NGA MARJANA BULKU/
Humbjet e përditëshme të jetëve njerëzore janë sa të dhimbshme po aq dhe të frikëshme. Po ikin mjekët dhe njeriu ndjehet si i përhumbur në fushbetejën “ pa armët mbrojtëse”, po ikin një nga një ;miq ,të njohur , të panjohur kaq shumë jetë … Është e dhimbshme ti ndjekësh këto lajme të frikëshme që shumë nga ne i kanë përjetuar drejtpërdrejt në terrenin e vështirë ku mjekët kryqëzohen të parët nga virusi i tmerrshëm i cili po gjunjëzon edhe sistemet më të mira shëndetsore. Unë e kalova virusin pranverën (fillim prill 2020) që lamë pas, me simptoma të lehta por me një ankth frike e përgjegjësie për veten dhe për të tjerët të cilëve mund t’jua transmetoja. E ktheva në kujdes frikën e natyrshme, e shndërrova në dashuri merakun sistematik që më karakterizon si njeri, e shndërrova në disiplinë të rreptë, higjenën, ushqyerjen, lëvizjen në natyrë, distancimin social. Jeta mori një dimension tjetër ku epiqendër nuk është as më shumë e as më pak përveçse KUJDESI. Në kohë pandemie gjithkush mund të jetë burim infeksioni , testimi është vetëm njē mjet më shumë për ta çertifikuar statusin shëndetsor i cili ndryshon aty për aty. Sot je negativ pas dy ditësh mund të infektohesh dhe ky cikël jete po bëhet motivi i një refreni sistematik .Kjo kohë i ngjan një stuhie e cila kalon nëpër pyllin njerëzor ku jo të gjithë rrëzohen; shemben, përkulen bien , ringrihen , groposen.E rëndësishme mbetet vetkontrolli, përkujdesja ndaj vetes, bashkëjetesa çdo çast me të, mosneglizhenca për asnjë çast i vetvetes me të gjitha nevojat që ajo ka ; për ajër të vetmuar, higjenë pa hile,ushqyerje korrekte ,mjekim ,prezencën virtuale të gjërave pa të cilat njeriu nuk jeton dot.
Kjo energji e re njerëzore e paprovuar më parë solli në vëmendjen tonë atë që është esenca e jetës ; shëndeti ! Në një përmasë kaq individuale kjo lloj energjie po ndikon kaq drejtpërdrejt në kolektiven duke nxitur shfaqjen e një stili krejt i ri jetese që ka ndryshuar sjelljet, ceremonitë , liritë dhe lumturitë tona duke na bërë më racional dhe syhapur ndaj çdo gjëje përreth nesh .Askush nuk ia din fundit këtij shtegu nëpër të cilin njerëzimi po ecën me apo pa vullnetin e tij, por të gjithë jemi dëshmitarë të një kohe për të cilën vetëm të mbijetuarit do mundet të rrëfejnë . Uroj t’ia dalim që një ditë t’ia largojmë këto brenga vetes dhe të tjerëve duke treguar se mbijetesa është falenderimi më i madh .