byzylyket” – u tha:-E dini sa mirë bëtë që erdhët e më….
-Natyrisht! Të merresh me veprimtari armiqësore sigurisht që e pret dhe arrestimin.
-Jo, jo, edhe ju e dini që nuk e kam bërë atë gjë se, ça do fitoja?
-Sigurisht! Pse dimë çdo gjë që bën, ku shkon e me kë bënë plane, erdhëm të vëmë hekurat! Në prezencën tënde të kontrollojmë shtëpinë.
-Ç’far do kontrolloni?
-Shtëpinë, ta tham. Po ju nuk ditkeni kam a s’kam shtëpi more, nga dini se qenkam marr me veprimtari…hëh… Unë dy batanije, dy çarçafë dhe një dyshek me kashtë kam, edhe këto, të kooperativës janë, nuk kam asgjë timen, atje në një koçek të misrit, më kanë dhënë një vend të rri. Shkoni ju, unë nuk kam gjë për të marrë, bëni ç’të doni me to, vetëm një gjë u kërkoj, t’ja dorëzoni kooperativës se mos më akuzojnë , për përvetësim e pasurisë përbashkët, të atyre vjetërsirave.
Në hetuesi pranoi çfarëdo që i thanë. Një ditë e çuan ti bëjnë gjyqin. Pasi bënë formalitetin, dëshmitarët të njohur e të pa njohur, thanë ça deshën- si i kishin porositur. Prokurori- i tha: -je dakord?
-Ç,më pyetni mua, jam a sjam? Unë kam pranuar ça keni dash ju.
-Se i ke bërë.
-Jo zati prokuror jo! po nuk fitoja gjë, po mos pranoje.
Prokurori kërkoi dhjetë vjet burg dhe gjykatësi kur dha pretencën -tha: gjykata vendosi: Për veprimtarinë armiqësore, për agjitacion e propagandë kundër partisë e pushtetit popullor, duke dashur të helmojë ndërgjegjen e shokëve, sidomos të rinjve, dënohet me dhjetë vjet burg dhe konfiskim të pasurisë. Ke gjë ti thuash drejtësisë?- i tha gjykatësi, ç’far i kërkon gjykatës?
-Ça të them unë Zoti kryetar i seancës, shikoni ato vitet ju, pa, për pasuri, rrapin e trapin kam unë, nuk keni ça të më merrni as ça të lini.- tha Rakipi
– Edhe këtu në sallën e gjyqit, armiku volli vrer kundër drejtësisë popullore, ndërpresim seancën- tha. Dy orë pushim. Pas dy orësh u futën në sallë dhe vazhduan gjyqin: – I pari e mori fjalën përsëri prokurori- I pandehuri, pikërisht këtu në tempullin e drejtësisë popullore, volli vrerin kundër drejtësisë popullore pa ju dridhur syri as goja; unë propozoj ti japim edhe pesë vjet tjera, për ofendimin që i bëri trupit gjykues , në total pesëmbëdhjetë.
E mori fjalën kryetari i seancës: edhe unë- tha gjykatësi- mendoj ashtu si tha prokurori, në total i bëhen pesëmbëdhjetë vjet burg. E ke ti fjalën- ça do i thuash?- i tha gjykatësi. Rakipit, pa e shikuar fare u ngrit më këmbë, shikoi një herë sallën në të cilën ishin vetëm dëshmitarët – tha:- Falënderoj trupin gjykues që m`a shtoi dënimin- Ata shikuan njëri tjetrin.- sepse vazhdoi- këtu unë isha krejt i vetmuar dhe heshti. – Se nuk ke merituar të kesh shokë- i tha gjykatësi. Jo, zoti gjykatës jo, po kishin frikë të rrinë me mua, si të isha bishë e do i kafshoja
-Edhe më keq se kaq, do i helmoje! Prandaj të kanë ndenjur larg.
-Jo, o zoti gjykatës jo, kishin frikë të rrinin me mua se, po ti shikonit ju, u kërkonin llogari.
-Dmth, nuk kërkon mëshirë, je koshient për armiqësinë që ke bërë.
-Mëshirë…! Përkundrazi, ju më dëgjuat që u falënderova- Ata po e shikonin – Se këtu mu qelb goja more Zoti gjykatës! Nuk kisha me kë të flas, edhe kur merrja bukën në dyqan, nuk flisja, jepja lekët, më jepte bukën, aq gram sa ishte racioni, kusurin, nëse kisha për të e merrja dhe, drejt e në koçek, shkoja. Po deshët mos më vononi, të shkoj sa më shpejt në Spaç, te shokët e mi.
-Atje do të çojmë! – i tha
-Faleminderit shumë. Atje nuk do rri me frikën e burgut se, në burg jam.
-Edhe atje të arrestojmë prapë, po nuk ndenje rehat- i tha gjykatësi.
-Sa herë të keni qejf, vetëm mos më lironi se nuk e duroj dot vetminë! – tha Rakipi.
-Merreni, na e hiqni nga sytë këtë specje të pa parë – tha gjykatësi
– Të rrojë partia që nuk më la të më qelbet goja- tha Rakipi
Mos ki merak, do të lëmë të qelbesh atje!- tha prokurori. Policat e rrëmbyen, i vunë hekurat dhe e morën për krahësh.
KË TË LË E KË TË MBAJ, NJËRIN ËSHTË BURRI, TJETRIN VËLLAI!
Sapo lamë punën, nuk na lan të shkonim në shtëpi, kemi mbledhja- na thanë.
I deleguar ishte sekretari i partisë të ndërmarrjes- Petraq Nushi. Pasi na foli Petraqi për situatën politike nëpër botë- kështu fillonin gjithnjë këto lloj mbledhjesh – shtoj: -edhe këtu mes jush, ka armiq që vjellin vrer kundër partisë…. Në fund tha: këtu është Zabit Shazivari?
-Po, këtu jam.- u përgjigj Zabiti.
-Hajde këtu! Rri aty përballë kolektivit, të shohin sa i bukur je! Zabiti nuk po kuptonte gjë. Më pas i tha: – thuaj këtij populli që për qejfin tënd janë mbledhur këtu, në vend që të shkojnë në shtëpi.- fol për armiqësinë tënde.
– Nuk di gjë, shoku sekretar.
– Nuk di, ëh? kush ka për të folur, meqë ky nuk pranon. Me lej tha Zan Hasko, po më shumë i thoshin: Zan Fiku- ngaqë ky Zani, kishte bërë dhjet vjet burg për vjedhje shtëpishë, por ky shquhej edhe për; meqë fshatarët i varini kusitë me qumësht në fikun në oborr, në mëngjes e gjenin qumështin pa ajkë, se e hante Zani, natën, prandaj i thoshin: Zan Fiku.
-Kur po shkonim një ditë në Divjakë, kaloi një makinë jugosllave, ky shoku sekretar- tha: -makinat jugosllave janë shumë të mira.
-Hë more, ç’ke dash të thuash me këtë, pse i paske lavdëruar kaq shumë makinat e tyre?
-Shoku sekretar, ky më pyeti, dhe unë i thash se janë të mira, ku qëndron armiqësia ime këtu?
-Si more nuk qenka armiqësi, të lavdërosh prodhimet e tyre, do të thotë se nuk të pëlqejnë prodhimet tona, edhe këtë do e mohosh? Kjo tregon se ti, ndjek rrugën e babës tënd, tradhtarit, armikut të parisë.
-Shoku sekretar, unë nuk mburra makinat Jugosllave për të nënvlerësuar tonat, ne nuk prodhojmë makina. Ku qëndron armiqësia ime këtu? Këtu dua ta thotë Zan Fiku.
-Mjafton që i mburrur- tha Petraqi
-E shikon shoku sekretar? Tha Zani- Edhe mbiemrin ma ndryshon- të gjithë qeshën.
-Sekretari shikoj sallën, nuk po kuptonte. Më pas iu drejtua: -Pse i thua kështu?
-Kështu ka mbiemrin, si ti them ndryshe. Nëse nuk i pëlqen mbiemri, le ta ndërrojë.–Shum vetë e dinin se “Fiku” e kishte mbiemri.
Kur kuptoj arsyen sekretari, u nxeh më shumë, edhe nuk la gjë pa i thënë, duke u mbështetu vetëm te i ati, që ishte cilësuar “armik” i popullit e partisë.
Aty nga mesi i natë, të gjithëve, pas asaj dite të lodhshme, na hapej goja për gjumë, papritmas pas shpine dëgjuam një plakë që mallkonte Zabitin, ishte e ëma.:- haram qumështin që ke pirë nga gjoksi im. Ke mohuar gjakun e dajës tënd, që është dëshmor mor qelbanik- për të gjithë kjo qe e pa pritur.
-Po jo moj mama, nuk e kam mohuar dajën, nuk kam bërë gjë, për kokën tënde, po Zan Fiku se ça ka trallis, nuk ka bërë gjë të keqe.
-Ky, moj shoqe, ka ndjekur rrugën e babës, jo të dajës- tha Petraqi.
-Ç’ma zini me gojë atë, ai është armik, Zabitin e kam rritur unë, motra e dëshmorit, jo ai. Ishte burri im, po ne e kemi fshirë nga mendja jonë. Për ne të rrojë partia, për atë ka dhënë jetë valloi im. Unë… unë.. nëse ky, ikur edhe emrit t’i përmend të atit, e mohoj për djalë.
Ndërsa kjo mallkonte djalin e burrin, Petraqi aprovonte duke luajtur kokën.
Në fund, i dha paralajmërimin e fundit, nëse gabonte edhe një herë- vetëm për hatër të kësaj plakë- që mohoj burrin,, si armik dhe, vlerësoj gjakun e vëllait që dha jetën për atdheun, po të fal. Por ti duhet të na bindësh jo me fjalë, po me vepra se e mohon babën, për ndryshe, e di ti se ku përfundon?. o me babën o me dajën.
Të gjithë shikonin sekretarin, u këputëm për gjumë, pritnim të na thonë: mbledhja mbaroj. Sekretari shfletonte ca letra dhe tundte kokën, sikur një hall të madh kishte. Kur ngriti kokën shikoi mëkëmbësit e tij, që i kishte në dy anët, të cilët rrinin si pult, e shikonin në sy; papritmas- pyeti: këtu është Riza gega?
-Këtu jam- tha Rizai.
-Hajde këtu, hajde! – I tha
-U ngrit Rizaj, po ecte ngeshëm ngeshëm, pa e prishur terezinë fare.
-Më shpejt se nuk të kemi thirrur për krushk, që më ecën ashtu.
-Mos u mërzit o shoku sekretar, nuk po mërzitemi neven që kemi punur gjith ditën, ke kohë, nata është e gjatë. Sekretari e shikoi gjithë inatë Kur shkoi atje ku i thanë, u kthye nga salla duke i kthyer shpinë, Petraqit dhe atyre që ishin ulur në dy anët e tij.
-Riza Gega, Riza Gega! Iu kërcënua. Pse ti, kur janë bërë votimet për këshillat popullor, ke bërë çmos t’u mbushësh mendjen njerëzve, të mos i votojnë ata që i kishte zgjedhur partia?
-Votimet ka dy vjet që janë barë, more shoku sekretar- tha Rizai.
-S’ka rëndësi kur janë bërë, ti përgjigju përse të pyeta!
-Shoku sekretar- iu drejtua Petraqit- kandidatët i caktoni ju, ne nuk kemi të drejtë të fshijmë ndonjë emër, vetëm të marrim fletën, ta fusim në kuti. Kur është këshuna, si do u thosham njerëzve unë: mos voto ktëna apo atëna?
Këtu u nxeh muhabeti midis Petraqit dhe Rizait, të dy e ngritën zërin, Rizai, nuk ishte Zabiti, nuk mposhtej kollaj , xha Rizai. Në fund, e humbi durimin sekretari- i tha: – tani, nuk mbeti gjë tjetër veçse të çuhemi me pëllëmba syve, dhe po e shikonte drejt në sy, si bisha prenë e sajë.
-Shoku sekretar, tyven, nuk të kanë bërë sekretar, për të rrahur njerëz por, të na mbrosh ne nga padrejtësitë që na bojnë. Nëse ndonjërit i është mbushur menja, kushdo që të jetë- shikoi sallën- le ta provojë po deshi, po të mendohet mirë! Nuk kom ngron pllama syve una, deri më sot.
-E shikoni armikun! Edhe partinë e kërcënon. Nuk e di ky se….
-Shoku sekretar, lere partinë, nuk kam gja me partinë una, po flas për këta këtuna në sallë, kurrë nuk do ndodhë kjo gja, sa të kem frymëm. Kjo e xhindosi shumë Petraqin, Nuk la fjalë të ligë pa përdorur por, të njëjtën faturë mori prej Rizajt. të gjithë shikonin si të shtangur, si Rizai i përgjigje ashtu, njeriut më të fuqishëm të partisë që kishte ndërmarrja. Petraqit, me Rizan, i hasi sharra në gozhdë, nuk i kishte ndodhur kurrë me ndonjë tjetër kështu. Ndërsa Petraqi fliste si i xhindosu, nga pa durimi ishte ngritur më këmbë, Rizai dukej sikur nuk i bënin përshtypje fare ato që thoshte ai.
Ishte orën një e natës, kur i dha fund fjalimit me kërcënimin: do e marrësh vesh si do përfundosh o Riza Gega!- i tha. Rizai vetëm e shikoi po, mos përfillja që tregonte qëndrimi i Rizait e xhindosi shumë Petraqin. Kur thanë: mbledhja mbaroj, turma, sikur shpëtuan nga zinxhiri u turrën drejt derës, ishin këputur për gjumë, Rizai doli nga mbledhja më krenar nga Petraq Nushi.
Pas tre vejtsh, e burgosën Rizanë, por pëllëmba, nuk mundën ti japin.
Pas ca ditëve, te puna, në pushimin e drekës, i thamë nënës të Zabitit: -shumë e mallkove burrin! Duhet tja heqësh atësisë djalit, ta shkruash pa babë ?
-Po ç’të bëja more biri nënës, për të shpëtuar djalin, mallkova burrin, një nëne tjetre, i bie të mallkojë vëllanë, eh… kështu… pështyj lart të bie në sy, pështyj poshtë, të bie në gji. S’ka rrugë tjetër!