Të dashur vatranët e mi të shtrenjtë
Të nderuar patriotë shqiptarë të Amerikës, Kanadasë, Europës e Trojeve Etnike
Të respektuar Autoritete Shtetërore, Autoritete Diplomatike, Klerikë, Shoqata, Organizata e Klube Patriotike në mërgatën e Amerikës
Në emrin tim personal, të bashkëpunëtorëve më të ngushtë, të çdo vatrani ju falënderoj përzemërsisht për pjesëmarrjen tuaj në festimet për 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe festën e Flamurit Kombëtar.
Vatra u priu festimeve madhështore, me aktivitete patriotike e shkencore si kurrë më parë. Pjesëmarrja juaj i dha festës sonë një kuptim dhe dimension më të fuqishëm dhe arsye për të çuar përpara këtë traditë e sukses si detyrë patriotike ndaj atdheut, kombit e njëri-tjetrit.
Të dashur miq e bashkëpunëtorë të ngushtë pa punën intensive, angazhimin profesional, seriozitetin maksimal, energjitë e pa shtershme tuajat, kjo festë kombëtare nuk do kishte kaq hijeshi e madhështi.
Ju shpreh mirënjohje dhe përulem përpara punës suaj të ndershme dhe devotshmërisë suaj.
Të gjithëve emër për emër dua të ndaj me ju përshpirtshmërinë, respektin e vlerësimin maksimal për punën e mrekullueshme: Gëzim Nikën si kryetar të organizimit të Darkës Gala dhe stafit të tij, emër për emër.
Mirënjohje për Angjelina Nika dhe grupin e saj Rozafati për performancën e shkëlqyer, kontributin ndër vite dhe gatishmërinë për të ndihmuar Vatrën e komunitetin shqiptar në Amerikë.
Dr. Paulin Markun dhe ekipin e tij të Simpoziumit Shkencor, Anton Rajën, Ylli Doskun, Ilir Cubin e çdo vatran që kontribuoi.
Mirënjohje për miqtë e veçantë që ishin aktivë, kontribuan fuqishëm në organizim e bënë rrugë të gjatë për të festuar me ne: Alfons Grishaj, Mondi Rakaj, Kolec Ndoja e çdo shqiptar që festoi me ne, gëzoi me ne në festën e Flamurit tonë Kombëtar.
Falenderim të përzemërt për Ravesa Bajo që ndihmoi në organizimin e ceremonisë së ngritjes së Flamurit në New York.
Mirënjohje dhe për gazetën Dielli, Kryeditorin Sokol Paja, Editoren e gjuhës angleze Rafaela Prifti për profesionalizmin dhe përkushtimin në ndjekjen dhe pasqyrimin e shkëlqyer të aktiviteteve.
Me gëzim e mirënjohje
Kryetari i Vatrës
Elmi BERISHA