Elez Osmani/
Të nderuar anëtarë të familjes Bajraktari! Të nderuar miq!
Jam shumë i pikëlluar për këtë vdekje, andaj me ju sot e ndaj të njëjtën dhembje të madhe!
Me të ndjerin Haxhi Lulin, jemi njohur para shumë vjetësh. Por, nuk e kisha menduar kurrë më parë, një moment si ky, se do të vinte shumë shpejt, siç me duket mua në këto çaste. Por, siç e dini të gjithë, fshehtësia dhe momenti i vdekjes është vetëm në dijen e të Lartë Madhërishmit, dhe jo të njeriut.
Nuk e kisha dëshiruar kurrë në jetë se në një ditë, si kjo, Haxhi Lul Bajraktari, do të na “mblidhte” të gjithëve, jo siç e kishte zakon, për të na pritur në konakun e tij, me atë buzagazin e tij dhe mirëseardhjen që e kishte të veçantë vetëm ai. Por, sot na ka tubuar për t’i thënë lamtumirën e fundit dhe për t’u lutur për shpirtin e tij që të gjejë paqen e përjetshme që ia jep i Madhi Zot! Sot, në këtë ditë, të gjithë së bashku e kuptojmë, se shpirti i tij, me dëshirën e të madhërishmit, ka kaluar në botën e amshueshme! Kurse ne të gjallët, pikërisht sot e hetojmë boshllëkun e madh njerëzor që ka lënë për të gjithë ne. Sot, e kujtojmë ashtu siç ishte gjithmonë, i qeshur me të gjithë ne, plot jetë, human e ndihmëtar i madh. Ishte i vyeshëm e punëtor, ishte besimtar praktik, ishte modest e bujar. Prandaj, është e natyrshme, se këto veti të tij, e shtojnë pikëllimin tonë dhe dhembjen tonë për të.
Nuk e kisha menduar kurrë, që ky burrë, me atë gjallëri dhe me atë dashuri për jetën, me atë gjallëri të jashtëzakonshme, me atë dëshirë dhe me tërë atë dashuri për jetën, do të mësohej ngadalë, ashtu në qetësi të tij karakteristike, që të përgatitej për botën tjetër, që të bëhej gati të ndahej nga gjithë njerëzit që e donin aq shumë, ashtu siç i donte ai, që e respektonin sa herë përmendej emri i tij, ngase ai dinte t’i respektonte të gjithë, që u besonte njerëzve, njësoj siç i kishin besuar të gjithë gjatë tërë jetës së tij të ndershme!
Kur e kreu kushtin e pestë të islamit – haxhin, shkuam për ta uruar. Ai,vërtet, kishte bërë një transformim të brendshëm shpirtëror, ashtu si i kishte hije një Haxhiu. Në bisedë e sipër, ashtu qetë na tha: ‘‘kam mbresa të jashtëzakonshme, të mahnitshme, por shumë, shumë u kënaqa dhe u gëzova, sepse e mora një bedel për nënën, u luta për të dhe tërë familjen, kështu që ma mbërrini jeta ta vazhdojë traditën time familjare.
Haxhi Lul Bajraktari ishte një njeri i virtytshëm. Andaj, sot, në këtë ditë mortore, kur po ndahemi për herë të fundit, i themi me gojën plotë vlerat e tij, sepse këtë që e themi ne për ato vlera të tij, ai i ka merituar gjatë gjithë jetës së tij.
Padyshim, ky burrë do t’i mungojë familjes, do t’u mungojë fëmijëve të tij, do t’i mungojë bashkëshortes së tij, e cila ia dhuroi gjithë kujdesin e bashkëshortes së përjetshme, duke ia kushtuar një përkushtim të madh në ditët më të vështira të jetës, ashtu siç i ka hije një bije të traditës sonë dhe një gruaje fisnike. Haxhi Lul Bajraktari do të ju mungojë të gjithë të afërmve, miqve dhe bashkëqytetarëve të tij, që e vlerësonin dhe e respektonin e çmonin dhe e nderonin për karakterin e tij të rrallë dhe të fortë burrëror.
Familjaret, miqtë dhe kolegët, të gjithë ata që e kanë njohur dhe janë takuar në jetë me të, do ta ruajnë gjithmonë në kujtesë, si të qeshur, miqësor dhe të përkushtuar, do ta kujtojnë si vëlla, për të vetmuarit, si përkrahje për të pamundurit dhe si një shpresë për të dëshpëruarit.
Allahu e gradoftë me xhenet!
New York ,30 nëntor 2022