Shpend Topollaj/
(Rreth librit “Jetesë n`mes egërsinave”)
Pa tjetër që në letërsi, ana artistike e një vepre, ka rëndësinë e saj, por janë ca tema që me vërtetësinë e tragjizmit rrëqethës që mbartin brenda tyre, e tejkalojnë atë. Mund të sjell si shembull “Arkipelagun Gulag” të nobelistit Aleksandër Sollzhenjicin për krimet e pafundme të regjimit gjakatar komunist të kohës së Stalinit. Fatkeqsisht, ato krime të përbindshme, me të njëjtën egërsi ngjanë edhe në Shqipërinë e vogël të Enver Hoxhës. Komunizmi si praktikë, tashmë e dinë edhe nxënësit e shkollave, ka qenë sistemi më i padrejtë dhe më mizori ndaj popullit të vet. Atë, për nga pashpirtësia dhe lufta për pushtet e diktatorit që udhëhiqej nga parimi i lashtë “Le të më urrejnë, por të ma kenë frikën”, dhe që nuk kurseu as besnikët e vet të luftës dhe të kohës pas mbarimit të saj, do ta kishin zili edhe perandorët e dikurshëm të Bizantit. Për këto kanë shkruar shkrimtarë, historianë, intelektualë, klerikë dhe të dënuar të ndërgjegjes, por i nderuari dhe i respektuari Filip Guraziu, njëri nga personalitetet përfaqsuese të Shkodrës demokratike, në librin që keni ndër duar, ka zgjedhur për të trajtuar njërën nga anët më të dhimbshme, por edhe më të turpshme: urrejtjen, dyshimin, e deri ndëshimin me burgje dhe internime të atyre bijve atdhetarë të Kosovës, që duke mos u pajtuar me diktaturën dhe në tërësi me diskriminimin që i bëhej popullit të Kosovës nga klikat Tito – Rankoviç, e pastaj Millosheviç, vinin në tokën amë, me shpresën se do të shpëtonin nga përndjekja, poshtërimi dhe dënimi në vendlindje. Filipi, duke u ndalur te fati i Kujtimit, kosovarit të ndershëm i cili besonte tek ato që në mënyrë mjeshtërore, tirrte propaganda demagogjike e Shqipërisë së atyre viteve, ka përgjithësuar thuajse gjithçka ngjau me vëllezërit tanë të të njëjtit gjak që e kishin ëndërr Shqipërinë, “fanarin ndriçues të socializmit” në Evropë. E dhënë me data, orë, emra dhe vende të njohura, ai përshkruan një histori të vërtetë jetese mes egërsirash, e cila ndriçon anën e errët dhe më të panjohur për popullin e Kosovës i cili duke mos pasur asnjë informacion për sa ngjiste këtu, ka pasur të drejtë të mbledhë supet i çuditur dhe shpesh edhe të mos besojë. Dhe megjithëse Kujtimi punon kudo që e caktuan, me ndërgjegje e përkushtim, si në bujqësi ashtu dhe në arsim, pas përfundimit të shkollës së lartë, atë e akuzojnë paradoksalisht si spiun të jugosllavëve. Dhe jo vetëm atë, por e pëson edhe e shoqja, bijë e një partizani të vjetër dhe vetë ky që nga sikleti, vdes para kohe. Para dy ditëve mbarova së lexuari librin e mrekullueshëm voluminoz me kujtime të profesor Ymer Berbatit “Leximi i vetvetes”, dhe ndieja trishtim për sa ka hequr populli heroik dhe paqësor kosovar, por edhe m`u shtua dashuria e krenaria për burrërinë dhe dinjitetin e treguar prej tyre. Veç nuk duhet harruar se po e pësonin nga armiqësia shekullore e ardhacakëve barbarë sllavë nga stepat e largëta, qysh nga shekulli i VI – të. Kurse, pritja që u bëhej atyre te ne, me fyerje, përçmime, akuza pa asnjë bazë, tortura e burgime apo shkatërrime të familjeve që mundën të krijonin, po nga shqiptarët, është akoma më e rëndë dhe absolutisht e pajustifikuar dhe e pafalshme. Nuk po ndalem te koketimi i komunistëve shqiptarë me ata serbë, ku kërkohej përfshirja e Shqipërisë si Republikë e shtatë e Jugosllavisë dhe heshtja për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ku nuk pushuan stigmatat dhe deri pushkatimet për ata nacionalistë që trimërisht e donin Shqipërinë Natyrore, heshtje që për habi, vazhdon edhe sot e kësaj dite, por nuk mund të mos përmend se edhe kur u vendos mes nesh teli me gjemba, sigurimi famëzi vazhdonte bashkëpunimin me UDB – në, duke shkëmbyer ata që kalonin kufirin, ku sido që të ngjiste, të dy palët ishin po shqiptare dhe të dy vuanin vite të gjata burgimi, për gjoja kalim të paligjshëm kufiri. Pa u marrë kohë, do të përmend vetëm një rast që e kam shkruar edhe si tregim, ku një fshatar nga Tropoja që kishte tridhjetë vjet pa e parë motrën, vendosi të vinte këtu dhe ta takonte atë. Rojat e kapën dhe kur e shpunë për ta shkëmbyer, ndër ata që po e merrnin në dorëzim, ishte dhe komandanti i bataljonit tonë i cili ndër të tjera e quante tradhtar, se paskej kaluar kufirin. Malësori, gjakftohtë i thotë se nuk e di se kush të ka bërë ty komandant, kur nuk e di se kufiri ynë nuk është ku shkova unë, por te Guri me Vrimë. Megjithatë, nja dhjetë vjet të mira i hëngri ai qyqari. Ja pse them se edhe në Kosovë, duhet të njihen me ato që u rezervoj regjimi i Enverit, pasi paqartësitë sjellin qëndrime të kundërta që mbjellin përçarje mes njerëzve. Po ashtu, ja edhe pse libri i zotit Filip Guraziu i shërben këtij qëllimi e këtij sqarimi, nga i cili edhe ne në Shqipëri nuk jemi ndarë akoma. Sot, duhet të mbizotërojë dashuria e sinqertë mes nesh dhe ngritja e zërit të përbashkët, për të mos u pajtuar me kërkesat absurde të diplomacisë ndërkombëtare, që djallëzisht kërkojnë t`i bëjnë lëshime pas lëshimesh kriminelëve të Aleksandar Vuçiçit në emër të ruajtjes së ekuilibrave. Asnjë ekuilibër nuk cënon Kosova. Mjaft ka hequr populli i Kosovës dhe ai nuk harron. Ka ardhur koha t`i kujtojmë gjithë botës atë thënien e Virgjilit tek Eneida “Vivit sub pectore vulnus”, pra “Jeton në zemër plaga”.