Në prag të Samitit të Diasporës/Shkruan: Prof. Muhamed Mufaku*/*Historian kosovar me punësim në Amman-Jodani*/
Para ca ditëve mora ftesë nga Kryeministri Edi Rama për të marrë pjesë në “Samitin e Parë të Diasporës” që do të mbahet në Tiranë me 18-20 Nëntor 2016. Ndonëse ftesa është e datës 25 korrik 2016 dhe kërkohej konfirmimi deri në fund te Gushtit 2016, ftesa më erdhi vonë në mesin e Tetorit dhe është dashur më 20 Tetor t’i pëgjegjem duke e falendruar për ftesën dhe duke kërkuar ndjesë për pamundësinë e ardhjes në Tiranë për shkak të detyrimeve në universitet. Në fund të përgjigjes shpreha shpresën që në një Samit të këtillë të diasporës të jetë e pranishme edhe kolonia shqiptare në Siri, e cila “perjetoi fat tragjik me heshtjen e Shqipërisë dhe të Kosovës”.
Po atë ditë kur ktheva përgjegjën, më 20 Tetor 2016, lexova në shtypin e Beogradit (Danas 20/10/2016) për përcjelljen e kontigjentit të parë të ndihmës huminitare serbe për banorët e Halepit (ashtu si e njohin shqiptarët në traditë) ose e Alepos siç po njihet tani. Ajo ndihmë do të mund të shkojë edhe për ata pak shqiptarë që kanë mbetur në atë qytet të shktërruar. Kuptohet, ajo dërgesë nuk ka të bëjë me vizitën e kryeministrit Edi Rama në Serbi ditë më parë. Shqiptarët, ose arnautët siç njihen atje, ngelën në atë vend nga koha e Mehmet Ali pashës pasi ai u detyrua të tërhiqte ushtrinë e tij prej Sirisë më 1840. Ata u bënë të njohur në Halep sa që në “Enciklopedinë e Halepit” u paraqitën edhe disa “fjalë të urta shqiptare” të mbledhura nga arnautët e qytetit.Megjithatë, shqiptarët e Halepit janë shumë pak në mesin e shqiptarëve të Sirisë të cilët përqendohen në Damask. Në krahasim me Halepin, shqiptarët e Damaskut kanë ardhur në këtë vend pas luftrave ballkanike në vitet 1912-1913 dhe midis dy luftrave botërore. Ato me shumicë janë prej Kosove sepse në atë vite ushtrohej dhunë kundër shqiptarëve që të shprënguleshin jashtë atdheut.Me kohë shqiptarët që u vendosen atje u bënë të njohur si “arnautë” dhe shumica e tyre mbajti mbiemrin “Arnaut”. Kjo kishte ndikimin pozitiv sepse krijonte një pakicë që dallohej lehtë në mesin e sirianëve dhe krijonte po ashtu një vetëdije të origjinës në mesin e gjenerateve të reja që janë lindur e rritur në Siri. Me hedhjen në kompjuter të reregjistrave të gjendjes civile në Siri më 2009 doli se në Siri ka gati 7500 persona me mbiemrin Arnaut. Duke marrë parasysh shqiptarët me mbiemra të tjerë si Junizi, Aqifi, etj., numri i shqiptarëve në Siri arrin afërsisht 10 mijë vetë.
Mirëpo, më 2011 Siria u përfshi nga “Pranëvera arabe” dhe arnautët e Sirisë përjetuan mbrenda viteve 2011-2016 një fat të zi atje. Në fillim u ngritën siranët në demonstrata duke kërkuar liri e demokraci, kurse më vonë u shndërrua Siria në një arenë lufte me karakter rajonal e më gjër. Arnautët e Sirisë përjetuan fatin e sirianëve, dhjetra të rinj dolën në demonstra kundër regjimit të Asadit, dhjetra kapën armët në luftime, dhjetra të rinj u arrestuan dhe u vranë, gati gjysma mbetën pa shtëpi dhe u zhvendosen mbrenda Sirisë ose jashtë saj.Në këtë gjendje katastrofale shumë shikonin Kosovën me ndonjë shpresë pasiqë edhe kosovarët kanë përjetuar më 1999 ç’do të thotë të mbetet njeriu pa shtëpi në vend ose jashtë vendit. Mu atëherë, një zëvendës-ministër i ri i Punëve të Jashtme të Kosovës me emrin Petrit Selimi, i cili sa e kishte marrë atë post me kritere partiake, deklaroi se “në Siri nuk ka më kosovarë”. Domethënë, shteti i ri i Kosovës nuk kishte pse të shqetësohej për gjendjen në Siri. Jo vetëm aq. Arnautët e Sirisë që deri atëherë e kishin të lehtë të hynin në Kosovë në saj të mbiemrit të përbashkët Arnaut, tani iu vështirësua hyrja deri në maksimum në emër të vizës paraprake për sirianët.
Në ato rrethana, kur shumë arnautë më ankoheshin për gjendjen e tyre të vend, botova në verë të vitit 2011 një shkrim në gazetën “Koha Ditore” me titull “Cili është shteti amë për arnautët e Sirisë?” Mu atë ditë që u botua shkrimi në Prishtinë, një zyrtar i lartë i MPJ të Shqipërisë m’u paraqit kah ora 11 duke thënë: “Profesor, zoti Berisha sa e kishte lexuar artikullin. Ai iu falendron shumë. Ç’mund të bëjmë për shqiptarët e Sirisë?” Iu përgjegja me falenderim për atë interesim për arnautët e Sirisë duke i parashtruar ca ide. Pas ca ditëve i njëjti zyrtar m’u paraqit: “Profesor, ne mendojmë të ngrejmë një spital fushor afër kufirit jordanez me Sirinë për anautët”. Dhe unë iu përgjegja: “Po mirë, por nuk ka nevojë të reklamohet si spital për anautët sepse vet fakti se spitali është i Shqipërisë do të tërheq arnautët”. Ne fund të bisedës i kërkova leje për të botuar një lajm në shtypin vendas për atë inciativë të Shqipërisë. Pasi që lajmi doli, m’u paraqit i njëjti zyrëtar: “Profesor, ne kemi vendosur që atë spital të ngrejmë afër kufirit turk me Sirinë”. Dhe unë iu përgjegja: “Po mirë, do t’i lajmëroj arnautët që ikin kah veriu”. Mirëpo, asgjë s’u bë dhe ideja për “spitalin fushor” nuk u zevendësua me ndonjë gjë tjetër.
Gjatë viteve 2012-2014 gjendja në Siri u keqësua shumë dhe pati më shumë vrasje, shkatërrime e zhvendosje sa që numri i të vrarëve afrohej tek 300 mijë vetë kurse nja 10 milion sirianë janë zhvendosur mbrenda në Siri ose jashtë saj; gjë që përfshiu edhe arnautët. Mu në atë kohë kufinjtë e Kosovës u mbyllen hermetikisht ndaj arnautëve të Sirisë, me përjastim të ca raste individuale. Mu në atë kohë deputeti kosovar Amir Ahmeti mori nismën që të kërkojë prej qeverisë një ndihmë simbolike për arnautët e Sirisë pasiqë me shumicë ishin me origjinë prej Kosove. Në takimin e parë me ministrin për diasporë Ibrahim Maloku u përshëndet ideja dhe vetëm mbeti të përcaktohej shuma. Mirëpo, siç duket, pasi ministri u konsultua me bosin ai nuk përgjegjej më as në telefon.
Në verë të vitit 2014 isha për një vizitë në Tiranë dhe pata nderin të takohem me Presidentin e republikës së Shqipërisë Bujar Nishani. Edhe pse tema e bisedës ishte tjetër fare, në fund Presidenti më befasoi me pyetjen: “Si janë shqiptarër e Sirisë? Si i kanë punët?” Iu përgjigja shkurt, pasiqë nuk kishte më kohë, duke propozuar ca ide me çka Shqipëria do të bënte mirë për arnautët e Sirisë. Mbeti të rilidheshim në fund të vitit për më tej, por ajo gjë që nuk ndodhi.
Kuptohet, gjatë viteve 2015-2016 gjendja në Siri u përkeqësua akoma edhe më shumë dhe po ashtu edhe gjendja e arnautëve. Mund të thuhet tani se bërthama e kolonisë shqiptare në Siri u shkatërrua, sa që në lagjen e arnutëve në qendër të Damaskut (Divanje) kanë mbetur vetëm nja 100 arnautë. Marrë në përgjithësi, arnautët kanë përjetuar fatin e sirianëve, pra gati 100 të vrarë e gjysma e arnautëve janë zhvendosur mbrenda në Siri ose jashtë saj në Turqi, Austri, Gjermani, etj.Për hir të gjendjes së kolonisë shqiptare në Siri, në fund të përgjegjes dërguar Kryeministrit të qeverisë shqiptare shpreha një dëshirë që në Samitin e Disaporës të degjohet zëri i kësaj kolonie të pafatë e cila pësoi shumë prej demogogjisë dhe indiferencës së qeverive të Shqipërisë e të Kosovës.
*E dergoi per Diellin Saimir Lolja, Kanada