Kosta Nako/
Në strehën e librave m’u shfaq romani i panjohur “Sy”, por e mora menjëherë në dorë nga emri i autorit – Ardian Kyçyku, të cilin e kam njohur për herë të parë nga mesi i viteve ’90 me audio nëpërmjet Radio Tiranës, në emisionin e përjavshëm të Demir Gjergjit “Fjala si fillim, fjala si flijim”. Ishte me plot ide të reja për letërsinë në një kohë kur të tjerët nuk ishin shkëputur nga metoda e realizmit socialist, ose ngaqë nuk mundeshin, ose sepse nuk dinin ku të shkonin. Nga ajo bisedë mësova edhe planin e tij për të shkuar në Rumani. U futa në bisedë duke e vlerësuar Ardianin për ato që kish thënë, njëkohësisht shpreha keqardhjen për largimin e tij, me parandjenjën se do të ishte një ikje pa kthim. Tashmë kjo ka ndodhur dhe suprizohem tek lexoj konsideratën e shkrimtarit të moçëm Vasile Andru se Kyçyku është një nga tre shkrimtarët më të mëdhenj të gjuhës rumune.
Duke qenë libri i vetëm që kam lexuar nga Ardian Kyçyku, nuk guxoj të përcaktoj një shkallë hierarkie të këtij libri në botimet e tij të shumta, vetëm në shqip janë rreth 20, por mund të them se është e para vepër letrare e shkruar në një mënyrë të tillë që lexohet, por nuk mund të ritregohet. Grotesku dhe surealizmi më bënë ta perceptoj si një pamflet politik me purteka fshikulluese dhe shigjeta dërrmuese. Ngjarjet vijnë me tërsëllëmë që në faqen e parë me tri detaje që organizojnë kompozicionin e veprës: një re që s’dihet si u ngjiz, ca peshq që kërcejnë për të kapur diçka prej saj dhe një sy prej qelqi që magjepset nga pamja.
Pason një atmosferë meditimi për vdekjen si qasja më e natyrshme, por kufiri thyhet kur kufitarët kapin tre peshkatarë që donin të arratiseshin, të tre pa kokë. Pesë breshëri zbrazen mbi kufomat e ftohura dhe vetëm dy qëllojnë në shenjë sepse kishte një zot që i mbronte nga përdhosja. Në një mjedis të dehurish, të dhënat që nuk mund të nxirreshin nga kokat, në spital i kërkohet Doktorit dhe Xhabirit t’i nxirnin nga barqet. Sakaq shfaqen personazhet: Jaho Myneveri i dosjeve për qytetarët, shoku Themistokli – figura më e rëndësishme e rrethit, poetuci Haki Ujera me portretin e shpifur që gëlltiste poshtërimet me buzëqeshje; Misto Fotografi shoqëruar me inventarin e pasur të arkivit të tij; dijetari e mendjelarti Afrim Katrahura që e kishte marrë nofkën pasi kishte veshur këmishën e forcës në spitalin psikiatrik të Elbasanit dhe tani i duhej të zbulonte qelqin për njëlbinë gjithëpamëse e gjithëdëgjuese; gurëthyesi Koço Puthja që nga spitali përfundon te “Bunkeri” për t’i mbytur hallet me ponç; shoku Bexhet – Sekretari i Parë i Rrethit që u jep lejë familjarëve t’i qajnë të vrarët që s’ishin as tradhëtarë, as dëshmorë, thjesht të rënë. Sikur të mos mjaftonin tollovitë e brendshme, duhej të vazhdonte vallja në gojën e ujkut që ndryshonte qimen herë pas here: jugosllav, rus, kinez.
Rrëfimi kalon herë-herë përmes vështrimit të syrit të vetëm të Ilirit, syri tjetër i ka plasur nga goditja e shkopit të gomës, por thuhet se ia kishte gërditur një korb duke shtyrë në minierë vagonin me mineral. Që ta ruajë syrin që i ka mbetur, i kërkohet të bëhet bashkëpunëtor i sigurimit për të mirën e atdheut. Është syri gjithëpamës e gjithëdëgjues.
Fillimisht ndodhemi në një sistem diktatorial ku përftohet një rreth vicioz i jetës, me përsëritje identike ku ndryshojnë vetëm emrat e personazheve. Mund ta ilustrojmë këtë me martesën e Afërditës me Agimin e Zukut të Vdekjeve në lokalin “Familjari” dhe e Verës së Afërditës me Bashkimin e Hasanit në po atë lokal, po ajo meny që mbyllet me shprehjet “Jua shpërblefshim në gëzime!”, “Në shtëpinë tuaj!”, “Në kokën tënde!”. Në bashin e tryezës, pranë krushqve, janë po ato figura të nderuara ku veçohet shoku Themi me të shoqen – Melihanë, i cili hap dasmën dhe dollia e parë është “për komandantin tonë legjendar, për prijësin e popullit tonë”, dollia e dytë “për Partinë tonë të Punës, që e paçim sa malet!”
Te dasma e dytë komandanti legjendar ka vdekur, prandaj në dolli futet shoku Ramis. Në të dy dasmat vihet re mungesa e instrumentave muzikorë, por gjendet një zgjidhje, në të dyja digjet shamia e beqarit. Pastaj skena e pjelljes, kutërbimi, ndërhyrja e suksesshme e Afrim Katrahurës me djegien e fijeve të shkrepses.
Sukses të plotë ka krijimi i shoqatës “Mbrojtja e Kufijve të Shenjtë dhe e Udhëheqësve” me rastin e ditëlindjes së Udhëheqësit Legjendar. Pas vdekjes së udhëheqësit, Jaho Myneveri i dosjeve niset drejt klonit. “Kur e mori plumbi i parë, pamja u gjysmua ose u dyfishua. Plumbat qenkeshin sy. Dhe shqoi disa dhjetëra kufitarë … që nguteshin ta mbushnin me sy… Pastaj një sy më i madh se të tjerët…i çeli vrikthi në lule të ballit.” Ai u shpall poliagjent “Që i humbtë fara e farefisi, jarebi!”
Ndryshimi i sistemit lajmërohet me hapjen e të ashtuquajturave Depo të Kinezit “të cilat ishin depo në fuqi të disatë, sepse kishin brenda mureve edhe pjesë nga depot e turkut, italianit, grekut, frëngut, gjermanit, jugosllavit, rusit, arabëve, etj.” Vijon një inventar marramendës i artikujve që përmbajnë ato. Koço Puthja dhe Agimi i Zukut mbushën dymbëdhjetë qivurë me gjëra me vlerë dhe i varrosën si apostuj duke u vënë shenjë sipër. Pastaj llojet e makinave të transportit dhe njerëzit e ngarkuar me një inventar tjetër të pafund.
Se si ishte brumosur njeriu i ri e tregoi shoqëria shqiptare e tranzicionit transformimin domethënës të Haki Ujerës që çau ferrën për të shpëtuar kryeveprat poetike. “Iku Haki dhe u kthye pas ca kohe Alberto…Kish ikur Alberto dhe u kthye për disa ditë si Hans. Pastaj iku Hans e u kthye Habib. Iku Habib e u kthye Alqiviadh…Pastaj iku Alqiviadh e i kthye John.”
Ndryshon sistemi dhe nga rrethi kalohet në një spirale, fillon e shquhet ndryshimi si te dasma e Koço Stërputhjes me Fluturën. Tani dasmën e nderojnë mysafirë të largët si shoku Milivoje Grbiç, shoku Vollodja Mihajlloviç Shukashvili dhe shoku Go Mo Neng. Vjen menyja e njohur. Pas menysë ofiqarët e shquar vendas. Por në të tri dasmat kryedasmori është po ai: Shoku Themi(stokli), i cili me ndryshimin e sistemit kthehet në zoti Bëri. Tani dollia e tij është për demokracinë, për popullin dhe politizohet kur shpërthejnë thirrjet “Rroftë zoti Tanas Thano! Poshtë horrat dhe hajdutët e Bahri Selishës!” Refreni i mungesës së sazeve, djegia e shamisë së beqarit.
Pas Depove të Kinezit shpërthehen depot e armëve me inventarin e tyre dhe vjen një përshesh me emra të vërtetë dhe të sajuar në një enumeracion që kthehet në një shtresëzim shoqëror si Nëntorajt, Gomonajt, Doganajt, Hashashajt, Skafarët, Bananajt, Kallashajt, etj. që krijuan sferat e veta korruptive. Zoti Themi mendon se ka ardhur koha që të bëjë biznes me dosjet dhe përsëri do të vijë Agimi i Zukut të Vdekjes me dymbëdhjetë qivurë për t’i varrosur dokumentat si apostuj. Shpjegimi i enigmës fillestare vjen nëpërmjet Ilirit: “…peshkatarët a pasunarët a kufitarët i kishin kokat në vend, vetëm mjegullat e mëngjesit, coprat e reve, apo varfëria, pengjet e pafund të jetë sonë, nguteshin të mos ua shihnin.”
Një përsëritje e gjërave në përmasa tronditëse jo vetëm nën diktaturë por edhe në demokraci, me një shtrirje deri te ngjarjet transformuese të Kosovës, te synimet e pafshira greke të aneksimit të trojeve shqiptare sipas formulës “ku kam një të vrarë, është toka ime”, një fshirje e qëllimtë e kufijve midis ëndrrës dhe realitetit për të arritur te një mbyllje që i përngjan faqes së parë të veprës.
(Romani “SY” i Ardian-Christian Kyçykut, Tiranë 2007)