Kritikë të letërsisë, biografë, kulturologë dhe studiues të veprës së Nolit kanë konstatuar gati njëzëshëm se figurën e Fan Nolit e stolisin të gjitha atributet që i shkojnë një figure poliedrike si ai: peshkop patriot e vizionar, ikonë e “Vatrës” dhe e “Diellit”, poet e përkthyes, politikan e ideolog, diplomat e strateg, filozof e historian, publicist e botues, biograf, polemist, kritik, dramaturg, muzikolog, poliglot … Me një fjalë, Fan Noli është vlerësuar me të drejtë si njeri ndër figurat më të spikatura të kulturës e të dijes shqiptare të shekullit qe e lamë mbas.
NOLI – POET
Fan Noli ishte një poet i madh. Ndonëse nuk qe një prodhimtar i madh në gjininë e poezisë, megjithatë ai e lëvroi me pasion të madh atë dhe, me aq sa shkroi, – dhjetëra vjersha e poema, – spikati me artin e tij, duke zënë një vend të nderuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe.
Brezi im në Kosovë, prej nga vi unë, i rritur e i formuar në frymën e gjakimit të lirisë së munguar, e përjetonte poezinë patriotike të Fan Nolit në mënyrë të veçantë. Ndërkohë që në Shqipëri ajo mëtonte të përçonte një mesazh të drejtpërdrejtë: kritikë e ashpër rendit social, – në Kosovë kjo poezi përjetohej si një protestë jo vetëm kundër shtypjes sociale, por “interpretohej” edhe si një kushtrim për liri. Mund të them se një numër i madh i nxënësve dhe studentëve i kanë ditur përmendësh shumicën e poezive të Nolit.
Në krijimtarinë poetike të Nolit, pra, kryet e vendit e zë, natyrshëm, poezia me motive patriotike. Le ta kujtojmë këtu poezinë ‘Hymni i Flamurit’, (1926) një tekst që i bën karshillëk edhe sot tekstit të Hymnit të sotëm Kombëtar, me tekst të Asdrenit, si dhe teksteve të autorëve të tjerë, me pretendime për Hymn, si një poezi e Gjegj Fishtës (1913), një tjetër e Ernest Koliqit (1921), Mihal Gramenos, Hil Mosit e deri te Lasgush Poradeci (1933). Le të kujtojmë këtu poezinë programatike, “Jepni për Nënën”, këtë Hymn nolian të Mërgatës së Amerikës, që u bë këngë gjithëpopullore, pastaj poemën “Anës së Lumenjve”, që “gurgullon” nga figuracioni stilistik, poezitë “Rent, or Marathonomak”, “Thomsoni dhe Kuçedra”, e deri te poezia elegjiake, sa pikëlluese aq edhe trishtuese, “Syrgjyn Vdekur”, që ta shohim Nolin – Poet, në dritën vezulluese të artit të tij poetik.
Krahas poezisë me motive kthjelltësisht patriotike, pastaj asaj me motive elegjiake -përkushtuese, si “Shpellë e Dragobisë”, Te ura, të ura”, etj., pjesa dërmuese e krijimtarisë së Nolit dominohet nga motivet politike, me frymë të rreptë polemiste. “Kënga e Salep Sulltanit”, “Marshi i Barabajt”, si dhe një varg poezish të tjera te kësaj fryme, godasin kundërshtarin e tij politik, kryeministrin e vendit Ahmet Zogun e fuqishëm, të cilin Poeti i brishtë e rrëzoi dhe e dëboi nga Atdheu. Për ironi të fatit, Noli, ky ‘demokrat fatkeq’, siç është quajtur shpesh, që provoi ta bënte shtet demokratik Shqipërinë e sakatosur e të cfilitur nga varfëria e injoranca, midis ujqish të egër të Ballkanit, e përjetoi vetë një rrëzim edhe më të ashpër nga froni kryeministror, pas gjashtë muajsh. Krahas rrëzimit, ai përjetoi edhe dëbimin dramatik e të përjetshëm nga Atdheu, për të mbetur ‘syrgjyn gjallë’ deri më 13 mars ‘65 dhe ‘syrgjyn vdekur’, deri sot.
Pertej analizës ideo-estetike, asaj metode, tashmë fatmirësisht të tejkaluar të kritikës së arteve, të cilës iu nënshtrua shpesh edhe poezia e Nolit, ajo, si art, përgjithesisht është vlerësuar lart nga kritika letrare, ndërsa autori është çmuar dhe çmohet si njëri ndër mjeshtrit e rrallë të poezisë politike satirike shqiptare.
Kritikët e poezisë së Nolit e kanë çmuar jo një herë fuqinë fshikulluese të artit të tij satirik, të realizuar me mjete artistike letrare, të zgjedhura me sqimën noliane.
NOLI – PËRKTHYES
Noli Patriot, është Noli përkthyes dhe botues i librave doracakë liturgjikë, për nevojat e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare. Autoqefalia, kjo vepër madhështore dhe e jashtëzakonshme e Nolit, duhej të merrte urgjentisht frymë shqip, pra e kishte të ngutshme nevojën e ligjërimit kishtar në gjuhën shqipe. Dhe, kush do ta bënte e mund ta bënte këtë, përveç Nolit?
Do ta përkthente më 1908 librin liturgjik “Shërbes’ e Javes së Madhe”, pastaj tjetrin ‘Libri i Kremteve të Medha’, (1911), etj. Në përkthimin shqip, nga greqishtja, të Librit të Kremteve të Mëdha, krahas rëndësisë së botimit shqip që e thekson në parathënien e saj, Noli shprehet i kënaqur që po shkarkohej nga detyrimi i përkthimit të librave fetarë të nevojshëm, siç thotë ai, “në mënyrë që të më lërë të lirë të merrem me kthime veprash letrare, për të cilat kombi ynë ka aq nevojë”. Pra, Noli i quante të barasvlefshme detyrimet dhe prioritetet, përkthimin e librave fetarë dhe të atyre artistikë, paçka se kënaqësinë e ndjente te e dyta.
Kjo s’kishte si të ndodhte ndryshe, nga që një njeri me një kulturë elitare botërore, nuk mund të mos i vinte detyrë vetës t’u ofronte kënaqësi lexuesve shqiptarë (fatkeqesisht të paktë), duke përkthyer shqip veprat e mëdha të letërsisë botërore, në mënyrë që ta ngriste kombin e tij në rradhët e kombeve të ditura e të ndritura të botës. I prirë nga kjo ndjenjë fisnike iluministe, Noli i bëri të flasin shqip kolosë të mëdhenj botërorë, si Shekspirin, Allan Poe, Ibanjezin, Khajamin, Servantesin, Longfellow, etj.
Noli i shoqëronte përkthimet e këtyre veprave të përbotshme me parathënie për lexuesit dhe dedikime për njerëzit e shquar, shqiptarë e të huaj. Në parathënien e përkthimit të njërës prej kryeveprave të letërisë botërore, të kryedramaturgut botëror William Shakespeare, “Tragjedia e Othellos”, (Boston Mass. 1915), Noli thoshte se kjo vepër i kishte marrë pesë muaj ta shqipëronte dhe dy të tjerë ta ‘limonte” e t’i jepte “formën e funtme’, pra kishte bërë një punë shumë të madhe. “Këndonjësit do të gjykojnë në e ktheva mirë”, thoshte ai, dhe shtonte me humorin e tij fin: “Unë mburrem vetëm që munda ta kthenj”.
Libri i dedikohej aktorit shekspirian dhe menaxherit të famshëm të Teatrit Londinez, Herbert Tree, i cili e kishte frymëzuar ta përkthente shqip, pra, siç thotë Noli në tekstin përkushtues anglisht, “në gjuhën e lashtë të ilirianëve”.
Nje vit më vonë (1916) Fan Noli e kishte përkthyer nga anglishtja me një zell të jashtëzakonshëm poemën ” Skanderbeg” (“Skcenderbeu”) të shkrimtarit amerikan Henry Longfellow. I rrëmbyer, përveç artit të padiskutueshëm që përmbante poema, edhe nga motivi patriotik, pra nga ekzaltimi që ndjente që një i huaj, poet i madh gjithsesi, ishte marrë me kryeheroin e shqiptarëve, Skenderbeun, Noli e përktheu poemën aq bukur, sa që “kritikët konspiracionistë” mund të “dyshojnë”(!) se Lonfellow e kishte shkruar veprën me qëllim parësor – që të përkthehej shqip.
Tema e saj, siç dihet, është episodi i betejës së Nishit, midis ushtrisë Osmane dhe asaj Hune, prej nga kryeheroi shqiptar, Gjergj Kastrioti, kryekomandant i ushtrisë turke në këtë betejë, ikën dhe kthehet në Krujen e tij, me një ferman të Sulltanit në dorë dhe e merr Fronin shqiptar për ta mbajtur me luftë të pandërprerë kundër osmanëve, deri në frymën e tij të fundit.
Anglisht:
“In the middle of the night,
In a half of the hurrying flight
There came a scribe of the King
Wearing his signet ring
And said in a voice severe:
This is the first dark blot
On the name, George Castriot!
Alas, the army of Amurath slain.
And left on the battle plain”
Shqip:
“Mes’ i natës kur afroj
Ikja e rreptë kur pushoj
Një qatip na i vjen Mbretit
Me myhyrin e Dovletit
Edhe tha me zemërim:
“Njoll’ e parë t’u vu sot
N’emër, o Gjerq Kastriot!
Pse kështu? Oh, mjerë ne!
Ushtërinë pse e le?
Therrur fushës për vajtim?
Kritika letrare e ka vënë në pah përkthimin mjeshtëror të poemës së Longfellow-s, ritmin dhe muzikalitetin e vargut. Këtë mund ta bënte vetëm Fan Noli. Ai vetë thoshte se gjatë përkthimit ishte përpjekur të mos largohej shumë nga teksti, “duke përdorur masën dhe ritmin e këngëve tona popullore”.
“Skenderbeu” anglisht-shqip, paralelisht, ishte botim i Librarisë Popullore të Nolit, të cilën, siç thotë vetë, e themeloi, me qëllim që t’u jepte bashkatdetarëve “ca vepra të zgjedhura nga letratyra e përbotshme”. Ai thotë, midis tjerash se “kjo poemë, ndoshta, mund të jetë më e bukura, e shkruar në gjuhë të huaj për trimin tonë kombëtar”, ndaj e meritonte vendin e parë në mesin e vëllimeve që kishte ndërmend të nxirte në dritë për lexuesit shqiptarë. Ai nuk ngurronte t’i luste lexuesit ta blenin këtë libër, me qëllim që të përballonte shtypjen e librave të tjerë, që kishte në plan të botonte.
Libri i dedikohej mikut të tij, Faik Be Konicës, “Lëronjësit të gjuhës Atërore dhe Kaloresit të Kryqësatës Kombëtare, si shenjë nderimi, nga shoku i tij i armëve, Noli”.
Fan Noli solli në shqip edhe një kryevepër të letersisë botërore, romanin me temë kalorsiake, “Don Kishoti i Mançes”, një roman humoristik-satirik i Miguel Servantesit, botuar spanjisht me 1555. Eshtë një nga përkthimet më të bukura në gjuhën shqipe. Ndoshta pse satira dhe sarkazma, që e përshkon veprën fund e krye, ishte mjet artistik që i përkiste prirjes së lindur të Nolit.
Një poemë tjetër, një nga më të mirat e letërsisë botërore, “Korbi”, e Edgar Allan Poe-s, është poashtu perlë e përkthimit nolian. Eshtë vlerësuar si përkthimi më i mirë në gjuhët e botës, që ruan plotësisht origjinalitetin, madje shkon edhe përtej vlerave të origjinalit.
Me poaq ëmbëlsi stilistike Noli i ka sjellë në gjuhën shqipe, pa humbur asnjë akord të muzikalitetit poetik të artit te Lindjes, Rubairat e famshme të Omar Kjajamit, njërës prej kryeveprave jo vetëm të letërsisë persiane, duke e vënë shqipen në piedestalin e gjuhëve që përballojnë stilet shkrimore të kryeveprave të letërsisë botërore.
NOLI – DRAMATURG, HISTORIAN, MUZIKOLOG
Fan Noli, siç u tha, lëvroi me sukses shumë fusha të artit e të dijes shqiptare. E provoi veten edhe si dramaturg. Vlerësohet e suksesshme vepra e tij në gjininë e dramës “Israelitë dhe Filistinë”.
Janë dy vepra madhore që e përplotesojnë figurën komplekse e të jashtëzakonshme të Fan Nolit, si njeri me kulturë e dije të thellë: “Histori e Skenderbeut”, me temë shqiptare, një nga kryeveprat e tij, dhe tjetra – Bethoveni dhe Revolucioni Francez, një studim i thelluar nga fusha e muzikologjisë dhe kulturës frënge. (…)
***
Dhe, fare në fund, dua ta mbyll këtë fjalë timen modeste për Kolosin Fan Noli, i cili bashkë me Kolosin tjetër, bashkëkohës, Faik Konicën, ngritēn Shtëpinë e Shqiptarëve të Amerikës, Vatrën famëmadhe, zjarri i pashuar i së cilës mbijetoi një shekull dhe arriti te ne, bashkë me dritën e “Diellit” të saj.
Do të mjaftonte vetëm kaq, që ky Kolos të kujtohet brez pas brezi.
———
* Kumtese e mbajtur në Federatën “VATRA”, me rastin e 50 vjetorit të ndarjes nga jeta e Imzot Nolit. New York,13 mars 20015. Ribotohet me rastin e Dites se Lindjes, ^ Janar 1882