NGA FASLLI HALITI/
1.SI, TI BABA/
Edhe unë/
Si ti,/
Baba/
Kam filluar/
T’i heq këmbët zvarrë,/
Siç i hiqje ti, dikur/
Kur ishe në moshën që jam sot, unë./
Kanë filluar të më dridhen duart
Siç të dridheshin ty
Dikur,
Kur ti ishe në moshën që jam sot, unë.
Ka filluar të më derdhet luga,
Gota e ujit
Filxhani i kafesë,
Siç të derdhej ty dikur,
Kur ishe në moshën që jam sot unë.
Edhe unë
Si ti
Baba
Kam filluar
Të urinoj shpesh
Siç urinoje dhe ti dikur,
Kur ishe në moshën që jam sot, unë.
Edhe unë kam filluar të ngashërehem
Siç ngashëreheshe dhe ti, baba,
Për hiçgjë,
Dikur
Kur ishe në moshën që jam sot, unë.
Po ti, mos ngashëre, baba,
Mos u përlot,
Sepse
Një ditë
Do të vij dhe unë tek ti
Atje në Had,
Siç vajte dhe ti, baba, dikur.
Kur ishe në moshën që jam sot, unë.
Do të çmallemi atje të dy,
Unë do të të tregoj për jetën
Këtu mbi tokë,
Mbi dheun
Tonë ar,
Flori.
Për arat, të lashtat
Do bisedojmë çdo ditë të dy…
Kafenë e ardhjes sime në Had,
Do ta pimë të tre
Nënë,
Babë edhe bir.
Dhe unë do të të them me çiltërsi fëmije,
Nëse këtu mbi tokë apo në Had është më mirë.
- MË GËZOVE MOJ NËNË
T’u bënë tridhjetë vjet,
Në Hades
Me babanë.
Tridhjetë vjet
T’u bënë, moj nënë.
Ç’bëni
Atje
Si shkoni të dy,
Pi
Babai,
Dehet,
Zihet me ty?
Harrova, ju jeni në Parajsë.
Në Parajsë s’ka dehje, zënka, grindje, mëri?
Më gëzove moj nënë që jeni në harmoni!
2016