Deputeti Mustafa Merlika-Kruja dhe grupi i deputeteve te Shkodres ne vitin 1923/
NGA ILLO FOTO, NEW YORK/
Familjet e mëdha janë emërtuar të tilla, për shkak të njerëzve të shquar, për shkak të pasurisë që kanë zotëruar dhe për shkak të influencës që kanë ushtruar në mjedisin shoqëror në një kohë të dhënë. Kthesat historike kanë filluar nga familjet e mëdha. Skënderbeu mblodhi krerët e familjevë të mëdha, në Kuvëndin e Lezhës.
Të njëjtën gjë bëri dhe Ismail Bej Vlora. Nuk mund të vendosej asnjë bashkim, pa vullnetin e familjeve të mëdha, që quheshin edhe oxhaqe ose porta. Kishin pasurinë, territor dhe mbi gjithçka kishin njerëzit më të ditur të kohës, në një trevë të caktuar .
Këto familje kishin aftësinë dhe ndjenin nevojën e aleancave, për të përballuar rreziqet e jashtëme dhe të brëndshme. Ato treva, që nuk arrinin të krijonin familje të mëdha, u bënë çifliqe të agallarëve dhe nëpunësve të lartë të Perandorisë. Pasuria e familjeve të mëdha gjithnjë ka rrjedhur nga afërsia me qeverinë. Perandoria shpërblente idhtarët e saj me pasuri të pa luajtëshme, simbas kontributit që jepnin në fuqizimin e Perandorisë.
Firmëtarët e aktit të pavarësisë në Vlorë 1912 ishin, kryesisht, pjestarë të familjeve të mëdha të kohës, klerikë të lartë dhe intelektualë të rinj. Midis klerikëve të firmëtarëve ishte Imzot Nikoll Kaçorri, që nuk ishte nga radhët e njerëzve të pasur, por ai pati, përpara emrit , titullin fetar.
Firmëtar i Pavarësisë ishte një i ri nga Kruja e Skënderbeut, Mustafa Merlika – Kruja, që nuk përfaqësonte ndonjë familje të madhe dhe nuk kishte ndonjë ofiq përpara emrit, por ishte midis më të diturve të firmëtarëvet .
Universitarë të këtij niveli, ishin të rrallë në Shqipëri, sepse ata që mbaronin universitete, kudo në botë, mund të ndërtonin një jetë të pasur dhe të lumtur, kudo dhe sido që do të dëshironin. Mustafai i ri ishte i pasionuar pas shkencës dhe atdhetarisë. Postit të nënprefektit në Urfa të Sirisë ai i parapëlqeu atë të mësuesit të shqipes dhe matematikës në gjimnazin e Durrësit, për kënaqësinë e miqve të tij, që e uruan, madje edhe nga burgu. Atë ç’ka përvehtësoi në universitet, vendosi t’a verë në jetë në Atdheun e robëruar të kohës. E vuri veten dhe dituritë në shërbim të Mëmëdheut, që në momentin që u kthye në vëndlindje. Me fillimin e kryengritjeve anti – turke në Shqipërinë e Mesme u vu si sekretar organizativ i tyre. Në këtë detyrë ai mbante lidhjet me komitetet an’e mbanë Shqipërisë, si me 12 bajrakët e Mirditës, me komitetet e jugut, t’Elbasanit, madje ishte pjestar, së bashku me Markagjonin dhe Abdi Toptanin edhe në takimin në Shkup me udhëheqësit kosovarë si Nexhip Draga, Hasan Prishtina, Isa Buletini etj.
U bashkua me Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin e atë grusht atdhetarësh që udhëtuan drejt Vlorës, duke u nisur nga Durrësi, n’atë javë të fundit të Vjeshtës së tretë 1912. Më 28 nëndor mori pjesë në ngritjen e flamurit dhe firmosi dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare n’emër të kryeqendrës së Skënderbeut. U votua i katërti në listën e Pleqësisë së Asamblesë së Vlorës, u emërua nënprefekti i parë i kryeqytetit të shtetit të parë të bashkuar shqiptar. Shpejt, megjithëse ende nuk kishte mbushur 26 vjetët, u emërua kryesekretar i Qeverisë së parë të Ismail Qemal bej Vlorës, të cilit i qëndroi besnik deri ditën e fundit, në kundërshtim me mjaft të tjerë që e braktisën për t’u bashkuar me Esat Pashë Toptanin. Qe njëri ndër eksponentët politikë më të zellshëm në luftën kundër rebelimit filoturk të Haxhi Qamilit, me armë dhe me pendë. Mbas largimit të Princ Wiedit nga Shqipëria, si rezultat i zgjerimit dhe forcimit të lëvizjes së Haxhi Qamilit, Mustafai u detyrua të dorëzohet tek Esat Pashë Toptani, për të liruar të gjithë meshkujt e familjes së zgjeruar, të cilët ai i mbante peng. Esati e dënoi me vdekje, sepse kundërshtonte veprimtarinë e tij, duke e quajtur jo në interes të Shqipërisë, pastaj i fali jetën dhe e syrgjynosi në një burg italian.
U kthye në Shqipëri në dhjetor 1918 e mori pjesë në Kongresin e Durrësit, ku u zgjodh ministër i postë-telegrafavet dhe sekretar i Dërgatës shqiptare në konferencën e Paqes në Paris 1919. Në pjesën e dytë të librit të sipër përmendur, nga faqja 291 deri në faqen 357, janë rradhitur dokumentat e hartuara nga Dërgata shqiptare e qeverisë së Durrësit në Paris. Ata dokumenta, që janë një pasuri e vërtetë për çështjen tonë kombëtare dhe diplomacinë shqiptare, të nënëshkruara nga kryeministri Turhan Pashë Përmeti, janë hartuar nga Mustafa Kruja dhe miku i tij i madh Luigj Gurakuqi. Nëpërmjet leximit të tyre, cilido mund të gjykojë mbi atdhetarizmin dhe përkushtimin ndaj çështjes shqiptare të krutanit 32 vjeçar. Deputet i Kosovës në parlamentin e parë shqiptar, shquhet për prirjet përparimtare dhe proevropiane në hartimin e legjislacionit të shtetit të dalë nga Kongresi i Lushnjes. Si i tillë mori pjesë në kryengritjen e marsit 1922 dhe u arratis në Jugosllavi, mbas dështimit të saj. Atje për pak kohë mësoi serbo-kroatishten dhe përktheu librin e ish kryeministrit të Serbisë, Vlladan Gjorgjeviç “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”. U kthye në Shqipëri në qershorin 1924 dhe u emërua Prefekt me fuqi të plota në Shkodër.
Në dhjetor 1924 braktisi për të tretën herë Atdheun, brënda dhjetë vjetësh, këtë herë me gjithë familje. Periudha 15-vjeçare e mërgimit politik në Itali qe një periudhë pune intensive intelektuale, sidomos në gjuhësi dhe publiçistikë. Në të parën punoi kryesisht mbi kryeveprën e tij “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”, ndërsa në të dytën bashkëpunoi me shumë organe të shtypit shqiptar t’asaj kohe brënda e jashtë Shqipërisë. “Kuvendi”, “Shkumbini”, “Politika”, “Dajti”, “Liria kombëtare”, “Mbrojtja kombëtare”, “Imigranti”, “Shqipëria e re”, “Cirka”, “Përpjekja shqiptare”, “Agimi”, “Hylli i Dritws”, “Ora e malevet”, “Leka” janë të përkohëshme shqiptare në të cilat Mustafa Kruja ka botuar shkrimet e veta me emër apo pseudonime, ku më i njohuri ishte Shpend Bardhi. Në vëllimin “Gjysmë shekulli me pêndë në dorë”, të botuar në vitin 2015 nga Eugjen Merlika, janë përmbledhur shumica e këtyre shkrimeve, që paraqesin një nga publiçistët më cilësorë e më prodhimtarë të jetë sonë kulturore të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. U afirmua si shkrimtar, studjues, gjuhëtar. Është një shqiptar me jetëshkrim aktiv, të ngjeshur dhe gjithpërfshirës. Ai zhvilloi një veprimtari të paparë në fushën e gjuhësisë, të leksikologjisë, të albanologjisë, duke lënë një emër në të tëra fushat, ku debutoi dhe arriti kulme të krijimtarisë. Për Aleksandër Xhuvanin Mustafa Kruja ishte “në rradhën e parë leksikografësh të shquem të Shqipes”, ndërsa studjuesja e ditëve tona Ledi Shamku-Shkreli, në parathënien e vëllimit “Një studim analitik – Gjuha e Frang Bardhit dhe Shqipja moderne”, shprehet kështu :
“Shpesh, kur analizohen post faktum mëndje luminare idetë e të cilave nuk gjetën përhapje në gjallmëni të tyre, thuhet se ato qenë të parakohshme. Për M.Krujën nuk mund të thuhet kësisoj, pasi thelbi i kumteve të tij teorike shihet se ka qenë sinkron me atë të bashkëkohësve të vet në Evropë e Shtetet e Bashkuara – Fishman, Martinet, Benveniste, Bartoli, Migliorini etj. Pra ky novator do të kish qenë njeriu i duhur në kohën dhe vendin e duhur, por pas Dyzetekatrës koha shqiptare rrodhi ndryshe nga koha globale e për rrjedhojë shkenca jonë iu shmang vektorit diakronik të zhvillimeve ndërkombëtare, duke hyrë siç është pranuar me krenari në një shteg sui generis. Pra ky aksident historik u përkthye në një aksident apo gand gjeografik, i cili bëri që M.Kruja të ish njeriu i duhur në kohën e duhur, por që s’mund të ndodhej në vendin e duhur – në Shqipëri”
Ky vlerësim madhor i një studjueseje të re të gjuhësisë shqiptare dëshmon më së miri ndihmesën e jashtzakonëshme të M.Krujës në lëmin e gjuhës shqipe, madje më kujton një shprehje të studjuesit të njohur kosovar Zekirja Cana, në një takim me studentë e pedagogë të Institutit të lartë të Arteve në vitin 1991 : “Nuk mund të kuptohet gjuhësija shqiptare pa ndihmesën përcaktuese të M.Krujës”. Po t’i shtojmë këtyre konsideratave vlerën e paçmuar të “Fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe”, një fjalor etimologjik me 30.000 fjalë e 2500 faqe të daktilografuara, fatkeqësisht i humbur në Institutin e Gjuhësisë, që pasoi Institutin e Studimeve Shqiptare, të themeluar prej gjuhëtarit krutan, mund të vetëdijësohemi më mirë për faktin se sa e padrejtë dhe mosmirënjohëse qe Shqipëria komuniste kundrejt një monumenti të shkencës së saj gjuhësore, sic qe M.Kruja.
Secili komb ka një fillim të pavarësisë dhe të zhvillimit modern të tij . Pavarësia e shtetit fitohet një herë në jetë. Kjo ngjarje historike ka herojtë e saj të pa tjetërsueshëm. Herojtë nuk kanë prejardhje gjenetike. Përkatësia e tyre familjeve të mëdha si origjinë e njerëzve të shquar është probabilitet matematik. Jeta ka vërtetuar se heronjtë, duke qënë individë që dalin mbi kohën, i formon mendja e tyre dhe çasti historik, simbas të cilit ata bëjnë historinë.
Ata që firmosën Deklaratën e Pavarësisë së Amerikës, kanë marrë titullin baballarë të kombit. Janë më shumë se heronj. Veprës së tyre vijojnë t’u referohen dijetarët, shkencëtarët, intelektualët, në rrugën e gjatë të përsosjës së demokracisë dhe të shtetit, jo vetëm në Amerikë, por kudo në botën e qytetëruar. Firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë, populli i ka mbajtur në zemër. I ka ruajtur nga të tëra goditjet, që u kanë ardhur në forma të ndryshme, nga regjimet dhe politikanë të veçantë. Ata janë produkt popullor , pa lidhje me përkatësitë ideologjike emocionale, ata janë flamurtarë të ideologjisë së Kombit.
Influenca praktike e familjeve të mëdha, u zbeh në kohën e Mbretërisë, por nuk u mohua lavdia e tyre për Kombin. Zogu pretendonte se vetëm Ai mund të bënte bashkimin e kombit, por faktikisht nuk mundi t’a realizonte, siç e përfytyruan firmëtarët e pa vdekshëm. Fill mbas luftës së dytë botërore, historia e vëndit iu nënështrua operacioneve më të rënda, që i janë bërë ndonjë herë listës së firmëtarëve. Figura të shquara u deformuan moralisht dhe të tjerë iu hoqën listës së firmëtarëve, duke iu nënështruar harresës, me arrogancën shtetërore, sepse historia duhej të kthehej në vitin zero dhe të vihej në shërbim të triumfit komunist me të tëra mënyrat dhe mjetet .
Një ndër figurat historike të rëndësishme të Kombit, firmëtari i Dokumentit të Pavarësisë, Mustafa Merlika ( Kruja), u vu në qëndër të ciklonit komunist të mohimit dhe harrimit, sepse nga gjyqi komunist 1945, ishte dënuar me vdekje në mungesë. Po përse ? Anjë fakt, asnjë provë. Asgjë ë qënësishme! Kaq pak kushtoka jeta e një intelektuali, një ish Kryeministri, një shkencëtari, një atdhetari të dy epokave, një ideologu politik?
Ky ishte komunizmi enverist i pa shoq ndër homologët!
Mustafa Krujës, firmëtarit të madh, iu mohua atdhetarizmi, vepra intelektuale shkencore e nivelit të lartë, sepse kishte bindje të argumentuara antikomuniste. Ju internua familja, duke e damkosur si familje tradhëtare të atdheut dhe popullit, që i përkiste dhe që i ishte përkushtuar. Familja Merlika, u vendos në kampet e dëbim- përqëndrimit të ish fermës së Lushnjës, pasi kreu internimin në kampin e vdekjes, n’atë të Tepelenës. Këtë dënim të pa merituar edhe për ligjet e kohës, familja Merlika e përballoi me dinjitetin e një familjeje, që historia i kishte rezervuar vëndin në altarin e heronjve të kombit.
Familjet ë mëdha lindin njerëz të shquar dhe heronj, ashtu sikurse njerëzit e shquar janë të aftë të krijojnë familje të mëdha. Në lagjen time në NY, banon një nuse krutane, martuar në derën e një mikut tonë. Mbiemrin e vajzërisë nusja e ka Merlika. E pyeta në se njihte Mustafanë ose Eugjenin. I kam dëgjuar nga prindërit, më tha, dhe e di me siguri që vetëm në Krujë ka mbi 100 familje me këtë mbiemër. Ka dhe në qytete të tjerë, si dhe jashtë shtetit. Jemi fis i madh, nuk jemi familje kanunore, por fis me degëzime të shumta, më sqaroi nusja Kacana (Merlika). Nuk është numuri i degëzimeve, që cilëson familjen. Namin e madh familjes, ja dha vepra madhore e Mustafait.
Regjimi enverist i injoroi shumicën e firmëtarëve të Pavarësisë. Ndaj disave prej tyre dhe familjeve u ushtrua një shtypje e egër, deri në zhdukjen fizike të tyre. Ky qëndrim iu rezervua edhe disa pasardhësvë të babait të Pavarësisë, Ismail Bej Vlorës. Përndjekja ndaj firmëtarëve arriti deri në retushimin e fotografisë së tyre në polifoton e shkrepur në vëndin dhe kohën e shpalljës së Pavarësisë. Në këtë aksion banditesk enverist bën pjesë dhe ndryshimi i emrit të Ismail bej Vlorës, mbiemri i vërtetë i të cilit është bej Vlora. Emri i Mustafa Krujës ishte mbuluar me një shirit të bardhë për gati gjysmë shekulli.
Familja Merlika i pagoi një çmim të lartë kundështisë ndaj komunizmit të të parit të saj. Në familjen Merlika u dënuan katër burra me burgim politik, që përfaqësonin tre breza rresht. Është ngjarje e rrallë edhe europjane persekutimi pa as një faj të argumentuar me ligjët universale dhe ato të kohës për një familje kontribuese për lirinë e kombit. Fenomene të ngjashme Arshi Pipa, i ka stigmatizuar: “ Njolla e kriminelit në ballin e atdhetarit “. Në shkrimin “Mustafa Kruja figurë e ndritun e shkencës shqiptare” studjuesi i mirënjohur, prof. Ardian Ndreca, sjell një fragment nga artikulli “Vështrim i thjeshtë krahasues”, të shkrimtarit Martin Camaj, ndër më të mëdhenjtë e letrave shqipe të të gjitha kohëvet, të botuar në “Shejzat” 1963, me pseudonimin “Kosovari” :
“Sa shkrimtarë u-pushkatuen apo u-dënuen për jetë gjatë periudhës së Koliqit si Ministër i Arsimit e i Krujës si kryeministër ? Ju lutem na i tregoni, sepse un si Kosovar nuk kam lexue njikso gjâje. E sa në kohën e Enverit, “birit më të dashur të popullit shqiptar” ? Këté na e rrëfejnë e përshkruejnë mâ qartë se çdo tjetër emigrant arsimtarët e ndershëm, vllaznit Pipa, po në fletoren “Shqiptari i lirë” të New York-ut”
E huazova nga shkrimi i z. Ndreca këtë fragment për të pohuar mbas më shumë se gjysëm shekulli, se sa e drejtë ishte pyetja dhe sa me vend përqasja ndërmjet figurave politike, për të cilat flitet, e që ende sot nuk gjejnë vendin e merituar në kujtesën historike të bashkatdhetarëve të tyre.
Në luftën e dytë botërore spikati përsëri roli i familjeve të mëdha. Lufta e kishte emrin nacional-çlirimtare, por kishte nevojë për mbështetje njerëzore dhe materjale. Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Abas Kupi, Manush Myftiu, Muharrem Bajraktari, Kaloshët, Vrionët, Toptanët, Bushatllinjtë, Këlcyrët, Allunët, Vërlacët, Topullarët, Markagjonët, Karagjozët ishin përfaqësues të familjeve të mëdha. Krerët e tyre i gjetën të formuara. Pasardhësit u a rritën emrin këtyre familjeve, siç njihen dhe rastet e kundërta. Është e thjeshtë të gjykohët se nga këto familje erdhën intelektualë të shquar dhe patriotë me emër. Këto familje mbështetën luftën dhe u bënë prapavijë e sigurtë e saj.(?!!) Enveri ishte pjesë ë një familjeje të madhe, por e rënë nga vakti. Kishte klerikë, që kishin më shumë influenca se ajo e familjeve të mëdha. Të tillë ishin Baba Faja, Baba Fejzo, Baba Rexhepi, Sheh Karbunara etj. Mund të kishe ideal për të zhvilluar një lëvizje politike, por ky ideal mbetej ëndërr pa mbështetjen e shumicës së familjeve të mëdha.
Kjo traditë nuk është ndeshur vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Janë të famshme dinastitë Habsburgë, Burbonë, Kromwellët, Plantagenetët, traditë që u transferua në Amerikë, me Rokfellerët, Riçardët, Bushët, Trampët etj .
Populli ynë e ka vlerësuar normalisht rolin e familjeve të mëdha. Historia tregon se ata nuk kursyen as veten, as pasurinë. Ja si thotë kënga popullore : “Abdyl shite pasurinë, tri barrë flori. / Vajte te Bismarku , brënda në Berlin”… dhe vijon me bisedën te Bismarku .
Mustafa (Kruja ) Merlika nuk trashëgoi pasuri as flori, por vuri në shërbim të atdheut atdhedashurinë, fizikun, mëndjen, karakterin, përgatitjen e gjithanshme intelektuale–profesionale, gjithçka që kishte. U bë fatos, që e rriti vegjëlia krutane e Skënderbeut. Mustafai e rriti namin atdhetar në nivelin e familjeve më të mëdha të kombit. Un mendoj se perpara monumentit të A. Zogut, meriton të ngrihet shtatorja e Mustafa Krujës. Ai ishte një atdhetar kristal dhe erudit .
Rivendosja e sistemit pluralist, midis shumë transformimeve sociale, solli mundësinë e një diskutimi të gjërë akademik dhe shoqëror, për deformacionet, që i u bënë historisë së kombit nga ideologjia ekstremiste e Enverit. Një ndër pikat më të nxehta të këtij diskutimi vijon të jetë në se shqiptarët duhej të krijonin dhe të bënin funksionale qeverinë nën pushtuesin. Mendimet e historianvëve në këtë pikë janë të kundërta dhe pak bindëse.
Un kam shkruar disa libra politiko-bujqësorë dhe më është dashur të vendos një sfond historik për çdo ngjarje. Në këtë periudhë kanë ushtruar veprimtari shumë specialistë dhe shkencëtarë bujqësorë të brezit intelektual të viteve 30 të shekullit të kaluar. Kjo nuk ishte një periudhë e shkurtër tranzitive, që mund të përballohej me sakrifica momentale që sjell lufta në kalim. Si do të përballohej kjo periudhë kaq e gjatë dhe me aq privacione, që sillte gjëndja e luftës ? Për mendimin tim, disa historianë gabojnë në përceptimin praktik të kësaj periudhe. Ata flasin për periudhën përpara dhe pas luftës, duke krijuar përshtypjen se lufta ka vijuar një natë të vetme por, fatkeqësisht lufta zgjati 6 vjet. Në këto vite njerëzit duhej të punonin, të zhvillonin ekonominë, tregëtinë, të martoheshin, të riprodhoheshin. A ishte e nevojshme që kjo periudhë të kishte një aparat administrativ, i cili të mbarështonte jetën ekonomike, arsimin, kulturën, rendin publik etj. ? A ishte më mirë për shqiptarët që këtë funksion t’a kryenin pushtuesit me njerëzit e tyre ? A nuk ishte më mirë për qytetarët shqiptarë të gjenin në zyrat e Shtetit, në të gjitha nivelet, nëpunës shqiptarë ? Është pika më nevralgjike, ku historianët kanë gabuar dhe vijojnë të mos korigjohen. Vazhdon të gjykohet me pasione.
Pjestarët e qeverive, natyrisht duhet të analizohen politikisht dhe do të vlerësohen se sa i ka shërbyer Vendit puna e tyre. Ky kriter ka qënë dhe mbetet një detyrë e historianëve objektivë e jo të politizuar. Nuk mund të ketë personalitet që, në punën e tij të mos ketë luhatje ose gabime njerëzore, qofshin ato dhe bindje, që lidhen më luftën “nacional- çlirimtare”, që kishte edhe elemente te një luftë civile për marrjen e pushtetit në përfundim të luftës botërore. Më duket se historianët zyrtarë, që prej 70 vjetësh, kalojnë në heshtje gati gjysmën e periudhës së pushtimit, që nuk pati luftë, pa shpjeguar motivin. E vërteta është se lëvizja komuniste, e cila vetëm në nëndorin e vitit 1941 arriti të organizohej nën drejtimin e Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës, deri në 22 qershorin e atij viti, nuk foli kurrë për luftë kundër pushtuesit, edhe se Vendi ishte pushtuar më 7 prill 1939. Kjo ndodhte sepse mes Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik kishte një pakt mos-sulmimi. Kur Hitleri e prishi në mënyrë të njëanëshme këtë pakt, duke sulmuar mbishtetin komunist, urdhëri nga Moska erdhi për të luftuar.
Interesat e Shqipërisë n’atë periudhë nuk pajtoheshin me âta të komunizmit ndërkombëtar dhe aleatëve të tij të rinj. Nacionalizmi shqiptar kishte arritur të realizonte, në sajë të fitores gjermane në Ballkan, bashkimin kombëtar që ishte ëndërra e tridhjetë viteve të shtetit të pavarur. Administrata shqiptare u shtri në të gjitha “tokat e lirueme” dhe shkollat shqipe u hapën në të gjitha trevat arbërore , me përjashtim të Çamërisë. Nga ana ekonomike Shqipëria ishte Vendi që e kishte ndjerë më pak se gjithë Vendet e tjera peshën e luftës. Treguesit ekonomiko – financiarë flisnin për një përmirësim të ndjeshëm të jetës shqiptare. Por me krijimin e PKSH të markës serbe të gjitha këto arritje viheshin në pikëpyetje. Këtu hyn në skemën e pushtetit Mustafa Kruja që deri atëhere kryesonte Institutin e Studimeve Shqiptare. Si një politikan largpamës e kuptoi më shpejt se të tjerët rrezikun që i kanosej Vendit të tij. Vendosi të pranojë formimin e Qeverisë, të cilën Konti Ciano në kujtimet e tij e quajti “një lëshim i mëtejshëm ndaj ekstremizmit të nacionalizmit shqiptar”. Më pëlqen të citoj këtu publiçistin dhe shkrimtarin Ilir Ikonomi që në parathënien e vëllimit, gati 700 faqesh, “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”, e trajton kështu këtë çast tepër përcaktues të jetës së kryeministrit të XVI të shtetit shqiptar :
“Në fund të vitit 1941, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga fashizmi, Mustafa Kruja pranoi postin e kryeministrit. Mund të debatojmë sa të duam nëse ky ishte një gabim apo një veprim i mënçur n’atë kohë kur nuk kishte zgjedhje të lehta. Por, gjatë pak më shumë se një viti në krye të qeverisë, ai tregoi me vepra se, në mendimin e tij, ideologjitë nuk ishin veçse sende kalimtare dhe se atdheu ishte rrapi madhështor që i pështillte të gjitha nën hijen e vet.
Merlika nuk u bë kurrë fashist. Ai mbeti shqiptar, po të gjykojmë nga fryma e shkrimeve dhe fjalimeve të tij..”
Gjykimi i Z. Ikonomi është për t’u përgëzuar për objektivitetin e tij shkencor, larg skemave tabu të ideologjizuara të historiografisë së 70 vjetorit komunist e mbas komunist.
- Kruja karakterizohej nga antikomunizmi permanent. Bindjet e tij antikomuniste flasin për një kulturë solide të tij, që arriti të parashikojë të keqen (vendosjen e komunizmit dhe pasojat e tij shkatërrimtare për kombin shqiptar), përpara se ajo të ndodhte. Filozofia e tij u provua me rënien e murit berlinez, 45 vjet më vonë. Parafytyro cili ishte Mustafa krutani dhe formimi i tij filozofik !
Përsëri po i a le fjalën studjuesit Ikonomi :
“Viti 1942 ishte kohë lufte. Ishte edhe një kohë kur komunizmi kishte filluar të shihej nga një pjesë si ilaçi çudibërës që do të zgjidhte të këqiat e botës. Këtë iluzion të kuq e përqafuan qindra mijra njerëz në Evropë, të cilët ose nuk i dinin ose i mbyllnin sytë përpara krimeve që bëheshin brënda gulagut të madh sovjetik.
Prandaj, është meritë për ata intelektualë në Shqipërinë e vogël, që jo vetëm nuk u infektuan, por u përpoqën të gjejnë mënyra për t’i dalë përpara rrezikut. “Shihni në ksulat e çetnikvet të këtyne idealistave palaço shqipen dykrenare me nji hyll të kuq në mest. E kanë bâ gati edhe flamurin e asaj republike të kuqe”, tha Merlika në të njëjtin fjalim të vitit 1942. Parashikimi ishte i saktë. Madje, republika e kuqe në Shqipëri rezultoi më e egra e Evropës Lindore”
Vërtetësia e argumentit të analizës së Ikonomit besoj se nuk ka nevojë për asnjë koment. Por kuadri i asaj analize mendoj se duhet plotësuar me një paraqitje të shkurtër të vendimeve kryesore të Qeverisë Kruja. Ja, simbas një tjetër studjuesi të ri të historisë së qeverivet shqiptare të shtetit të pavarur, z. Roland Qafoku, disa nga ata vendime në librin mjaft interesant e objektiv “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë” :
“Më 23 prill 1942, kryeministri Mustafa Kruja detyroi italianët që të hiqnin fashot e Liktorit nga flamuri kombëtar.
Vendim që financat t’i kalonin Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare. Krijimi i Ministrisë së Tokave të Lirueme në vend të Komisariatit të Lartë për Kosovën dhe Dibrën. Bashkimi i Plavës dhe Gucisë me tokat shqiptare.
Vendim për shpëtimin e 300 familjesh hebreje, duke i pajisur me dokumenta shqiptare dhe duke i strehuar në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut. Operacioni u krye me sukses edhe me miratimin e Mëkëmbësit Jakomoni.
Vendim për kthimin në Shqipëri të të gjithë intelektualëve që ishin internuar.
Vendim për mobilizimin e ushtarëve të datëlindjes 1920, sidomos për mbrojtjen e Kosovës.
Vendim që të dërgoheshin në Kosovë mësues dhe juristë për hapjen atje të shkollave dhe gjykatave shqiptare.
Vendim pwr ndihmë banorëve në zonat e dëmtuara nga tërmeti në Dibër
Vendim për heqjen e kompetencave të këshilltarëve italianë në minisritë.
Vendim për heqjen e italishtes si gjuhë e detyruar në shkollat fillore.
Vendim për dënim me vdekje për çdokënd që kapej me armë pa leje në objektet strategjike të shtetit.
Vendim për amnisti të gjërë për pjestarët e çetave që kishin luftuar kundër italianëvet.”
Këta ishin disa nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së qeverisë Kruja, një nga më cilësoret e gjithë qeverive shqiptare. Ai brez atdhetarësh e firmëtarësh të pavarësisë flijuan të shkuarën e tyre për të shmangur rrezikun që i kanosej Atdheut në t’ardhmen. Nëse rezultuan të humbur e çmimi i asaj përgjegjësie që morën mbi shpatulla, qe vërtetë tragjik për ta dhe familjet e tyre, ndoshta dhimbja më e fortë qe paaftësia e Vendit për të kuptuar dramën e tyre. Sot duket se diçka lëviz n’atë drejtim, mbasi mund të shprehen hapur opinionet edhe kundër tabuve zyrtare të shumë dhjetëvjeçarëve. Në një program televiziv të studjuesit Qafoku, z. Artan Shkreli, këshilltar i kryeministrit Rama, u përgjigj : “Edhe un po të kisha qenë n’atë kohë do të kisha qenë kolaboracionist si Mustafa Kruja”. I këtij mendimi jam dhe unë, besoj dhe shumë të tjerë .
Po e zgjeroj mendimin. Jeta nuk do të ndalej nën pushtuesin, jo vetëm për instikt. Jetën njerëzore e rregullon ose kanuni ose ligjet nëpërmjet institucioneve. Këtë bënë intelektualët e përgjegjshëm që morën pjesë në qeveritë e pushtimit. Ata menduan një mënyrë për vazhdimësinë e jetës shqiptare. Ishte e vetmja ? Logjika e ftohtë e pohon. Funksionarët e këtyre qeverive kryen një mision qeveritar, për sa kohë nuk tejkaluan detyrën politike, ndërsa detyrat ekonomike janë gjithnjë paqësore. Duhej organizuar jetesa, vazhdimësia. Shoqëria nuk kishtë vdekur, ishte paralizuar. Duhej të ringrihej në këmbë.
Nënvizoj se në kohën e luftës prodhimi bujqësor shtetëror u rrit, krahasuar me vitin 1939, që ishte baza krahasuese e nisjes dhe vijoi të kishte rritje. Përballoi nevojat e qytetit dhe të frontit. Pse nënvizoj prodhimin bujqësor? Sepse mbi 80% e njerëzve merreshin me bujqësi. Në të tëra kohërat bujqësia ka qënë dhe mbetet tregues i ekonomisë dhe mirëqëniss, jo vetëm shqiptare.
Për të familjarizuar lexuesin me këtë problem, po ju përmënd një fakt analog të freskët. Në vitin që jemi baza e nisjes, që është viti 1990, jo vetëm nuk është arritur prodhimi bujqësor, por është shumë më i vogë. Ky tranzicion provoi së bujqësia është sektori më i vështirë për t’u menazhuar nga lart .
Në listën e Kryeministrave, që na ka paraqitur studjuesi i mirënjohur R. Qafoku, vetëm nën dy kryeministra është rritur prodhimi bujqësor : nën Mustafa Krujën dhe nën Mehmet Shehun. Kryeministrat e tjerë kanë lojtur një rol, sa për të kaluar urën dhe t’i a dorëzonin bujqësinë e drobitur pasardhësit, gjithnjë më të pa aftë.
Më thoni një krim që ka kryer me dorë Mustafa Kruja? Krimet që ka kryer individualisht M. Shehu janë me dhjetra. Edhe për këtë progres ekonomiko-shoqëror do të mbahet mënd Mustafa Kruja, si shtetar. Ferma “Fulltz “ vijoi të funksiononte, si model i ekonomisë komplekse fshatare. Në qeveritë e pushtimit trojet arbnore funksionuan në tërësinë e Shqipërisë natyrale, vetëm pa Çamërinë. Ai nuk ishte thjesht politikan me vizion, por ishtë intelektual erudit dhe drejtues i talentuar. Këtë cilësi të tij e njihnin bashkëkohës dhe miqtë, madje ish ministri anglez Julian Amery e quajti “shqiptari më i zgjuar i kohës së tij”. Ndër Kryeministrat eruditë veçohet dhe Fan Noli, por Ai nuk e hoqi kryqin edhe kur ishte Kryeministër. Pretendoi se demokracia ishte midis njerëzve, kur ajo ishte e fshehur pas pusisë, nga ku duhet t’a shpëtosh me shumë sakrifica, që Peshkopi i kishte harruar në altar.
Mustafa Kruja njihte jetën e njeriut të thjeshtë, të tregtarit të kohës, të fshatarit të raskapitur, të fetarit, të studentit, të ushtarakut, të policit. A kishin këta një mbrojtje, një zot, një mik, një prind ? Mustafa Kruja mendonte për të tërë, se ishte si ata, nga shtresa e tyre. Kishte zemër të madhe dhe horizont, që i mbulonte me diell të tërë ata që qeverisi. E rikujtova Mustafën edhe kur mbeta pa punë në 1992. Isha një dëng pa markë, që pret në mol. Më braktisi shteti. Secili mund të bënte ç’të donte me mua dhe familjen time. U desh një fuqi madhore, një Mustafa Krujë, që as nuk erdhi, as nuk gjindej gjëkundi, për të më dhënë zgjidhje.
Mustafa Kruja nuk mori as një titull perandorak si Spahi, Aga ose Bej. As ndonjë dekoratë nga pushtuesit. Mbeti krutan dhe shqiptar pa grada dhe tuje . Mbeti shërbëtor i popullit me mëndje dhe me zemër. Ndoshta vlen të shënoj fjalët e Montanelit në intervistën që botoi në gazetën më të madhe italiane “Corriere della Sera”, më 21 maj 1942 : “ Nuk e shihnja Merlika-Krujën prej dhjetë vitesh e vura re se kishte ndryshuar fort pak. Suksesi e nderimet nuk kanë mundur të shndërrojnë natyrën e sjelljen e jashtëme të këtij burri. Është i veshur pak a shumë si dhjetë vite më parë e nuk i jepte rëndësi vetes me poza e fjalë të mëdhaja. Vazhdon të flasë me maturí, edhe se tani e zotëron italishten përsosur dhe – gjë e rrallë tek një burrë Shteti – jep përshtypjen se ajo që thotë është e vërtetë….. Ishte gjithmonë i njëjti burrë. Një burrë! ” Një portretizim i tillë, prej një të madhi të publiçistikës botërore, do të nderonte cilindo Burrë Shteti, edhe në Vendin më të zhvilluar të botës.
Për të ruajtur vazhdimësinë e kësaj origjine kohore djemtë dhe vëllezërit i orientoi, në studimet e tyre, drejt profesionevet e jo drejt politikës. Djalin e madh, Petritin, e bëri të mësojë në Universitetin e Grènoble-it, jo për llafollogji, por për inxhinjerí, që t’i shërbente atdheut në frontet më të vështira të punës. Ai e justifikoi sakrificën e familjes, u diplomua inxhinjer me diplomë të shkëlqyer. Ai nuk u diplomua vetëm për familjen, por edhe për Shqipërinë.
Gjatë luftës pati, së bashku me dy shokë të diplomuar në Francë, një ndërmarrje elektrike, që u muar me instalimet elektrike, në Tiranë e qytete të tjera. Por ngjarjet u rrokullisën në atë mënyrë, që Petriti diplomën universitare t’a arkivonte forcërisht dhe jëtën t’a vijonte në gulagët komunistë, me gjithë bashkëshorten me origjinë italiane, Elena, dhe djalin e vetëm, Eugjenin. Përse ? Për arsyen e vetme se babai i tij u shpall tradhëtar i Atdheut, edhe se i shërbeu atij, siç u shpjegua më sipër.
Nën pushtuesin, shqiptarët ose duhet të vdisnin ngadalë, ose të rigjeneronin forcat progresive të mbijetesës. Këtë ua siguruan qeveritë shqiptare të pushtimit, që i njihnin, që flisnin të njëjtën gjuhë , që ishin të një gjaku. Si u trajtuan ato nga historiografia dihet. Historia nuk bëhet me supozime. Kush tejkalon detyrën le të përgjigjet ; ky është ligji historik, që ndëshkon qeveritarët kontravajtës të tëra ngjyrave politike. Edhe se këtu na del një problem, jo i dorës së dytë. Kush ka tagrin të bëjë shqyrtimin, kush e jep notën ? Bëhet fjalë për 6 vjet, që ishte më shumë së një dhjeta e jetës mesatare të kohës. Është periudhë e mjaftueshme për të gjykuar mbi këdo, me dokumenta, dëshmi, prova.
Ku e gjeta un këtë shkallë njohjeje për Mustafa Krujën (Merlika), kur Ai ishte më i moshuar se Babai im dhe unë jam shkolluar në të tëra etapat e shkollës enveriste, ku Mustafa Kruja është trajtuar si kreu i tradhëtisë ? Kjo pyetje lind natyrshëm. Për fat të mirë ose të keq, unë kam ndjekur me punë civile shumicën e kampeve të internim-dëbimit që funksiononin në ish fermat shtetërore të monizmit. Disa prej këtyre kampeve ishin më liberalë, siç ishin ata të Libofshës, Shtyllas-Levan-Fier, Çermë ( Tërbuf ), Savra, dhe më konservatorë ata të Gjazës, Plukut, Grabjanit dhe veçanërisht Gradishtës së Lushnjës. Në këto kampe kam punuar rëndë, në rolin e specialistit. Jam njohur me jetën e të internuarve politikë dhe të dëbuarve nga vëndlindjet, për të siguruar mos arratisjen drejt perëndimit.
Në këto vëndbanime kam jetuar me gjithë familjen, përjashto vetëm Plukun. Jeta ime ndryshonte nga të internuarit, sepse nuk paraqitesha për apel dhe kryeja një punë më të lehtë fizike se ajo për thellimin e kanaleve kullues. Bashkëjetesën me të internuar -dëbuarit e kam pasqyruar gjërësisht në librat e mij. Po përmënd disa fise : Vrionët, Ndreu, Delvina, Kolonja, Toptani, Bitincka, Mile. Kisha miqësi me shumë të internuar, me nivel intelektual shumë më të lartë se i imi dhe që kishin kryer burgjet më të egër të Diktaturës. U miqësova me ta, për të mos thënë se u vëllazërova.
Atje mësova se historia e Shqipërisë kishte shumë ndryshime nga ajo që kisha mësuar në shkollë. Nga goja e tyre kam mësuar cili ishte Mustafa Kruja i vërtetë, që sqarova më sipër. Por vërtetimin e atyre bisedave që tinës i bënja me ndonjë prej atyre që kishin krijuar besim tek mua, e kam kryer duke lexuar disa prej librave që janë botuar në këta vite, dorëshkrime apo përmbledhje shkrimesh të botuara në dhjetëvjeçarë.
Djalin e Mustafait, Petritin e kam njohur fizikisht, por jo në marredhënie pune të drejtpërdrejtë. Inxh. Petritin e kam adhuruar prej së largu, si shënjt të gjallë. Për ta ditur cili ishte ky burrë, po sjell në mëndje portretin e tij : trup mesatar, i drejtë, serioz, i heshtur, njerëzor. Ndiqte rrugën nga shtëpia në ofiçinën – Pluk dhe kthim. Përpara bangos së punës vishte pelerinën dhe fillonte frezimin e cilindrave dhe pistonëve, për të rigjeneruar mjetet mekanike të ish fermës. Merrte porositë me shkrim dhe kështu i dorëzonte te përgjegjësi i ofiçinës. Nuk komunikonte me askënd brënda orarit të punës, madje edhe jashtë saj.
Kisha tentuar të bisedoja kalimthi ndonjë problem pune, por më kishte adresuar te Përgjëgjësi, Tune Harshorva. Këtë komunikim e bënte me secilin nëpunës, që e pyeste, qoftë dhe drejtori. Siç e gjykoj sot, kjo ishte një lloj bindje. Ndaj atij shteti aksidental duhet të dyshoje dhe te vetvetja. Por ndoshta mund të ishte edhe një shfaqje e idesë së respektimit të rregullave, me të cilën ai ishte edukuar që në fëmijëri në kolegjet italiane.
Kurrë nuk më dha të njohur direkt, pavarësisht se këtë njohje e kam dëshiruar, jo për të biseduar për shokët e tij të burgut, por për të njohur në bisedë një enigmë të gjallë njerëzore. Ai fliste me heshtjen e tij. Ishte heshtje proteste. Ajo heshtje fliste më shumë se çdo ligjëratë. Qëndrimi i Petritit në Pluk – Lushnjë është legjendë e pa përsëritëshme e një intelektuali të shquar që jeton në një mjedis të sëmurë.
Ajo fermë –lubi kishte mbi një mijë mjete mekanike lëvizëse . Një ditë të mos punonin mjetet ferma falimentonte. Zëmra e ofiçinës që mirëmbante mjetet ishte retifika, një frezë e preçizionit të lartë. Një devijim, sado i vogël, në retifikimin e këmishës kushtontë shkatërrimin e motorrit. Të kuptohemi, jo retifika si instrument, por manovruesi i saj e kthente motorrin në të ri. Saktësia e inxhinjer Petritit ndante fijen metalikë sa fija e flokut për së gjati. Pa retifikën e Merlikës ofiçina nuk mund të funksiononte. Këtë m’a kanë pohuar inxhinjerët mekanikë, m’a konfirmojnë dhe sot në bisedat tona, këtu ku banojmë.
Petriti me familjën jetonin të internuar në qytezën bujqësore të Plukut, 5 Km. larg Lushnjës, ku unë u emërova përgjegjës i sektorit bujqësor (1975 -1978) . Në këtë sektor gjeta një situatë inkandeshente të luftës klasore. Dy agronomë të sektorit, nga tre që ishin gjithsej, ishin të pushuar nga puna për motive politike. Ishin miqtë e mij dhe bashkëstudentë. Donika Vrioni (Omari ) ishte nënë e dy fëmijëve por rrinte pa rrogë, kur edhe me rrogë me vështirësi sigurohej mbijetesa. Se cila ishte kjo zonjë, mjaftojnë të dy mbiemrat që mbarte mbi vete. Agronom Javer Halili kishte gati 28 vjet që punonte në fermë, por ishte vëllai i kulakut të Bençës në Tepelenë. Kur ndaj dy specialistëve të lartë, qytetarë të lirë mbahej ky qëndrim, kuptohet lehtë cila ishte sjellja me të internuarit.
Ishte shumë e rëndë që unë të dystohesha në karriken e zyrës dhe bashkëstudentët të vuanin për bukën e gojës. Unë kisha firmën, që shpenzoheshin paratë dhe jepja frontet e punës për puntorët, në një qytezë me trimijë banorë. Dy kolegët e mij rrinin pa punë dhe unë nuk isha në gjëndje t’i ndihmoja. M’u mërzit jeta ! Të ktheja këta në punë do të armiqësohesha me Byronë e Partisë të sektorit dhe me Komitetin e partisë së ndërmarrjes, që bënin ligjin real në qytezën politikisht të elektrizuar. Shumë e ngarkuar ishte jeta emocionale në vitet e ashpra të luftës klasore. Vijova të ecja bashkë me ta, në një hapësirë të marrë po thuaj me akord, shtruar me gozhdë .
Një pjesë të fiseve të internuara i njihnja, si Barollët dhe Kollçinakët, sepse me të afërt të tyre kisha banuar familjarisht në Çermë (Tërbuf). Këtu banonin edhe familje të panjohura për mua, si familja Kurt Kola dhe shumë të tjerë. Mësova se në këtë lagje banonte familja Petrit Merlika. Familja punonte diku në brigatën e katërt të fushës. Unë nuk mund të lëvizja punëtorë nga brigata e katërt për në një brigatë homologe, edhe se kompetenca ligjore fliste ndryshe. Jo vetëm detyra ime por çdo detyrë shtetërore kishte kuptim të dyzuar. Do punoje më krahët e tua dhe do mendoje me mëntë e shtetit. Kjo ishte diktatura që na sundonte.
Duke pasur dijeni të saktë për familjen Merlika më dhimbsej Eugjeni, me fizik delikat, maturant i shkëlqyer i gjimnazit të Lushnjës, përditë punonte me normë në kanale dhe proçese të tjera të vështira bujqësorë. Shumicën e herëve nuk e gjeja në brigatë, sepse ishte në frontin e punës. Brigadjeri më pati thënë se çdo ditë merr me vete belin dhe librin. Shfrytëzon çdo pushim, sado të vogël, për të studjuar. Studjonte pa ndërprerje. Nuk mund të jetonte pa studjuar, por studjonte pa jetuar plotësisht i lirë. Studimi i u bë natyrë e dytë, pjesë e karakterit. Nuk e pashë asnjëherë rrugëve. Për klubin nuk bëhej fjalë.
Shkolla e mesme kryen formimin intelektual të njeriut. Ajo të rrënjos dëshirën për dituri të mëtejshme, sepse të mëson se dituria është pa fund. Shkolla e lartë, kryesisht, i jep njeriut specializimin profesional. Eugjeni po plotësonte veten me studim individual intensiv. Diplomës së shkëlqyer të maturës, po i bashkëngjiste një univers të pakufishëm të vetaftësimit intelektual dhe i a arriti t’a bëjë në mënyrën më të plotë të mundëshme.
Në të tëra kampet e internim-dëbimeve, në të cilët kam banuar, kam vërejtur se banorët e lirë janë përkujdesur, solidarizuar, i kanë ngushulluar, heshtazi dhe drejtpërdrejt të internuarit. Nuk mbaj mënd as një zënkë, ngacmim, as një sherr. Nuk bëhet fjalë për krime, qoftë dhe ordinere. Psikologjia popullore është më fisnikja dhe më e gjëra.
Në se ka ndonjë njeri që njoh, që ka sfiduar totalisht mungesën e arsimit të lartë, ai është studjuesi, publiçisti, analisti, historiani Eugjen Merlika. Ai dhe sot më shumë lexon se sa shkruan. Këtë e dëshmon niveli shkencor, gjuhësor dhe letrar i veprës së tij, të shkruar në vitet e rivendosjes së pluralizmit në Shqipëri. Eugjeni është një nga firmat më të shquara të shkrimeve studimorë, historikë, kujtime, kritika letrare, përsiatje. Të tëra shquhen për thellësi mendimi, objektivitet të analizës, ndjenjë njerëzore dhe vërtetësi të dokumentuar.
Një vepër e shquar e Eugjenit është drita që hodhi mbi veprimtarinë jetësore dhe intelektuale të Mustafa Krujës. Ai nuk ishte vetëm gjyshi, por një firmëtar i Pavarësisë, një atdhetar i vendosur, një pionier i përparimit në rrugën perëndimore të kombit, një luftëtar i paepur i bashkimit të tij, një nga njerzit më të ditur e më përfaqësues të tij, një gjuhëtar, një historian, një publiçist, një politikan vizionar e largpamës, që u përbalt padrejtësisht gjatë 50 vjetëve, duke u cilësuar si tradhëtar i kombit nga ata që kombin e bashkuar, edhe për meritë të tij, i a dorëzuan, sa hap e mbyll sytë, komunistëve serbë. Me këtë frymë u edukuan tre breza shqiptarësh.
Nuk është e lehtë të përgënjeshtrosh një maqineri rrene të mirëmënduar dhe të lubrifikuar shtetërore dhjetravjeçare. Eugjeni, ashtu sikurse të tjerë studiues seriozë,dhanë ndihmesën për t’i paraqitur shqiptarëve në dritën e saj të vërtetë figurën e Mustafa Krujës. Eugjeni vijon të shkruajë dhe të botojë në shumë gjini. Ende ka pa prekur linjën e tij të mëmësisë, por është duke punuar për pregatitjen e një vëllimi të publiçistikës së gjyshit të tij, gazetarit të njohur në çerek shekullin e parë XX, kolonjarit Sotir Gjika, veprimtaria e të cilit u zhvillua më shumë në SHBA dhe n’Itali, ku ai jetoi 15 vitet e fundit të jetës, duke krijuar familje e duke marrë nënshtetësinë italiane.
Vepra e Eugjenit është shumë e besueshme për brezat, sepse është pena, që ka lindur, është rritur dhe ka qëndruar ndaj enverizmit shqiptar, pa kompromis. Ai shkruan dhe për demokracinë e brishtë çerekshekullore, që bart të meta të pafalëshme . Versionet e kritikuara dhe të tjera të propozuara nga Eugjeni, i gjen rrallë edhe në autorë me emër dhe grada. Nuk mund të jetë ndryshe.
Nuk pata imagjinuar se Eugjeni do të gjente energji, dije e vullnet për të sjellë familjen gjyshërore në vëndin e merituar në altarin e familjeve të mëdha, i mohuar pa të drejtë nga brutaliteti komunist. E ndjej veten krenar për Eugjenin, ish bashkëbanorin tim të Plukut në Lushnjë. Falënderoj profesor Thanas Gjikën dhe publiçisticin Roland Qafoku, që më nxitën të publikoj mendimet, të përjetuara gjatë, për familjen e nderuar Merlika.
Nuk e quaj jashtë kontekstit, po qe se paraqes disa konsiderata për shtresën e nderuar të të përndjekurve politikë të komunizmit, me të cilët kam bashkëbanuar familjarisht. Kjo shtresë e përvuajtur pati fatin më të rëndë në shoqërinë komuniste shqiptare. Përveç vuajtjeve, i dhanë shumë shoqërisë me punën e detyruar në veprat publike. Krijuan më shumë se një Shqipëri që gjetën.
Drejtuesit e organeve të kësaj shtrese i kanë mëshuar më shumë dëmshpërblimeve se sa mundësive, që duhej të krijoheshin për integrimin e shtresës në politikë dhe qeverisje. Të njëjtën vëmëndje duhet të tregojnë për pastrimin e kësaj shtrese nga njerëz të burgosur pa motive politike dhe pa moralin qytetar e që dëmtojnë imazhin e saj. Përpjekjet individuale, kur bëjnë të tërën, janë me efektivitet të lartë. Eugjen Merlika i kërkoi të tëra nga vetja, duke u bërë shëmbull frymëzues për të tërë shtresën .
E thënë troç : duhet të gjendet mekanizmi për të vendosur në poste drejtuese dhe ligjvënëse njerëz realisht të integruar të kësaj shtrese, përfshirë dhe pasardhësit e shkolluar. Kjo shtresë nuk ka nevojë vetëm për dëmshpërblim. Ajo është sakrifikuar, për shtetin ligjor europjan. Duhet të bëhet e qartë se shtresa e të përndjekurve e vlerëson më shumë se kushdo lirinë, demokracinë dhe urren realisht keq qeverisjen dhe korrupsionin. Faturën e pabarazisë skajore e kanë paguar ata. Në këta kushte brezi i moshuar duhet të bëhet i ndërgjegjshëm për dorëzimin e stafetës në duart e brezit erudit, kryesisht të të përndjekurve të integruar dhe të shkolluar. Duhet të zbatohet një program reformator, që të mohojë të kaluarën e hidhur edhe të këtij tranzicioni iluziv.
Illo Foto / Studjues- NY- Prill -2016
Vedati says
Shkelqyshem!
Nga ky shkrim perforcova dhe e çova me tej mendimin qe prona totalisht shtetërore ne Shqiperi nën sundimin absolut e një njeriu, pa asnje meritë, nuk kishte asgje te perbashket me demokracine, as me te ashtuquajturen Demokraci Socialiste dhe se termi Diktature e Proletariatit, zyrtarizonte Terrorizmin Bolshevik te nacional-socializmit Rus te paraqitur si Komunizem I Eksperiences Ruso-Sovjetike.